'Peshqit e mëdhenj' të hetohen për skandalin e veteranëve (VIDEO)

  • 20 April 2018 - 10:55
'Peshqit e mëdhenj' të hetohen për skandalin e veteranëve (VIDEO)

AKTAKUZA E EULEX-IT KONSIDEROHET VEPRIM TEPËR MINOR

Kelmendi: Rritja e numrit të veteranëve është bërë me qëllim të përfitimit politik

Dy ditë më parë është bërë e ditur se EULEX-i ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave që dyshohen se kanë ushtruar ndikimin e tyre, që në këmbim të pagesave deri në 1 mijë euro të sigurohet statusi dhe pensioni i veteranit të UÇK-së. Aktakuza, sipas njoftimit të Prokurorisë së Shtetit, përfshin edhe detyrimin në prostitucion, duke pretenduar se njëri nga të akuzuarit ishte përfshirë edhe në shtytjen dhe aranzhimin e marrëdhënieve seksuale me pagesë ndërmjet një gruaje dhe disa burrave, duke përfituar nga kushtet e rënda ekonomike të saj. Sipas statistikave të fundit, numri i përfituesve të pensionit të veteranëve tashmë ka arritur në 37 mijë e 44 veteranë, pasi në tre muajt e parë të këtij viti listës i janë shtuar edhe 2515 veteranë të rinj. Ky numër është rritur 100%, krahasuar me të dhënat e organizatës IOM, e cila po ndihmonte në demilitarizimin e UÇK-së në vitin 1999. Ishveteranë të luftës, deputet dhe analistët politikë, konsiderojnë se do të ishte shumë me interes që aktakuzat e tilla të jenë më serioze, që në shënjestër të hetimeve të mos jenë vetëm përfituesit e keqpërdorimeve, por i gjithë establishmenti politik dhe zinxhiri komandues, i cili e ka krijuar e mbështetur hapur një sistem të tillë të titullarëve. Kjo për faktin se tani po shihet ashiqare që synimi kryesor i këtij sistemi të pensioneve ka qenë blerja jo vetëm e militantëve partiakë për votë, por edhe dëgjueshmërisë publike dhe realisht blerja e votave nga partitë politike, prandaj edhe nuk janë ngritur deri më tani aktakuza ndaj komandantëve që i kanë verifikuar e mbikëqyrur këto lista mashtruese e të rrejshme. 

Po e pësojnë "peshqit e vegjël"

Me këtë manipulim të paskrupull të këtij procesi, ata që e bënë këtë turp, vetëm sa e degraduan vlerën reale të luftës, e kriminalizuan pikërisht kjo klasë politike tërësisht e inkriminuar në çdo segment të shtetit, duke përfshirë edhe luftën dhe imazhin e UÇK-së. Kështu mendon veterani Bajram Jaha, sipas të cilit abuzimet marramendëse, që janë bërë me lista, nuk mund të kthehen në gjendjen normale, nuk mund të pastrohen listat me ngritje të disa aktakuzave minore, sado që edhe ata individë mund të kenë përgjegjësi, sepse përgjegjësia kryesore bie në zinxhirin komandues, kurse me aktakuza pa komandantë, vetëm sa do të bëhen përpjekje të mbulohen përgjegjësitë e atyre që janë veshur me pushtet. "Kjo akuzë e parë që është bërë, për këta ushtarë, unë disa prej tyre i njoh, Vesel Oruqin e njoh se ka qenë me mua në luftën e Rezallës, ka qenë një djalë ushtar i mirë, por ndoshta ka bërë gabime dhe nuk mund të garantoj për atë, as për vëllain tim nuk mund të garantoj. Por, edhe Sherën e mbaj mend, ky i AKSH-së që është lajmëruar, edhe atë e kam njohur pas luftës, por ku nga burgu ishte dalë, prej burgut të Serbisë ka ardhur dhe është kyçur në luftë dhe unë nuk e di se si komandon, kush e ka bërë apo ku ka qenë. Nuk mund të them asgjë, sepse nuk ma merr mendja që ka qenë diku. E këta janë 'peshqit ë vegjël', me këto veprime hajgare është kjo punë", potencoi ai. "'Peshqit e mëdhenj' janë komandantët dhe ata nën komandantë, kush i ka bërë këto lista e që është përgjegjës. Do të thotë që duhet me ju hy këtyre më së pari, sepse këta janë fajtorët kryesorë për listat e dhëna. Unë e kam pasur edhe gruan të angazhuar në luftë, nga qyteti, dhe kemi luftuar në fshatin e saj, dy shtëpi të miqve i kam pasur në disponim si bazë ushtarake, kam luftuar dhe tri ofensiva i kam përjetuar aty, edhe gruaja e ka dhënë kontributin maksimal me sistemim të të plagosurve, me ndihmë për refugjatët, me ushqim e me gjithçka, dhe kur e kam bërë aplikacionin tani së voni për të, nuk e kanë pranuar. Më është dashur dhe e kam bërë padinë edhe ne gjykatë", tha veterani Bajram Jaha për "Kosova Sot". Ai tha se di plot raste që edhe dezertorëve të situatave më të vështira u është njohur statusi i veteranit, e shumë të tjerëve që kurrë nuk janë tërhequr nga lufta nuk u është njohur merita dhe kontributi i tyre. Jaha theksoi se personalisht njeh shumë individë që janë përfshirë në lista dhe nuk kanë dhënë asnjë kontribut dhe as që kanë qenë të mobilizuar në luftë, por ja që janë kontrabanduar në listat e veteranëve dhe tani i gëzojnë ato të drejta materiale të pamerituara. "Krejt këto manipulime i kanë bërë ata që kanë qenë përgjegjës për ato lista që i kanë lëshuar, edhe duhet të arrestohen, por unë konsideroj që pa ndihmën e ndërkombëtarëve ne asgjë nuk mund të bëjmë në mes veti, veç nëse vritemi mes veti dhe asgjë", potencoi ai.

KELMENDI: ABUZIMI ME KËTO LISTA ËSHTË BËRË PËR QËLLIME TË PËRFITIMIT POLITIK, SI VOTË PËR PROCESET ELEKTORALE

Prof. i së drejtës Muhamet Kelmendi thekson se nuk ka asnjë dyshim që abuzimi me këto lista është bërë jo vetëm për qëllime të përfitimit dhe pasurimit të ish- komandantëve të zonave, por edhe për qëllime të përfitimit politik si vlerë potenciale e votës për proceset elektorale. "Në vend që të akuzohen bartësit e punës, sikundër ishte vetë udhëheqësi i Komisionit, z. Çeku, pastaj subjektet politike dhe ish-komandantët, të cilët e shfrytëzuan gjendjen për qëllime personale financiare dhe politike, duke shtuar numrin e vartëseve politikë, merren me anët joreale, që nuk kanë luajtur fare rol në punën e tillë. Rritja e numrit është bërë me qëllim të përfitimit politik. Por, mendoj se në këtë numër janë futur të dy kategoritë, ata aktivë dhe ndihmësit e tyre. Kuptohet se ky numër nuk është atëherë real. Po pavarësisht kësaj, i takon organeve kompetente të merren me këtë problem të madh shoqëror", u shpreh ai për "Kosova Sot". "Nuk duhet lejuar që ishbashkëpunëtorët e armikut të bëhen veteranë, apo njerëzit që fare nuk kanë kontribuar të realizojnë statusin. Këto duhet hetuar dhe luftuar, nuk duhet lejuar", tha Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

QARRI: NË SHËNJESTËR TË HETIMEVE NUK DO TË DUHEJ TË ISHIN MË VETËM PËRFITUESIT E KEQPËRDORIMEVE, POR I GJITHË ESTABLISHMENTI POLITIK

Analisti politik, Gani Qarri, thotë se sa u takon veteranëve, që në fillim çdo gjë u nis mbrapsht dhe tani ka pak gjasa të kthehet në normalitet. "Pikësëpari nga statusi i veteranit, do të duhej përjashtuar me vendim të prerë, që nga ajo kohë, të gjithë ata të cilët nga qershori deri në fund-shtator të vitit 1998 i dorëzuan armët e UÇK-së, policisë dhe ushtrisë pushtuese serbe", u shpreh ai. "Se ç'moral luftëtari kanë matrapazët që shisnin dëshmi të rrejshme për para, flet më së miri edhe aktakuza e prokurorisë kundër një "veterani" me nam, për detyrimin edhe në prostitucion dhe aranzhimin e marrëdhënieve seksuale me pagesë, ndërmjet një gruaje dhe disa burrave, për të përfituar vetë nga kushtet e rënda ekonomike të saj", theksoi ai për "Kosova Sot". Edhe Qarri thotë se në shënjestër të hetimeve nuk do duhej të ishin më vetëm përfituesit e keqpërdorimeve, por i gjithë establishmenti politik, i cili e ka krijuar dhe mbështetur hapur një sistem të tillë të titullarëve, plotësisht të dyshimtë, si dhe klasa aktuale e inkriminuar politike, e cila ka degraduar dhe kriminalizuar çdo segment te shtetit dhe jetës në Kosovë, përfshirë edhe luftën dhe imazhin e mirë të UÇK-së.

BADALLAJ: KRIMI ME LISTA DUHET GODITUR NË KOKË DHE JO TE BISHTI

Ndërsa analisti Reshat Badallaj thotë se krimi me lista duhet goditur në kokë dhe jo te bishti. "Nuk mjafton vetëm të ngrihen aktakuza dhe të bëhet zhurmë. Sa më parë duhet të burgosen banditët, kriminelët, vagabondët, në qoftë se ka bazë për të burgosur. Këta banditë dhe kriminelë kanë njollosur gjakun e dëshmorëve dhe Ushtrinë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës", tha Badallaj për "Kosova Sot".

Shitja e statusit të veteranit për 1 mijë euro

Edhe sipas Bislim Aliut, fryrja e listave për status të veteranit të luftës dhe të paguhet deri në 1 mijë euro, që të fitohet statusi i pensionit të UÇK-së, me të vërtetë është një gabim i pafalshëm dhe për këtë ka bërë mirë që EULX-i që ka filluar të ngritë aktakuzë."Mendoj se në shënjestër të hetimeve nuk duhet të ishin vetëm përfituesit e keqpërdoruesit, por i gjithë establishmenti politik, i cili e ka kryer dhe mbështetur këtë sistem të tillë! Ishte dashur që edhe ndaj komandantëve të ngriheshin aktakuza, meqë ata i kanë verifikuar dhe mbikëqyrur këto lista të rrejshme", vlerësoi Aliu për "Kosova Sot". Ndërsa, deputetja Time Kadrijaj nga AAK-ja, që është edhe vetë pjesëmarrëse dhe veterane e luftës çlirimtare, thotë se krejt ky proces duhet të hetohet, të zbardhen parregullsitë, abuzimet dhe përgjegjësit, kushdo që të jetë, të dalin para drejtësisë. "Le të hulumtohet, le t'i shohin, kanë ngritur edhe aktakuza pse kanë folur njerëzit rrugëve, e që ndoshta kanë folur edhe ata që nuk e kanë dhënë asnjë fije kontributi as nuk kanë qenë, as në vijat e para të frontit të luftës, as nuk kanë qenë në front fare, e që ndoshta kanë qenë edhe nëpër diasporë, dhe tash për ta minimizuar luftën e UÇK-së kanë filluar edhe me këto akuza", tha Kadrijaj për "Kosova Sot". Sipas analistit Ali Hertica, hetimi dhe përndjekja e abuzuesve me listat e veteranëve duhet të shkojë thellë deri në konfiskimin e pasurisë së atyre që janë përgjegjës. "Të përfolurit ku pretendohet se kanë ushtruar ndikim, në mënyrë që të siguronin statusin dhe më pastaj edhe pensionin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së në këmbim të një pagese deri në një mijë euro duhet të verifikohen dhe të dalin para gjykatës, e nëse konstatohen ato abuzime e shkelje ligji, duhet t'u konfiskohet e gjithë pasuria, sepse të pandehurit kësisoj e kanë dëmtuar edhe buxhetin shtetëror të Kosovës. Ata kanë përfituar materialisht edhe me abuzime të tilla", u shpreh ai."Tani dihet mirëfilli që procesi i verifikimit të veteranëve të luftës është përcjellë me shumë probleme, sidomos të natyrës që është shtuar në masë të madhe numri i veteranëve", tha Hertica për "Kosova Sot". Veprimtari Ibrahim Kelmendi thotë se nuk beson që ky hetim i nisur nga EULEX-i do t'i dalë misionit të filluar në krye, sepse të gjitha proceset e deritanishme, të proklamuara madje si shumë serioze kanë dështuar, ngase edhe vetë zyrtarët e EULEX-it dolën të korruptuar. "Uroj që edhe këto hetime ndaj këtyre gjashtë personave të dyshuar për krime të shumëllojshme, të procedohen profesionalisht dhe të marrin dënimin e merituar. Nëse dalin vetëm "zhurmim", në kuadër të luftës speciale kundër Kosovës (edhe në EULEX duhet të ketë më shumë se mjaft serbofilë të sojit Salustro...) uroj që të turpërohen ata që po zhurmojnë kundër UÇK-së dhe jo kundër këtyre gjashtë të dyshuarve. Për numrin e saktë të veteranëve nuk jam kompetent të flas, meqë nuk kemi bërë evidencë të saktë gjatë lufte, por kur statusi i veteranit i është njohur edhe antishqiptarit e jugosllavofilit Azem Vllasi, me vjen të pështyj në surratin e atyre që ia kanë shqyrtuar kërkesën dhe ia kanë miratuar statusin", theksoi ai."Unë i njoh disa veprimtarë të përkushtuar të Fondit "Vendlindja thërret" dhe të logjistikës (të dyja segmente të UÇK-së), që nuk e kanë kërkuar ose që nuk u është njohur statusi. Përse nuk janë ngritur aktakuza kundër atyre që kanë lëshuar dëshmi të rrejshme, duhet të përgjigjen institucionet kompetente. Nëse rezulton se kanë shitur e nuk u ngritën aktakuza, atëherë kemi të bëjmë me institucione të kapura, bashkëpërgjegjëse ose frikacake", tha Ibrahim Kelmendi për "Kosova Sot". 

Qytetarët kërkojnë zbardhjen e skandalit

Edhe qytetarët e anketuar kanë theksuar se me këto aktakuza në të cilat nuk përfshihen strukturat e zinxhirit komandues që kanë abuzuar me procesin, janë vetëm lojë për të amnistuar të gjithëpushtetshmit që më së shumti kanë përfituar kriminalisht nga ky proces. Këtë e thotë qytetari Selman Berisha."Këta po i fshehin me qëllim për t'i mbuluar ato punët e veta se si kanë punuar, sepse nuk është bërë ajo punë natën, por është bërë krejtësisht ditën, edhe që të gjithë e dinë se kush ku i ka fryrë ato lista, por të gjithë po i ikin përgjegjësisë. Prandaj, mendoj se janë krejt komandantët e zonave përgjegjësit kryesorë, dhe ata po të duan mund t'i spastrojnë ato lista, madje po deshën të punojnë seriozisht mund ta bëjnë këtë brenda ditës, por nëse nuk duan e zgjatin kështu sikur që po e zgjatin", tha Berisha për "Kosova Sot". Gjykim identik ka edhe Jonuz Bislimi. "Kjo farë loje është duke u luajtur kështu, dhe çdokush e di këtë punë që nuk ka qenë ai numër i veteranëve, por për këtë fajtorë janë ata komandantët e tyre. Sikur që e kam dëgjuar edhe mbrëmë, Agim Çeku është kryesori që i ka nënshkruar këto lista dhe sigurisht që tani duhet të ndërmerret diçka. Normal që ata që kanë pushtet po fshihen, këtu janë disa njerëz të njohur që i kanë bërë këto gjëra dhe normal që po fshihen", potencoi ai. "Këta e di secili komandant, e di se sa ushtarë i ka pasur, dhe është shumë e vërtetë që po fshihen. Sikur që dëgjova, 70 milionë po shkojnë më tepër me këtë numër të tanishëm, e që nuk ekziston kjo, që po ta pyesësh edhe një fëmijë të djepit e di këtë dhe të tregon, fëmija katërvjeçar është veteran i luftës", tha Jonuz Bislimi. Sipas tij, duhet të fillojë ndjekja ndaj secilit që i ka kontribuar këtij skandali. 

Gazeta i ka dërguar pyetje edhe Prokurorisë së Shtetit, por ata nuk e kanë parë të arsyeshme të kthejnë përgjigje as rreth kësaj teme.

(Kosova Sot)