KUQI: Jemi dëshmitarë të zhgënjimit, papunësisë, varfërisë, mjerimit, keqpërdorimit, korrupsionit ... (Video)

  • 25 May 2017 - 11:02
KUQI: Jemi dëshmitarë të zhgënjimit, papunësisë, varfërisë, mjerimit, keqpërdorimit, korrupsionit ... (Video)

Analisti politik, Gurakuq Kuqi, drejtor në Institutin për Studime Politike dhe Mediale, pohon se një problem që na ndjek në çdo zgjedhje, qofshin ato qendrore apo lokale, është se partitë politike nuk kanë program qeverisës, edhe kur pretendojnë se kanë një të tillë, ata në të vërtetë kanë disa pika paushall, të cilat nuk janë të bazuara mbi gjendjen reale dhe mundësitë e realizimit të tyre dhe kështu japin shifra dhe oferta galoponte. "Edhe tani kur jemi para tri blloqeve apo dy koalicioneve dhe një partie të vetme, vazhdon i njëjti avaz. Koalicionet janë vetëm për numra dhe pushtet, dhe janë koalicione të momenteve të fundit, aspak bazuar mbi ndonjë planprogram zhvillimor qeverisës. Dhe, më e keqja është se nuk ka një palë, e cila është e kundërta e tyre, por në fund të fundit të gjitha janë njësoj", u shpreh ai.

"Partitë politike janë një katalizator edhe i zhvillimit të demokracisë dhe kulturës politike edhe tek qytetarët, por në Kosovë këto parti asnjëherë nuk kanë qenë të interesuar ta bëjnë këtë, pasi udhëheqësit e tyre nuk kanë aftësi zhvillimore dhe për ta bërë këtë duhet që të heqin dorë nga pushteti, andaj duke mos e zhvilluar as demokracinë e as kulturën politike arrijnë, që me premtime fiktive ta ruajnë pushtetin e tyre partiak dhe shtetëror', tha Kuqi. "Ne jemi dëshmitarë çdo ditë të zhgënjimit, papunë- sisë, varfërisë, mjerimit, keqpërdorimit, korrupsionit e shumë dukurive të tjera, jemi dëshmitarë që çdo ditë ka kërkesa për ikje masive nga Kosova, ku shumë qytetarë jetojnë me më pak se një euro në ditë, dhe këto janë një vetëdije në rritje e qytetarëve, por që këta të fundit janë të pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen. Pasi ekziston një pjesë klienteliste partiake, që e kanë kapur shtetin, e njëjta gjë nuk pritet që të ndryshojë as edhe për një kohë e as me zgjedhjet e reja", ka potencuar Guakuq Kuqi. Ai pohon se arsimi është shkatërruar me qëllim, që të mos ketë njerëz të ditur, pasi të diturit nuk mund të sundohen, por vetëm të qeverisin, e po ashtu edhe shëndetësia, ku nuk gjen shërim, sepse mjekët e mirë po ikin nga Kosova. 

(Kosova Sot)