Vokrri: E kam ftuar Serbinë të luaj në Kosovë, Blatterin e ka ngazëllyer kjo gjë

  • 04 May 2016 - 22:05
Vokrri: E kam ftuar Serbinë të luaj në Kosovë, Blatterin e ka ngazëllyer kjo gjë

Vokrri ka përmendur edhe një ftesë që i kanë bërë Përfaqësueses së Serbisë për të zhvilluar një ndeshje miqësore

“Përmes gazetave beogradase i kam ftuar që të vijnë e të luajnë në Kosovë. Por për ta dukej nënçmim, sepse e dimensiononin se Kosova është pjesë e tyre.”

“Ne bisedonim të zhvillonim një takim miqësor. Blatter ka qenë i ngazëllyer kur i kam ftuar në takim, dhe e ka përshëndetur këtë gjest”, ka pohuar Vokrri.

Vokrri ka përmendur se në bisedat që ka pasur me të parin e FIFA-s atë kohë, Sepp Blatter, ai çdoherë ka thënë se Kosova duhet të luajë futboll.

Kështu sipas tij kanë nisur që të zhvillohen edhe ndeshjet miqësore të përfaqësueses sonë, të cilat edhe i kanë paraprirë pranimit në UEFA.

“Në fillim është bërë analiza e Komiteti Ekzekutiv, e kemi ditur që pranimi i menjëhershëm është i pamundur, prandaj kemi vendosur që fillimisht të zhvillojmë ndeshje miqësore.”

Vokrri i befasuar me Zvicrën, thotë se ka ndikuar te disa vende që të mos votohet Kosova në UEFA

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, thotë se e ka parashikuar një qëndrim të Zvicrës rreth Kosovës në votimin në UEFA, por jo deri në atë masë.

Në Zona B, ai ka folur edhe për vendimin e Federatës së Futbollit të Zvicrës, që të mos përkrahet Kosova.

“Nuk ka qenë e paparashikueshme qëndrimi i Zvicrës, mirëpo jo deri në këtë masë. Nuk e kemi pritur këtë”

“Kryetari i Federatës së Zvicrës ishte vetëm dy javë më parë. Kur ka qenë në Prishtinë nuk na ka premtuar votën. Por për shkak të korrektësisë nuk kemi folur për këtë.”

“Vota është e fshehtë, ka pas edhe ato shtete që kanë premtuar votën, por që nuk e kanë dhënë.”, ka thënë Vokrri.

“Mendoj se Zvicra ka ndikuar edhe te vendet tjera, sepse kemi llogaritur të marrim votat e 32-33 vendeve.”

Vokrri ka thënë të ketë qenë i habitur me qasjen e Zvicrës dhe kërkesës së tyre që të votohet fshehtë dhe këtë ai e konsideron si një gabim strategjik në vigjilje të Kampionatit Evropian, Franca 2016.

(Kosova Sot)