Bllokuesi është Hashim Thaçi (Video)

  • 18 July 2017 - 07:41
Bllokuesi është Hashim Thaçi (Video)

INTERVISTË ME ANALISTIN HAKI ABAZIN

Presidenti në shërbim të grupacionit të tij politik

"Kosova Sot": E vetmja mënyrë për ta bërë qeverinë nga PAN-i duket të jetë sigurimi i votave individuale të deputetëve. A besoni sot se Ramush Haradinaj do jetë kryeministri i ri i Kosovës?
Haki Abazi: Jemi në teh të thikës si të themi, për shkak të numrave, të cilët kanë dalë si rezultat i zgjedhjeve, të cilat paraprakisht janë determinuar prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk la hapësirë të mjaftueshme nëpërmjet interpretimit pas zgjedhjeve të vitit 2014 dhe në njëfarë forme detyroi partitë e vogla, por edhe partitë të cilat, në rastin konkret PDK-në, e cila ka rënie të jashtëzakonshme gjatë mandatit qeverisës me LDK-në, që për shkak të dështimeve dhe gabimeve hap pas hapi, edhe u pa qartë që hyrja në zgjedhje ka me qenë një dështim, dhe i detyroi partitë që të krijojnë koalicione, apo të mobilizohen për të dalë edhe të vetme, sikur që është rasti i 'VETËVENDOSJES'. Kjo ka sjellë një matematikë shumë komplekse realisht e cila reflekton pabesueshmërinë e qytetarit ndaj partive politike. Edhe pse pamë një zhvendosje mjaft interesante në rritjen e VV-së, pamë një situatë të elektoratit të LDK-së për të mbetur besnik dhe një rënie drastike në PDKnë, gjë që kjo në njëfarë forme ndikoi edhe në rezultatin përfundimtar të PAN-it. Tani duhet kuptuar që edhe elektorati është më i edukuar dhe më i informuar, por nuk pati mundësi që përbrenda ekuacionit në çfarë tentuan në PDK ta hedhin AAK-në për të marrë flamurin e fitores, nuk u arrit ajo si qëllim dhe kjo rrjedhimisht si situatë edhe mundë ta nxjerr Haradinajn si kryeministër, por unë kam thënë edhe më herët se jam shumë i bindur që edhe vetë Haradinaj nuk është i kënaqur me formën për me mujt me pas një qeveri, e cila nuk e ka forcën e veprimit. Në një çështje është se duhet të bëhet nëpërmjet marrëveshjeve të deputetëve, që domosdoshmërisht ata duhet të jenë në marrëdhënie shumë të brishta me elektoratin, sepse votën që ua kanë dhënë nuk ua kanë dhënë për të bërë marrëveshje të tilla, dhe rrjedhimisht ajo që është shumë e rëndësishme nga këto zgjedhje, fituesi kryesor është Lista Serbe, e cila në një rast të krijimit të një qeverie të PAN-it do të kishte fuqi të jashtëzakonshme politike, sidomos për të bllokuar çështjet kritike në agjendën e qeverisëse, të cilat janë prioritet. Ajo duhet filluar me konsolidimin e shtetit, që rrjedhimisht Lista Serbe është e interesuar mos të lejojë që të bëhet, dhe me u pa Kosova si e pamundur për të funksionuar si shtet. Krijimi i ushtrisë është çështja tjetër më kritike, insistimi në krijimin e Asociacionit me shumicë serbe, gjithmonë ka me qenë pjesë e negociatave për çfarëdo lëvizje që do të duhej vota e Listës Serbe. Dhe mandej mendoj që edhe demarkacioni, jo ashtu siç e kemi parë, por edhe në dimensionin për krijimin e një precedenti në krijimin e kufirit me Serbinë, Lista Serbe ka me qenë pretenduese e një situate të tillë. Do të thotë që fatkeqësisht Haradinaj është sjellë në situatën, në të cilën është sjellë, mirëpo krejt kjo ka qenë rrjedhë gati edhe e parashikueshme pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Mirëpo, nuk mund të përjashtojmë edhe skenarin tjetër, kur PAN-i do të dështojë në mbledhjen e votave të mjaftueshme, me të cilën mendoj se do të krijohet një situatë krejtësisht e re, që nuk ka me qenë absolutisht e lehtë. Ne kemi të bëjmë me faktin që presidenti është nga PDK-ja. Dhe është një nga figurat kryesore, e cila ka sjellë deri te përçarja dhe polarizimi i skajshëm në Kosovë. Thaçi nuk njihet për asgjë tjetër përveçse kryeneçësisë dhe idesë që nuk ka lënë partitë që të kenë minimumin e konsensusit për interesat nacionale, dhe tani si president e ka edhe fuqinë për ta dhënë mandatin për të dytin.

Ndërkombëtarët skeptikë ndaj Kosovës

"Kosova Sot": Kuinti doli me një deklaratë, ku la të kuptohej se do të njohë edhe një qeveri minore, me votat e PAN-it dhe minoriteteve e ndonjë deputeti 'tradhtar'. Si e shihni ju rolin ndërkombëtar në këtë situatë?

Haki Abazi: Normalisht që mund të ketë edhe apetite që të riaktivizohet roli i fuqishëm i bashkësisë ndërkombëtare dhe të aktorëve të ndryshëm të bashkë- sisë ndërkombëtare, kështu që unë mesazhin e Kuintit e kuptoj si një mesazh që mos lini vakum politik, e që nuk është strategjike mendoj qasja e tyre ndaj Kosovës, por në fakt është një margjinalizim edhe ndaj problemit të liberalizimit të vizave, kur e kemi rastin e Ukrainës që e ka një pjesë të aneksuar nga Rusia, kemi jostabilitet të përgjithshëm dhe iu është dhënë liberalizimi i vizave, kurse është Kosova që nuk ka pasur asnjëherë problem me Malin e Zi, në asnjë formë përkundrazi ka qenë në raporte të mira edhe gjatë luftës, kur Mali i Zi i ka strehuar disa prej refugjatëve nga Kosova, dhe tani është paraqitur si krizë artificiale, e cila është e pakuptimtë absolutisht. Mirëpo bashkësia ndërkombëtare ka pasur një tendencë që ta arsyetojë mosgatishmërinë e vet për ta trajtuar Kosovën në një formë si të barabartë me Serbinë dhe vendet e tjera të rajonit. Është paradoksale është gati gati racist fakti që Kosova është i vetmi vend dhe populli i saj është i vetmi në kontinentin e Evropës, që nuk lëvizin lirshëm. Në fakt përmbrapa kemi 5 vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, e që institucionet e Kosovës me hyrjen në dialog u kanë dhënë edhe një justifikim tjetër që ata kanë vazhduar ta mbajnë dhe rrjedhimisht i bënë fajtor të dyja anët, por unë mendoj që lidershipi politik i Kosovës është fajtori kryesor, pasi që vazhdimisht ka shkuar në Bruksel dhe vazhdimisht është angazhuar, por është kthyer me duar thatë nga negociatat që janë bërë deri më tani.....(Më gjërësisht mund të lexoni në numrin e sotëm në gazeten Kosova Sot)

(Kosova Sot)