Pushteti na mashtroi, izolimi vazhdon Liberalizimi i vizave nuk pritet as sivjet(Video)

  • 24 April 2018 - 11:11
Pushteti na mashtroi, izolimi vazhdon Liberalizimi i vizave nuk pritet as sivjet(Video)

Miratimi i Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi që e bëri Kuvendi i Kosovës muaj më parë nuk e solli liberalizimin e vizave, pasi në fakt, sipas njohësve të kësaj fushe, kriteri kryesor ishte dhe është lufta e Qeverisë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Andaj, kjo edhe ka bërë që pushtetarët po e heshtin dështimin me liberalizimin e vizave që rezultoi se ishte i tëri një mashtrim. Sipas analistëve politikë dhe qytetarëve, populli i Kosovës e ka humbur besimin te kjo klasë politike dhe kjo është periudha më e rëndë që po kalon vendi që nga koha e luftës, ngase ky degradim i skajshëm mund të përfundojë edhe me një eksod masiv të qytetarëve tanë drejt Perëndimit. Analisti Ilir Fetahu tha për "Kosova Sot",se është paralajmëruar nga BE-ja se luftimi i krimit dhe korrupsionit është njëri nga kushtet që duhet plotësuar, por duhet thënë se luftimi i krimit dhe korrupsionit është i pamatshëm, sepse mund të bëhet shumë e të thuhet se nuk është bërë asgjë, por edhe e kundërta, se mund të bëhet pak e të thuhet se është bërë shumë dhe këtë BE-ja duhet ta vlerësojë. "E keqja është se kjo Qeveri aktuale është katastrofale, sepse ajo është shumë e dobët dhe është në dëm të Kosovës", u shpreh ai.

Tendencë për përfitime nga izolimi

Analisti Arsim Haziri, për " Kosova Sot", tha se është argumentuar mjaft se ratifikimi i Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi nuk garanton thyerjen e izolimit ose siç njihet ndryshe regjimin e vizave. "Këtë e kanë thënë edhe vetë zyrtarët e Bashkimit Evropian, mirëpo kjo është devijuar tejet shumë prej politikës sonë, e cila gjithnjë i ka shërbyer jo edhe çështjeve të përgjithshme, por interesave klanore e individuale", theksoi ai. "Bazike, si për largimin e regjimit të vizave, ashtu edhe funksionimin e stabilitetit të brendshëm, është luftimi i kriminalitetit, i cili aspak nuk është marrë parasysh prej kësaj klase politike. Unë konsideroj se përcaktimi edhe i kriterit të ratifikimit për çështjen e liberalizimit është bërë në mënyrë të qëllimtë prej logjikës së dobët politike, me të vetmen arsye që opinioni publik të mos mendojë se pengimin e liberalizimit po e bën kriminaliteti ekonomik, moral e politik", theksoi më tutje ai. "Fatkeqësisht, këto tri dukuri negative janë duke e ngulfatur gjendjen e tanishme, madje në masën siç pasqyrohen tek masa e kanë bërë të pamundur avancimin e ndonjë elementi që i kontribuon zhvillimit apo prosperitetit", shtoi Haziri. "Vetë kriminaliteti është vetë udhëheqësia shtetërore, andaj luftimi i tij nënkupton largimin e liderëve prej pushtetit aktual. Logjikisht nëse e marrim funksionimin e vetë BE-së, ajo në mënyrë direkte qëndron në bazë të drejtë të zbatimit të legjislacionit, po ashtu edhe fuqizimit të ekonomisë, e Kosova në mënyrë drastike vuan nga mungesa e stabilitetit të ekonomisë dhe zbatimit të legjislacionit. E, mbi këtë bazë natyrisht edhe rrethanave që e determinojnë gjendjen aktuale, them se liberalizimit më shumë është tendencë për përfitime politike dhe paraqitje të atyre që kishe po e kundërshtojnë, sesa që është agjendë e vërtetë politike", shpjegoi ai.

Qytetarët të indinjuar

Qytetarët tanë janë tepër të zhgënjyer me gënjeshtrat e deritashme të të gjitha garniturave të pushtetarëve tanë që premtuan liberalizim vizash. Qytetari Gent Haxhia, tha për " Kosova Sot", se qeveritarët tanë po heshtin, ngase premtimet e tyre nuk ishin të sinqerta, sepse liberalizimi nuk vjen duke falur toka si bënë pushtetarët tanë me Demarkacionin me Malin e Zi. "Për liberalizim të vizave dhe një lëvizje të lirë, Qeveriajonë duhet ndalur korrupsionin dhe krimin e organizuar, ngase pa pasur një sistem të drejtësisë efikas, nuk do të ketë liberalizim të vizave për qytetarët tanë. Ndaj, premtimet e pushtetarëve tanë për liberalizim vizash ishin një gënjeshtër, sepse sivjet nuk do të ketë liberalizim vizash, por kjo mund të bëhet vetëm vitin tjetër ", u shpreh ai. Kurse qytetari Çlirim Uka, për " Kosova Sot", tha se premtimet e pushtetarëve për liberalizim vizash edhe këtë vit ishin një mashtrim i radhës i pushtetarëve tanë, pasi së koti na premtuan se do të ketë liberalizim vizash pas Demarkacionit. "Premtimet e tyre të ngjashme ishin edhe viteve të tjera, por nuk ndodhi liberalizimi i vizave. Andaj, nuk e besoj se as sivjet do të ketë liberalizimi vizash, sepse pa luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk ka liberalizim vizash, ngase fundja pengesa apo sfida kryesore, që po mban peng liberalizimin vizave për qytetarët e Kosovës është shkalla shumë e lartë e krimit të organizuar dhe korrupsioni i lartë nga ana e pushtetarëve tanë", potencoi ai. Edhe qytetari Shemsi Uka tha për "Kosova Sot", se kjo është një gënjeshtër e radhës e pushtetarëve tanë, sepse në asnjë mënyrë as këtë vit nuk do të ketë liberalizim vizash. "Edhe nëse ndodh liberalizimi i vizave për qytetarët tanë, ai do të jetë në vitin tjetër, sepse nuk mund të ketë liberalizim vizash pa e luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin", ka thënë Uka. 

(Kosova Sot)