Thaçi bleu rivalët, i pandalshëm DREJT BOSNJËZIMIT TË KOSOVËS (Video)

  • 22 May 2018 - 10:08
Thaçi bleu rivalët, i pandalshëm DREJT BOSNJËZIMIT TË KOSOVËS (Video)

ANALISTËT AKUZOJNË PRESIDENTIN SE PO BËN KOMPROMISE TË RËNDA, PËRTEJ PAKOS AHTISARI DHE KUSHTETUTËS

Guraziu: Me ndërmjetësimin e udbashëve, Thaçi po e çon Kosovën drejt një kompromisi përtej Pakos së Ahtisarit

"Hashim Thaçi është intriganti më i madh që ka njohur ndonjëherë politika shqiptare e Kosovës. Ky spiun i huaj, i përgatitur me shumë profesionalizëm, ka arritur të kryejë me sukses misionin e tij që kishte, bërjen e favoreve Serbisë karshi Kosovës. Pasi i fali Serbisë pjesën veriore, Thaçi po vazhdon të bëjë lëshime karshi Serbisë edhe në fazën përmbyllëse të dialogut. Pasi arriti të fuste në afera korruptive opozitën, Hashimi po i përdor ata sa herë që të ketë nevojë, duke i mundësuar të qëndruarit në pushtet në infinit. Në kohën kur bisedimet me Serbinë po arrijnë fundin e tyre, Thaçi po e përdor këtë për të shpëtuar lëkurën e tij nga Gjykata Speciale", thotë analisti Faton Mehmeti për "Kosova Sot

Analistët politikë, duke parë mungesën e plotë të transparencës në procesin e përgatitjes së fazës finale për bisedimet me Serbinë, po konsiderojnë se presidenti Thaçi e ka përgatitur terrenin që t'i shkojë deri në fund sipërmarrjes, me gjasë të fundit në karrierën e tij politike, pasi arriti të përçajë politikën kosovare, e bëri pikë e pesë opozitën dhe i ka futur në sistemin korruptiv edhe ish-rivalët e ashpër që e sulmonin kur ishte në opozitë. Sipas analistëve, nuk ka se si shpjegohet fakti që tani, kur letrat janë hapur për fazën e fundit të dialogut me Serbinë, "çuditërisht" ka heshtur edhe Gjykata Speciale, e ngritur pas shumë presioneve, për të gjykuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte, siç përmenden në raportin e Dik Martit. Po ashtu, shprehet dyshimi se për ta përmbyllur këtë proces e ka shtyrë edhe publikimin e aktakuzave të para ndryshimi e zëvendësimi i prokurorit kryesor. Sipas analistëve, arsyet e vetme që po e shtyjnë veprimin e Gjykatës janë vetëm politike, pasi paraprakisht mund të jenë bërë pazare të pista në prapaskenat e takimeve me Vuçiqin dhe me ndërmjetësimin e udbashëve, që janë në fushatë ofensive aktualisht, e të cilat mund ta çojnë Kosovën drejt një kompromisi përtej Pakos së Ahtisarit, që edhe ashtu ishte një kompromis tepër i dhimbshëm për vendin. Analistët dhe qytetarët e anketuar theksojnë se ky proces duhet të jetë transparent, të ndalohen pazaret e fshehta për interesat personale, sepse populli i Kosovës nuk mund ta pranojë një bosnjëzim të vendit, vetëm e vetëm që një "lider i paqenë kurrë", cilido qoftë ai, të amnistohet nga drejtësia, sepse kompromisi që po përflitet në fakt është një goditje e rëndë për Republikën e Kosovës, duke goditur rëndë të ardhmen e saj në stabilitetinshtetëror, në sovranitetin dhe integritetin territorial.

Guraziu: Pse ka heshtur edhe Gjykata Speciale?!

Analisti Ragip Guraziu vlerëson se kompromiset në dëm të shtetit të Kosovës, në këtë proces bisedimesh, janë bërë dhe po rrezikojnë të përmbyllen si të tilla për shkakun se Presidenti Hashim Thaçi tani e ka kuptuar se kjo është karriera e tij e fundit politike. "Tani siç po flitet, ka përgatitur terrenin Hashim Thaçi, që t'i shkojë deri në fund sipërmarrjes, me gjasë të fundit në karrierën e tij politike, pasi që arriti të përçajë politikën kosovare, e bëri pikë e pesë opozitën dhe i ka futur në sistemin korruptiv ish-rivalët e ashpër që e sulmonin kur ishte në opozitë. Po si shpjegohet ndryshe, kur që tani më kur letrat janë hapur për fazën e fundit të dialogut me Serbinë, "çuditërisht", ka heshtur edhe Gjykata Speciale, e ngritur pas shumë presioneve, për të gjykuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte, siç përmenden në raportin e Dik Martit, e që ka shtyrë edhe publikimin e aktakuzave të para ndryshimi e zëvendësimi i prokurorit kryesor, ndërsa a janë arsyet e vetme që po e shtyjnë veprimin e Gjykatës vetëm politike, duhet të besojmë se po", vlerë- soi ai."Kur kemi parasysh se janë bërë pazare të pista nga Hashim Thaçi në prapaskenat e takimeve me Vuçiqin dhe me ndërmjetësimin e udbashëve, që janë në fushatë ofensive aktualisht, e të cilat mund ta çojnë Kosovën drejt një kompromisi përtej Pakos së Ahtisarit, që edhe ashtu ishte një kompromis tepër i dhimbshëm për vendin, për këto Thaçi nuk e ka mandatin e qytetarëve dhe po këta qytetarë të Kosovës nuk mendojnë që ta pranojnë një bosnjëzim të vendit, vetëm e vetëm që një "lider i paqenë kurrë", cilido qoftë ai, të amnistohet nga drejtësia...", vlerësoi Guraziu për "Kosova Sot". 

"Nuk shkon kjo, që për interesa puro personale vendi të paguajë një kosto që do të rëndojë mbi breza të tërë. Kompromisi që po përflitet, në fakt është një goditje e rëndë për Republikën e Kosovës, duke goditur rëndë të ardhmen e saj në stabilitetin shtetëror, në sovranitetin dhe integritetin territorial", tha Ragip Guraziu për "Kosova Sot

BADALLAJ: HASHIM THAÇI ËSHTË I ZHYTUR NË BATAK DHE NË KRIM TË NËNTOKËS KRIMINALE

Analistit politik Reshat Badallaj thotë se Thaçi e përçau opozitën dhe e bëri copë-copë, duke e parë se këta të opozitës për karrierë e për poste bëjë gjithçka, arriti të sigurojë rehatinë e tij në pozitën e presidentit dhe të bëjë çfarë të dojë, edhe marrëveshje në dëm të shtetit e të popullit të Kosovës."Ai ua afroi kapitalin dhe ata e mbyllën gojën si gjyshet memece. Kjo u pa hapur për të gjithë ata që përcjellin karrierën e tyre politike. Por, edhe pse ky pati sukses në këto banda politike të mbushura me plot banditë e kryebanditë, prapëseprapë Hashimi i Brojës nuk do të dalë i palagur, ndoshta do të ketë vonim, por shpëtim assesi, se ka mjaft të zeza kundër Kosovës, që ka vepruar prapa krahëve të saj për interesat e tij personale. Ky është i zhytur në batak dhe në krim të nëntokës kriminale. Nuk është hera e parë që kam thënë se Gjykata Speciale është farsë, kryekëput politike", tha Badallaj për "Kosova Sot". Ai ka edhe versionin e tij të dyshimit se si është blerë paqja me Gjykatën Speciale për të mos e akuzuar tani Hashim Thaçin. "Pata thënë mbajeni mend se kjo është arsyeja që po zvarritet ky marifet dhe në qoftë se fillon Hashimi i Brojes nuk është në rreshtin e parë, sepse këto janë lojëra të pista të saj. Juve ju duket e çuditshme se veprimi i dytë i kësaj gjykate farsë është se ka të bëjë ndërhyrja politike, Hashimi i Brojës, Aleksandër Vuçiqi, Edvin Kristaq Rama dhe natyrisht si gjithmonë këlyshi i tyre, bashkëpunëtori i UDB-së, kumbara i Jovica Stanishiqit, Baton Fazli Haxhiu, i cili merr thasë me para nga Serbia", tha Badallajt . "Mbetet të shohim se çka i ka falur dhe çka i ka shitur Hashimi i Brojes kumbarës Aleksandar Vuçiq në dëm të Kosovës, për të mbrojtur lëkurën e tij", potencoi Reshat Badallaj për "Kosova Sot". Gazetari, edhe përkundër pyetjeve të dërguara Baton Haxhiut,nuk ka marrë përgjigje nga ai.

MEHMETI: THAÇI PO I PËRDOR BISEDIMET ME SERBINË PËR TË SHPËTUAR LËKURËN E TIJ NGA GJYKATA SPECIALE

Analisti politik Faton Mehmeti vlerëson se presidenti aktual që ka Kosova nuk është njeri i besueshëm për të udhëhequr procese të tilla, madje, sipas tij, ai mund të jetë edhe i shantazhuar nga shërbimet e huaja për të vepruar në dëm të interesit të shtetit të Kosovës."Hashim Thaçi është intriganti më i madh që ka njohur ndonjëherë politika shqiptare e Kosovës. Ky spiun i huaj, i përgatitur me shumë profesionalizëm, ka arritur të kryejë me sukses misionin e tij, që e kishte bërjen e favoreve Serbisë karshi Kosovës. Pasi i fali Serbisë pjesën veriore, Thaçi po vazhdon të bëjë lëshime karshi Serbisë edhe në fazën përmbyllëse të dialogut. Pasi arriti të fuste në afera korruptive opozitën, Hashimi po i përdor ata sa herë që të ketë nevojë, duke i mundësuar të qëndruarit në pushtet në infinit. Në kohën kur bisedimet me Serbinë po arrijnë fundin e tyre, Thaçi po e përdor këtë për të shpëtuar lëkurën e tij nga Gjykata Speciale", potencoi Mehmeti. "Derisa Thaçi të jetë në pushtet Kosova do të vazhdojë të ketë pasoja, të cilat do të ndikojnë në të ardhmen e saj", theksoi Faton Mehmeti për "Kosova Sot". 

KELMENDI: THAÇI E KA KRIJUAR, NË BASHKËPUNIM ME SHTETIN FRANCEZ, VERIUN E VENDIT!

Edhe profesori Muhamet Kelmendi konsideron se pasojat e veprimeve kundërshtetërore, të bëra në procesin e bisedimeve me palën serbe, që nga fillimi i tyre, tani në masë shumë të prekshme po i ndien dhe po i sheh Kosova, që sipas tij janë pasoja të veprimit në kontinuitet të ish-kryeministrit Thaçi, tani president vendi. Ai përmend një nga një pasojat më të mëdha që po i vuan tani shteti i Kosovës për shkak të veprimeve të dëmshme të Hashim Thaçit."Në fakt Kosova, Republika jonë e dashur, ka humbur funksionalitetin dhe është shndërruar në një territor për realizimin e interesave grupore dhe të dëmshme. Z. Thaçi ka krijuar në bashkëpunim me shtetin francez, veriun e vendit, dhe për të shpëtuar vetë nga akuzat ka bërë marrëveshje shumë të dëmshme për Republikën. Unë këtu po i përmend disa: 1. Zona e Veriu u krijua; 2. Bëri amnistimin e kriminelëve serbë kudo në Kosovë; 3. Me marrëveshjet që bëri krijoi Listën Serbe; 4. E futi Republikën në thonjëza; 5. Bëri marrëveshje mbi Asociacioni në vitin 2013; 6. Krijoi Gjykatën Speciale dhe dëmtoi shumë politikën e jashtme të Republikës; 7. Arriti të pasurohet në përmasa të mëdha; 8. Kudo në pushtet vendosi njerëz të familjeve të dyshimta dhe që i kishin shërbyer shtetit okupues serb", u shpreh ai. "Vendi ynë ka probleme të mëdha ekonomie, sociale, politike dhe ndërkombëtare. Me të në ballë vetëm fatkeqësi ka vendi. E këto fatkeqësi do të thellohen edhe më shumë me lënien e tij në ballë të delegacionit për të biseduar me shtetin serb. Këtë nuk duhet lejuar", tha Kelmendi. "Bisedimet duhet t'i bëjë vetëm Kuvendi dhe vetëm ai duhet të vendosë. Kjo e shpëton ndoshta vendin", theksoi Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

Pazare të papranueshme Dyshime për pazare në prapaskena ka edhe analisti Ali Hertica, sipas të cilit ky dyshim bazohet në heqjen dorë të presidentit Thaçi nga zotimi për ta akuzuar Serbinë për krime lufte. "Por tani lind një ide e paperceptueshme, kur thuhet pse Thaçi bëri luftë dhe tani thuajse do një miqësi me serbin dhe pikërisht Vuçiqin, kur botërisht dihet se çfarë gjenocidi ka bërë Serbia në Kosovë dhe Thaçit as që i shkon në mend që ta shtojë trysninë ndaj Serbisë për dëmet dhe gjenocidin, por këtu po reflektohet diçka e çuditshme, thuajse bashkëpunëtorët e tij, që ishin një kohë edhe si pjesë UDB-së, po e çojnë Kosovën drejt një kompromisi të dhimbshëm, përtej Pakos së Ahtisarit, i cili kompromis nuk është gjë tjetër veçse një bosnjëzim, i cili do tëishte një dhimbje e tmerrshme po qe se ndodh një plan i tillë", u shpreh ai."Duhet të jetë qytetari i Kosovës që ta kundërshton atë, që nuk duhet ta pranojë me asnjë çmim, sepse interesat puro personale nuk duhet të jenë në rend të parë kur është çështja e kombit dhe shtetit, dhe këtë duhet ta dijë edhe vetë presidenti Thaçi", tha Hertica për "Kosova Sot". Analisti Shefik Shkodra thekson se do të ishte tepër i paimagjinueshëm një kompromis i tillë prej njerëzve tanë sot, derisa dihet se mjaft kompromise të dhimbshme janë bërë deri më tash, duke filluar nga ajo 'fusnota', pranimi i Gjykatës Speciale për gjykimin e pjesëtarëve të UÇK- së, pranimi i një demarkacioni mes Malit të Zi, me shumë fjalë e zhurmë politike e protesta qytetare."Tash e kemi fazën e fundit mjaft të vështirë, për të cilën Hashim Thaçi tregohet i gatshëm për ta vijuar dhe për ta përfunduar këtë dialog. Meqenëse asnjëherë nuk është informuar drejt opinioni i qytetarëve tanë (nga i njëjti person - njëherë kryeministër, ministër i PJ-së, e tash president), kemi drojën se për këtë fazën (kritike) përfundimtare nuk do të dihet si do të përfundojë", vijoi më tej Shkodra për "Kosova Sot". Sipas tij, mund të kemi një bosnjëzim tjetër në Regjionin e Ballkanit Perëndimor.

Qytetarët u druhen prapaskenave

Edhe qytetarët e anketuar nga gazeta, kanë dyshime se pazare të dëmshme në kurriz të vendit janë duke u përgatitur ngatë dy presidentët që duan t'i prijnë këtij procesi në fazën finale. Xhevdet Pantina thotë se formula e kompromisit mbase nuk është zgjidhje e akorduar mes Thaçit e Vuçiqit, por ajo mund të jetë e imponuar edhe nga faktori ndërkombëtar, sado që ndërkombëtarët nuk e thonë këtë hapur."Unë nuk mendoj që është pazar tamam i Thaçit dhe i Vuçiqit, por i fuqive të mëdha globale, siç ndodhën, e sikur që na mëson historia edhe më herët, por tani këtu këto kompromise duhet t'i marrin përsipër krerët e Kosovës dhe të Serbisë, sepse sigurisht që mendoj se ka njëfarë pazari prej fuqive më të mëdha globale", tha Xhevdet Pantina. Qytetari tjetër Rexhep Llapashtica po ashtu është i sigurt se në prapaskenë ka pazare që nuk janë në favor të Kosovës."Mendoj se diçka po fshihet këtu, por duhet të punohet në mënyrë transparente, si kryetari i cili disa herë ka dështuar, por edhe tash me presion apo pa presion të ndërkombëtarëve mund të ketë kompromise, e për këtë po përmendet fjala dhimbje. Se do të jetë e dhimbshme si për njërën palë si për tjetrën palë, për tjetrën palë mendoj që nuk ka se çka me qenë e dhimbshme, sepse ajo dihet se si dhe çka ka vepruar si agresor, por për palën tonë mendoj se tepër shumë janë thelluar lëshimet deri më tani edhe qysh tani po i shijojmë pasojat e atyre lëshimeve dhe atyre gabimeve", theksoi Rexhep Llapashtica

(Kosova Sot)