Kuadrot po ikin, shëndetësia drejt kolapsit (Video)

  • 20 May 2018 - 09:25
Kuadrot po ikin, shëndetësia drejt kolapsit (Video)

POLITIZIMI DHE DEGRADIMI I SHTETIT, ME PASOJA AFATGJATA

Kushtet e pafavorshme po nxisin largime alarmante

Politikat e dështuara kadrovike po i nxisin profesionistët kosovarë të largohen drejt vendeve ku puna e tyre vlerësohet ashtu si duhet. Kështu, shëndetësia e Kosovës po rrezikon që shumë shpejt të mbetet pa mjekë dhe infermiere, për shkak të emigrimit të tyre kryesisht në Gjermani. Jo vetëm mjekë, por edhe shumë qytetarë të profesioneve të ndryshme po emigrojnë. Sipas një hulumtimi të mëhershëm të Federatës Sindikale të Shëndetësisë, që është bërë me studentë të mjekë- sisë, mësohet se 73 për qind e të anketuarve kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ikur jashtë Kosovës. Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës( FSSHK), për gazetën "Kosova Sot", tha se situata është alarmante. "Në mbledhjen e fundit të Sindikatave Evropiane kemi marrë të dhëna se Evropa ka nevoja të shumta për kuadro profesionale. Vetëm Gjermania në vit kërkon mbi 120.000 punëtorë shëndetësore dhe jo vetëm. Duke u nisur nga kjo, kompanitë e mëdha kërkojnë profile të ndryshme nëpër Ballkan e ku Kosova ka më shumë të rinj", u shpreh ai. Kryesindikalisti Syla ankohet se e keqja është se politika kosovare po bëhet e shurdhër dhe e verbër karshi kësaj dukurie. "FSSHK-ja ka bërë një analizë në vitin 2013 në lidhje me migrimin e punëtorëve shëndetësorë, por tani situata është më alarmante. Nuk mund të flitet më me shifra, sepse mjekët, infermierët e të tjerët gjejnë rrugë të ndryshme për në Evropë", shpjegoi më tej ai.

Kriza po thellohet në spitale

Lideri i sindikatave mjekësore, thotë se ne veç e kemi filluar që të ndjejmë mungesën e mjekëve dhe të tjerëve në spitalet tona. "Nëse kështu vazhdon qasja joserioze e politikës ndaj shëndetësisë, kam frikën se shpejt do të mbesim pa kuadro të reja. Kjo ngase, Kosova ka mangut, 4.000 deri 5.000 punëtorë shëndetësorë, në mënyrë që të kemi sistem të mirëfilltë shëndetësor", vlerësoi ai. "Duke marrë parasysh se edhe mosha mesatare tek mjekët ka mbërritur mbi 50 vjet kalkuloni vetë se çfarë situate na pret pas dhjetë vjetëve e nëse marrim deklaratat e mjekëve dhe studentëve se ata nuk do rrinë në Kosovë, kjo është një tmerr", ka thënë Syla. Ndërsa analisti politik Arsim Haziri tha për gazetën " Kosova Sot", se Kosova, fatkeqësisht, është vend që nuk ofron kushte të dinjitetshme për jetesë. "Sot, gjithë kuadrot, nëpër të gjitha sferat, mundësinë për perspektivë jetësore nuk e shohin, dhe nga kjo gjendje, rrugë drejt braktisjes së këtij vendi e shohin Perëndimin", theksoi ai. "Në Kosovë, kulturë pune është bërë padrejtësia dhe kriminaliteti, sot kjo metodologji ka prodhuar efekte pozitive për politikanë dhe kësisoj nuk eliminohet për të qenë ose për të pasur hapa produktivë. Çështja e heqjes së vizave, përgjatë gjithë kohës, është përdorur vetëm për poenë politikë ose siç njihet për të fuqizuar kapitalin politik, jo edhe siç janë shprehur medialisht. Kosova përbën modelin e një shteti joserioz e të identifikueshëm me probleme bazike dhe kur është kjo konsideratë për stabilitetin e brendshëm, atëherë bëhet e pamundur ose janë të gjitha arsyet që qytetarët e saj të mos jenë brenda zonës së lirë të lëvizjes", ka shtuar Haziri. 

Mungesa e perspektivës

Analisti politik Ali Hertica, për " Kosova Sot", tha se shumë shpejt do të vijë koha kur Kosova do të mbetet pa mjekë dhe infermierë dhe kuadro të mirëfillta intelektuale. "Shteti i Kosovës duhet të gjenerojë vende të reja të punës,sepse Kosova vetëm sa po përgatit mjekë dhe infermierë të të gjitha profileve dhe po ia dorëzon Bashkimit Evropian", ka potencuar ai. "Kryeqendra e Kosovës dhe shumë komuna te tjera do të ballafaqohen me emigrim të theksuar që mund të planifikojnë në të ardhmen kushtet më të favorshme për të mos pasur një emigrim të shprehur, derisa vendet, komunat me imigrim të theksuar mund të bëjnë planifikimet e tyre të duhura mbi kapacitet e mundësitë në ofrimin e kushteve të nevojshme në të ardhmen", u shpreh ai. "Pas regjistrimit të fundit të popullsisë, papritur u bë e qartë: Në Gjermani jetojnë më pak njerëz se sa mendohej. Tani emigrantët kanë bërë që numri të rritet përsëri, në 80.5 milionë. Për shkak të zhvillimit të saj demografik, Gjermanisë i nevojiten në vitet e ardhshme deri në 1.5 milion punë- torë të kualifikuar nga jashtë vendit. Kjo do të ndihmonte "për të siguruar zhvillimin dhe për të stabilizuar sistemin social", tha ai. Sipas Herticës, prej vitesh qeveria gjermane nën drejtimin e kancelares Angela Merkel i ka kushtuar rëndësi të veçantë integrimit të të huajve që jetojnë në Republikën e Gjermanisë. Integrimi sot është çështje e niveleve të larta. "Në Gjermani është raportuar se specializantët e shëndetësisë i marrin rreth 4000 euro në muaj, përderisa specialistët marrin edhe më shumë", theksoi Hertica. Juristi Blerim Burjani, për gazetën" Kosova Sot", tha se janë shumë faktorë të grumbulluar të ikjes së qytetarëve tanë nga Kosova, por faktori kryesor jo shpresëdhënës mbetet zhvillimi ekonomik dhe mungesa e funksionimit të rendit dhe ligjit. "Nga mungesa e perspektivës shumë ekspertë të disa lëmenjve po ikin jashtë shteti për t'u punësuar", vlerëson ai. 

Qytetarët presin fluks ikjesh pas liberalizimit

Edhe qytetarët e anketuar nga ana e gazetës, janë të frikësuar se Kosova do të mbetet pa mjekë dhe infermierë. Tomorr Maloku nga Prishtina, për gazetën " Kosova Sot", tha se është e vërtetë se ekziston ky rreziku i madh që të ngelim pa mjekë dhe infermierë, por edhe kjo është një proces krejt i natyrshëm në Ballkan, ngase nga të gjitha vendet e rajoni kuadrot mjekësore po kërkojnë kushte më të mira jetese në vendet e zhvilluara. "Kjo po ndodh në tërë rajonin me ikjen e trurit intelektual. Ky fenomen do të shfaqet edhe tek ne, sidomos pas liberalizimit të vizave. Por, kjo ikje e trurit nuk do të ndodhë jo vetëm këto dy profesione të mjekëve e infermierëve, por edhe në profesione të tjera", shprehet ai. "Që mos të ndodhë kjo ikje e trurit, Qeveria e Kosovës duhet që të punojë shumë më tepër në zhvillimin ekonomik të vendit dhe përmirësimin e kushteve të përgjithshme të punës dhe të ardhurave për popullin, por sa do të mund të realizohet kjo koha do ta tregojë këtë", potencoi Maloku. Ndërsa qytetari tjetër, Albert Maloku nga Gjakova, për gazetën"Kosova Sot", tha se po të ishte në vendin e tyre i pari do të ikte nga ky vend. "Të gjitha qeveritë e deritashme nuk i ofruan kushte themelore shëndetësisë, bile as ato elementare. Sepse një mjek specialist deri vonë e ka pasur rrogën 300 euro në muaj, duke mos mundur që të blejë as artikujt elementarë ushqimorë, e lëre më që të bëjë diç më tepër që të mbajë fëmijët dhe t'i shkollojë ata", theksoi ai, duke kritikuar krerët e dështuar të shëndetësisë për këtë gjendje të rëndë. 

(Kosova Sot)