Skandalet e sundimtarëve i kushtojnë shtrenjtë Kosovës (Video)

  • 18 April 2018 - 08:15
Skandalet e sundimtarëve i kushtojnë shtrenjtë Kosovës (Video)

RAPORTI I PROGRESIT, SHUPLAKË E ASHPËR PËR REPUBLIKËN

Kelmendi: Derisa Hashim Thaçi të jetë në krye të vendit, problemet do të vijnë duke u shtuar akoma

Analistët politikë kanë vlerësuar se shteti i Kosovës po e merr edhe një goditje të radhës nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian dhe, sipas tyre, po e pëson pikërisht për shkak të agjendave personale të pushtetarëve të inkriminuar. Raporti i fundit i Progresit i Komisionit Evropian e kritikon dhe e quan shqetë- suese tentativën e deputetëve që kishin nënshkruar iniciativën për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, e që e tëra është bërë me skenar të dirigjuar nga agjentët e UDB-së që punojnë edhe për presidentin Hashim Thaçin. Ata theksojnë se si në këtë rast, por edhe në shumë veprime të tjera të pamatura dhe të pamenduara mirë, që janë dizajnuar vetëm për interesat e individëve të caktuar të politikës, i janë shkaktuar dhe po vazhdojnë t'i shkaktohen shtetit të Kosovës dëme shumë të mëdha, madje për një kohë të gjatë të pa riparueshme. Vetë përpjekja për të atakuar në fundvitin që lamë pas Ligjin për Gjykatën Speciale, me tentim-shfuqizimin klandestin të Gjykatës Speciale nga presidenti Thaçi, dhe disa mbështetës të tij, qofshin në strukturat politike apo në cilësi këshilldhënie, i ka dhënë një imazh të keq shtetit të Kosovës, duke vazhduar edhe me skandale të tjera të njëpasnjëshme gjatë këtij viti. Në Raportin më të ri të Progresit, Komisioni Evropian ka evidentuar shumë gjetje dhe sfida për institucionet e Kosovës. Ngecjet në reforma si dhe përpjekjet për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale janë evidentuar si pikat kritike dhe lëshimet e institucioneve të Kosovës në rrugën evropiane. Po ashtu, edhe fshehja e financave nga partitë politike dhe Gjyqësori i ngathët përbëjnë lëshime që Kosova duhet t'i adresojë si një vend që mëton krijimin e standardeve evropiane. Sidoqoftë, për Bashkimin Evropian, të paktën sipas Raportit më të ri për Kosovën, mbetet shqetësues fakti se në Kosovë vazhdon politizimi i administratës publike, ka mungesë të përparimit në ruajtjen e mjedisit, vazhdon një gjendje jo e mirë në arsim, papunësia vazhdon të rritet, kurse korrupsioni, me gjithë përpjekjet e treguara, vazhdon të mbetet problemi më i madh që sfidon të ardhmen e Kosovës dhe perspektivën e saj evropiane.

Shteti po shkatërrohet

Analistët theksojnë se kjo klasë e papërgjegjshme politike po e shkatërron pa pikë mëshire shtetin e Kosovës, madje edhe duke vënë në dyshim përfaqësuesit e shteteve më të rëndësishme për vetë ekzistencën e shtetësisë sonë. Sipas Bislim Aliut, është shqetësuese për shtetin e Kosovës, meqë në vend se të shkojë përpara, ajo e mori edhe një goditje të radhës nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian. "Shteti i Kosovës dhe qytetarët e saj po e pësojnë pikërisht për shkak të agjendave personale të pushtetarëve tejet të inkriminuar. Raporti i Progresit e quan shumë shqetësues tentativën e deputetëve, të cilët kishin nënshkruar për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, e cila është bërë me skenar të dirigjuar nga agjentet e UDB-së, të cilët angazhohen dhe punojnë edhe për z. Thaçi. Ndaj, shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, kjo klasë politike u bënë dëme të pariparueshme, duke e vënë "qershinë mbi tortë" në fundvitin e kaluar, në tentim-shfuqizimin e Gjykatës Speciale nga presidenti Thaçi dhe agjentët e tij, si dhe duke vazhduar me skandale të tjera të një- pasnjëshme edhe gjatë këtij viti", u shpreh ai për "Kosova Sot".

Goditje pas goditjeje

Njohësi tjetër i së drejtës, Blerim Burjani thotë se fat i mirë në këtë fatkeqësi është që sulmi në Gjykatën Speciale mbeti vetëm tentativë, sepse ndryshe do të kishim Raport akoma më negativ nga Komisioni Evropian. "E vërteta është se ata ishin njerëz të padijshëm, ashtu qysh janë shumica këta njerëz që thonë se merren me politikë, dhe nga mosdija shumë lehtë bien në grackë ose bëjnë gabime fillestare dhe të dëmshme e të pariparueshme", theksoi ai. "E vërteta është se politikëbërja nuk mësohet gjatë natës, politikëbërjen duhet ditur para se të futesh në të, sepse gabimet në politikë nga veprimet e paqëllimshme amatoreske, apo edhe të qëllimshme nga padituria e madhe dhe injoranca, i paguan populli, sikur po e paguajmë tani situatën me fusnotën, të cilën e kemi të shënuar dhe nuk ka më se kush e heq, kudo që shkon jashtë vendit, atë emblemë të keqe e të dëmshme ta qesin si pikturën në dërrasë përpara me emrin e Kosovës", tha Burjani për "Kosova Sot". Ndërsa, analisti Ali Hertica thotë se, pavarësisht disa konstatimeve pozitive në Raportin e fundit, njolla e madhe e veprimit joserioz të politikës së Kosovës, siç ishte tentativa për shfuqizimin e Speciales, mbetet një emblemë e madhe e zezë e Raportit për institucionet e Kosovës. "Liderët po i sjellin një pasqyrim negativ Kosovës dhe shoqërisë se re në ndërtim e sipër, dhe kjo situatë tregon për paaftësinë e këtyre politikëbërësve "të mitur" që nga veprimet e tyre të pamenduara dhe të pavlerësuar në interesin strategjik dhe diplomatik ndërkombëtar, vendi çdo herë po merr nga një goditje të radhës, madje vit pas viti dhe pa ndërprerë nga të gjitha Raportet e Komisionit Evropian", theksoi Hertica për "Kosova Sot" .

QARRI: KJO KLASË E INKRIMINUAR POLITIKE, ME SKANDALET E SAJ TË NJËPASNJËSHME PO E SHKATËRRON SHTETIN E KOSOVËS!

Analisti Gani Qarri tha për "Kosova Sot" se Komisioni Evropian, në Raportin që publikon për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Kosova, me të drejtë, tash më tepër se çdo herë më parë është i mbushur me kritika. "Kosova, dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, falë politikanëve të inkriminuar dhe të shantazhuar, ka filluar ta humbë identitetin shtetëror dhe gjithnjë e më tepër po merr pamje të kopshtit turko-erdoganeskt, ku sulltani i ri zhvillon eksperimentet e tij. Kështu që me vetë shkaqet dhe arsyet që pushtetarët tanë u ofrojnë, Raporti për Kosovën, që ndryshe njihet edhe si Raporti i Progresit të Komisionit Evropian, sërish identifikon ngecjet, paligjësitë dhe zhvillimet negative që ndodhin në vendin tonë. Përveç kritikave që rëndom në të kaluarën bëheshin për politizimin e administratës publike, Prokurorisë dhe Gjyqësorit, tani akuzave u shtohet edhe kidnapimi i kundërligjshëm i shtetasve turq, akt i cili nga Komisioni Evropian vlerësohet si kthim prapa në përmbushjen e agjendës evropiane dhe vjen si goditje e radhës për shtetin e Kosovës, gjë nga e cila nuk pësojnë ata që duhet, por shteti dhe qytetarët për shkak të agjendave personale të pushtetarëve të inkriminuar në krye të vendit", potencoi ai. "Akt tjetër negativ është se Raporti i Progresit numëron edhe faktin shqetësues të deputetëve që nënshkruan iniciativën për shfuqizimin klandestin të Ligjit për Gjykatën Speciale, e cila e tëra është bërë me skenar të dirigjuar nga Hashim Thaçi dhe agjentët e UDB-së që punojnë për presidentin", theksoi Qarri për "Kosova Sot". "Asnjë Qeveri dhe udhëheqje tjetër deri më tani nuk ka mundur që për kohë kaq të shkurtër t'u bëjë dëme kaq të mëdha e të pariparueshme shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, klasë e inkriminuar politike, e cila me skandalet e saj të vazhdueshme dhe të njëpasnjëshme po e shkatërrojnë shtetin e Kosovës, duke vënë në dyshim edhe përkrahjen e shteteve më të rëndësishme për vetë-ekzistencën e shtetësisë tonë', tha Gani Qarri për "Kosova Sot" .

KELMENDI: GJYKATA SPECIALE U KRIJUA NËN DIRIGJIMIN E HASHIM THAÇIT DHE PO KËSHTU NËN DIRIGJIMIN E TIJ U BËNË EDHE PROPOZIMET PËR NDALIMIN E PUNËS SË SAJ NGA DEPUTETËT

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi thekson se dëmet e bëra në politikën e brendshme dhe të jashtme janë të konsiderueshme dhe ato kanë ardhur si rezultat i një politike të dëmshme dhe joreale, të mbështetur në konstalacionet e forcave në botë dhe në interesat e grupeve të veçanta politike në vend. "Në këtë kontekst kemi në vazhdimësi nga Raporti i Progresit të Komisionit kritika dhe pakënaqësi në mënyrën e qasjes së problemeve që i ka Republika jone, sikundër është tani edhe në tentativat e ndryshme, siç është ajo për ndryshimin e mandatit të Gjykatës Speciale, pikërisht nga njeriu që është përgjegjës për futjen e kësaj gjykate në kuadër të jetës juridike të vendit", u shpreh ai. "Gjykata Speciale u krijua nën dirigjimin e z. Hashim Thaçi dhe po kështu nën dirigjimin e tij u bënë edhe propozimet për ndalimin e punës së saj nga deputetët. Kam qenë dhe jam që kjo gjykatë të vazhdojë me punën, por e zgjeruar edhe ndaj krimit dhe terrorit serbomadh, i cili ka qenë i ashpër dhe gjenocidial dhe i cili nuk ka dhënë farë përgjegjësie. Vetë ky fakt tregon jobarazinë dhe një element shumë të dëmshëm, sepse vetëm shqiptarët sipas kësaj duhet të përgjigjen, ndërsa kriminelët dhe gjenocidianët e vërtetë mbesin të lirë", vijoi më tej Kelmendi. "Por, në këtë anë, kemi edhe veprime të tjera të dëmshme të pushtetit, kryesisht të presidentit. Fjala është këtu për diskutimet ndaj UE-ja, për çështjen e Ushtrisë dhe të deportimit të 6 turqve në Turqi, në kundërshtim me normat ligjore të vendit, pa vendim të formës së prerë gjyqësore", tha prof. Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

BADALLAJ: PËRMES URDHRIT TË NËNTOKËS KRIMINALE SERBE, BATON HAXHIU I FUTI NË KURTH KËTA DILENXHINJ POLITIKANË DHE NA BËRI HORË PARA MIQVE TANË!

Ndërsa, analisti Reshat Badallaj thekson se raporti i KE-së vetëm se e faktoi kurthin e mbrapshtë që, sipas tij, Baton Haxhiu ia kurdisi Hashim Thaçit. "Kjo tregoi një lojë të pistë,dyfytyrëshe, të rrezikshme për popullin. Pra, Beogradi përmes urdhrit të nëntokës kriminale serbe, Baton Haxhiut i futi në kurth këta dilenxhinj politikanë dhe na bëri horë para miqve tanë dhe që dëmet kanë filluar të dalin dalëngadalë nga këta budallenjtë e shkuar budallenjve", tha Badallaj për "Kosova Sot". Edhe përkundër pyetjeve të dërguara dhe të përsëritura shumë herë, Baton Haxhiu që nga dhjetori i vitit nuk ka kthyer përgjigje në akuzat publike që po i bëhen.

Qytetarët mirëpresin veprimin e Gjykatës Speciale

Lidhur me të gjeturat e fundit kritike në Raportin e Progresit, gazeta ka anketuar edhe qytetarë rasti, të cilët po ashtu shprehen të indinjuar me këtë kastë politike në qeverisje të vendit, e cila për interesat e veta dhe nga shkurtpamësia politike e shtetërore po e mban vendin në top-listën e vendeve të korruptuara dhe pa sundim të mirë- filltë të ligjit. Kritik është shprehur qytetari Shaip Kastrati. "Këto kritika janë të bazuara, është fatkeqësia e Kosovës që po e udhëheqin këta njerëz, që i dirigjojnë këto institucione jo drejt Evropës, por drejt lindjes, dhe këto e kanë bazën në lindje dhe jo aty. Populli i Kosovës duhet të vetëdijesohet shumë në aspektin politik, duhet të ketë vetëdije të lartë shtetërore, duhet ta përdorë mekanizmin e votës për largimin e këtyre njerëzve", theksoi ai. "Këta njerëz kanë ardhur në emër të Kosovës, kanë ardhur në emër të zhvillimit të Kosovës, të pavarësisë së Kosovës, por këta janë pikërisht ata që tani po e pengojnë zhvillimin e Kosovës. Institucionet e Kosovës dhe Kosova sot gjenden në udhëkryqin më të vështirë prej fillimit të rrugëtimit të pavarësisë së saj e deri më sot", tha Shaip Kastrati. Ndërsa, Salih Sadiku thotë se pikërisht loja me Gjykatën Speciale ka qenë njollë e rëndë që tash po i hakmerret shtetit të Kosovës edhe në Raportin e Progresit. "Nuk është dashur të ndodhë kjo për shkak se po mbetemi mbrapa, prandaj duhet qenë pak më syçelë, më të vetëdijshëm, gjithsesi më të përgjegjshëm, sepse vetëm mbrapa na çojnë këto veprime. Ne sapo shkojmë një hap përpara më pastaj po shkojmë tre hapa përmbrapa dhe kjo është sjellje e papranueshme dhe jo e mirë për neve. Këta duhet të ndëshkohen me vota, ndryshe nuk kemi mundësi, e vetmja mundësi është kjo, sepse konsideroj që rruga nuk është e preferuar, por vetëm vota', tha Sadiku. Kurse, Hamëz Berisha, nga Mitrovica e Veriut, u shpreh se qytetarët po e mbajnë barrën kryesore dhe po e paguajnë haraçin, duke mos pasur mundësi që të ndryshojnë drejtësinë. "Kështu që, unë për vete jam skeptik dhe nuk shpresoj që do të bëhet ndonjë përparim në këtë drejtim. Unë uroj që Gjykata Speciale sa më shpejt të fillojë nga puna dhe vërtet këtë popull ta kthjellë në njëfarë mënyre, për të treguar se më në fund diçka po funksionon, sepse deri më tash jemi shumë të zhgënjyer", tha për "Kosova Sot", Hamëz Berisha.

(Kosova Sot)