Populli ta ndalë marrëzinë e Thaçit, injoroi viktimat dhe dëmet shumëmiliardëshe të luftës (Video)

  • 24 May 2018 - 09:09
Populli ta ndalë marrëzinë e Thaçit, injoroi viktimat dhe dëmet shumëmiliardëshe të luftës (Video)

ANALISTËT DHE QYTETARËT DYSHOJNË SE PRESIDENTI, I FRIKËSUAR NGA SPECIALJA, I GATSHËM TË NËNSHKRUAJË GJITHÇKA 

Guraziu: Shteti duhet të insistojë që të gjitha dëmet e luftës t'i faturohen regjimit gjenocidal serb dhe ato të kompensohen

o të kompensohen "Deputetët kosovarë duhet t'ia ndalojnë Hashim Thaçit që ta udhëheqë dialogun në këtë fazë finale, por edhe populli duhet të ngrihet në protesta, që z. Thaçi të mos e udhëheqë dialogun dhe të mos ketë mundësi ta amnistojë Serbinë dhe ta dëmtojë Kosovën, vetëm e vetëm që t'i shpëtojë Gjykatës Speciale, e cila po i qëndron mbi kokë", thotë analisti Bislim Aliu për "Kosova Sot" 

Kosova po hyn në vitin e 20-të të pasluftës, prej kur regjimi kriminal serb masakroi, dhunoi, dogji dhe shkatërroi çdo gjë në Kosovë, duke përjashtuar këtu pronat dhe pasuritë e udbashëve dhe bizneseve të nëntokës kriminale, që asokohe financonin Milosheviqin, e me pastaj për 20 vjet e deri më sot i financojnë pushtetarët tanë në të dyja nivelet e pushtetit, por asnjëra nga qeveritë e pasluftës nuk kërkoi kompensimin e dëmeve të luftës nga Serbia. Sipas analistëve, presidenti i Kosovës flet me mburrje për fazën finale të dialogut dhe paralajmëron se marrëveshja përfundimtare do të jetë e vështirë për Kosovën dhe mbetet e habitshme se si po e lejon e tërë kjo klasë politike që të hyhet në fazën finale të çfarëdo dialogu,e që gjithçka mund të ketë qenë për tërë këto vite, por asnjëherë dialog i dobishëm dhe i mirëfilltë , ku njeriu i zënë ngushtë, që me çdo kusht po përpiqet t'i ikën Gjykatës Speciale, e që ai është presidenti Hashim Thaçi, të jetë ai që do të udhëheqë dialogun me Serbinë dhe të finalizojë këtë dialog me, siç thotë, tani me një "marrëveshje të vështirë për Kosovën", duke mos denjuar të kërkojë as kompensimin e të gjitha dëmeve të luftës nga Serbia?! Analistët thonë se mbetet e habitshme se si mundet Hashim Thaçi dhe pushtetarët e tjerë të inkriminuar t`ia falin Serbisë dëmet e luftës, e ku një nga shumë viktimat e luftës, më 24 mars 1999, ishte e para e pikërisht gazeta 'Kosova Sot', së cilës regjimi i Milosheviqit, për t'ia mbyllur gojën, pasi që gazeta 'Kosova Sot' mbështeste luftën për çlirimin e Kosovës, e dënoi gazetën pa gjyq dhe pastaj lëshoi falangat vrasëse e zjarrvënëse-piromane të tij të instaluara në Prishtinë për ta djegur e asgjësuar tërësisht shtypshkronjën dhe ambientet e gazetës 'Kosova Sot', ku dogjën rreth një milion libra shkollorë në gjuhën shqipe, dogjën e asgjësuan dhjetëra mijëra ditarë shkollorë, qindra mija libreza të nxënësve, indekse të studentëve e dokumentacion tjetër shkollor dhe gjithçka tjetër, mu në orët e para dhe si përgjigje e parë në natën e parë të fillimit të bombardimeve të NATO-s, më 24 mars 1999. Sipas analistëve politikë, pajtimi me Serbinë nuk mund dhe nuk duhet të bëhet pa trajtimin e dëmeve të luftës dhe nuk duhet t'i lejohet Hashim Thaçit që të udhëheqë dialogun në këtë fazë finale pa e futur të agjendë edhe këtë temë të harruar, ose ndryshe duhet të ngrihet populli në protesta që Hashim Thaçi të mos e udhëheqë dialogun dhe të mos këtë mundësi ta amnistojë Serbinë dhe ta dëmtojë Kosovën, shtetin e qytetarët, vetëm e vetëm për t'i shpëtuar Gjykatës Speciale që flitet e thuhet se i qëndron mbi kokë, sipas raportit të Dick Martit. 

Edhe "Kosova Sot" e pësoi nga represioni serb

Analisti Shefik Shkodra thotë se përfundimisht dialogimi për marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të sjellë rezultate të dukshme."Të gjithë e dinë përmendësh se në Kosovë është bërë plaçkitje e mjeteve financiare të qytetarëve tanë që kanë kursyer nëpër bankat e Jugosllavisë, përkatësisht të Serbisë, janë plaçkitur fondet e pensionistëve, u dogjën shtëpi dhe institucione shoqërore e private, institucione fetare. Kjo filloi ditën e parë të bombardimit të NATO-s, sikur ndodh me rastin e gazetës 'Kosova Sot', njëherë dënimi me para, e menjëherë piromanët serbë e dogjën edhe shtypshkronjën e stabilimentet e tjera të saj, materialin për shkolla: ditarë, dëftesa, indekse, libra të shkollave, etj. Njerëzit e vrarë i zhvarrosën e i futën nëpër frigoriferë, i dërguan nëpër vende tjera, si në Serbi dhe i rivarrosën apo dogjën... Nga kjo shpëtuan pronat e atyre që kishin financuar para luftës shtetin e Milosheviqit. Kështu kjo po ngjan sot, që këta servilët e zakonshëm po i financojnë përfaqësuesit e institucioneve, por asnjëra prej këtyre qeverive të pasluftës nuk mori iniciativë serioze për padi-kërkesë të dëmeve të luftës, në çdo veprim: për vrasjet, për dhunimet, për shkatërrimin e pronës, për shantazhet dhe frikësimet", ka thënë më tej Shkodra. "Nëse kjo ka mundur të bisedohet në mes dy shteteve, sikur është rasti i Brukselit, takimi i dy presidentëve, e bëhen të gjitha këto kërkesa si të dëmtuar, me dokumente për dëmshpërblim, të kthehen fondet, të kthehen artefaktet e plaçkitura, të kërkohet falje për gjenocidin që i është bërë popullatës shqiptare, atëherë do të ishte një dialog frytdhënës dhe presidenti ynë, Hashim Thaçi, do të mbetej vërtet një figurë e ndritshme, e madhe në galerinë e historisë sonë kombëtare. Por, nëse nga presionet e jashtme dhe nga frika e akuzës së tij për Gjykatën e Hagës është lënë çdo gjë në mëshirën e palës serbe, sikur ka ndodhur deri më tash me kompromise (që mund të bëhet ndonjë kompromis, por jo ajo që sjell dëm të përgjithshëm kombëtar), atëherë Kuvendi i Kosovës dhe institucionet e këtij vendi, OJQ-të, qytetarët dhe intelektualët, do të duhej të reagonin dhe të mos lejohet më tutje bërja e kompromiseve që do të na shkaktonin kriza të reja", tha ai për "Kosova Sot".

"Është pothuajse një periudhë njëzetvjeçare pas luftës, ankesat për dëmshpërblim të shqiptarëve të Kosovës, si duket nuk janë artikuluar asnjëherë në asnjë forum politik e juridik. Së paku deri më tash nuk kam dëgjuar. Mendoj që është dashur t'i bëhen padi Serbisë për gjenocid në njerëz dhe për shkatërrimin e pasurisë së këtij vendi. Është dashur shumë më herët që të gjitha grabitjet e pasurisë ekonomike financiare, kulturore dhe për vrasjet, djegiet e rrënimin e tërësishëm, në mënyrë shumë të saktë me shifra të paraqiten në gjykatat ndërkombëtare, në kancelaritë evropiane, në KB, etj.", theksoi Shefik Shkodra për "Kosova Sot" 

ALIU: NJË NGA SHUMË VIKTIMAT E LUFTËS, MË 24 MARS 1999, ISHTE GAZETA "KOSOVA SOT",TË CILËN REGJIMI I MILOSHEVIQIT E DËNOI PA GJYQ, E PASTAJ E DOGJI TËRËSISHT!

Sipas analistit politik Bislim Aliu, nuk mund të ketë kurrfarë marrëveshje përfundimtare me Serbinë nëse paraprakisht nuk zgjidhet, ose nuk bëhet temë e procesit edhe çështja e dëmeve dhe viktimave të luftës."Tanimë që kemi hyrë në vitet e 20-ta të pasluftës, kur regjimi kriminal serb masakroi, dhunoi dhe dogji çdo gjë që ishte shqiptare në Kosovë, duke përjashtuar këtu pronat dhe pasuritë e udbashëve dhe bizneseve të nëntokës kriminale, që asokohe financonin Milosheviqin, e pastaj për 20 vjet e deri më sot i financojnë pushtetarët tanë në pushtet, në të dyja nivelet e pushtetit, dhe pse asnjëra nga qeveritë nuk kërkoi kompensimin e dëmeve të luftës nga Serbia. E sot presidenti i Kosovës flet lirshëm me mburrje për fazën finale të dialogut dhe paralajmëron se marrëveshja përfundimtare do të jetë e vështirë për Kosovën", u shpreh ai. "Me të drejtë tani duhet të pyesim, a thua, si po e lejon e tërë kjo klasë politike që të hyhet në fazën finale të çfarëdo dialogu, e që gjithçka mund të ketë qenë, por asnjëherë dialog i dobishëm dhe i mirëfilltë, ku njeriu i zënë ngushtë dhe me çdo kusht po përpiqet t'i ikën Gjykatës Speciale, e që ai është presidenti Hashim Thaçi, i cili do të jetë ai që do të udhëheqë dialogun me Serbinë dhe ta finalizojë këtë dialog, siç thotë, me një 'marrëveshje të vështirë për Kosovën', duke mos i shkuar fare mendja që të kërkojë kompensimin e të gjitha dëmeve të luftës nga Serbia?", vijoi më tej Aliu. "Si mundet Hashim Thaçi dhe pushtetarët të tjerë të inkriminuar t'ia falin Serbisë dëmet e luftës? Dhe, dihet mirëfilli, një nga shumë viktimat e luftës, më 24 mars 1999, ishte e para gazeta "Kosova Sot", të cilën regjimi i Milosheviqit , për t'ia mbyllur gojën gazetës, e cila e mbështeti luftën për çlirimin e Kosovës, e dënoi gazetën pa gjyq, e pastaj e dogji tërësisht shtypshkronjën me gjithçka që pati brenda: libra shkollorë, ditar shkollorë, libreza nxënësish e indekse studentësh e dokumentacion tjetër shkollor?", ka pyetur ai për "Kosova Sot". "Deputetët kosovarë duhet t'ia ndalojnë Hashim Thaçit që ta udhëheqë dialogun, në këtë fazë finale, por edhe populli duhet të ngrihet në protesta që z.Thaçi, të mos e udhëheq dialogun dhe të mos ketë mundësi ta amnistojë Serbinë dhe ta dëmtojë Kosovën, vetëm e vetëm që t'i shpëtojë Gjykatës Speciale, e cila po i qëndron mbi kokë", potencoi Aliu. "Para çfarëdo dialogu final me Serbinë, ajo duhet të nënshkruajë e të paguajë të gjitha dëmet e luftës, ta pranojë krimin e gjenocidin që e kreu në Kosovë, të pranojë dënimin e të gjitha atyre që vranë e dhunuan, plaçkitën dhe rrëmbyen edhe kufomat e shqiptarëve për të fshehur gjurmët e gjenocidin, të pranojë kthimin e mjeteve dhe fondeve të plaçkitura nga Kosova dhe të kërkojë falje për krimet dhe gjenocidin e bërë në Kosovë", tha Bislim Aliu për "Kosova Sot".

GURAZIU:SHTETI DUHET TË INSISTOJË QË TË GJITHA DËMET DHE SHKATËRRIMET T'I FATUROHEN REGJIMIT GJENOCIDAL SERB DHE ATO TË KOMPENSOHEN!

Sipas analistit Ragip Guraziu,harresa 20-vjeçare e dëmeve të luftës dhe viktimave që ka shkaktuar Serbia është një mëkat i madh për politikën kosovare,presidentin që tani po i prin procesit të bisedimeve."Përgjegjësia bie mbi të gjithë ata që ishin në pushtet.Tani,edhe sot,presidenti i Kosovës flet me mburrje për fazën finale të dialogut dhe paralajmëron se "Marrëveshja përfundimtare do të jetë e vështirë për Kosovën,por po harron aktualizimin e dëmeve dhe krimeve të luftës në këtë finale të procesit.Ato janë të pafalshme,sidomos viktimat në njerëz,por edhe dëmet materiale",u shpreh ai."Pikërisht nga shumë viktima të luftës,më 24 mars 1999 ishte e para pikërisht edhe gazeta "Kosova Sot",së cilës regjimi i Milosheviqit,për t'ia mbyllur gojën,pasi që gazeta 'Kosova Sot' mbështeste luftën për çlirimin e Kosovës,e dënoi gazetën pa gjyq dhe pastaj lëshoi falangat vrasëse e zjarrvënëse-piromane të tij,të instaluara në Prishtinë për të djegur e asgjësuar tërësisht shtypshkronjën dhe ambientet e gazetës "Kosova Sot",ku dogjën rreth një milion libra shkollorë në gjuhën shqipe,dogjën e asgjësuan dhjetëramija ditarë shkollorë,qindra- mija libreza të nxënësve,indekse të studenteve e dokumentacion tjetër shkollor dhe gjithçka tjetër,mu në orët e para dhe si përgjigje e parë e natës së parë të fillimit të bombardimeve të NATO-s,më 24 mars 1999",potencoi Guraziu për "Kosova Sot"."Shteti duhet të insistojë që të gjitha dëmet dhe shkatërrimet t'i faturohen regjimit gjenocidal serb dhe ato të kompensohen",tha Ragip Guraziu për "Kosova Sot"

BADALLAJ: NË BISEDIMET E UDHËHEQURA NGA PRESIDENTI THAÇI PO RREZIKON TË NDODHË NJË TRADHTI E MADHE NDAJ SHTETIT DHE POPULLIT!

Analisti politik Reshat Badallaj tha për 'Kosova Sot' se tema e krimeve dhe dëmeve të luftës nuk është trajtuar deri më tani nga asnjë qeveri e Kosovës në raport me Serbinë, vetëm nga shkaku se asnjë qeveri deri më sot nuk ka dalë me votën e lirë të popullit. "Dua të them se të gjitha qeveritë, pa më të voglin dyshim, kanë qenë qeveri kuislinge, kanë punuar për interesa të tyre personale dhe assesi nuk kanë punuar për interesa të vendit dhe të qytetarëve të saj. Këto kanë qenë dhe janë qeveri të pazareve dhe jo qeveri me njerëz të ditur, intelektualë dhe që ia duan të mirën vendit. Në çdo qeveri bënin pjesë njerëz me afera korruptive, me skandale, rrugaçë, vagabondë, hajna, njerëz që i kanë shërbyer UDB-së famëkeqe serbiane, hajna me procedurë penale dhe kryekëput me banditë dhe kryebanditë të lidhur ngushtë me klane mafioze dhe mafio-oligarkë denbabaden me Serbinë fashiste", tha ai për "Kosova Sot". Sipas Badallajt, tani në këtë procese bisedimesh të udhëhequra nga presidenti Thaçi po rrezikon të ndodhë një tradhti e madhe ndaj shtetit dhe popullit, duke lënë anash dëmet e luftës. Sipas tij, e kanë kuptuar të gjithë që këtë shitje dhe tradhti të Kosovës e ka bërë vetëm për interesa të tija personale që të mos i digjet bishti me Gjykatën Speciale. "Ky dilenxhi i harroi të mirat e gazetës 'Kosova Sot' që në kohërat më të vështira u vu në krahun e popullit e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kundër makinerisë më moderne ushtarake që zotëronte shteti fashist, Serbia bashkë me mercenarët rusë që dogjën tokën e Kosovës dhe njëkohësisht dogji edhe pronën e gazetës e bëri shkrumb e hi, sepse ishte bërë halë në sy kundër hordhive çetniko-serbe", tha Badallaj për "Kosova Sot".

Duhet reciprocitet në bisedime

Profesori i së drejtës dhe veprimtar i luftës për liri, Muhamet Kelmendi, thotë për "Kosova Sot" se në fushatën e djegieve dhe të shkatërrimeve barbare të pushtetit serb viktimë ka qenë edhe vetë gazeta "Kosova Sot", por edhe gazetat dhe revistat e tjera të asaj kohe në gjuhën shqipe. "Dënimi i gazetës "Kosova Sot" nga klika kriminale e Milosheviqit është vetëm një provë që tregon nivelin e gazetës dhe anën e popullit që ka pasur ndaj luftës çlirimtare. Ne e dimë se populli, si fëmijët, gratë e pleqtë, janë ndjekur, vrarë e terrorizuar, ndërsa shumë politikanë janë mbrojtur. Dua këtu të theksoj "Kohën Ditore" të Veton Surroit dhe të Baton Haxhiut, e cila u lejua edhe në ditët më të rënda. Po kështu ishte edhe me "Zërin". Pra, lufta e okupatorit kishte për pikësynim shkatërrimin e forcave liridashëse dhe të zërit të tyre që dilte nëpërmjet "Kosovës Sot". Kjo është mburrje për këtë gazetë dhe këtë duhet respektuar nga të gjitha forcat në vend. Por, për fat të keq, pushtetin e kanë njerëzit antipopullorë, ata që i kanë krijuar shumë dëme vendit dhe tash po vazhdojnë rrugën e njëjtë të nënshtrimit", u  shpreh ai. "Jam i mendimit se z. Thaçi duhet ndaluar në çfarëdo bisedimesh. Ai vetëm dëme i sjell vendit. Këtë e kemi parë nga takimet dhe marrëveshjet e nënshkruara me shtetin serb. Kosova duhet të kërkojë në këto bisedime reciprocitet dhe njohje të menjëhershme të shtetit. Asgjë nuk ecet pa këtë. Kuptohet se nuk mund të falen kriminelët. Duhet të kapen dhe të dënohen të gjithë ata që kanë bërë krim dhe gjenocid. Ata jetojnë në Serbi dhe duhet dënuar. Po kaq e rëndësishme është edhe gjetja e të rënëve që gjinden nëpër varret masive në Serbi, sikundër edhe shpërblimi i dëmit, që kalon shifrën e miliarda eurove... Të gjithë duhet t'i themi jo Hashim Thaçit", theksoi Kelmendi për "Kosova Sot". Ndërsa analisti Ali Hertica, lidhur me këtë çështje, thotë se tani Kosovës nuk i duhet deklarimi as mburrja kur thuhet se faza finale në vazhdimësi të marrëveshja përfundimtare do të jetë e vështirë për Kosovën dhe këtë proces nuk duhet ta presim me optimizëm. "Nuk shoh një rritje të përgjegjësive të liderëve politikë, sepse ata heshtin, thuajse kanë korrur fitore ndaj Serbisë me këto bisedime dhe angazhimeve që normalizimi i marrëdhënieve mes shteteve tona, Kosovës dhe Serbisë, të hyjë në një fazë përfundimtare, apo në fazën finale, që të arrihet një marrëveshje historike që do të nënkuptonte përmbylljen e të gjitha kapitujve, mund dhe të errësirës, konflikteve e problemeve, dhe hapjen e kapitujve të bashkëpunimit, të mirëkuptimit të fqinjësisë së mirë dhe pajtimi, edhe pse Serbia nuk po kërkon falje", u shpreh ai.

Qytetarët kërkojnë unitet politik

Qytetarët e anketuar nga gazeta kërkojnë që fillimisht të rikompozohet ekipi për bisedimet finale me Serbinë, por nga ai ekip të hapet edhe tema e dëmeve të luftës, të mos i falet krimi shtetit serb. Milaim Morina, nga Komuna e Malishevës, thotë se assesi delegacioni kosovar nuk duhet të pranojë vazhdimin, e aq më pak përmbylljen e këtij procesi pa u futur si temë edhe çështja e dëmeve të luftës. "Unë besoj që delegacioni kosovar duhet t'i shqyrtojë të gjitha këto çështje në dialog me Serbinë, me Qeverinë e Serbisë, përndryshe kjo është një çështje me prioritet që duhet të diskutohet. Nëse jo atëherë, ne do të humbim shumë në aspektin e dëmeve të shkaktuara deri më sot. Nuk mund të jap përgjigje pse udhëheqësit tonë po hezitojnë në çështjet e tilla, por konsideroj që këtë çështje nuk e kanë marrë seriozisht që nga fillimi i luftës dhe i pasluftës", ka thënë ai. Sipas tij, është dashur më herët që dikush të merret rreth këtyre çështjeve, që të shqyrtohen thellësisht dhe mirëfilli, që të kihen parasysh dhe të kompensohen të gjitha dëmet, edhe në njerëz edhe në ekonomi, dëmet materiale në përgjithësi. Qytetari Ruzhdi Durmishi dyshon që elementë të Serbisë të jenë futur thellë edhe në institucionet e Kosovës dhe për këtë arsye nuk po hapen temat serioze, sikur janë edhe dëmet e luftës me shtetin serb në proces të bisedimeve, por ai thotë se shumë shpejt do t'i vijë koha edhe kësaj çështje, nëse populli arrin të ruajë gjakftohtësinë dhe të mos nxitet ndonjë vëllavrasje nga politikanët e papërgjegjshëm. Ai thotë se nuk sheh seriozitet të qasjes së problemit krucial që janë dëmet e luftës, pasi që në fillim bisedimet janë nisur keq."Është e vërtetë që edhe këto bisedime duhet patjetër të zhvillohen, sepse jemi fqinj dhe janë të nevojshme për të dyja palët, por sikur e ka thënë presidenti Rugova nuk ka diçka që niset mirë dhe në qetësi arrihet fundi i mirë, kurse nga e mbrapshta çdo gjë që niset mbrapsht ashtu edhe përfundon. Kështu ka nisur edhe ky proces i bisedimeve. Deri më tani ka munduar dhe po mundon hapja e temave që janë më thelbësore, e që kemi shumë njerëz të zhdukur, që është mjerim për ato familje kur nuk iu duhet fati i të afërmeve të tyre, që sikur të gjendeshin së pakut kufomat e tyre do të ishte një lehtësim i dhimbje", u shpreh ai, ndërsa e sheh të paperspektivë hapjen e këtyre temave derisa vetë politika në institucione nuk po funksionon si duhet dhe po shkon drejt acarimit. "Më në fund po them dashtë zoti të mos ketë vëllavrasje, ajo është më kryesore, por është lodhur populli, dikush i ka kushtet e mira e dikush nuk ka për të ngrënë, i qajnë fëmijët për barna e për gjithçka", ka thënë Durmishi për 'Kosova Sot'.

(Kosova Sot)