Regjimi i mafio-oligarkëve po e zbraz Kosovën (Video)

  • 23 May 2018 - 10:30
Regjimi i mafio-oligarkëve po e zbraz Kosovën (Video)

VENDI KËRCËNOHET NGA NJË EKSOD I RI

Aliu: Vetëm në Kosovën tonë mund të ndodhë që pushtetarët që më se 20 vjet merren me politikë kanë arritur të "akumulojnë" pasuri dhjetëra milionëshe!

"Për fat të keq, më tepër se gjendja ekonomike, dëshpërimi i pafund me politikanët e inkriminuar, që tash e gati dy dekada qëndrojnë në krye të politikës dhe majat e pushtetit, izolimi total, si dhe varfëria e krijuar nga ta, kanë bërë që, si në asnjë shtet tjetër, qytetarët e vendit të ikin në masë, sa më larg Kosovës, duke mos pasur më as më të voglën shpresë, se në krye me ta një ditë do të bëhet më mirë edhe në Kosovën e tyre, të cilën vazhdojnë ta sundojnë mafia dhe nëntoka kriminale" thotë analisti Ragip Guraziu për "Kosova Sot"

Duke parë trendin e heshtur të ikjes së qytetarëve të Kosovës në drejtim të vendeve të ndryshme perëndimore, analistët politikë theksojnë se arsye e vetme pse po ikin qytetarët sa më larg vendit, është duke mos pasur as edhe shpresën më të vogël se një ditë do të bëhet më mirë në Kosovën e tyre dhe se nuk do të sundojnë më mafia dhe nëntoka kriminale. Prandaj, me të drejtë pritet që vitin e ardhshëm Kosovën të godasë edhe një eksod i ri masiv, sepse humbja e shpresës së qytetarëve është me pasoja afatgjata dhe tepër të rënda. Këtë fakt, sipas analistëve politikë, më së miri e ilustron rasti i Petrit Dervishit, djalë i një dëshmori nga Kopiliqi i Skenderajt, i cili përmes një letre babës së vdekur i kërkon falje se po e lëshon Kosovën dhe po merr rrugën e mërgimit. Analisti politik, Bislim Aliu thekson se me të vërtetë, vetëm nga zori dhe nga dëshpërimi, qytetarët po ikin nga Kosova, duke mos pasur as edhe shpresën më të vogël, se një ditë do të bëhet më mirë. "Dhe, për këtë kemi ardhur në një gjendje katastrofale, kur realisht pritet që në vitin e ardhshëm ta godasë Kosovën edhe një eksod i ri masiv, meqë ka humbur edhe shpresa e fundit te qytetarët dhe kjo do të sjellë pasoja të rënda dhe afatgjate", u shpreh ai.

Letra prekëse e djalit të dëshmorit

Sipas Aliut, rasti i Petrit Dervishit, djalë i një dëshmori nga Kopiliqi i Skenderajt, i cili përmes një letre babës së vdekur, i kërkon falje se po e lëshon Kosovën dhe po e merr rrugën e mërgimit, është ilustrim i kësaj gjendje të rëndë. "Ai në këtë letër thotë: "Kosova është vendi më i mirë për të jetuar për të korruptuarit, dallaveraxhinjtë, mashtruesit, gënjeshtarët, por jo të rinjtë, të cilët me diploma në xhep enden rrugëve të qyteteve, të pashpresë duke kërkuar së koti punë dhe për të pasur së paku një jetë normale, një kulm mbi kokë dhe bukë për të ngrënë", vijoi më tej ai. "Vetëm në Kosovën tonë mund të ndodhë që pushtetarët dhe shefat e mëdhenj që më se 20 vjet merren me politikë e pushtet dhe gjoja të vetmet të ardhura i kanë pasur këto paga, që sillen prej 700 deri në 1500 euro, e kanë arritur të 'akumulojnë" pasuri dhjetëra milionëshe, ndërsa populli vuan edhe për bukë goje dhe s'ka rrugëdalje tjetër përpos mërgimit dhe ikjes nga Kosova", theksoi Aliu për "Kosova Sot". Prof. Muhamet Kelmendi largimin e qytetarëve nga Kosova e sheh në një kontekst të gjerë historik, e që për fat të keq nuk po ndalet as në shtetin e pavarur. "Ikja nga Kosova është dukuri që është bërë gjatë pushtimit otoman dhe ka vazhduar nën sundimin fashist serbo-jugosllav, si dhe me intensitet të sforcuar. Ne njohim disa periudha të dëbimeve të mëdha. E para është nga viti 1871 deri në vitin 1878 nga Kosova Lindore që ikën nga krahinat shqiptare deri në Nish. E dyta, nga viti 1918 deri në vitin 1941, ku kemi mbi 400 mijë veta të dëbuar në Turqi. E treta, pas Luftës së Dytë Botërore e deri në vitin 1965, ku kemi rreth 280 mijë shqiptarë të dëbuar dhe e katërta është nga viti 1989 deri pas luftës çlirimtare, ku kemi pasur mbi 1 milion shqiptarë të dëbuar me dhunë dhe me terror", vijoi më tutje ai. "Pritet që në vitin e ardhshëm, pas liberalizimit të vizave, që nga Kosova të ikin mbi 15-20 % të popullsisë së vendit, si rezultat i papunësisë, i shfrytëzimit të egër dhe të gjendjes së mjerë në fushën e shëndetësisë, të arsimit dhe të sigurimeve pensionale në vend. Ky dëbim me masa ekonomike e sociale do të jetë shumë i rëndë dhe do të ketë pasoja lënduese për popullin dhe familjet tona", tha Kelmendi për "Kosova Sot".

Humbja e shpresës

Disponimi i qytetarëve për të ikur nga vendi, si pasojë e plaçkitjes së shtetit nga mafia politike, shihet arsye e vetme edhe sipas analistit Shefik Shkodra."Që njëzet vjet janë të njëjtat figura që e udhëheqin, më mirë të thuash, e plaçkitin, e lënë jetën e qytetarëve në stihi. E lënë në rrugë... Të rinjtë tanë nuk kanë shpresë as sot, as nesër (pjesa më e madhe) që të kenë një jetë të qetë dhe pa brenga", theksoi ai. "Në këtë mënyrë secili prej tyre mendon, sa t'i jepet rasti, të ikë nga Kosova e tyre. Ne nuk e kemi pasur gjendjen që sot t'i humbim fëmijët tanë rrugëve të botës, këtë të zezë ditë e kanë sjellë politikanët tanë që njëzet vjet. Që njëzet vjet ata janë shumë të pamëshirshëm ndaj kësaj popullate, ndaj fëmijëve, të tjerëve, përveç të atyre të vetëve dhe të klanit të tyre. Pasi janë privatizuar të gjitha ndërmarrjet shoqërore nuk është investuar asgjë për të hapur vende pune. Është shumë simptomatike se këta politikanë nuk kanë punuar, as që janë duke menduar për të bërë diç në sanimin e gjendjes", potencoi Shkodra për "Kosova Sot". Për këtë rrezik që i kanoset vendit përgjegjëse është politika në pushtet, thotë analisti Ali Hertica. "Një humbje e shpresave dhe perspektivës për qytetarët e Kosovës vjen nga situata, të cilën e krijoi kjo kastë e papërgjegjshme, e brishtë politike, për çka edhe po rritet në vazhdimësi zhgënjimi i akumuluar qytetar mbi klasën aktuale politike. Pakënaqësia dhe humbja e shpresës vjen nga nepotizmi dhe korrupsioni në rritje, që po e largojnë tashmë edhe klasën e mesme dhe atë intelektuale nga Kosova. Kjo është ndjekje e programuar e këtyre shtresave nga kasta e nëntokës kriminale", vlerësoi ai për "Kosova Sot". Ndërsa sipas analistit Ragip Guraziu, mesazhi më i mirë për këtë Qeveri dhe udhëheqësit kosovarë është si ''BOMBË SHPËRTHYESE'', Letra e Petrit Dervshit, djali i dëshmorit nga Kopiliqi i Skenderajt, i cili përmes një letre babës së vdekur i kërkon falje se po e lëshon Kosovën dhe po merr rrugën e mërgimit. " Me turpin e kësaj politike që po udhëheq Kosovën jo në vite, por për çdo ditë pritet eksod i ri masiv, dhe Kosova do të humbë të rinjtë tanë, sepse shpresa dhe perspektiva e të rinjve ka humbur njëherë e përgjithmonë në vendlindjen e tyre, dhe shpresa e fundit është Perëndimi. Por, tani shtrohet pyetja: çka do të thonë këta udhëheqës tanë para botës?", u shpreh ai për "Kosova Sot".

"A thua, deri kur Kosova do të vazhdojë të sundohet nga mafiooligarkët dhe nëntoka kriminale, deri kur Kosova do të jetë vend i të korruptuarve, dallaveraxhinjve, mashtruesve e gënjeshtarëve", tha Bislim Aliu për "Kosova Sot" 

"Sot, Kosova është vendi më i mirë për të jetuar të korruptuarit, dallaveraxhinjtë, mashtruesit, gënjeshtarët, por jo të rinjtë, të cilët enden rrugëve të qyteteve të pashpresë duke kërkuar së koti një vend pune, për të pasur të paktën një jetë mesatare, një kulm mbi kokë", tha Ragip Guraziu për "Kosova Sot

BADALLAJ:POPULLIT I KA ARDHUR VARFËRIA NË MAJË TË HUNDËS!

Ndërsa analisti Reshat Badallaj nuk pret kthim të shpresës qytetare derisa të jetë kjo klasë politike e lidhur me krimin në pushtet. "Popullit i ka ardhur në majë të hundës varfëria dhe nuk kanë më asnjë fije shprese për të jetuar në Kosovë, sepse e kanë parë se kryebanditët dhe banditët, që nga majat e larta të shtetit, në Qeverinë kuislinge me plot hajna që ia kalojnë çdo shteti në Ballkan, Kuvendi kukull dhe me plot banditë, rrugaçë, gjysmë-analfabetë dhe deri te këto banda politike, që kurrë nuk punuan për interesa të qytetarëve, nuk u ka mbetur asgjë tjetër pos të kapin strajcën e krahut dhe të kërkojnë një jetë më të mirë dhe të sigurt në vendet pa adresë. Nuk është dita e largët që popullata në Kosovë t´ia lërë lamtumirën vendit dhe shëndet pragut të shtëpisë, e kam fjalën në mënyrë të organizuar të trazohet Kosova krejt me fajin e këtyre banditëve, hajnave dhe vagabondëve që deri dje nuk kishin bukë për të ngrënë e u gdhin më të kamur se sheikët", u shpreh ai për "Kosova Sot".

QARRI: KOSOVËN E SUNDOJNË MAFIA DHE NËNTOKA KRIMINALE

Sipas Gani Qarrit, analist politik, për fat të keq, më tepër se gjendja ekonomike, dëshpërimi i pafund me politikanët e inkriminuar, që tash e gati dy dekada qëndrojnë në krye të politikës dhe majat e pushtetit, izolimi total, si dhe varfëria e krijuar nga ta, kanë bërë që si në asnjë shtet tjetër, qytetarët e vendit të ikin në masë, sa më larg Kosovës, duke mos pasur më as më të voglën shpresë, se në krye me ta, një ditë do të bëhet më mirë edhe në Kosovën e tyre, të cilën vazhdon ta sundojë mafia dhe nëntoka kriminale.Sipas tij, gjendja bëhet edhe më alarmante, sidomos kur kihet parasysh fakti, se edhe pas faljes së 8200 hektarëve tokë Malit të Zi, nga Kuvendi dhe Qeveria e tanishme, me mashtrim e propagandë se, kinse qytetarëve të Kosovës do t'u hiqen vizat, ndërsa, përveç paralajmërimit nga vetë kryeministri aktual, të lindjes edhe të një komune gorane-serbe, asgjë e mirë nuk i ndodhi këtij vendi dhe as në distancë, nuk shihet liberalizimi i vizave.Vitin e ardhshëm pritet që Kosovën ta godasë një eksod i ri edhe më masiv, me pasoja tepër të rënda dhe afatgjata nga humbja totale e shpresës se qytetarëve në politikanët mashtrues dhe të kriminalizuar, që tash e sa kohë qëndrojnë mbi ligjin dhe kanë kapur të gjitha segmentet e shtetit.Edhe analisti Qarri i referohet rastit të Petrit Dervishit."Se deri ku i ka arritur paligjësia, sundimi i mafisë dhe krimit të organizuar në Kosovë, më së miri e shpjegon rasti i Petrit Dervishit, djali i dëshmorit drenicas nga Kopiliqi i Skenderajt,i cili në mungesë të pushtetarëve bashkëbisedues i drejtohet ish- luftëtarit dhe babait të tij të vdekur dhe përmes një letre i kërkon falje, që në liri po detyrohet ta lëshojë Kosovën dhe të marrë rrugën e mërgimit, sepse " Sot Kosova është shndërruar në vendin më të mirë për të jetuar të korruptuarit, dallaveraxhinjtë, mashtruesit, gënjeshtarët etj., por jo edhe të rinjtë, të cilët enden rrugëve të qyteteve të pashpresë duke kërkuar së koti një vend pune për mbijetesë, një jetë mesatare, kulm mbi kokë dhe ca bukë për të ngrënë", theksoi Qarri për "Kosova Sot".

Qytetarët fajësojnë politikën

Edhe qytetarët e anketuar nga gazeta nuk e përjashtojnë fare mundësinë që një eksod masiv të shpërthejë vitin tjetër, si reaksion mosdurimi nga krimi dhe korrupsioni, shpresës së thyer në shtetin e tyre, e veçmas nëse ndodh liberalizimi i vizave. Halil Veseli, qytetar nga Peja, punëtor i arsimit, thotë se ai e sheh të pashmangshëm edhe një eksod të ri masiv në vitin që vjen. "Ikja e të rinjve, sipas mendimit tim, është kryesisht prej moskënaqë- sisë me trendët e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe me stafin udhëheqës të organeve më të larta shtetërore. Ata nuk shohin një perspektivë për të ardhmen, derisa kanë kësi njerëzish që i prijnë vendit", theksoi Veseli për "Kosova Sot". Një zhvillim të tillë e sheh të pashmangshëm edhe Lorik Shimaduna. "Gjendja është alarmante, në këto kushte në të cilat gjendet vendi, prandaj njerëzit të cilët nuk po e gjejnë veten këtu po mundohen të bëjnë zgjidhje, dhe zgjidhja po u ofrohet jashtë shtetit", theksoi ai. "Viti vijues, nëse liberalizohen vizat, do të jetë me një situatë akoma më shqetësuese, sepse kush nuk ka mundur të ikë në mënyrë ilegale do të mundohet të largohen në mënyrë legale", tha Lorik Shimaduna për "Kosova Sot"

(Kosova Sot)