Pas gati dy dekadave, Kosova në duart e bandave (Video)

  • 24 May 2018 - 09:12
Pas gati dy dekadave, Kosova në duart e bandave (Video)

PERIUDHA MË E VËSHTIRË NË HISTORINË E VENDIT QË PREJ LUFTËS

Dëshpërimi dhe pesimizmi ka përfshirë shoqërinë

E gjithë kjo katrahurë vjen nga politikëbërësit matrapazë, nga monopolizmi dhe bandat kriminale, të cilat e vodhën dhe e plaçkitën tërë pasurinë e shtetit, duke e tjetërsuar në pronat e të "fortëve", u shpreh Ali Hertica për "Kosova Sot" 

Bazuar në vlerësimet e analistëve politikë, ekspertëve të integrimeve evropiane dhe qytetarëve të anketuar vlerësohet se Kosova po kalon periudhën më të vështirë që nga viti 1999, kur mbi një milion shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe regjimi serb bëri masakra nga më të përgjakshmet. Nga njohësit e rrethanave politike, thuhet se në vend se qytetarët të gëzojnë lirinë e shumëpritur, atyre ua zunë frymën sundimtarët e pasluftës që pasuan Serbinë në Kosovë, të të gjitha partive pa dallim, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal, të cilët në emër të luftës, prej gati dy dekadash, nuk lanë gjë pa bërë në kurrizin e qytetarëve dhe shtetit që nuk po e ndërtojnë dot. Analistë pyesin se si e lejoi sistemi i drejtësisë tërësisht i inkriminuar dhe i kontrolluar nga politika, që për afro 20 vjet të kemi zhvatje qindra- milionëshe të shtetit, përmes tenderomanisë, por edhe në forma të tjera, duke i zhvatur edhe asetet e buxhetin e shtetit dhe qytetarët deri në palcë.

Humbja e optimizmit

Eksperti fushës së Integrimeve Evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën"Kosova Sot", tha se Kosova po e kalon periudhën më të vështirë të saj që nga pas lufta e deri më sot. "Është humbur optimizmi, është humbur besimi, ngase në Kosovë sundon një kastë e kalbur politike që është pakicë, por që janë të fortë në muskuj dhe mekanizmat parapolitikë", vlerësoi ai. Sipas Kelmendit, janë këto sjellje të pushtetarëve tanë që na sollën në këtë gjendje dhe nuk ka liberalizim të vizave. "Pra, sido që të jetë, nuk duhet humbur shpresat, sepse populli duhet të ngritët e të çlirohet nga kjo katrahurë", potencoi ai. Analisti politik Ali Hertica, për " Kosova Sot", tha se, duke u nisur nga situata politike dhe aktuale, të cilën po e përjeton qytetari, thuhet se është një periudhë tejet e rëndë dhe e vështirë, sikur nga vitet '99. "E gjithë kjo katrahurë vjen nga politikëbërësit matrapazë , nga monopolizmi dhe bandat kriminale, të cilat e vodhën dhe e plaçkitën tërë pasurinë e shtetit, duke e tjetërsuar në pronat e të "fortëve", u shpreh Hertica. "Tani, qytetari thuajse është i ngulfatur nga kjo kastë politike, e cila nuk shtyn procese përpara për ta integruar shoqërinë dhe shtetin drejt një jete stabile dhe pa brenga, duke ditur se qytetari ka përjetuar katrahura dhe gjenocid nga shovinizmi serb,ku qytetari nuk e ka merituar një jetë të tillë, duke jetuar në varfëri dhe me këtë shpresë të thyer nga kasta e të inkriminuarve politikë dhe duke u pasuruar në forma më të poshtëruara nga asetet e buxhetit", ka thënë ai.

"Sot, qytetari është i përdhosur dhe i degraduar tërësisht, sepse në pushtet erdhën të pangopurit dhe analfabetët, të cilët dominojnë në të gjitha dikasteret dhe kanë kontroll mbi të gjitha institucionet", u shpreh Ali Hertica për "Kosova Sot"

Qytetarët akuzojnë politikanët

Krahas specialistëve të kësaj fushe të politikës edhe qytetarët e anketuar thonë se në tërësi janë shumë të pakënaqur me lidershipin shqiptar të pasluftës. Sipas qytetarëve tanë, Kosova po kalon periudhën më të vështirë që nga viti 1999, kur mbi një milion shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe regjimi serb bëri masakra nga më të përgjakshmet. Andaj, ata pyesin se në vend se qytetarët të gëzojnë lirinë e shumëpritur, atyre ua zunë frymën sundimtarët e pasluftës që pasuan Serbinë në Kosovë, të të gjitha partive pa dallim, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal. Qytetari nga Prishtina, Nuhi Salihu, për " Kosova Sot", tha se Kosova është në gjendje të vështirë si pasojë e politikave sterile që nga vitet '90, por edhe18 vjet pas lufte. "Politikanët tanë nuk i kanë udhëhequr si duhet proceset dhe tashti edhe kemi ngelur në këtë situatë ku jemi, më të rëndën që nga viti 1999. Klasa politike, niveli qendror dhe ai lokal, pra në të dyja nivelet, e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje. Sidomos binomi, LDK-PDK e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje. Kurse tash, AAK-ja po e vazhdon këtë politikë të vjetër të brishtë dhe po i vendos çështjes kapak", ka theksuar ai. "Pa ardhur një forcë e re politike, që nuk ka qenë në pushtet, nuk ka gjasa që të ndodhin ndryshime për të mirë. Së këndejmi, Kosova ka nevojë për një forcë të re politike që është e pakorruptuar dhe që në radhë të parë do të punojnë për Atdheun e jo të jetë prioritet interesi i tyre personal", vijoi më tutje Salihu. Edhe qytetari tjetër nga Prishtina, Ekrem Rama tha për " Kosova Sot", se askush nuk ka pritur që do ta kemi një gjendje të tillë, sidomos pas lufte. "Dhe, faji në tërësi për këtë gjendje të mjerë është i politikanëve tanë, nga niveli lokal deri te niveli qendror. Ata me zhvatjet e tyre ia kanë zënë frymën zhvillimit ekonomik të vendit, saqë e them lirshëm se ata madje me zhvatjet e tyre ia kanë tejkaluar edhe Serbisë", u shpreh ai. Sipas Ramës, në Kosovën e lirë është kënga e vjetër, sikurse që e bëri regjimi i Serbisë gjatë luftës dhe këtë po e bëjnë pushtetarët tanë shqiptarë të pasluftës, ndërsa në këtë drejtim ka ndryshuar vetëm emri i keqbërësve.

(Kosova Sot)