Skamja në barakën e tmerrit, Shpendi i ngarkon me fatura për tatim (Video-Foto)

  • 23 June 2017 - 15:09
Skamja në barakën e tmerrit, Shpendi i ngarkon me fatura për tatim (Video-Foto)

Makfirja bashkëshortin e ka të sëmurë rëndë

E lodhur dhe e dërrmuar nga skamja dhe vuajtjet e jetës, Makfire Selmani u drejtohet të gjithëve me një apel për ndihmë, në prag të Festës së Bajramit. Sidomos drejtuesve të Komunës së Prishtinës, të cilët deri më tani, siç thotë edhe vetë Makfirja, në vend që t'i gjejnë një zgjedhje për banim, tashmë po i kërkojnë edhe të paguajë tatim për barakën e tmerrshme, në të cilën jeton kjo familje në kushte të tmerrshme, që familja Selmani e shfrytëzon më se 25 vjet. Pavarësisht gjendjes së tmerrshme të barakës, ku fare lehtë vërehet pesha e viteve mbi një objekt të vjetër prej dërrasash të demoluara, ku vrimat e mëdha dhe deformimet e tavanit të tmerrojnë dhe të krijojnë përshtypjen e një skene filmi horror, Selmani mundohet që sadopak të jetë e pastër. E emocionuar ajo pret ekipin e gazetës "Kosova Sot" dhe nis rrëfimin e mbi kalvarin e jetës së saj në Prishtinë. Në barakën e drunjtë, pranë shkollës "Ismail Qemali" në Prishtinë. 

Racionet ditore i siguron prej bamirësve

Sapo hedh hapin e parë për të hyrë brenda ambienti ku tashmë jeton familja 6-anëtarëshe e Makfires, ndeshesh me realitetin e tmerrshëm që jetohet aty. Me hapësira të vogla dhe më erë që kutërbon, për shkak të kalbjes së dërrasave nga depërtimi i ujit sa herë që bie shi. Me gjësende që vijnë, siç thotë ajo, nga rahmeti i njerëzve, pasi vetëm prej bamirësve ajo arrin të sigurojë racionet ditore. Me një sfidë që ngadalë po e gërryen Makfiren, e cila me sakrificë titanike po mban familjen e saj, ajo rrëfen se sa vështirë është të mbahet familja në këtë gjendje, të sigurohet ushqimi, veshmbathja, dhe barnat për të sëmurin, burrin e saj. "Jemi 6 anëtarë të familjes dhe jetojnë me një ndihmë sociale, unë, burri i sëmurë rëndë dhe 4 fëmijë, ku më i madhi ka mbushur 15 vjet. Në këtë barakë kushtet janë aspak të mira. Po të tregoj drejt, po duhet me dalë në rrugë, edhe para xhamive me zgjat dorën, edhe pse rrezik", ka rrëfyera ajo, duke shtuar se nuk e di se çfarë i sjell dita, me çfarë do ta shtrojë sofrën në mbrëmje, dhe nëse e siguron atë, çfarë do të bëjë të nesërmen për mëngjes. Një rutinë, që duhet ta mendojë çdo ditë. Kësaj kur i shtohet edhe nevoja për mjekim dhe barna që i përdor bashkëshorti, atëherë ajo nuk i mban lotët. "S' paska më vështirë se të jesh në këtë gjendje. Vetë burrë, vetë grua. Dushmanin mos e pafsha në këtë gjendje që jam unë. Po mbahemi me atë që na ofrojnë njerëzit bamirës, nga ata që kanë rahmet", ka thënë Makfirja, duke shtuar se ndihet e tmerruar dhe nuk guxon të mendojë as për drekën e Bajramit. Pasi, ajo ka thënë se është një besimtare dhe pavarësisht gjendjes aktuale, ajo agjëron dhe i shtyn ditët deri në iftar me pak bukë, kripë dhe ujë. Por, me shpresë se solidaritet i njerëzve do ta përcjellë edhe këtë vit, sidomos në vigjilje të Festës së Bajramit. 

Komuna, në vend se t'u ndihmojë, i penalizon

Ajo tregon se shumë herë u është drejtuar zyrave komunale për ndihmë, por të mos këtë gjetur mirëkuptimin tyre për ndihmë, veçmas për banim. E, kur kujton rastin kur shumë vite më parë komunarët patën marrë një vendin për t'i larguar nga aty, Makfire Selmani nuk përmbahet. Zëri i dridhet dhe fytyra e zbehtë dhe sytë i skuqen. Flet se si ka trokitur në çdo derë që ka dëgjuar se dikush mund t'i ndihmojë. Por, ka dalë duarthatë. Përsëri ndihma vinte nga qytetarët solidarë. "Krejt këtë çfarë kam, e kam nga njerëzit që më kanë ndihmuar. Kam kërkuar edhe nga vetë kryetari, Shpendi, që të më bëjë një zgjidhje, por deri më tani asgjë, edhe ai sikur të tjerët, as që e ka përmendur ndonjëherë rastin tim dhe varfërinë time. Ja, më kanë dërguar këtë letër dhe më kërkojnë të paguaj tatim për këtë barakë të tmerrit. Le të ma marrin socialin, nuk kam tjetër gjë", rrëfen Makfirja, duke treguar një faturë të tatimit në pronë, që i ishte dërguar familjes nga Komuna e Prishtinës, ku kërkohej të paguanin tatim për shfrytëzimin e barakës. 

Nuk kanë para as për barna

Përsëri ajo mbetet me shpresë se dikush do të trokasë në derën e saj për t'i gëzuar për Festën e Bajramit, po përsëri mendja i shkon për burrin e saj të sëmurë që i duhet ndihma, kudo që është, por edhe shumë të holla për të siguruar barna. Por, pa harruar edhe fëmijët, të cilët tashëm po rriten dhe ajo nuk di si do t'ia bëjë më tej, për t'i shkolluar dhe për t'i plotësuar nevojat e tyre. "Fëmijët po shkojnë në shkollë dhe janë rritur dhe kjo po na lëndon shumë, pasi kushte nuk kemi, deri këtu i kemi shkolluar me ndihmë dhe mirëkuptimin të tjerëve, tani nuk di si do t'ia bëj më tej", ka pohuar Makfirja, e pikëlluar nga gjendja e mjerë, në të cilën jeton ajo dhe familja e saj. 

Image
Image
Image