Shpend Ahmeti injoron Asamblenë, shkeli ligjin për rastin "Kodrina" (Video)

  • 22 May 2017 - 08:10
Shpend Ahmeti injoron Asamblenë, shkeli ligjin për rastin

"Që nga marrja e postit të kryetarit, Shpend Ahmeti ka shkelur shumë ligje, si ndarjen e subvencioneve për aktivitete kulturore pa asnjë meritë dhe shumë ligjeve e rregullore të tjera, andaj nuk është për t'u habitur që edhe këtë shkelje ai e konsideron normale dhe të parëndësishme, si të tjerat. Shpend Ahmeti me përkrahje të Devollëve dhe tenderëve të ndryshëm e ka siguruar e përfituar një të ardhme për fëmijët e fëmijëve të tij dhe është krejt normale që ai nuk frikësohet nga ligji, sepse ligjet në Kosovë janë të lakueshme sipas bazës materiale. Kur një asamblist, si Lirak Çelaj, e kritikon dhe akuzon ashpër Shpend Ahmetin për shkelje të ligjit e të rregulloreve, askush nuk e ka të qartë pse hesht Prokuroria e Shtetit", thotë analisti Reshat Sahitaj për gazetën "Kosova Sot", shkruan gazeta Kosova Sot.

Image

Derisa Prokuroria e Shtetit po vazhdon të heshtë rreth dhjetëra akuzave publike, por edhe ndaj dhjetëra Kallëzimeve penale, që po adresohen e deponohen në Prokurorinë e Shtetit, në emër e kundër kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për shkelje të shumta te ligjit, sikur ajo me rastin e projektit te "Kodrina" në lagjen "Mati 1", asamblistët nga radhët e opozitës në Asamblenë Komunale të Prishtinës konsiderojnë se herët apo vonë ky skandal do ta dërgojë kryetarin Ahmeti para drejtësisë, për shkeljet e bëra ligjore e procedurale. Kreu i asamblistëve të LDK-së në Komunën e Prishtinës është shprehur për gazetën "Kosova Sot" se tanimë kaluan gati katër vjet e Komuna e Prishtinës nuk e solli në Kuvend propozim-vendimin për miratimin e hartës zonale, si parakusht ligjor për fillimin e ndryshimit të planeve të hollësishme rregullative dhe për miratimin e planeve të tjera të hollësishme rregullative."Kjo qeveri komunale po vazhdon me avazin e vjetër për të shkelur Ligjin për Planifikim Hapësinor, duke sfiduar Kuvendin dhe duke miratuar propozim-vendimet për ndryshimet e planeve të hollësishme rregullative, përkundër që Ministria e Planifikimit Hapësinor po i anulon këto vendime. Këso kokë- fortësie s'ta ka parë syri ndonjëherë dhe s'ta ka dëgjuar veshi askund në rruzullin tokësor", është shprehur Gashi. Ai tutje ka shtuar: S'po më çuditin Shpend Ahmeti dhe VV-ja, por partnerët e tjerë të koalicionit, të cilët verbërisht po i përkrahin këto politika çoroditëse dhe të mbrapshta, sepse VVja është mësuar të mos i njoh ligjet e Republikës së Kosovës. Kështu ka vepruar Shpendi edhe kur e ka nënshkruar Marrëveshjen me kompaninë "Tregtia" për realizimin e këtij projekti multimilionësh dhe ka bërë precedent dhe njëkohësisht ka urdhëruar me shkrim drejtoritë përkatëse që të implementojnë përmbajtjen e marrëveshjes. Pra, siç shihet ka një varg shkeljesh ligjore rreth këtij projekti, me ç'rast besoj se herdokurdo do të përgjigjen para ligjit për shkeljet e bëra", ka theksuar Gashi për "Kosova Sot".

Image

Çelaj: Me shkelje të ligjit, Ahmeti ka nënshkruar marrëveshje me një kompani akoma pa u aprovuar në Kuvend

Shefi i Grupit të asamblistëve të PDK-së, Lirak Çelaj, ndonëse nuk mori përgjigje në seancën e së premtes së kaluar, nëse ka filluar hetuesia të merret me Shpendin, i kontaktuar nga gazeta të dielën theksoi se sado që mund të vonojë trajtimi i këtij rasti ai një ditë me patjetër duhet dhe do të marrë epilogun meritor, ngase askush nuk mund ta mohojë shkeljen ligjore të shkaktuar nga kryetari Shpend Ahmeti me rastin e nënshkrimit të kundërligjshëm të memorandumit me kompaninë e tij të preferuar nga ana e tij për projektin "Kodrina". "Shkelja konkrete në këtë rast është se Shpend Ahmeti ka nënshkruar marrëveshje me një kompani akoma pa u aprovuar në Kuvend, që i bie të jetë për motive korruptive. Pra, nuk e ka marrë paraprakisht miratimin e Kuvendit, sepse çfarëdo që ka të bëjë me çështje sensitive ai paraprakisht është dashur ta marrë një aprovim formal të Kuvendit dhe mandej të nënshkruajë. Ai e ka bërë të kundërtën, njëherë e ka nënshkruar e më pastaj e ka sjellë në Kuvend për aprovim. Kjo është shkelja e parë dhe më kryesorja, ngase aty mund të ketë edhe shkelje të tjera për motive korruptive , por kjo është ajo më kryesorja", ka theksuar Çelaj për "Kosova Sot". Sipas tij, tani fillimi i trajtimit të këtij rasti nga ana e prokurorisë mund të jetë duke u zvarritur vetëm për shkak të presionit të madh dhe linçimit publik që po iu bëhen të gjitha institucioneve të drejtësisë nga ana e "Vetëvendosjes", por është i bindur që edhe kjo situatë shpejt do të tejkalohet dhe ligji do të vlejë për të gjithë njësoj. "Unë e kam thënë shumë herë që edhe policia, edhe prokuroria, por edhe gjykatat po kanë frikë prej 'Vetëvendosjes', sepse ata po i linçojnë publikisht të gjithë ata zyrtarë dhe institucione që po merren me ta dhe shkeljet e tyre ligjore. Sidoqoftë, unë nuk kisha dashtë të them që në këtë mënyrë nuk po funksionon fare shteti ligjor, se nuk do të mund të funksionojnë institucionet e drejtësisë, por mund të them që janë nën presion. Prandaj, herët a vonë shpresoj që drejtësia do të veprojë. Shpresoj se do të veprojë me kalimin e kohës, por besoj shpejt", theksoi Çelaj për "Kosova Sot".
"Kjo qeveri komunale po vazhdon me avazin e vjetër për të shkelur Ligjin për Planifikim Hapësinor,Ligjin për Ndërtimin etj.,duke sfiduar Kuvendin dhe duke miratuar propozimvendimet për ndryshimet e planeve të hollësishme rregullative,megjithëse Ministria e Planifikimit Hapësinor po i anulon këto vendime.Këso kokëfortësie s'ta ka parë syri ndonjëherë dhe s'ta ka dëgjuar veshi askund në rruzullin tokësor", është shprehur kryeasamblisti i LDK-së,Agim Gashi.

Image

 

(Më gjerësisht mund të lexoni në gazetën  Kosova Sot)

(Kosova Sot)