Gjimshiti, debutim i vështirë përballë Higuain

  • 03 May 2016 - 10:43
Gjimshiti, debutim i vështirë përballë Higuain

Berat Gjimshiti debutoi në Serinë A, afro tre muaj pas transferimit te Atalanta. Mbrojtësi kuqezi ishte titullar në sfidën ku skuadra e tij u mposht 2-1 në fushën e Napolit.

Aktivizimi në elitën e futbollit italian ishte ndër më të vështirët për Gjimshiti-n: Në një stadium të zjarrtë si San Paolo dhe përballë një prej sulmuesve më të frikshëm në arenën ndërkombëtare, si Gonzalo Higuain.

23-vjeçari i Kombëtares u aktivizua si qendër e majtë në repartin difensiv, duke zhvilluar një paraqitje relativisht të mirë, edhe pse në episodet e dy golave të Higuain, humbi duelet direkte me sulmuesin argjentinas.

Këtu ndikoi edhe fakti që Gjimshiti nuk luante prej shumë javësh prej largimit nga Zürich, me trajnerin Edy Reja që i dha shansin të debutonte vetëm pasi Atalanta siguroi mbijetesën mes më të mirëve.

Në rolin e të vëzhguarit special të mbrëmjes, mbrojtësi kuqezi nuk u ndihmua në mënyrën e duhur as nga shokët e ekipit, por gjithsesi paraqitje nuk është aspak për t’u hedhur poshtë.

 

Berat Gjimshiti pret të tjera minuta në këmbë, në dy ndeshjet e mbetura të Serisë A, ku bergamaskët do të luajnë ndaj Udinese-s dhe Genoa-s, jo vetëm për të fituar siguri, por edhe për të rigjetur formën në kuadër të finaleve të Euro 2016.

(Kosova Sot)