Deputetët e 'pashkollë' nuk dinë të lexojnë e të shprehen shqip (Video)

  • 23 April 2018 - 07:41
Deputetët e 'pashkollë' nuk dinë të lexojnë e të shprehen shqip (Video)

LEGJISLATURA MË E DOBËT ME NIVEL ARSIMOR DHE INTELEKTUAL

Demhasaj: Niveli i diskutimeve të një pjese të deputetëve tanë është për keqardhje

Shumë nga deputetët e përbërjes aktuale të Kuvendit të Kosovës janë ankuar javën e kaluar se nuk e dinë gjuhën angleze dhe për këtë ata nuk kanë pasur mundësi ta lexojnë Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën. Sipas analistëve politikë e përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe qytetarëve tanë, ky është një fakt domethënës për nivelin e përfaqësuesve të popullit. Sipas tyre, shumica e deputetëve në Kuvendin e Kosovës kanë mangësi të madhe, ngase përveç tjerash kjo legjislaturë të jenë deputetë e të mos e flasin gjuhën angleze është një rast për analizë. Kjo ngase përderisa të gjitha ligjet, dokumentet, marrëveshjet bëhen edhe në gjuhën angleze, ndërsa komunikimi gjithashtu zhvillohet në këtë gjuhë, në nivele të ndryshme ndërkombëtare. Ata thonë se si mund të shpjegohet fakti se këta deputetë as gjuhën shqipe nuk e flasin mirë, kjo pasi që shumë nga deputetët as fjalimet e tyre nuk dinë t'i lexojnë mirë. 

Demhasaj: Kjo përbërje e Kuvendit nuk kanë qenë në nivel të duhur

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Arton Demhasaj ('Çohu'), për gazetën "Kosova Sot" theksoi se niveli i diskutimeve të një pjese të deputetëve tanë është për keqardhje dhe për të ardhur marre se si ata flasin ndërmjet vete dhe me çfarë gjuhe komunikojnë njëri me tjetrin në Kuvendin e Kosovës. Sa i përket njohjes së gjuhës angleze, sipas tij, nuk është një obligim i detyrueshëm."Ndaj nuk ka dyshim se Raporti i Progresit që flet për Kosovën nga ana e Kuvendit ka qenë dashur që të përkthehet në gjuhën shqipe dhe më pastaj të diskutohet e të komentohet në Kuvendin e Kosovës", është shprehur ai. Demhasaj duke folur për nivelin shumë të ulët të gjuhës që po përdoret nga ana e kuvendarëve tanë theksoi se duhet të jemi realë se nuk është pritur që të ketë një gjuhë të tillë diskutuese dhe aq bastarduese nga ana e deputetëve, me të cilën po diskutohet në Kuvendin e Kosovës."Unë nuk e kam parë përbërjen intelektuale të deputetëve tanë, por bazuar në atë se çfarë ata po flasin dhe me çfarë fjalori ata po paraqiten, por edhe në aspektin intelektual se çfarë pune kanë bërë, kjo përbërje e tashme e Kuvendit të Kosovës që nga shtatori e deri më tani, që kur janë konstituuar, vërtet puna e kësaj përbërje lë shumë për të dëshiruar", është shprehur ai. Demhasaj theksoi se nuk ka asnjë fije dyshimi se kjo përbërje e Kuvendit nuk kanë qenë në nivel të duhur.

Kelmendi: Legjislatura më mediokre që ka pasur ndonjëherë Kosova

Eksperti i fushës së integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për "Kosova Sot" theksoi se kjo legjislaturë do të hyjë në histori si legjislacioni më mediokër që e ka pasur Kosova pas lufte dhe kjo na tregon se çfarë deputetësh mediokër ka zgjedhur Kosova dhe justifikimi i tyre se ata nuk e dinë anglishten është vetëm një element për ta parë nivelin e dobët e mjerues të kapaciteteve mendore të kësaj kaste politike. "Problem serioz mbetet dhe jam shumë i sigurt se, duke përfshirë që nga presidenti, kryeparlamentari, kryeministri dhe ministrat, e madje edhe deputetët, nuk e dinë edhe gjuhën shqipe dhe kemi parë se ata kur paraqiten në medie dhe në konferenca për medie, si përfaqësues të popullit, kanë një shqipe bizare dhe natyrisht se nuk duhet që të çuditemi fare se përse ata nuk e flasin një gjuhë të huaj kur nuk e flasin as gjuhën e vet. Andaj edhe kjo është shenjë se në çfarë krize ndodhet Kosova, se çfarë kapacitetesh intelektuale kanë këta deputetë, përkatësisht ky legjislacion e kjo qeveri aktuale", është shprehur ai. Sipas Kelmendit, këta deputetë e këta ministra u shërbejnë vetëm bosëve të tyre."Andaj tragjedia tek ne është se në Kosovë kemi krijuar parti shefash dhe shefat e tyre gjejnë njerëz- deputetë e ministra të paditur, sepse sa më i paditur që është vartësi yt do të jetë më i dëgjueshëm", është shprehur ai. Analisti politik Arsim Haziri theksoi për "Kosova Sot" se arsyeja përse disa nga deputetët të kësaj legjislature nuk e njohin gjuhën angleze apo nuk kanë drejtshkrim normativ është për shkak së nuk ndajnë kohë për angazhim studimor."Madje as fjalimet e tyre në disa raste nuk janë të artikuluar racionalisht. kjo anomali është e shtrirë edhe në komunikimin publik që bëhet përmes konferencave mediale. Sot pak lexohet, pak studiohet", është shprehur ai. 

Qytetarët, të pakënaqur me përbërjen e Kuvendit

Ndërkaq, qytetarët e anketuar të gazetës janë deklaruar se kjo përbërje e tanishme e Kuvendit të Kosovës është ndër legjislaturat më të dobëta, me nivelin më të ulët arsimor dhe intelektual, ku një pjesë e deputetëve madje nuk dinë mirë as të lexojnë shqip. Qytetari Adnan Mehmeti për "Kosova Sot" theksoi se pa asnjë dyshim një pjesë e madhe e këtyre deputetëve të Kuvendit të Kosovës është e tillë, sepse duhet qenë realë se shumica e deputetëve tanë janë të dobët. Ndërsa qytetari Adem Nika për gazetën "Kosova Sot" theksoi se pa asnjë dyshim deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet që të jenë dukshëm më të dijshëm dhe më të shkolluar sesa që janë këta aktualisht. Edhe qytetari Mustafë Musa për gazetën "Kosova Sot" theksoi se pa asnjë dyshim kjo përbërje e Kuvendit të Kosovës është më e dobëta nga paslufta. Ai shton se në të ardhmen e afërt, kur do të votojmë deputetë e rinj në zgjedhjet nacionale, duhet që të kemi një kujdes shumë më të madh se cilin po e votojmë.

(Kosova Sot)