Korrupsioni i pushtetarëve ia humbi Kosovës gati dy dekada (Video) - TV - Kosova Sot
Korrupsioni i pushtetarëve ia humbi Kosovës gati dy dekada (Video)

Korrupsioni i pushtetarëve ia humbi Kosovës gati dy dekada (Video)

RAPORTI I 'FREEDOM HOUSE' NXIT REAGIME TË SHUMTA

Aliu: Rasti i kryetarit aktual të Prishtinës (Shpend Ahmetit) është tipik për keqpërdorimin që i është bërë shoqërisë civile

Analistët politikë e kanë vlerësuar si shumë shqetësues edhe raportin e radhës të organizatës 'Freedom House', i cili ku konstatohet se korrupsioni në Kosovë mbetet në nivele tepër shqetësuese dhe se nuk ka lëvizje shpresëdhënëse në luftimin e tij efikas për fuqizimin e sundimit të ligjit- shtetit të së drejtës. Sipas analistëve, është një njollë e zezë për Kosovën, që akoma po mbesin kritika të përsëritura, mungesa e sundimit të ligjit dhe demokracia e munguar, kritika këto që vazhdimisht barten e përsëriten në raportet e organizatave ndërkombëtare, vetëm për shkak se pushtetarët vazhdojnë të jenë mbi drejtësinë dhe e përdorin pushtetin kryesisht për ta zhvatur popullin e nëpërkëmbur. Edhe në raportin e fundit të 'Freedom House' thuhet se i vetmi sektor ku ka pasur përparim të lehtë është shoqëria civile. Mirëpo, sa është transparent ky sektor në Kosovë, në shpenzimin e miliona euro fondeve të ndryshme, mbetet pikëpyetje e madhe, sepse, edhe sipas analistëve, dyshohet që pushteti është duke i blerë e duke i instrumentalizuar organizatat e shoqërisë civile përmes dhënies se granteve shumëmilionëshe, edhe të ashtuquajturat organizata të shoqërisë civile, të cilat më tepër janë forma të pastra biznesi privat, sesa janë duke sjellë të mira për shoqërinë tonë.

Demokracia e cunguar

Analisti politik Bislim Aliu thotë se për vlerësimin e tij është shumë shqetësues raporti i radhës i organizatës 'Freedom House' në të cilin konstatohet se korrupsioni në Kosovë mbetet akoma në nivele tejet të theksuara, të larta e shqetësuese. Sipas tij, kjo gjendje vjen për fajin e institucioneve që nuk janë në nivel të detyrës. "Dhe, për këtë akoma po mbesin mungesa e sundimit të ligjit, dhe demokracia e munguar, janë kritere të përsëritura për vendin tonë për arsye se pushtetarët tanë vazhdojnë akoma të jenë mbi drejtësinë dhe e përdorin pushtetin kryesisht për ta zhvatur popullin e nëpërkëmbur!", u shpreh ai. " Në këtë raport thuhet se i vetmi sektor ku ka pasur përparim të lehtë është shoqëria civile. Megjithatë, sa është transparent ky sektor në Kosovë për shpenzimin e miliona euro fondeve të ndryshme, për të cilat ka fare pak transparencë ose kurrfarë. Pushteti përmes dhënies së granteve shumëmilionëshe vetëm është duke i blerë, por edhe duke i instrumentalizuar edhe të ashtuquajtura organizata të shoqërisë civile, të cilat janë forma të biznesit privat, sesa ato janë duke i sjellë të mira shoqërisë sonë", vlerësoi Aliu."Historia politike e ka dëshmuar në vitet e fundit se protagonistët e shoqërisë civile e kanë shfrytëzuar këtë sektor, për t'u katapultuar nëpër parti, për të ardhur pastaj në nivele të ndryshme të pushtetit. Rasti i kryetarit aktual të Prishtinës është tipik për keqpërdorimin që i është bërë shoqërisë civile. Mendoj sinqerisht se Kosovës i duhet një qytetari aktive, e kurrsesi një shoqëri civile e politizuar, e cila e përdor veprimtarinë gjoja se në dobi të qytetarëve për realizimin e interesave të ngushta", potencoi ai për "Kosova Sot". 

Pasojat e rënda

Edhe njohësi tjetër i fushë së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, thotë se të gjeturat e këtij raporti janë shumë serioze. "Korrupsioni mbetet sfidë e madhe e patejkalueshme deri më tash, shqetësim për shkak se ndikon në zhvillimin ekonomik, rrit varfërinë, zbret bruto produktin për kokë banori, dobëson drejtësinë, ndikon në rendin dhe ligjin. Të gjitha këto telashe janë si pasojë e qeverisjes së keqe, fitimprurëse të kësaj klase politike. Gjasat nuk janë kurrfarë të luftohen këto dukuri kur t'i shtohen edhe keqpërdorimet e posteve publike, nepotizmi, dëmet vijnë vetëm duke u rritur", theksoi ai."Punët janë aq mbrapsht, saqë kërkohen ndoshta edhe 20 vjet kohe për ta kthyer mbarë shtetin. Kjo nuk bëhet kurrsesi me këtë klasë politike, ku shtetin e trajtojnë si aset bankar për të plaçkitur, dhe nuk ka zhvillim, as prosperitet të qytetarëve", tha Burjani për "Kosova Sot". Mirëpo, analisti politik Ali Hertica, për mosefikasitet në institucione rreth luftës kundër krimit e korrupsionit ia drejton gishtin edhe opozitës parlamentare, e cila, sipas tij, nuk po punon sa duhet për të mbikëqyrur dhe për të denoncuar veprimet e kundërligjshme e korruptive të atyre që mbajnë pushtetin. "Unë konsideroj se tanimë me këtë formë të angazhimit brenda dhe jashtë Kuvendit të Kosovës, edhe opozitës i nevojitet dyfishuar angazhimin e vet për të luftuar në dy fronte të ndryshme, marrëveshjet e dëmshme dhe krimin e korrupsionin në shumë fusha të rëndë- sishme për përditshmërinë qytetare. Kjo është një sfidë shumë e vështirë për t'u tejkaluar , sepse është pak e pritshme që opozita të ketë aq forcë për të vepruar si opozitë e mirëfilltë, e bashkuar që mund të jetë në Kuvend, për të mbështetur dhe për të artikuluar të gjitha ato probleme që i kanë qytetarët me krim të organizuar dhe korrupsion", vlerësoi Hertica për "Kosova Sot".

QARRI: MOSSUNDIMI I LIGJIT, KORRUPSIONI GALOPANT DHE KRIMI I ORGANIZUAR, NË NIVELET MË TË LARTA TË SHTETIT

Analisti Gani Qarri thotë se është një minus i madh për Kosovën, më se edhe i pritshëm, që në raportin e fundit të publikuar nga Organizata 'Freedom House', përderisa Kroacia dhe Serbia cilësohen si vende në të cilat është shënuar përparim, Kosova vazhdon të qëndrojë në mesin e shteteve si Bosnja, Mali i Zi, FYROM-i dhe Shqipëria, në të cilat konstatohet se korrupsioni vijon të mbetet, jo vetëm problemi kryesor, por ka arritur edhe deri në nivele tepër shqetësuese. "Për aq më keq, në raportin e radhës të organizatës 'Freedom House' vijojnë të përsëriten sërish të njëjtat kritika, të dëgjuara për vite me radhë, si: mossundimi i ligjit, korrupsioni galopant dhe krimi i organizuar në nivelet më të larta të shtetit, për shkak se vetë pushtetarët kryesorë kanë kapur gjithë sistemin shtetëror të Kosovës, vazhdojnë të qëndrojnë me të dy këmbët mbi ligjin dhe keqpërdorin pushtetin për përfitime personale, duke zhvatur pareshtur popullin e nëpërkëmbur të vendit tonë. Si për ngushëllim, nëse mund të quhet ashtu, në raportin e lartcekur thuhet se i vetmi sektor ku ka pasur përparim të lehtë është shoqëria civile, por edhe kjo e dhënë mund të relativizohet pa asnjë problem, për faktin se edhe ky sektor bën shpenzime marramendëse dhe përdor miliona euro nga fonde të ndryshme, në mënyrë krejtësisht jotransparente", tha Qarri për "Kosova Sot".

KELMENDI:'FREEDOM HOUSE' KONFIRMON ATË QË ËSHTË RAPORTUAR VAZHDIMISHT NGA GAZETA "KOSOVA SOT"

Prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë se shumë nga çështjet e evidentuara si problematike dhe dështime të institucioneve të Kosovës, të përfshira në këtë raport nga 'Freedom House' nuk janë gjë tjetër veçse një konfirmim i asaj që është raportuar vazhdimisht dhe shkruar edhe nga gazeta "Kosova Sot"."Ne vazhdimisht përmes opinioneve dhe vlerësimeve tona reale kemi folur për dështimet e pushtetit tonë. Kjo organizatë ka të drejtë kur thekson dështimet në zhvillim të shtetit ligjor dhe në korrupsion të lidhur midis mafisë ekonomike dhe asaj politike. Por, nuk ka të drejtë, madje aspak, konstatimi se në shoqërinë civile kemi zhvillim e përparim", ka vlerësuar Kelmendi për "Kosova Sot".

Njollë e zezë për Kosovën

Po aq shqetësues shihet ky raport edhe nga analisti Reshat Badallaj. Ai po ashtu ndan mendimin se për këtë njollë të zezë në shtetin e Kosovës fajtore mbetet politika dhe institucionet e drejtësisë, që nuk janë në nivel detyre. "Raporti i radhës i organizatës 'Freedom House', natyrisht se është tepër shqetësues për korrupsionin vetëm për një shtet serioz dhe ku ka ligje dhe ku i nënshtrohen Kushtetutës së vendit. Ndërkaq, për banditët dhe kryebanditët, për mafiooligarkë të kanaleve të nëntokës kriminale në Kosovë aspak nuk është shqetësues, sepse vendi qeveriset nga vagabondët që nuk kanë vënë interesat shoqërore e kombëtare, mbi ato personale. Përkundrazi, banditët që nga Presidenca e teposhtë i kanë vërë interesat e tyre personale mbi ato të popullatës", u shpreh ai. " Se vërtet ka korrupsion në Kosovë, flasin kritikat e njëpasnjëshme, jo vetëm nga kjo organizatë,por nga faktori ndërkombëtar, nga Amerika, nga Bashkimi Evropian dhe nga shumë ambasadorë të vendeve të huaja", tha Badallaj për "Kosova Sot". Analisti dhe publicisti Naim Kelmendi thotë se derisa institucionet e Kosovës bëjnë spektakle dhe improvizime sa për konsum publik kinse po e luftojnë korrupsionin, raportet e tillë negative do të na përcjellin edhe për shumë vjet të tjerë. "Se korrupsioni në Kosovë ka arritur përmasa shqetësuese jo vetëm në institucionet qendrore, por ai është shtrirë gjithandej edhe në nivelin lokal, edhe këto elemente janë theksuar sikur në këtë raport edhe në shumë raporte pararendëse të BE-së , dhe tash edhe ky i 'Fredoom House', që po ashtu konstaton se korrupsioni në Kosovë mbetet në nivele mjaft shqetësuese. Tash më me rëndësi është pyetja se a po e lufton drejtësia dhe politika kosovare këtë dukuri negative të shoqërisë, e cila është bërë gangrenë e shoqërisë sonë demokratike. Konstatimi është se nuk po e luftojnë sa duhet dhe për këtë fajin e ka kryesisht klasa politike e inkriminuar në krim të organizuar e korrupsion", theksoi ai. "Njëherësh niveli kaq i lartë i korrupsionit në vend ka për pasojë edhe mungesën e sundimit të ligjit dhe rendit juridik në vend, sikurse mungesën e vullnetit politik të pushtetit e të institucioneve të drejtësisë për ta luftuar korrupsionin që nga institucionet e nivelit të lartë e deri te niveli lokal,", tha publicisti dhe analisti Naim Kelmendi.

Qytetarët, të lodhur nga korrupsioni shtetëror

Edhe qytetarë të anketuar nga gazeta janë shprehur shumë kritikë ndaj institucioneve të shtetit, duke theksuar se raporti në fjalë, nga 'Freedom House', me të drejtë e ka konstatuar gjendjen, sepse pushteti politik dhe institucionet e drejtësisë nuk po e bëjnë punën e tyre në zbatimin e ligjit dhe luftimin e krimit. "Sa i përket korrupsionit, këtu te ne, të gjithë qeveritarët dhe parlamentarët e kanë kapur përpara, dhe si duket as popullata nuk po mund të dalë në skaj me ta shkaku i forcës partiake, të cilat po e akumulojnë korrupsionin edhe me atë vazhdimisht po vazhdojnë, nuk është që kanë bërë deri më tani, por edhe më tij po vazhdojnë, sepse që të gjithë janë të korruptuar, që prej presidentit e teposhtë", tha Haki Krasniqi. Gjykim të njëjtë ka edhe qytetari Ilaz Selmani. "Korrupsioni po shihet haptas, se kur një preson për shembull i ka bërë 500 hektarë tokë, ose 200, e nuk i ka pasur as dy ari, ajo dihet. Po i shfrytë- zojnë pozitat dhe korrupsioni po dihet e shihet haptazi, si gjithherë...Pse drejtësia nuk funksionon, pse drejtësinë e kanë marrë ata pushtetarët, e kanë edhe drejtësinë edhe çdo proces të punës në këtë sistemin tonë po e mbajnë vetë qeveritarët, të cilët për mendimin tim ata janë kryesorët që janë të korruptuar", theksoi Selmani. Shumë të besueshëm e ka vlerësuar këtë raport edhe Bislim Rexhepi, i cili thotë se për shkak të korrupsionit të madh në politikë dhe institucione, dhe për mosveprim të drejtësisë së kapur nga politika, Kosova po vazhdon të jetë e renditur lartë të "TOP- LISTËN" e vendeve të korruptuara. "Mundet të jetë këtu që institucionet përkatëse, ato që thërrasin vazhdimisht kundër korrupsionit, mund të jenë individë të tyre të caktuar që janë të implikuar në korrupsion, dhe unë mendoj që nuk guxojnë për t'i aplikuar vetë ato ligje, sepse është vetë në atë. E dyta, ne e kemi edhe njësinë speciale antikorrupsion, e kemi njësinë speciale ekonomike, kundër krimit ekonomik, që i ndjek krimet ekonomike, për katër ditë po të duan ata, për katër mëngjese herët mund të arrestohen njerëzit të cilët dihen në gishta se kush ka bërë krim ekonomik në Kosovë. Këtu më së shumti është në pyetje privatizimi, është bërë një privatizim i egër, që dikush ka përfituar shumë në fabrikat shoqërore që janë shitur dhe dikush ka mbetur rrugëve. Këtu korrupsioni mund të çrrënjoset brenda katër pesë ditësh, vetëm një aksion ta marrë policia antikorrupsion, policia e krimeve ekonomike, dhe plotësohet edhe ky kushti për liberalizimin e vizave, përndryshe veç me deklarata nuk mund të arrihet asgjë", theksoi Bislim Rexhepi. Ai ka kritikuar edhe Agjencinë Kundër Korrupsionit, për, siç tha, se me një vendim të kohëve të fundit ka vendosur që të mos i bëjë publike të gjitha të dhënat për pasurinë e atyre që janë të obliguar ta deklarojnë dhe kjo, sipas tij, është vetëm një stimulim për të korruptuarit."T'ia fshehësh dikujt marrenturpin, ai vazhdimisht bën marre, por t'ia zbulosh marren, ai mbase ndalet aty dhe nuk bën më marre. Prokuroria duhet të veprojë, nuk është vetëm një prokuror që merr vendim, por është ekip e prokurorëve që merr vendim dhe nuk mund të kërkosh të thuash se kush ma bëri", tha Bislim Rexhepi për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)

12 orë e 3 minuta më parë
25/09/18