MUHARREMI:Muzeu i Kosovës dhe Galeria Kombëtare të sigurojnë hapësirë për ekspozim të artistëve (Video)

  • 24 May 2017 - 10:47
MUHARREMI:Muzeu i Kosovës dhe Galeria Kombëtare të sigurojnë hapësirë për ekspozim të artistëve (Video)


Në një prononcim për "Kosova Sot", kritiku Ilir Muharremi, profesor në UP, ka thënë se hapësira është shumë e rëndësishme për prezantimin e artit pamor. Në Prishtinë, ka thënë ai, ka pak hapësira publike si Muzeu i Kosovës, i cili tash më shumë ekspozon artefakte, ndërsa Galeria e Arteve ka aktivitete që i organizon në kuadër të programit të saj, por edhe jashtë programit. Por, më e keqja është, ka thënë ai, se kontribuesit më të mëdhenj të artit pamor në vend si Muslim Mulliqi, etj., rrallë ekspozohen para publikut, pikërisht për shkak të hapësirave.

'Mendoj se Muzeu i Kosovës dhe Galeria Kombëtare e kanë për obligim të sigurojnë hapësirë të përhershme për ekspozim të artistëve sikurse Mulliqi. Sepse çdo vizitor që sheh dëshirë për të shijuar trashëgiminë viziton muzeun dhe GKK-në, dhe çfarë gjen aty? Kryesisht ekspozita", ka thënë ai. Sipas tij, çdo vit nga universitetet diplomojnë dhjetëra artistë dhe ekspozimi i punës së tyre është mjaft i vështirë. Shton se bërja e kryeqytetit me më shumë hapësira për ekspozim ndihmon zhvillimin e artit pamor. Ai ka kujtuar edhe vështirësitë që kanë artistët e rinj për promovim, ku siç ka thënë ai, barrierat janë bukur të shpeshta. "Besoj se vendit i duhet një objekt modern, ku do të ishte edhe një vend ideal për ekspozim të artistëve të rinj, të cilat sot nuk kanë shumë mundësi, dhe të mos vlejë ai kriteri që dikur ka vendosur GKK-ja që asnjë artist nën moshën 30-vjeçare të mos ekspozojë në galerinë kombëtare. Pasi mosha nuk është kurrfarë kriteri në art. Dua të kujtoj se Vangogu të gjitha vepra e tija madhore i ka krijuar para moshës 30- vjeçare", ka thënë Muharremi.

(Kosova Sot)