Budapesti, aty ku nis epoka e re e futbollit tonë

  • 03 May 2016 - 08:41
Budapesti, aty ku nis epoka e re e futbollit tonë

 “Ne shpresojmë se do ta kemi shumicën e votave në këtë kongres dhe kështu të hapim shtigje të reja për të rinjtë dhe të rejat tona, që merren me futboll. Kosova, besoj se nga dita e martë do të jetë zyrtarisht pjesë e UEFA-s”, ka thënë Fadil Vokrri, para nisjes për Hungari

: Izolimit shumëvjeçar i ka ardhur fundi

Kosova, sot pret një lajm jashtëzakonisht të rëndësishëm për futbollin tonë. Në Budapest të Hungarisë, mbahet Kongresi i UEFA-s në të cilinë pritet të votohet për  pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në këtë institucioni. I gjithë tabori kosovar është shumë optimist se pranimi do të ndodhë, madje disa sosh e thonë se kjo punë tashmë ka marrë fund dhe se krejt çfarë ka mbetur është marrja e vendimit. Gjithsesi, emocionet të futbolldashësit janë të mëdha, kjo edhe për arsyen se jo rrallë ata kanë ditur të zhgënjehen, me shpresë se këtë herë kjo gjë nuk do të ndodhë, ndryshe plagët mund të ishin të pariparueshme. Shumë personalitete të ndryshme të jetës sportive, politike e gazetarë sportivë kanë marrë rrugën e Hungarisë, derisa vetëm dy janë të ftuar zyrtarisht që të jenë pjesë e këtij kongresi, kryetari i FFK-së Fadil Vokrri e sekretari gjeneral Eroll Salihu.

 Vokrri: I kemi votat e nevojshme

Krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri dhe Eroll Salihu, dje janë nisur nga aeroporti “Adem Jashari” në Prishtinë drejt Budapestit, në udhëtimin e tyre i cili tashmë cilësohet si udhëtim historik. Ata janë të ftuar nga UEFA për pjesëmarrje në Kongresin e UEFA-s që mbahet sot, e ku pritet të finalizohet puna e tyre e palodhshme dhe e jashtëzakonshme në jetësimin e ëndrrës së kamotshme të shumë gjeneratave të futbollit të Kosovës – anëtarësimi në shtëpinë e futbollit evropian.  Vokrri para nisjes ka thënë se tashmë votat e nevojshme për pranim i kanë dhe se askush nuk mund ta ndalë këtë proces. Të kujtojmë se Kosovës për pranim i duhen 28 vota, karshi 54 Federatave pjesëmarrëse në Kongresin e UEFA-s. “Ne shpresojmë se do ta kemi shumicën e votave në këtë kongres dhe kështu  të hapim shtigje të reja për të rinjtë dhe të rejat tona, që merren me futboll. Kosova, besoj se nga dita e martë do të jetë zyrtarisht pjesë e UEFA-s”, ka thënë Vokrri, para nisjes për Hungari, aty ku edhe do të vendoset fati i futbollit tonë. (Më gjersisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës Kosova Sot)

(Kosova Sot)