Rashiti: Në Perëndim do të kishte pasoja

  • 25 July 2017 - 18:00
Rashiti: Në Perëndim do të kishte pasoja

Po aq i indinjuar me këtë situatë është edhe qytetari tjetër, Rexhep Rashiti, i cili prejardhjen e ka nga fshati Gllogovc i Lypjanit, që jeton e punon në Danimarkë, kurse në këtë lagje, në banesën e tij vjen për të kaluar pushimet e verës, dhe kalon si është më së keqi, për shkak të kundërmimit të ujërave të zeza dhe insekteve që depërtojnë deri në katet më të larta të bllokut të banesave. "Kam shumë dëshirë të vij këtu, sepse në përgjithësi është mirë, por po shoh këtu afër banesave aromë, kundërmim jo të duhur... e se çka është në pyetje, a është Komuna a janë edhe njerëzit që jetojnë afër, këtu duhet të dihet. Shpresojmë që të ndërmerret më në fund diçka nga Komuna e Prishtinës dhe më në fund të zgjidhet edhe çështja e 'Matit' 1", tha Rexhep Rashiti. Ai ka theksuar se po të ishte një gjendje e tillë në Perëndim, ku jeton ai, ai kryetar komune dhe ajo qeveri e kryesuar nga ai as që do të kishte pasur të drejtë morale të kërkojë votë të re nga qytetari. "Për Perëndim mos të flasim fare, sepse atje në rend të parë është natyra, ambienti, kuptohet që Komuna ndërmerr veprimet e duhura, shteti është mbi të gjitha, njerëzit, por po shpresojmë që edhe këtu tani, me krijimin e qeverisjes së re tash ndoshta do të ndërmerret një hap. Meqenëse deri tash nuk ka as nuk ka pasur asgjë konkrete, por mbetet të shpresojmë. Faktikisht ata që nuk i kanë kryen detyrat ndaj qytetarëve ndëshkohen dhe megjithatë nuk mund të vijnë në pushtet në ato rrethana që i kanë", tha Rashiti. Ai shpreson që më në fund një vetëdije qytetarë e ngjashme nga ajo në Perëndim, të zgjidhet edhe në Kosovë, edhe në të gjitha komunat e qeverisura e keqqeverisura deri më tani në dëm të qytetarit.

(Kosova Sot)