PSD-ja e Shpendit rikthen FRYMËN MILOSHEVIQIANE (Video) - TV - Kosova Sot
PSD-ja e Shpendit rikthen FRYMËN MILOSHEVIQIANE (Video)

PSD-ja e Shpendit rikthen FRYMËN MILOSHEVIQIANE (Video)

PSD-ja e Shpendit rikthen FRYMËN MILOSHEVIQIANE

Kelmendi: Pas pavarësisë, Hashim Thaçi tërësisht e mbështeti politikën e vet kadrovike te njerëzit e ish-regjimit

"Kjo pa dyshim është kasta më e privilegjuar në Kosovën e pasluftës, e në mesin e të cilëve bëjnë pjesë edhe Shpend Ahmeti e Visar Ymeri, të cilët me aktin e ri të tyre e ringjallën Kaqusha Jasharin, e cila ishte pjesë e sistemit të kaluar politik. Me këtë, Shpend Ahmeti e ringjalli platformën e mëparshme politike. Shpend Ahmeti u bë multimilioner, duke u bërë ortak i Devollëve", thotë analisti Bislim Aliu për "Kosova Sot

Hezitimi i krerëve shtetërorë për të hapur dosjet dhe për të miratuar ligjin e lustracionit, sipas analistëve, lidhet me faktin se në të gjitha institucionet të dyshuarit për lidhjet me shërbimet serbe apo bijtë e bijat e tyre, janë në pozicione kyçe. Analisti dhe opinionisti Reshat Sahitaj, në një shkrim autorial të botuar në gazetën "KOSOVA SOT", thotë se "që nga Pavarësia e këtej, në skenën politike kosovare po ngrihen figura politike me biografi të dyshimta, që në shumicën e rasteve janë bijtë e bijat e ish- bashkëpunëtorëve të Shërbimit Sekret jugosllav, e mbase edhe vetë spiunët më në zë të asaj kohe, duke u paraqitur si engjëj shpëtimtarë të atdheut tonë". "Këta individë i servirohen popullit tonë si njerëz pa të cilët vendi ynë nuk do të ishte çliruar e me një vizion gjoja si largpamës… Kjo është kasta më e privilegjuar në Kosovën e pasluftës, e në mesin e së cilës bëjnë pjesë edhe Shpend Ahmeti e Visar Ymeri, të cilët me aktin e tyre më të ri e ringjallën Kaqusha Jasharin, e cila ishte pjesë e strukturave të sistemit të Milosheviqit dhe Ali Shukriut", u shpreh ai. Edhe analistë të tjerë politikë dhe opinionistët, duke parë dezertimin e Shpend Ahmetit nga VV-ja dhe aterrimin e tij në PSD, konsiderojnë se ai pikërisht me këtë veprim vetëm sa i ka ringjallur hijet e errëta të sistemit të kaluar. Ai po cilësohet edhe si një "Kali i Trojës", i cili u ngrit duke e shfrytëzuar autoritetin e dikurshëm të Albin Kurtit dhe të VV-së, ku qëllimi i tij ishte që "kështjellën" ta marrin nga brenda, mbase pa e dituar këtë skenar Albin Kurti se po e fuste brenda "Kalin e Trojës", për ta shkatërruar VVnë dhe tërë kryeqytetin e Kosovës. Sidoqoftë, tani analistët theksojnë se Shpend Ahmeti u ngjit në piedestalin e VV-së, së bashku me grupin e tij dhe me ndihmën e vëllezërve Devolli, ku në  bashkëpunim më ta do të pasuroheshin skajshmërisht, për çka shpejt edhe u bë multimilioner. Edhe përkundër pyetjeve të dërguara Shpend Ahmetit dhe vëllezërve Devolli, ata, si zakonisht, nuk kanë kthyer përgjigje.

Spiunët, kasta më e privilegjuar në Kosovë

Analisti politik Bislim Aliu thotë se pajtohet me shkrimin autorial të Reshat Sahitajt, të botuar në gazetën "KOSOVA SOT"."Kjo, pa dyshim, është kasta më e privilegjuar në Kosovën e pasluftës, e në mesin e të cilëve bëjnë pjesë edhe Shpend Ahmeti e Visar Ymeri, të cilët me aktin e ri të tyre e ringjallën Kaqusha Jasharin, e cila ishte pjesë e sistemit të kaluar politik. Me këtë, sigurisht, Shpend Ahmeti e ringjalli platformën e mëparshme politike. Shpend Ahmeti, si një 'Kalë i Trojës", i cili u ngrit duke e shfrytëzuar autoritetin e dikurshëm të Albin Kurtit dhe të VV-së, ku qëllimi i tij ishte që vazhdimisht ta marrë 'kështjellën" nga brenda. Ndaj, Shpendi dhe grupi i tij, me vëllezërit Devolli, u ngjit në piedestalin e VV-së, ku së bashku do të pasuroheshin skajshmërisht. Dhe, së shpejti, Shpend Ahmeti u bë multimilioner, duke u bërë ortak i Devollëve dhe për t'u futur në rrjetin e tyre mafioz. Ai mundohet të paraqitet serioz dhe shpeshherë, besa edhe deklaron, se me një rrogë prej 1000 eurove qenka bërë i pasur! Ndaj, për këtë, edhe pyetemi; si nuk ka fare turp Shpend Ahmeti të paraqitet në këtë mënyrë! Dhe, kënd do ta mashtrojë ai me këto deklarata pompoze?", u shpreh ai për "Kosova Sot".  

"A thua, deri kur Prokuroria Speciale nuk do të aktivizohet, duke e sjellë para drejtësisë Shpend Ahmetin dhe klikën e tij kriminale në Komunën e Prishtinës, ku po ndodh realisht krimi i organizuar, duke shitur leje ndërtimore për lejet e ndërtimit, duke u dhënë tenderë kompanive të Devollëve dhe duke ua 'dhuruar' tokat komunale dhe gjelbërimet për të ndërtuar qendra tregtare mafio-oligarkëve tejet të inkriminuar në tokën komunale dhe në qendër të Prishtinës", theksoi analisti Bislim Aliu për "Kosova Sot" 

BADALLAJ: SHËRBIMI SEKRET I SERBOSLLAVISË ËSHTË KËMBËKRYQ I ULUR NË ZEMËR TË KOSOVËS

Ndërsa, sipas analistit Reshat Badallaj, dyshimet e ngritura nga Sahitaj janë bërë me shumë të drejtë."Kjo nuk ka as më të voglën dilemë se Kosovën mjerisht e kanë kapur dhe po e drejtojnë pjella titiste, që janë të lidhura ngushtë me UDB-në famëkeqe serbiane që ka bërë lemeri, hata, padrejtësi në Kosovë, duke vrarë, duke burgosur e duke maltretuar shqiptarë për interesa serbiane dhe të tillët janë në maja të shtetit, në Kuvend, në Qeveri, nëpër banda politike si në nivelin qendror, si në nivelin lokal, natyrisht duke përfshirë edhe sistemin e kalbur gjyqësor,komuniteti më i poshtër dhe më qyqar në vend", u shpreh ai për "Kosova Sot"."Këtu është kupola e krimit. Pra, kemi thënë disa herë dhe po e ripërsërisim se Shërbimi Sekret i Serbosllavisë është këmbëkryq i ulur në zemër të Kosovës. Këta njerëz të rrezikshëm janë të paguar nga shërbimet sekrete serbiane dhe marrin para me thasë; vetëm e vetëm që mos të zhvillohet Kosova, të ketë përçarje dhe të mos jetë e qetë", vijoi më tej Badallaj. Ai në këtë rrjet e sheh edhe kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, me grupin e tij dezertor. "Bile, edhe nga simpatizantët e tij, që i mashtroi duke e parë edhe ata se si u bë supermilioner dhe me kë po bashkëpunon, pra doli edhe ajo se ky nuk kishte qëllimin që ta marrë Prishtinën për ta zhvilluar dhe për një jetë më të mirë të qytetarëve të saj, por ky kishte qëllim hajninë dhe prandaj u lidh me bandën serbiane Devolli, shkatërroi Prishtinën, mashtroi qytetarët që kishte dhënë premtime boshe dhe ky doli supermilioner. Ky matrapaz, Shpend Jahti, shkoi te çerdhja e bashkëpunëtorëve të kasapit të Ballkanit, Slobodan Milosheviqi,që mori jetën e mijëra shqiptarëve, në partinë e Kaqusha Jasharit. Pra, kjo a nuk jep të kuptojmë se ky nuk ka as fe as komb, dhe nuk njeh as ligje, as shtet dhe as Kushtetutë, përpos parasë haram", potencoi Badallaj për "Kosova Sot".

KELMENDI: PO JEPET SIPËRFAQJA PARA FAKULTETIT FILOLOGJIK. DO TË JEPET EDHE QENDRA E RINISË, PARQET DHE VENDET KU DUHET TË JENË PËR T'U GJALLËRUAR GJELBËRIMI!

Prof. universitar Muhamet Kelmendi pohon se çështja e kapjes së pushtetit nga ana e ish-udbashëve dhe familjet e udbashëve, ka filluar menjëherë pas luftës dhe është instaluar kryesisht nga UNMIK-u. Sipas Kelmendit, që në vitin 1999, nuk dihet nga kush, por mendohet se informatat i kanë marrë nga Serbia, dhe UNMIK-u iu ka dhënë përparësi në Polici, në Prokurori, në gjykata, në borde, në Postë- Telekomunikacion, në KEK dhe kudo vetëm elementëve të UDB-së. Ai shton se nëse kësi nuk ka pasur mjaft, atëherë janë marrë nga UNMIK-u familjarët e ish- shërbëtorëve të armikut dhe ata e kanë kapur shtetin dhe e mbajnë deri më sot. "Nuk është fjala vetëm për Shpend Ahmetin, Albin Kurtin, që ishte i burgosur, Hashim Thaçin, Ramush Haradinaj, Ibrahim Rugovën, Fatmir Sejdiun, apo për Jakup Krasniqin, Fatmir Limajn etj., por fjala është për të gjithë. Këta në atë kohë i dinin këto çështje, por i toleruan dhe më vonë i shndërruan në vegla të veta për të mundur për të vjedhur dhe bërë korrupsion. Mbi këtë bazë, vazhdoi avazi i ndërtuar nga UNMIK-u, edhe nga EULEX-i", u shpreh ai. "Pas pavarësisë, Hashim Thaçi tërësisht e mbështeti politikën e vet kadrovike te njerëzit e ish- regjimit. Mendohet se ata ishin shumë të dëgjueshëm dhe lehtë të shantazhuar për të bërë punë sipas urdhrit. Kështu u vendosën gjyqtarët e prokurorët, u vendos udhëheqja e Policisë, si dhe u kapën të gjitha firmat publike e shoqërore të shtetit. Së këndejmi, u privatizua Kosova. Nga pasuria e përgjithshme kemi mbi 90%, që është privatizuar dhe tërë qytetarët janë vegla të kriminelëve oligarkë të krijuar, si "Devolli", "ETC", "HIB", "LESNA", "AL PETROLL", Grupi "DUKAGJINI", "Albi MALL", e çka jo tjetër. Qendra vodhi tenderë të shumtë. Kualitetet e punëve janë shumë të dobëta. Ndërsa, komunat e shkatërruan natyrën e qytetit dhe ndërtuan edhe në vende publike, duke ngulfatur jetën e qytetarëve.Tash po jepen edhe asetet e fundit të tokës komunale. Po jepet sipërfaqja para Fakultetit Filologjik. Do të jepet edhe Qendra e Rinisë, parqet dhe vendet ku duhet të jetë për t'u gjallëruar gjelbërimi. Nuk ka dilemë se e tërë kjo bëhet me pranimin në heshtje nga pushteti dhe nga organet e luftimit të krimit.Të gjithë e dinë se ku dhe sa ka keqpërdorime. Nuk ka aspak dilemë se pasuria e krijuar e politikanëve qendrorë dhe lokalë është treguesi më i mirë i krimit të organizuar. Në fakt, e tërë pasuria e tyre është e ndërtuar mbi baza kriminale dhe si e tillë duhet edhe të konfiskohet. Krim dhe degjenerim kemi nëpër ministri e komuna, nëpër bordet e shtetit dhe në agjencitë e ndryshme.Vendi është në kolaps të tërë politik, juridik e ekonomik. Sa do të tolerohet kështu, le të shohim", ka thënë Kelmendi për "Kosova Sot".

"Subjekti i cili thuajse është një subjekt me nocion 'social demokrat' është e themeluar nga ish-pionierja e shkollës së Kumrovcit dhe zbatuesja e urdhrave të komitetit të politikës së Beogradit, e cila zbatonte urdhrat e shefit të saj, Milosheviqit, me shokët e Lidhjes Komuniste, Shukriun, Morinën dhe Husamedin Azemin. Pra, tani një pjesë e shumë nipave dhe mbesave të tyre sot janë në politikë kundër dajave, të cilët i kanë nga Beogradi. Pra, kjo është Kosova e pavarur, me oligarkët dhe njerëzit me biografi të dyshimta dhe 'shpëtimtarët' e shtetit të Kosovës", tha Ali Hertica për "Kosova Sot" 

Mirë në atë sistem, mirë në të sotmin

Analisti politik Shefik Shkodra konsideron se që nga paslufta janë infiltruar në politikën kosovare edhe tipat të cilët në një mënyrë a tjetër kanë qenë shërbyes të së kaluarës."Të atij sistemi prej të cilit mezi një pjesë kemi shpëtuar kokën, por është për t'u habitur, se këta njerëz kanë gjetur mbështetjen jo veç prej Kombeve të Bashkuara, nëpërmes Serbisë, si njerëz me të kaluar të "mirë" e të qetë për një bashkëpunim, duke e mbajtur veten si internacionalistë. Këta dikur kanë përqeshur për parimet e pjesës tjetër kanë sharë dhe kur u erdhi koha të jenë të barabartë, gjatë luftës, ata që nuk kishin gjetur prehje dhe mbështetje më me regjimin serb të asaj kohe, u transformuan në "patriotë" me përpjekje që t'ua kalonin atyre që kishin bërë këtë punë që nga fëmijëria e tyre. Këtu ishte një pjesë e fajit nga qeveritarët e huaj në këtë vend, por u "adaptuan" edhe një pjesë e madhe e atyre që dikur ishin luftëtarët më të ashpër të regjimit serb. Me mjeshtëritë e tyre u infiltruan nëpër partitë politike, dorën në zemër nuk do të duhej të flisnim shumë për ta, sepse do të na shkonte kohë e gjatë për pastrimin e terrenit", u shpreh ai. "Heshtën edhe mediet, me ndonjë shkrepje e organizim të pamjaftueshëm, me ndonjë zë të rrallë e të papërfillshëm", tha Shkodra për "Kosova Sot". Ai pohon se të shumta ishin edhe pakë- naqësitë, sidomos te rinia, që nuk sheh kurrfarë perspektive. "Ikin çdo ditë nga ky vend. Kjo politikë e zbrazjes së Kosovës është në favor të pansllavizmit. Kështu, tipat që kishin "ngrënë" në atë të kaluar gati të pashkëputshme, u ngjeshën me petkun partiak dhe u involvuan si zyrtarë nëpër institucionet e vendit. Duke iu qepur këtyre institucioneve pas veti morën edhe "dashamirët" e klaneve, ata që mund të bashkëpunonin, oligarkisë, e cila sapo hidhte hijen e vet, deri te një pasurim magjepsës për individët, liderët dhe partitë që po operonin natë e ditë për ta respektuar liderin", vijoi më tej Shkodra. "Personat që dikush ndoshta do të duhej të ishte i izoluar, apo të futej në burg, po operojnë me të mirat e shoqërisë tonë, sikur është rasti me këta të Komunës së Prishtinës të Shpend Ahmetit, për të cilët flitet aq shumë në keqpërdorimin e pasurisë komunale - shoqërore, si për lejet e ndërtimit, etj., për ta pasuruar veten", ka potencuar ai. Ndërkohë, analisti politik Ali Hertica thotë se që nga pavarësia e këtej, në skenën politike kosovare po ngritën figura politike me biografi të dyshimta, të cilët po e përfaqësojnë vendin në shumë institucione relevante, e të cilët kanë një biografi të çuditshme dhe jo të këndshme për shoqërinë kosovare, e ku dihet botërisht se të parët e tyre ishin të kyçur në sistemin e ish- Jugosllavisë, të cilët kanë bërë edhe diferencime ideo-politike dhe kanë dënuar shqiptarë në emrin e shtetit jugosllav. "Tani, thuajse të gjitha partitë politike kosovare kanë në brendësitë e tyre njerëz të tillë, të cilët ishin dhe mbeten si ish- spiunë dhe bashkëpunë- torë të UDB-së, por lidhjet e forta që kanë me liderët politikë thuajse i kanë strehuar ata nën ombrellat e subjekteve politike, duke e pasur edhe një lloj benifiti nga ta, që liderizmi të jetë në skenën politike mu nga ata që ua mbushin subjektin apo ua kryejnë fushatën nga buxheti i bizneseve të tyre. Rastin e kemi nga shumë biznesmenë kosovarë, ku mund të thuhet dhe të përshkruhen lirshëm si oligarkë të politikës së Kosovës dhe që zotërojnë kompanitë që sot janë omega e politikës, që filloi në vitet '90-ta, kur Kosova ishte ende nën regjimin e Slobodan Milosheviqit", tha analisti Ali Hertica. Në këto ujëra, sipas tij, po zhytet tani edhe partia që e mori në drejtim Shpend Ahmeti, PSD.

Qytetarët: Shpend Ahmeti ishte një "Kali i Trojës" në VV!

Gazeta ka anketuar edhe disa qytetarë lidhur me këtë temë, të cilët e gjykojnë tradhtinë e Shpend Ahmetit. Qytetari Hazir Gashi thotë se Shpend Ahmeti ishte një "Kali i Trojës" në VV, me qëllim të shkatërrimit të saj dhe të përpjekjes që ta marrë atë nga brenda, madje i futur aty dhe i porositur nga subjektet e tjera politike, kryesisht nga PDK-ja e SHIK-u, por nuk ia doli ta bëjë atë dhe më pas mori grupin e tij për të ikur në PSD. "Plotësisht ashtu mendoj, ishte frika nga forcimi i 'VETËVENDOSJES', se ajo do ta marrë pushtetin dhe sigurisht që për shumë gjëra, për faje të klasës udhëheqëse politike, kryesisht të PDK-së dhe LDK-së e nomenklaturës së mëparshme, e dinin se do t'u hakmerret, mbase edhe për disa veprime të tyre të pamatura gjatë protes tave të ndryshme e gjithë ato, plus veprave kriminale që dihet se i kanë bërë, dhe aty është krejt arsyeja e tyre e shkatërrimit të VV-së. Tani nuk shoh kurrfarë perspektive për partinë e re të Shpend Ahmetit, jam plotësisht i dëshpëruar me ta, sepse i njoh shumicën prej tyre edhe personalisht dhe këtë ua kam thënë edhe hapur, edhe me shkrim, sepse kam qenë në rrjedha, dhe mendoj që kanë bërë gabim shumë të madh, sepse kanë luajtur edhe me fytyrën e vet dhe me moralin e karakterin e vet", tha Hazir Gashi për "Kosova Sot". Qytetari Muharrem Hoxha e sheh të dështuar edhe Shpend Ahmetin, edhe PSD-në me të në krye, pas ikjes nga VVja."Perspektiva e kësaj partie, që e ka marrë tash për ta udhëhequr, të shohim se çka do të japë, nuk jam fort optimist. Jam për të dyshuar, sepse ajo parti kurrë nuk ka mundur të përparojë, as të marrë vota, njëherë veç, sa më kujtohet mua, ka hyrë në Parlament," tha Hoxha për "Kosova Sot". Gjykim po aq kritik ka edhe Jakup Reshtica. "E ka shkatërruar qëllimisht 'VETËVENDOSJEN', unë nuk e di pse, ai e ka bërë tani një parti tjetër politike, por atij laramanit më askush nuk i beson, kot e ka", theksoi Reshtica. Edhe Bajram Bunjaku konsideron se loja trojane e Shpend Ahmetit e ka dëmtuar paksa VV-në, por ky subjekt politik mund të ringjallet përsëri, kurse PSD-ja me Shpend Ahmetin do të vazhdojnë të fundosen."Po shihet edhe tani, prejse e ka marrë mandatin e dytë, që asgjë nuk është duke punuar, dhe megjithëse unë nuk jam me 'VETËVENDOSJEN' një gabim i madh është bërë, e kanë dëmtuar shumë, kanë bërë gabim dhe tani nuk besoj që këta dezertorët kanë për të arritur ta kalojnë as pragun, sepse nuk kanë elektorat", potencoi Bunjaku.

(Kosova Sot)

 

16 orë e 35 minuta më parë
28/05/18