“Me meritë në finale”

  • 06 May 2016 - 09:24
“Me meritë në finale”

"Mbretërit" besojnë se ishin më të mirë se Manchester City

Pellegrini nuk pajtohet me rezultatin

Real Madrid është skuadra më e trofeshme në Ligën e Kampionëve me dhjetë sosh. Por, “Mbretërit” do të kenë mundësi që pas tre javësh të shtojnë edhe një trofe në sirtarin e tyre, pasi në finale do të ballafaqohen me skuadrën rivale të qytetit, Atletico-n. Real-i mundi të mërkurën Manchester City-n me rezultat 1:0 dhe u kualifikua në finale. Trajneri i madrilenëve, Zinedine Zidane është shprehur i lumtur me kualifikimin në finale. “Sigurisht që kjo është nata ime më e rëndësishme në karrierën si trajner. Bëmë gjithçka duhej të bënim, ndonëse duke vuajtur, por akoma nuk kemi fituar asgjë. Shkojmë në finale dhe jemi të lumtur, por ndërkohë nuk duhet të shpërqendrohemi nga kampionati. Finalja e ‘San Siro’-s është ende larg, prandaj mos harrojmë se jemi në garë për kampionatin. Unë jam i lumtur që jemi në finale, por në të njëjtën kohë, kundër Atletico-s do të kemi një motiv më shumë për të luftuar dhe kërkuar fitoren. Mos harrojmë se na mundën në kampionat, prandaj ky është rasti më i mirë për t’u hakmarrë”, u shpreh francezi. I lumtur ishte edhe Ronaldo. “Jemi të lumtur, sepse jemi në finale dhe është e veçantë. 1:0 është rezultat i ngushtë, por ne ishim më të mirë. Nuk kam luajtur që 15 ditë, por njerëzit harrojnë që unë kthehem shpejt. Jam i lodhur, por shumë i lumtur”, ka thënë Ronaldo pas takimit, ndërsa Gareth Bale shtoi: “Gjysmëfinalet janë gjithmonë kështu. Po flasim për nivele shumë të larta, prandaj është shumë e vështirë që të mundësh kundërshtarët që ke përballë me një diferencë të madhe golash. Manchester City, edhe pse nuk bëri shumë për të na vënë në vështirësi, ishte gjithmonë në pritje të një gabimi nga ne, por në fund ia dolëm që të kalojmë në finale dhe jemi të gjithë shumë të lumtur”, theksoi Bale, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

City nuk krijoi shumë raste

Ndërkohë, Manuel Pellegrini nuk ishte i lumtur me rezultatin në fund të ndeshjes. “Kurrsesi nuk meritonim të humbnim. Është gjithashtu e vërtetë se nuk krijuam shumë, por në të njëjtën kohë edhe Real-i i Madridit nuk bëri shumë për të shënuar, nëse nga ana e tyre nuk do të kishte pasur fatin, i cili bëri që ai krosim i Bale të devijohej nga lojtari ynë dhe të përfundonte në rrjetë. Na mungoi kthjelltësia sidomos në anën sulmuese, kur nuk arritëm që të shtrinim lojën tonë dhe të ishim të rrezikshëm, ndonëse e ritheksoj, barazimi pa gola do të kishte qenë më i drejti. Rikthim negativ në Madrid? Jo, tifozët më pritën mirë, si gjithmonë, por nuk mendoja se do largohesha me këtë rezultat, të paktën jo në këtë mënyrë”, u shpreh 62-vjeçari.

(Kosova Sot)