Shpend Ahmeti nën llupën e hetimit (Video)

  • 14 May 2018 - 07:38
Shpend Ahmeti nën llupën e hetimit (Video)

PUNËSIMET PARTIAKE NË KOMUNËN E PRISHTINËS JANË FARE PAK, KRAHASUAR ME KRIMET QË JANË BËRË NË KËTË KOMUNË

Të premten që kaloi, është konfirmuar për mediet e Kosovës se më në fund ka nisur të ndezë pak a shumë motorët Prokuroria e Shtetit, e cila ka nisur hetimet ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit, për punësimet partiake në Komunën e Prishtinës dhe jo vetëm, mirëpo tani analistët politikë dhe njohësit e fushës së drejtësisë thonë se punësimet partiake nuk janë asgjë krahasuar me krimin e organizuara dhe shkeljet e mëdha në dhënien dhe shitjen e lejeve të ndërtimit dhe lidhjet kriminale "mish e thua" të Shpend Ahmetit me mafio-oligarkët Devolli, që po e shkatërrojnë dhe zhvatin komunën, buxhetin dhe pronën më vitale të Prishtinës? Ata shtrojnë pyetjen pse Prokuroria Speciale ende nuk ka ngritur aktakuzë gjer më tani kundër Shpend Ahmetit për inkriminim në krim të organizuar dhe korrupsion me vëllezërit Devolli?, Sipas tyre, dyshimi është se po frikësohet Prokuroria Speciale të ngritë aktakuzë ndaj Shpendit, duke marrë parasysh faktin se ky njeri është në shërbim të Blerim Devollit, por edhe të mafio-oligarkëve të tjerë. Një pohim të tillë e ka thënë analisti politik Ragip Guraziu, sipas të cilit për shërbëtorin e krimit'', siç ka thënë ai, Shpend Ahmetin, nuk do të mjaftonte ngritja eventuale e aktakuzës vetëm për punësime, në qoftë se nuk ka aktakuzë nga Prokuroria Speciale për pjesën tjetër të krimit të organizuar dhe lidhjet e tij me Blerim Devollin. "Është mirë që ka nisur, më në fund, të ndezë motorët Prokuroria, e cila ka nisur hetimet ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për punësimet partiake në komunën e Prishtinës dhe jo vetëm. Mirëpo tani shtrohet pyetja pse punësimet partiake nuk janë asgjë krahasuar me krimin e organizuar dhe shkeljet e mëdha në dhënien dhe shitjen e lejeve të ndërtimit dhe lidhjet kriminale "mish e thua" të Shpend Ahmetit me mafio-oligarkët e inkriminuar Devolli, që po e shkatërrojnë dhe zhvatin komunën, buxhetin dhe pronën me vitale të Prishtinës, kjo duhet diskutuar dhe vepruar. Pra, me të drejtë duhet të shtrohet pyetja pse atëherë Prokuroria Speciale ende nuk ka ngritur aktakuzë gjer më tani kundër Shpend Ahmetit për inkriminim në krim të organizuar dhe korrupsion me vëllezërit Devolli. Me siguri, është mendim imi personal, se po frikësohet Prokuroria Speciale të ngritë aktakuzë ndaj Shpendit, duke marrë parasysh faktin se ky njeri është "një shërbëtor i krimit" dhe në shërbim të Blerim Devollit, por edhe i mafio-oligarkëve të tjerë. Pra, unë dyshoj se prokuroria po frikësohet të ngritë aktakuzë kundër njeriut që punon kriminalisht për Devollët, kur e dinë se Devollët tanimë të tejkriminalizuar janë ata që ushqejnë me paratë e krimit nga nëntoka kriminale të gjitha partitë politike dhe janë si "mishi e thoni" me të gjithë pushtetarët e lartë", është shprehur analisti Guraziu për gazetën "Kosova Sot". Guraziu shton se për Ahmetin dhe varësit e tij, prokuroria duhet të vihet në veprim. "Është fakt që Prishtina ka mbetur një kryeqytet i ngulfatur dhe i kriminalizuar, ku dhë- nia e lejeve ndërtimore bëhet ekskluzivisht e vetëm përmes ryshfetit dhe presionit të klaneve komunale e kriminale, nga Shpend Ahmeti dhe në regji të Devollëve, me jahtin e të cilëve shëtitet Shpend Jahti. Ndryshe, Shpend Ahmeti në fakt nuk dallon asgjë nga Adem Grabovci dhe klani 'Pronto', pjesë e të cilit klan është bërë në tërësi, 'këmbë e krye'", theksoi Guraziu. Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, konsideron se megjithatë është e mirëpritur që të hapen hetimet procedurale kundër krimit dhe korrupsionit, madje në të gjitha nivelet e institucioneve."Nuk mendoj se vetëm në nivel lokal ka krim. Baza e krimit dhe korrupsionit është në nivel qendror. Madje kryesisht në Presidencë, në Qeveri dhe në Kuvend. Vijnë pastaj organet e ndjekjes, si policia, prokuroria dhe gjykatat. Mbrapa nuk mbesin as bordet e ndryshme të firmave publike të të gjitha niveleve. Dhe, e tëra kjo përfundon me krimin nëpër komuna, nga kryetarët e komunave, ku pothuajse nuk ka kryetar të asnjë komune që mund të arsyetojë pasurinë me të ardhurat që ka. Nëse do të futej VETTING-u në veprim mbi 80% të të gjithë të punësuarve në organet e shtetit do të liroheshin nga puna të gjithë ata që kanë vjedhur. Shih për këtë, pasurinë që e kanë, banesat dhe shtëpitë, pushimet dhe makinat që provojnë se krim dhe vetëm krim kanë kryer", është shprehur Kelmendi për gazetën 'Kosova Sot". Ai thotë se pa e hetuar edhe Hashim Thaçin dhe harxhimet e tij kurrë nuk mund të hetohen të tjerët. "Krye-keqpërdoruesi i mjeteve të buxhetit të Kosovës është Thaçi. Ai vetëm për librin që po e reklamon jam i bindur se janë me miliona të buxhetit që ka harxhuar. Shih për këtë hapet edhe një ambasadë në Abu Dabi, sepse edhe aty dhjetëra veta marrin pjesë në hapje… Krim dhe vetëm krim", theksoi Kelmendi për "Kosova Sot". Sipas analistit Ali Hertica, ky hetim i filluar nga Prokuroria e Shtetit mund të jetë vetëm një nga arsyet e shumta pse ky mashtrues i madh i qytetarëve të Prishtinës duhet të ndëshkohet me votë në zgjedhjet që vijnë, edhe si person, por edhe si subjekt politik."Tani, duke parë trysninë e shoqërisë civile dhe faktorit ndërkombëtar, se askush nuk duhet dhe nuk mund të jetë mbi ligjin, thuajse kanë filluar disa xixa shprese se prokuroria ka filluar një lloj ndezje të motorëve për ta fuqizuar ligjin dhe drejtësinë për çdo kënd që i takon skenës politike dhe që deri tani thuajse e dukeshin si të paprekur. "Mbi të gjithë tani është edhe rasti i të parit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili për ta rregulluar jetën e tij politike e ka krijuar Komunën si një agjenci të punësimit për partiakët e tij. Dua të besoj që shpejt do t'u vijë fundi edhe shkeljeve të tjera, sikur që janë dhëniet e lejeve të ndërtimit për njerëz nga mafio- oligarkia dhe njerëzve të inkriminuar që janë të lidhur ngushtë, thuajse të mishëruar në këtë drejtim, për ta degraduar shtetin dhe qytetarin, derisa Prishtina si kryeqendër është ngulfatur nga kjo kasë politike, e cila është marrë vetëm me përfitime nga oligarkët, matrapazët", është shprehur Hertica për gazetën "Kosova Sot". Ai shton se deri më tani prokuroria as gjykatat nuk kanë pasur guxim të marrin ndonjë hap drejt shtrirjes së ligjit për këto grupe të të inkriminuarve, si Devollët dhe klani "Pronto".

ALIU: PUNËSIMET PARTIAKE NË KOMUNËN E PRISHTINËS NUK JANË ASGJË, KRAHASUAR ME KRIMIN E ORGANIZUAR NË DHËNIEN DHE NË SHITJEN E LEJEVE TË NDËRTIMIT!

Edhe analisti Bislim Aliu thotë se prokuroria ose duhet të nisë hetimet kundër keqpërdoruesve, ose ajo vetë le të falimentohet, meqë nuk e ka guximin që t'i dënojë keqpërdoruesit e inkriminuar. "Prokuroria më në fund ka nisur t'i ndezë motorët, duke nisur hetimin ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit, për punësimet partiake në komunën e Prishtinës, por këto nuk janë asgjë, krahasuar me krimin e organizuar dhe shkeljet e mëdha në dhënien dhe në shitjen e lejeve të ndërtimit dhe lidhjet kriminale 'mish e thua' të Shpend Ahmetit dhe mafiooligarkët e inkriminuar Devolli, që vazhdimisht po e shkatërrojnë dhe zhvatin komunën, buxhetin dhe pronën më vitale të Prishtinës?

BADALLAJ:DREJTËSINË E KANË NË DORË BANDA SERBIANE, MAFIO-OLIGARKËT MË TË RREZIKSHËM NË BALLKAN, RRJETI MAFIOZ I KANALEVE TË NËNTOKËS KRIMINALE QË QUHEN DEVOLLI!

Me dyshim dhe mosbesim e sheh këtë veprim, që duket të jetë në fazën fillestare, analisti Reshat Badallaj. Ai thotë për gazetën "Kosova Sot" se sistemi gjyqësor në përgjithësi, e veçmas prokuroria, janë të kalbur dhe kanë dhënë shpirt moti. "Këtë shpirt para vdekjes po e mban dhe e ka në dorë banda serbiane, mafio-oligarkët më të rrezikshëm në Ballkan, rrjeti mafioz i kanaleve të nëntokës kriminale që quhen Devolli. Prokuroria karshi këtyre bandave dhe karshi matrapazit dhe hajnit Shpend Ahmeti, që populli me shumë të drejtë më nuk po e quan me atë mbiemër, por Shpend Jahti, janë shumë të pafuqishëm, sepse këta varen nga grazhdi i tyre. Pra, prokuroria i ka motorët e ndryshkur për t´i ndezur kundër këtyre, këta motorë as me hapa të breshkës nuk mund të ecin. Këtë zhurmë e bëri sepse banda tjetër PRONTO i ka bërë trysni kësaj kopeje Kadish që kishin bërë disa kallëzime penale dhe kinse pak t´i përkujtojnë dhe të zgjohen nga gjumi. Përndryshe aktet kriminale të kësaj bande serbiane dhe krushkut të tyre Shpend Jahti, kryetarit të shehrit dhe tani kryetar i një partie të dalë nga titizmi fashist, nuk i tremb se janë të lidhur ngushtë me ta dhe se ka akte që i ka mbuluar edhe pluhuri dhe janë të paprekura", është shprehur Badallaj. Shton se nuk e beson se do të ndodhë diçka vetëm është një shou mediatik. "Këto janë dallavere dhe lojëra të pista të tyre dhe asgjë tjetër. Përndryshe, sikur të kishte sistem të mirëfilltë, ose të kishte prokuror nuk do t'u duhej shumë kohë që kjo bandë të burgosej. Po e tërë bota e di se kjo bandë shkatërrimtare e ekonomisë së Kosovës janë me procedurë penale dhe çka ndodhi? Asgjë! Në vendet demokratike të botës dhe askund nuk punësohen njerëzit sipas bindjeve partiake. Tash e sa vjet unë kam nënshtetësinë gjermane dhe disa herë votoj dhe jo vetëm që nuk i intereson firmës ose shefit tim se për kë votoj, por as që guxon të pyesësh dikë se për kë votove. Këto marrëzira dhe naivitete ndodhin vetëm te ne dhe në përgjithësi në Ballkan. Këtë shpirt para vdekjes po e mban dhe e ka në dorë banda serbiane, mafio-oligarkët më të rrezikshëm në Ballkan, rrjeti mafioz i kanaleve të nëntokës kriminale, që quhet Devolli. Prokuroria karshi këtyre bandave dhe karshi matrapazit dhe hajnit Shpend Ahmeti, që populli me shumë të drejtë më nuk po e quan me atë mbiemër, por Shpend Jahti, janë shumë të pafuqishëm, sepse këta varen nga grazhdi i tyre. Pra, prokuroria i ka motorët e ndryshkur për t´i ndezur kundër këtyre, këta motor as me hapa të breshkës nuk mund të ecin. Këtë zhurmë e bëri sepse banda tjetër PRONTO i ka bërë trysni kësaj kopeje Kadish që kishin bërë disa kallëzime penale dhe kinse pak t'i përkujtojnë dhe të zgjohen nga gjumi", theksoi analisti Reshat Badallaj për "Kosova Sot".

Qytetarët kërkojnë veprim më të ashpër

Qytetarët e anketuar i kërkojnë Prokurorisë së Shtetit që të zgjerojë hetimet kundër Shpendit edhe për krim të organizuar dhe korrupsionabuzim me leje ndërtimi. Madje ata porositin që hetimi për njerëzit e politikës të mos ndalet me Shpendin, por të fillojë për të gjithë ata që janë potencialisht shkelës të njohur të ligjit. Ramiz Qoqaj thotë për "Kosova Sot" se Prokuroria e ka nisur mirë tani dhe duhet të vazhdojë të thellojë hetimet kundër të parit të Prishtinës, sepse abuzimet e tij as nuk kanë filluar vetëm me punësimet e militantëve politikë dhe as nuk ndalen aty, por shkojnë përtej, deri tek abuzimet e mëdha me leje ndërtimi. "Mendoj që e ka nisur mirë këtë hetim, këtë procedurë hetimore për njerëzit që i ka punësuar, partiakë e familjarë. Ne jemi qytetarë të Prishtinës dhe nuk po kemi të drejtë që të punësohemi këtu, i kemi fëmijët tanë që kanë kryer fakultetin me kapacitet dhe nota 10- she, por nuk janë punësuar në kryeqytet, ata bien njerëz nga tjetërkah, nga tjera komuna, prandaj ky as nuk e meriton për të qenë kryetar i komunës së Prishtinës, sepse as nuk është qytetar i komunës së Prishtinës, ky është i lindur në Mitrovicë, por çka kanë bërë, qysh ka ndodhur kjo që u bë ky kryetar komune unë nuk e di. Tani nisma e tillë është shumë pozitive për Prokurorinë, ishalla zgjat dhe e qesin para gjykatës, sepse kjo siç po shihet është mafi. Ne qytetarët e Prishtinës, që jemi të lindur këtu që 100 vjet, nuk po kemi të drejtë të punësohemi në qytetin tonë të lindjes, duhet që fëmijët tonë të marrin rrugën e azilit... edhe për leje ndërtimi patjetër duhet të fillojë hetimi, sepse nëse nuk i përket një partie, tani asaj partie, nuk mundesh me marrë leje", theksoi Ramiz Qoqaj për "Kosova Sot". Gjykim të ngjashëm ka edhe Ali Xhatolli. "Sigurisht që unë kisha për të cekur që nëse ka këso lloj manipulimesh, apo ka punë të paligjshme, unë kisha qenë i mendimit që patjetër prokuroria të fillojë hetimet, dhe nëse Shpendi apo kushdo tjetër që të jetë, nëse e meriton dënimin, duhet ta marrë nëse ka bërë manipulime në punën e tij. Unë sa e shoh Prishtina me të vërtetë është shumë e ngulfatur sa u përket ambientit, rrugëve, llojeve të ndryshme të infrastrukturës, mungojnë shumë gjëra të mira që kanë mundur të arrihen deri më sot dhe, meqenëse kemi pasur shumë shpresa se do të përmirësohen, deri më sot nuk është përmirësuar dhe nuk ka ardhur asgjë e mirë sa i përket kësaj kohe për 5 vjet mandat prej tij", tha qytetari Ali Xhatolli për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)