Brahimaj: Teatri ka nevojë urgjente për ndërhyrje (Foto/Video)

  • 17 May 2017 - 10:49
Brahimaj: Teatri ka nevojë urgjente për ndërhyrje (Foto/Video)

Në një prononcim për "Kosova Sot", drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, institucion i cili së bashku me teatrin ndan objektin, ka thënë se objekti ka nevojë urgjente për ndërhyrje, pasi renovimet e bëra deri më tani janë bërë shkel e shko. Por, ai ka pranuar se nuk ka ndonjë informacion, nëse do të ndodhë një gjë e tillë. Pasi, siç ka thënë ai, deri më tani ka pasur shumë premtime, të cilat nuk janë mbajtur. Ai ka thënë se objekti ka nevojë për një renovim të përgjithshëm të hapësirave që nga, bodrumet deri tek kulmi. Pasi, siç ka thënë ai, çdo herë që ka reshjet, uji vazhdon të depërtojë deri te zyrat brenda objektit, duke krijuar një situatë emergjente. "Objekti duhet t'i nënshtrohet një rinovimi që nga bodrumi e deri tek kulmi. Sidomos salla ku baleti i kryen ushtrimet.

Zhveshtoret kanë nevojë për ndërhyrje urgjente, pasi renovimet janë bërë shkel e shko dhe vetëm sa janë përkeqësuar edhe më shumë kushtet e punës", ka thënë Brahimaj, duke treguar edhe zyrën e tij ku gjurmët e depërtimit të ujit tashmë janë mjaft të dukshme dhe kova e cila përdoret kur ka reshje për të mos lëshuar rrjedhjen e shiut përhapet në dysheme. Brahimaj ka thënë se edhe skena duhet rregulluar, pasi është dëmtuar nga puna e përditshme, sidomos nga uji. Kultura, jashtë prioriteteve qeveritare Brahimaj ka thënë se gjasat që MKRS-ja do të mund të vendosë për një renovim të objektit gjatë këtij viti janë të pakta. Pasi, siç ka thënë ai, deri më tani jo gjithherë institucionet kanë mbajtur premtimet e dhëna. Brahimaj ka thënë se duke pasur parasysh edhe përvojë e lidhur me kërkesat që dalin, institucionet qeveritare si MKRS ashtu edhe vetë Qeveria janë treguar se kulturën dhe nevojat që kanë institucionet kombëtare i kanë lënë jashtë prioriteteve. "Jo vetëm MKRS-ja, po as Qeveria nuk e ka pasur vullnetin për ndërtimin e një infrastrukture funksionale. Nga ky mosinteresim i institucioneve jemi duke u përballur me probleme të ndryshme", ka thënë Brahimaj. 

(Kosova Sot)

Image