Tenderomania milionëshe nuk ndalet as nën drejtimin e Uran Ismailit (Video)

  • 13 April 2018 - 07:48
Tenderomania milionëshe nuk ndalet as nën drejtimin e Uran Ismailit (Video)

SHËNDETËSIA, SEKTORI QË MBETET EDHE MË TUTJE I INKRIMINUAR

Pacientët vuajnë për gjëra elementare, oligarkët mbushin kontot private

Punëtorët shëndetësorë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë këmbëngulës dhe insistojnë në realizimin e kërkesës së tyre kamotshme për rritjen e pagave, duke kërkuar paga të dinjitetshme, të përafërta me ato të deputetëve. Ndërkaq, analistët e kësaj fushe dhe përfaqësuesit sindikalë vlerësojnë se që nga paslufta e deri më sot ky sektor është shkelur me të dyja këmbët nga politikanët e fuqishëm dhe nëntoka kriminale, si edhe gjithçka tjetër në Kosovë, është zhvatur duke përfituar miliarda euro nëntoka kriminale, që nga paslufta e deri më sot. Sipas njohësve të kësaj fushe, tashmë dihet se në këtë sektorë përcaktohen fituesit e tenderëve të mëdhenj paraprakisht në Ministrinë e Shëndetësisë dhe se gjithmonë fituesit e tenderëve janë ato kompani e biznese që po "ua lagin fytin" pushtetarëve. Analistët thonë se si nëntoka kriminale e mafio-oligarkëve u kujdes që tenderët të fitohen vetëm nga klani i tyre. Ata pyesin se përse nuk po ndalet korrupsioni dhe krimi i organizuar as nga ministri i ri Uran Ismaili dhe përse prokuroria nuk po merr guximin që të hetojë tenderët dhjetëra milionësh që gjithmonë kanë një adresë: atë që e jep nëntoka kriminale e mafio-oligarkëve. Me gjithë pyetjet e dërguara nga ana e gazetarit në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe Prokurorisë së Shtetit se çka thonë për këto çështje, gazeta nuk ka marrë përgjigje.

Sindikata pret realizimin e premtimit në qershor

Lideri i Sindikatave të Mjekësisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, dr. Xhemail Selmani, për "Kosova Sot" tha se sa i përket kërkesës për rritjen e pagave neve në muajin janar kanë kontaktuar me Ministrin e Financave, atë të Shëndetësisë dhe në një takim të përbashkët janë pajtuar që sa më parë të miratohet Ligji për pagat, që është edhe një prej kushteve të MSA-së."Veç saj, edhe në takimin që e kemi pasur me kryeministrin Haradinaj kemi arritur pajtimin që ligji për pagat të jetë i gatshëm deri në qershor ", tha ai."Jemi duke punuar së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Administratës Publike në hartimin e draftligjit që punonjësi shëndetësor të trajtohet me një status të dinjiteteshëm, të cilin e meritojnë që ta kenë në shoqëri. Sepse përgatitja shkollore e lartë dhe mjekët specialistë duhet ta kenë trajtimin e duhur me paga në shoqërinë kosovare. Kështu që ne si sindikatë kemi kërkuar që ta kemi statusin meritor në shoqërinë kosovare dhe të kemi paga të dinjitetshme", shtoi Selmani." Jemi duke punuar në këtë drejtim dhe kemi krijuar komisione të përbashkë- ta edhe me Ministrinë e Shëndetësisë, por edhe me kryeministrin. Veç saj, jemi në kontakt edhe me Ministrinë e Administratës Publike dhe shpresojmë se në muajin qershor kjo punë do të jetë e kryer", vlerësoi ai.

Nëntoka dirigjon edhe shëndetësinë

Analisti Arsim Haziri për "Kosova Sot" tha se sistemi i pandërgjegjshëm qeverisës është ndërtuar për të mos qenë në shërbim të qytetarëve, por për t'iu funksionuar planeve dhe agjendave të padrejta dhe zhvatëse."As sektori shëndetësor, as çdo dimension tjetër i sferës publike nuk i shërben dinjitetit qytetar, madje mbi kushtet që qëndron e bëjnë të pamundshme funksionimin normal të aparatit shtetëror. Sistemi shëndetësor përderisa kontrollohet apo menaxhohet prej bashkëpartiakëve të Veselit s'mund të shquhet për kontrolle e administrim ligjor e qytetar", potencoi ai. "Ministri Ismajli është i ndikuar negativisht prej bashkëpartiakëve të tij dhe duke qenë brenda logjikës efektive, ai s'mund të inkuadroj në shëndetësi rregulla dhe norma dhe mbi të gjitha paanshmëri. Kosova, ashtu siç i ka politikat shëndetësore, ashtu ka edhe nivelin shëndetësor, pra në rrëmujë e sipër dhe bartësja e gjitha atyre mospërpjekjeve cilësore është zanafillë e pushteteve të dikurshme dhe të tanishme", shpjegoi Haziri. Analisti Ragip Guraziu për 'Kosova Sot" tha se punëtorët shëndetësorë të QKUK-së me të drejtë po insistojnë në realizimin e kërkesës së tyre të kamotshme për rritjen e pagave, duke kërkuar një pagë të dinjitetshme, të përafërt me pagën e deputetëve."Nuk ka asnjë dyshim se në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është shkelur tej mase dinjiteti i mjekëve tanë, të cilët që nga paslufta punojnë me paga shumë të ulëta dhe këto shkelje me të dy këmbët i bëjnë politikanët tanë të fuqishëm dhe nëntoka kriminale. Sepse në këtë institucion, por edhe në Ministrinë e Shëndetësisë dihet se janë kapluar nga korrupsioni dhe krimi i organizuar që përmes procedurave tenderike, hajnitë e tenderëve milionësh në këtë sektor nuk po ndalen", vlerësoi ai."Fituesit e tenderëve të mëdhenj po dihen paraprakisht në Ministrinë e Shëndetësisë dhe ata po përcaktohen si gjithmonë dhe fituesit e tenderëve janë ata që po "ua lagin fytin" pushtetarëve tanë që e bëjnë këtë përmes nëntokës kriminale e mafio-oligarkëve që tenderët të fitohen vetëm nga klani i tyre", potencoi Guraziu. 

Qytetarët mbështesin mjekët

Ndërkaq të gjithë qytetarët e anketuar kanë dalë haptazi në përkrahje të kërkesave të mantelbardhëve kosovarë që duan paga të dinjitetshme dhe tretman të duhur nga shteti i Kosovës. Qytetari Hajrullah Tërrnava për "Kosova Sot" tha se krimin e organizuar e bëjnë këta njerëzit me kravata apo funksionarët e shtetit. "Prandaj shteti që paslufte e këndej është i kapur nga kjo kategori. Dhe që nga çlirimi e këtej nuk kemi pasur një qeverisje që pak më pak janë marrë me krime sepse në esencë të gjithë janë të involvuar në krime, por disa më tepër e disa më pak", theksoi ai."Deri më tash nuk ka dalë një institucion që i ka luftuar krimin e organizuar dhe hajnitë në të gjitha institucionet, përfshirë edhe shëndetësinë. Ky është kriter që po e kërkon edhe BE-ja për liberalizim vizash. Andaj pa u ndërruar kjo gjeneratë dhe kastë e politikanëve që e kanë udhëhequr shtetin le të vijnë në pushet edhe 100 ministra si Uran Ismajli dhe kjo është e kot, sepse këta kanë për detyrë që të zbatojë urdhrat e shefave të tyre dhe me këta pushtetarë kurrë nuk do të ndalet hajnia e milionave nëpër tenderët e shëndetë- sisë dhe fushave të tjera", shtoi më tutje ai."Edhe ata që janë të emëruar nëpër prokurori janë të zgjedhur nga kriminelët më të mëdhenj që e kanë ngulfatur këtë vend ndaj dhe nuk ka perspektivë. Andaj pa ikjen e kësaj kaste politike nga pushteti dhe konfiskimi i pasurisë së tyre që do të jetë mësim për gjeneratat e reja se ja çfarë të gjen kur të keqpërdorësh pozitën e pushtetit, nuk ka perspektivë. Ndërsa nëse vjen kjo kohë do të kemi perspektivë që të ndërtohet Kosova dhe çdonjëri të jeton nga paga e vet", tha Tërnava. Ndërsa qytetari Adnan Elshani thotë për "Kosova Sot", tha se shoqëria ka degraduar skajshëm, sidomos degradimin më të madh e kanë elita politika dhe ato intelektuale."Nëse dikush është intelektual, edhe ai ka mbetur në margjina, sepse aq shumë ka degraduar kjo shoqëri sa më askujt nuk i bëjnë përshtypje kjo. Sepse po shihet niveli i hajnisë. Dhe kjo puna e hajnisë në Kosovë është bërë modë, përfshirë këtu edhe mjekësinë, sepse shoqëria po i vlerëson hajnat ndaj edhe jam në dilemë se shumica e shoqërisë sonë janë bërë hajna. Andaj kudo të na dërgosh e bëjmë bërllok dhe kemi një situatë të njëjtë edhe në shëndetësi. Sepse elitat tona po sillen në atë mënyrë dhe po e luajnë lojën", theksoi ai. Qytetari Haxhi Mazreku, tha për "Kosova Sot", se qeveria duhet të ndryshojë qasjen ndajë shëndetësisë, sepse nuk ka përkrahej të duhur nuk ka barna nuk ka mjekime të duhura, sidomos tek rastet e kancerit. 

(Kosova Sot)