Thaçi, i gatshëm ta shesë Kosovën për të shpëtuar lëkurën e tij (Video)

  • 21 March 2018 - 11:35
Thaçi, i gatshëm ta shesë Kosovën për të shpëtuar lëkurën e tij (Video)

MEDIET NDËRKOMBËTARE DEKONSPIROJNË TAKIMET E FSHEHTA ME  VUQIQIN

Qarri: Gjermania parandaloi aktin e paprecedent të Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës, që synonte ta realizonte në bisedimet e fshehta me Aleksandër Vuçiqin

"Fatkeqësisht, ai për të mbetur mik i përjetshëm me Vuçiqin dhe Serbinë, si dhe për të shpëtuar veten nga ndjekja e mundshme e Gjykatës Speciale, të cilën me gjithë përpjekjet e bëra nuk arriti ta shfuqizojë, pas ndarjes së Mitrovicës, që ndodhi menjëherë pas lufte, aktualisht përmes të gjitha kanaleve konspirative dhe organizimit të takimeve të fshehta me Aleksandër Vuçiqin, Thaçi tanimë po përpiqet ta bëjë akt të kryer edhe ndarjen e Kosovës, për të kënaqur apetitet e Serbisë", u shpreh analisti Gani Qarri për "Kosova Sot"

Së fundi, edhe gazeta vjeneze "Der Standard" i është shtuar listës së medieve ndërkombëtare që po raportojnë për të ashtuquajturat takimet e fshehta Vuçiq-Thaçi për ndarjen e Kosovës. Sipas kësaj gazete, Gjermania parandaloi ndarjen e Kosovës, të cilën e synonte presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Gazeta edhe më tutje dyshon se Thaçi e Vuçiqi po takohen nëpërmjet kanaleve të tyre të fshehta për të çuar përpara planet e tyre të vjetra e ogurzeza. Madje, edhe në Serbi tashmë politikani serb Vuk Jeremiq po e përmend se Vuçiqi po takohet fshehtas me Thaçin për planet e tij lidhur me Kosovën. Analistët politikë në vend, por edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës konsiderojnë se një lojë e tillë, nëse veç është duke u zhvilluar, duhet të ndërpritet, sepse është lojë që do të prodhojë pasoja destabiliteti jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin dhe më gjerë. Prof. Muhamet Kelmendi thotë se është koha e fundit që të zgjohet Kuvendi i Kosovës dhe ta marrë në pyetje presidentin Thaçi për këto raportime dhe po ashtu t'i thotë 'jo' një projekti të tillë kriminal e të rrezikshëm. Sipas tij, çështja e ndarjes së Kosovës është temë shumë e vjetër dhe daton me plane nga vitet e 80-ta, si Projekt i Akademisë Serbe, kur është përmendur nga Dobrica Qosiq ideja e ndarjes së Kosovës midis Shqipërisë dhe Serbisë, dhe tani është kjo ide që ka kohë që po qarkullon nëpër kanalet e fshehta diplomatike. "Kuvendi duhet në mënyrë urgjente të merret me këtë çështje dhe të kërkojë sqarime nga Thaçi, duke e detyruar atë të dalë para deputetëve dhe të tregojë se çka dhe si e deri ku kanë shkuar me bisedime, duke ia ndaluar Thaçit këtë veprimtari", potencoi Kelmendi për "Kosova Sot".

Frika para aktakuzave për krime lufte

Edhe analisti Bislim Aliu thotë se dyshon shumë që raportimet e medieve të huaja, për takimet e fshehta, për pazare territoresh mes Thaçit e Vuçiqit mund të jenë të vërteta. "Këtyre takimeve të fshehta të Thaçit dhe të Vuçiqit duhet sa më parë të reagojnë institucionet tona, Qeveria e sidomos Parlamenti, se z. Thaçi nuk duhet të bisedojë fshehurazi me z. Vuçiq në lidhje me Kosovën dhe kompromiset e mundshme, pa e marrë bekimin e Parlamentit. Këtë mundësi që po e shpreh z. Thaçi, tregon qartas se ai e ka frikën e madhe nga Gjykata Speciale që po e shtyn atë që të bëjë pazare për ndarjen e Kosovës. E, në anën tjetër, qëndrojnë planet e vjetra të Serbisë, nga ish serbo-mëdhenjtë Dobrica Qosiq dhe Slobodan Milosheviq, të cilat mendime po mundohet t'i realizojë Aleksandër Vuçiq përmes blerjes së Hashim Thaçit", u shpreh ai për "Kosova Sot". 

Një plan të dëmshëm, të frikshëm e të rrezikshëm e sheh opsionin e marrëveshjeve të fshehta Thaçi -Vuçiq edhe analisti Ali Hertica. "Kjo do të nënkuptonte de facto që pjesa veriore e Kosovës, ku kryesisht jetojnë serbët, do të ndahej nga Kosova. Në fakt, Vuçiq e Thaçi janë në kontakt të afërt dhe bëjnë telefonata të rregullta mes vete ku e gjithë kjo po jep sinjale për frikën tronditëse para fillimit të furtunës së Gjykatës Speciale", tha Hertica për "Kosova Sot".

"Sa u përket serbëve, në këtë rast, presidenti Aleksandër Vuçiq po e përdor amanetin e të parëve të çetnikëve serbë sa i përket Kosovës, e sidomos (babës) së kombit serb, sipas tyre Dobrica Qosiqit,që nëpërmes Slobodan Milosheviqit u mundua ta trashëgojë amanetin e të parëve për ndarjen e Kosovës, që tani iu përcoll Vuçiqit", tha Ragip Guraziu për "Kosova Sot"

Ndërsa, Ragip Guraziu dyshon që ky plan po bëhet nën ethet e Gjykatës Speciale."Nga frika e Gjykatës Speciale po e detyron presidentin Hashim Thaçin dhe për interesat personale të bëjë kompromise me presidentin serb Vuçiq dhe të lozë me fatin e Kosovës, që serbët në momentin e duhur po e shfrytëzojnë pikën e dobët të Thaçit, i cili ka përvetësuar Kosovën dhe institucionet tona si të ishin të tijat", theksoi ai për "Kosova Sot".  

BYTYÇI: PARLAMENTI I KOSOVËS T'IA HEQË HASHIM THAÇIT MANDATIN E PËRFAQËSIMIT TË VENDIT NË BISEDIMET ME BEOGRADIN

Analisti Enver Bytyçi thotë se skenari i ndarjes së Kosovës është në duart e zotit Rama, të zotit Vuçiq dhe të zotit Thaçi. "Të tre këta, bashkë me Ivica Daçiqin, sipas meje janë dakorduar për t'i dhënë fund "konfliktit shqiptaro-serb" përmes ndarjes së Kosovës. Vuçiq dhe Daçiq me këtë akt fitojnë kredibilitet politik në Serbi, Ramën dhe Thaçin i rren mendja se "do të marrin Çmimin Nobel për Paqe", se këta "bëhen autorët dhe aktorët e "stabilitetit të Ballkanit"?!", u shpreh ai. Sipas tij, ajo që shkruan Adelheid Woelf nga Beogradi në "Der Standard" është një informacion i siguruar në rrugë diplomatike dhe i saktë. Sipas gazetës austriake, del se zoti Thaçi kishte rënë dakord për opsionin e ndarjes së Kosovës si zgjidhje e konfliktit shqiptaro-serb. "Kjo ndodhi pasi Rama dështoi në sipërmarrjen e tij për ta zgjidhur pa Kosovën këtë konflikt. U duk sikur zoti Thaçi iu kundërvu Edi Ramës në rastin kur ky i fundit mori rolin e përfaqësimit të institucioneve të Kosovës në takimet me Aleksandër Vuçiqin. Por, kundërvënia del se ka qenë në funksion të pjesëmarrjes së zotit Thaçi në proces. Këtë pjesëmarrje që mund ta quajmë edhe faktorizim të zotit Thaçi, presidenti i Kosovës e bleu me kompromisin e ndarjes së territorit të Kosovës", vijoi më tutje për "Kosova Sot" analisti Bytyçi."Këtyre iniciativave shkatërruese ua preu rrugën Gjermania, thuhet në artikullin e 'Der Standard'. Por, ka shumë fakte e të dhëna, sipas të cilave Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithashtu qëndrojnë fort në mbrojtje të territorit të Kosovës dhe atributeve që këtij shteti i jep Kushtetuta e saj. Ndaj, autori i artikullit e sheh Kushtetutën e Kosovës si pengesën kryesore të realizimit të planeve ogurzeza Thaçi-RamaVuçiq për ndarjen e Kosovës", theksoi ai. Sipas Bytyçit, artikulli dhe akuzat ndaj zotit Thaçi janë indicie të mjaftueshme që Parlamenti i Kosovës t'ia heqë Thaçit mandatin e përfaqësimit të vendit në bisedimet me Beogradin. "Çdoherë që presidenti i Kosovës takohet me presidentin e Serbisë do të ngjallë dyshime të pranueshme e legjitime, edhe nëse ai nuk do të bënte asnjë kompromis", u shpreh ai.

Ndarja, opsion i papranueshëm

 Opsioni i ndarjes, si opsion i rrezikshëm, është i papranueshëm edhe për deputetë të Kuvendit të Kosovës. Deputeti Ali Lajçi thotë se duhet vepruar shpejt kundër projekteve të tilla."Këto raportime për marrëveshje të tillë janë shqetësuese, sidoqoftë ajo nuk mund të jetë legjitime, dhe dihet çfarë janë si formulë e tillë deri tash, që ka sjellë shumë telashe edhe në nivel të funksionimit të institucioneve të Kosovës, prandaj këto formula të zgjidhjes së problemit janë të papranueshme për shkak se nuk mund të kalojnë dhe nuk janë derivate i institucioneve të Republikës, e sidomos të Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës e më te, madje edhe debateve publike të qytetarëve e të njohësve të zhvillimeve në nivel të Republikës", theksoi Lajçi për "Kosova Sot".

Një opsion i tillë i zgjidhjes së problemit është i papranueshëm edhe për deputetin Shkumbin Alijaj. "Sa për takimet e fshehta e kanë provuar të tjerët më herët dhe e kanë parë se si u ka dalë. E lidhur më këtë çështje se sa është transparente akoma nuk ka ndonjë takim lidhur me çështjet e territorit mes Serbisë dhe Kosovës, por vetëm lidhur me ato tema që është biseduar deri më tash dhe lidhur me zbatimin e atyre marrëveshjeve deri te Asociacioni. Pjesa e bisedimeve në të cilat po merr pjesë edhe z. Arifi është edhe tema e Asociacionit, që është kategori kushtetuese e Kosovës, sipas Kushtetutës së shtetit të Kosovës, dhe duhet të bëhet sipas Kushtetutës së Kosovës", tha Alijaj për "Kosova Sot". 

QARRI: NDARJA E KOSOVËS MBETET OPSIONI MË I PREFERUAR I HASHIM THAÇIT

Analisti politik Gani Qarri thotë se mjerisht ndarja e territorit të Kosovës çdo ditë po vërtetohet nga anë të ndryshme, se mbetet opsioni më i preferuar i Hashim Thaçit, të cilin ai në krye të klanit "PRONTO" dhe me ndihmën e Edi Ramës, tenton ta shesë si "zgjidhje" të "pakalueshme", për pajtimin ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. "Fatkeqësisht, ai për të mbetur mik i përjetshëm me Vuçiqin dhe Serbinë si dhe për të shpëtuar veten nga ndjekja e mundshme e Gjykatës Speciale, të cilën me gjithë përpjekjet e bëra, nuk arriti ta shfuqizojë, pas ndarjes së Mitrovicës që ndodhi menjëherë pas lufte, aktualisht përmes të gjitha kanaleve konspirative dhe organizimit të takimeve të fshehta me Aleksandër Vuçiqin, Thaçi tanimë po përpiqet ta bëjë akt të kryer edhe ndarjen e Kosovës, për të kënaqur apetitet e Serbisë", u shpreh ai. "Se një tragjedi e tillë vërtet po i përgatitet shtetit tonë nga Hashim Thaçi, përveç raportimeve të mëhershme nga gazetat prestigjioze londineze "The Guardian" si dhe ajo gjermane "Frankfurter Rundschau" së fundi listës se medieve ndërkombëtare i është shtuar edhe gazeta vjeneze "Der Standard", të cilat që të gjitha vërtetojnë bisedimet e fshehta të Vuçiqit dhe Thaçit për ndarjen dhe tkurrjen e Kosovës. Kurse faktet se kjo aventurë e rrezikshme për fatin e Kosovës, është shndërruar në agjendë të mbijetesës së tij dhe vënë qysh para shumë kohësh edhe në tryezat e bisedimeve me Vuçiqin, tanimë është e qartë, dhe po vërtetohet katërçipërisht jo vetëm nga informatat që më herët rridhnin në mënyrë gjysmë ilegale, por edhe nga shkrimet publike të gazetave të huaja më prestigjioze, deri te raportimet më të reja të gazetës vjeneze "Der Standard", e cila dëshmon hapur se Gjermania ishte ajo, që parandaloi aktin e paprecedent të presidentit "marionetë" Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës,që synonte ta realizonte në bisedimet e fshehta me Aleksandër Vuçiqin", vijoi më tutje ai për "Kosova Sot".

Qytetarët kundër pazareve të fshehta

Edhe qytetarët e anketuar rreth kësaj teme janë kundër çfarëdo opsioni të pazareve me Serbinë për këmbim e ndarje të territorit të Kosovës. Qytetari Ilaz Selmani thotë se mbikëqyrjen e fuqishme të këtij procesi të bisedimeve dhe kërkimin e llogaridhënies për çdo lëvizje në këtë drejtim duhet ta marrë përsipër Kuvendi i Kosovës, deputetët e zgjedhur, që sipas Selmanit nuk janë sa duhet aktivë në këtë temë serioze."Nëse kanë marrëveshje të fshehtë ata, ne deputetët i kemi zgjedhur, janë 120 deputetë dhe nëse ata nuk e kanë vërejtur ose kanë bashkëpunuar me ata të cilët kanë bërë marrëveshje të fshehta, populli nuk është fajtor, kështu që deputetët e mbajnë përgjegjësinë", u shpreh ai. 

 Kundër një opsioni të pazareve të tilla është deklaruar edhe Ibrahim Kryeziu. "Kjo mund të jetë një gjë e rrezikshme dhe ata që luajnë me këtë lojë luajnë me një zjarr, i cili mund të shpërthejë në çdo moment jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë në regjion... Thaçi është njeri i paparashikueshëm, por besoj që janë të tjerët që do ta pengojnë", theksoi Kryeziu. 

 Me shumë shqetësim i përcjell këto raportime të medieve të huaja rreth takimeve dhe bisedimeve të fshehta për pazare territoresh edhe prof. Fetah Berisha. "Hashim Thaçi si mundët të bisedojë krye në vete për çështjet e ndarjes së Kosovës, kjo është e tmerrshme, kjo i kalon caqet e një politikani, këtu kalon në caqet e një tradhtie, prandaj njerëzit këtu duhet të këmbëngulin", theksoi Berisha për "Kosova Sot".

"Në rend të parë, ku janë intelektualët tanë që heshtin? Unë nuk jam për këtë ndarje, unë dhe plot bashkëmendimtarë të mi, të cilët nuk janë për ndarje të këtij tipi", tha Fetah Berisha për "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)