Kosova ndjek modelin rus, oligarkët sundojnë popullin! (Video)

  • 14 June 2018 - 10:21
Kosova ndjek modelin rus, oligarkët sundojnë popullin! (Video)

 

Aliu: "Problemi më i madh, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, janë oligarkët si në Rusi, që edhe gazeta 'Kosova Sot', e para dhe e vetmja, e përsëriti për vite të tëra!

"Politika në Kosovë është ngushtuar në dy gjëra: në personalitete dhe në para. Me të drejtë e ka ngritur këtë shqetësim Dioguardi që ka kërkuar zgjimin e popullit dhe ka kritikuar për paratë që po i shpenzon Hashim Thaçi për të paguar kompani lobimi për të bërë foto me personalitete në Amerikë, sepse po shihet ashiqare që Thaçi paguan qindra-mijëra në muaj, për të bërë një fotografi aty, një tjetër këtu dhe për t'i mashtruar njerëzit, qytetarët e vet. Ata nuk e kanë respektin që thonë se e kanë", thotë analisti Ragip Guraziu për "Kosova Sot" 

Ditë më parë, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, ish-kongresisti amerikan, Joseph Dio Guardi, ka deklaruar se Kosova, por edhe Shqipëria, e kanë një problem si të Rusisë - oligarkinë, që përfaqësohet nga njerëzit që janë në pushtet, e që po pasurohen e pasurohen, e njerëzit që thonë se i përkrahin zgjedhësit e tyre po varfërohen, prandaj ka pasur një thirrje qytetarëve të Kosovës që të zgjohen për të bërë ndryshime. Dioguardi thotë se shqiptarët e Kosovës duhet të zgjohen. "Ata nuk po përfaqësohen nga njerëz që e kuptojnë demokracinë e vërtetë, përfaqësimin e njerëzve, e jo të vetvetes dhe partisë… Politika në Kosovë është ngushtuar në dy gjëra, me sa po shoh, në personalitete dhe në para", ka thënë ai. Më tutje Dioguardi ka kritikuar paratë që po i shpenzon Hashim Thaçi për të paguar kompani lobimi për të bërë foto me personalitete në Amerikë."Ata po paguajnë kompani të mëdha lobimi, Thaçi paguan qindramijëra në muaj, për të bërë një fotografi aty, një tjetër këtu. Edhe politikanët e tjerë e bëjnë të njëjtën. Pse? Për t'i mashtruar njerëzit, qytetarët e vet? Ata nuk e kanë respektin që thonë se e kanë. Nuk e kanë atë lloj respekti që unë e kam parë në të kaluarën për Kosovën", ka thënë ai. Analistët politikë, por edhe qytetarët e anketuar, mendojnë se tani është momenti i fundit që shqiptarët të zgjohen dhe ta kuptojnë se këta njerëz në institucione që nga paslufta e deri më sot nuk po i përfaqësojnë, por vetëm po vijnë në pushtet për të zhvatur dhe vjedhur këtë popull. Ata thonë se edhe ish- kongresisti amerikan e konfirmoi se problemi më i madh në Kosovë dhe në Shqipëri janë oligarkët, si në Rusi,gjë që gazeta "KOSOVA SOT" e para dhe e vetmja e përsërit për vite të tëra.

Mazhoranca e skandaleve

Ndërsa, analisti Ali Hertica thotë se çfarëdo përpjekje qytetare për ndalimin e krimit në institucione nuk është luftë për pushtet, përpjekja është përpjekja e popullit kundër sundimtarit shkatërrues dhe është e arsyeshme të ndodhë sa më shpejt. "Përpjekja është betejë mes së mirës dhe së keqes, është beteja mes njerëzve që duan drejtësinë dhe atyre që kanë kapur drejtësinë. Në këto 19 vite udhëtimi ynë politik ka qenë plot ulje-ngritje, pasurim të politikës, por edhe varfërim të qytetarëve nga politikëbërësit joracionalë dhe të inkriminuar", u shpreh Hertica."Sot qytetari duhet të kërkojë jo thjesht ndryshimin e Qeverisë, por ndarjen e politikës nga zhvatja, nga korrupsioni. Çdoherë që një protestë paqësore zhvillohet nga kjo kauzë e fundit për rrëzimin e qeverisë apo ndryshimin e situatës ekonomike, apo nga pakënaqësitë nga qeveria apo individët qeveritarë që keqpërdorin qytetarin, duke ia tjetërsuar të drejtat për një jetë më të mirë, duhet të mbështetet. Tani qytetari nuk ka më kohë për të humbur me retorikën politike që bie në veshët e shurdhët të qeverisjes, e cila ka nën petkun e vet milionerët që u pasuruan nga djersa e qytetarit. Këtë e ka vërejtur edhe kongresisti amerikan Dioguardi dhe as ne nuk do të mund të presim e të heshtim para fakteve të tjera tronditëse, të skandaleve të radhës të kësaj maxhorance, së cilës iu dha besimi se do të ndryshojë qasjen e jetës së qytetarit për të jetuar më mirë, por nuk po e bën atë", theksoi ai për "Kosova Sot". Kurse analisti Bislim Aliu thotë se me të drejtë e ka thënë Joseph Dioguardi se Kosova, por edhe Shqipëria e kanë një problem si të Rusisë - oligarkinë, se njerëzit që janë në pushtet po pasurohen e njerëzit që thonë se i përkasin zgjedhësit e tyre po varfërohen, prandaj edhe më me shumë të drejtë ai kërkon ndryshime nga zgjimi dhe veprimi qytetar. "Ai me të drejtë ka potencuar se politika e Kosovës është ngushtuar në dy gjëra, në personalitete dhe në para. Mandej e ka potencuar edhe për paratë që po i shpenzon Hashim Thaçi, për të paguar lobim për të bërë foto me personalitete në Amerikë. Vërtet duhet të pyesim e të kundërshtojmë pse Thaçi i paguan qindra-mijëra në muaj për të bërë një fotografi! Edhe politikanët tjerë e bëjnë të njëjtën. Pse? Për t'i mashtruar njerëzit dhe qytetarët e vet?", u shpreh ai për 'Kosova Sot".

MEHMETI: KOMBI SHQIPTAR SI NË KOSOVË DHE NË SHQIPËRI DUHET T'I LARGOJË NGA PUSHTETI KLASËN POLITIKE NË PUSHTET

Analisti politik Faton Mehmeti thotë se fatmirësisht Kosova e ka pasur gjithmonë në krah të saj ish-kongresmenin amerikan Joseph Dioguardin, i cili e ka mbështetur Kosovën në kohërat e saj më të vështira. Ai ishte ndër të parët që foli hapur për Pavarësinë e Kosovës, në kohën kur shumë pak flitej për pavarësi, prandaj edhe mesazhet e tij le të merren tani shumë seriozisht. "Gjithsesi, z. Dioguardi ka vazhduar dhe po vazhdon edhe më tutje të jetë zëdhënës i zërit të qytetarëve të Kosovës. Deklarata e tij e fundit për qytetarët e Kosovës, të cilëve iu bënë thirrje për të larguar nga pushteti këtë klasë politike të korruptuar, është thirrja më miqësore që dikush mund t"ia bëjë Kosovës në këto ditë të vështira të saj. Andaj, zëri i tij duhet dëgjuar dhe shqetësimi i tij është krejt i natyrshëm dhe i vërtetë. Kosova s'po arrin fare të dalë nga letargjia ku e ka pllakosur kjo klasë politike e kriminalizuar dhe e cila po i bën dëme të mëdha të tashmes dhe të ardhmes së saj", u shpreh ai."Duke mos pasur shtet të fuqishëm as Kosova dhe as Shqipëria, natyrisht se qarqet serbe dhe ruse mund të shfrytëzojnë këtë gjë, duke infiltruar njerëz të tyre për interesa të tyre dhe në dëm të SHBA-së dhe Kosovës evropiane, siç është përcaktuar populli i saj. Andaj edhe në këtë aspekt thirrjet e ish-kongresistit janë për t'u vlerësuar dhe duhet të merren shumë seriozisht, pasi rrezikohemi shumë si komb. Kombi shqiptar si në Kosovë dhe në Shqipëri duhet t'i largojë nga pushteti klasën politike në pushtet, të cilat shqiptarët po i varfërojnë, duke iu humbur dhe dinjitetin", potencoi Mehmeti. "Shqipëria e zhytur në drogë dhe krim, Kosova në haraç dhe hajni, janë vendet pa të ardhme të ndritur, nëse kjo klasë politike është në pushtet. Andaj, të merremi më seriozisht me deklaratën e z. Dioguardi, pasi ai na e do të mirën, si mik i popullit tonë", tha Faton Mehmeti për "Kosova Sot".

GURAZIU: KOSOVA, POR EDHE SHQIPËRIA, E KANË NJË PROBLEM SI TË RUSISË - OLIGARKINË!

Edhe opinionisti tjetër, Ragip Guraziu, vlerëson se mesazhi i ishkongresistit amerikan, Joseph Dioguardi, ishte mesazhi më i mirë për politikën aktuale kosovare dhe vetë shtetin e Kosovës, për të cilin duhet të angazhohen vetë qytetarët."Ish-kongresisti amerikan, Joseph Dio Guardi, ka deklaruar se Kosova, por edhe Shqipëria, e kanë një problem si të Rusisë - oligarkinë. Ai ka thënë se njerëzit që janë në pushtet po pasurohen e pasurohen, e njerëzit që thonë se i përkrahin zgjedhësit e tyre po varfërohen. Me të drejtë Dioguardi thotë se shqiptarët e Kosovës duhet të zgjohen. Por këta duhet ta bëjnë edhe ata në Shqipëri që të mos i zënë gjumi veror, sepse ata politikanë që tash po e drejtojnë shtetin, ata nuk po përfaqësohen nga njerëz që e kuptojnë demokracinë e vërtetë, përfaqësimin e njerëzve, por vetëm të vetvetes dhe partisë", u shpreh ai."Politika në Kosovë është ngushtuar në dy gjëra, me sa po shihet, në personalitete dhe në para. Me të drejtë e ka ngritur këtë shqetësim Dioguardi që ka kërkuar zgjimin e popullit dhe ka kritikuar për paratë që po i shpenzon Hashim Thaçi për të paguar kompani lobimi për të bërë foto me personalitete në Amerikë, sepse po shihet ashiqare që Thaçi paguan qindra-mijëra në muaj, për të bërë një fotografi aty, një tjetër këtu dhe për t'i mashtruar njerëzit, qytetarët e vet. Ata nuk e kanë respektin që thonë se e kanë", tha Guraziu për "Kosova Sot". SHKODRA: QEJFET E PUSHTETARËVE JANË MË TË MËDHA SESA NDËRTIMET E RINDËRTIMET E INSTITUCIONEVE ! Sipas analistit Shefik Shkodra, qejfet e pushtetarëve janë më të mëdha sesa ndërtimet e rindërtimet e institucioneve, standardi i qytetarëve, pagesat e obliguara, rastet sociale, sigurimi shëndetësor, arsimimi, pensionet. "Më mirë është përforcimi i vetvetes në pushtet me takime e foto, ndoshta jo edhe zyrtare. Këtë brengë e ka Hashim Thaçi, por s'është veç ai. Që të gjithë bëjnë përpjekje të tilla subjekteve, pa përjashtuar shpenzimet buxhetore. Flasin dy-tri fjali, si në një gjuhë kakofonie, duke përmendur termat: demokracia, liria, integriteti individual dhe e drejta, por fatkeqësisht veprojnë si në feudalizmin e shek. XIX, duke konsideruar veten bajraktar të provincave e nën provincave. Në regjimin e tyre nuk pamë e nuk dëgjuam asnjëherë një transparencë për mjetet, cilat janë të dedikuara për punë zyrtare dhe çfarë është arritur. Askush s'i kontrollon", vlerësoi Shkodra. "Derdhja e parave për lobim është marramendëse, por pa sjellë ndonjë ndryshim. Askujt nuk i japin përgjegjësi. Ata Kosovën e mendojnë çiflig të vetin. Krejt i mbajnë në duart e tyre. Ky është sundim nga një politikë oligarkike", tha Shefik Shkodra për "Kosova Sot".

BADALLAJ:KËTA BANDITË TË MAJAVE TË SHTETIT JANË DUKE BËRË KONKURRENCË SE KUSH PO VJEDH MË SHUMË!

Analisti politik Reshat Badallaj thekson se pajtohet plotësisht me zotin Joseph Dioguardi, mikun e shqiptarëve, ku thotë se njerëzit që janë në pushtet pasurohen (vjedhin - *vërejtja e tij) dhe se shqiptarët e Kosovës duhet të zgjohen. "Populli ynë i madh e i vogël duhet ngritur në këmbë në mënyrë paqësore të shporren banditët e majave të larta të shtetit nga skena politike dhe do të ndalet hajnia që janë duke e shkatërruar vendin dhe nuk kanë të ndalur. Sepse banditët e majave të shtetit janë të lidhur me grupet më kriminale të nëntokës, me mafio-oligarkët që janë duke vjedhur buxhetin e shtetit dhe duke u pasuruar me hajni dhe duke hëngër djersën e tatimpaguesve. Këta banditë të majave të shtetit janë duke bërë konkurrencë se kush po vjedh më shumë. Kur them banditët që nga majat e larta të shtetit, e kam fjalën konkretisht duke filluar nga hajni Hashim i Brojës, Presidenca, Qeveria kuislinge, Kuvendi rrugaçësh, me plot banditë, banditët dhe kryebanditët e bandave politike, e deri te puthadorët e Slobodan Millosheviqit të deridjeshëm, që quhet sistemi i kalbur gjyqësor", ka thënë ai."Nuk ia vlen të komentojmë banditët e Qeverisë kuislinge që është rrjeti më i rrezikshëm në Ballkan, që turp të zi na qitën në botën e qytetëruar", potencoi Reshat Badallaj për "Kosova Sot".

Qytetarët të brengosur për gjeneratën e re

Edhe qytetarët e anketuar nga gazeta theksojnë se çelësi i vetëm për ta pastruar këtë kastë politike dhe për ta shpëtuar vendin nga të korruptuarit dhe të inkriminuarit në pushtet është që të zgjohen të gjithë shqiptarët, qytetarët, për të parandaluar njerëzit në pushtet dhe oligarkët e inkriminuar të pasurohen duke zhvatur dhe duke vjedhur këtë popull të varfëruar. Qytetari Bajram Krasniqi thotë se qytetarët kurrsesi nuk duhet të dorëzohen para kësaj kaste politike të inkriminuar e të korruptuar që po i gërryen edhe themelet e shtetit."Kurrsesi nuk duhet dhe nuk do të dorëzohemi, duhet ta heqim këtë farë pisllëku politik që na ka kapluar, e pse jo edhe me protesta. Nuk ka më patriotizëm, lufta ka kaluar, kanë kaluar ato gjëra. Njerëzve të luftës duhet tua japim meritat që u takojnë e qysh u takojnë dhe duhet ta lënë politikën. Nuk ka edhe luftë edhe politikë, nuk shkojnë të dyja bashkë. Vetë e kam fatin, kam qenë luftëtar i UÇK-së, jam vëlla i dëshmorit, edhe tjetrit vëlla që e kam invalid, e kam çikën e vëllait në përkujdesje që ma kanë lënë pa asnjërin prind jetim, por ato gjëra kanë kaluar. Tash na duhet kohë tjetër, na duhen gjeneratat e reja dhe të pakorruptuara dhe duke ia nisur nga pika zero, sepse u bë boll më, populli nuk mund të durojë më. Unë për veten time e kam kryer, por çka t'i bëjmë kësaj gjeneratës së re, ku do të shkojnë këta e ku do të mbeten?!",tha Bajram Krasniqi nga fshati Zhilivodë. Të njëjtin mendim ndan edhe qytetari Imri Sadiku nga Ferizaj."Po gjithsesi unë mendoj se qytetarët duhet të zgjohen dhe të parandalojnë njerëzit në pushtet dhe oligarkët e inkriminuar që të pasurohen duke zhvatur dhe duke vjedhur këtë popull të varfër. Unë e kam kështu edhe një rast konkret, të cilin do ta kisha cekur, p.sh. po e marr rastin e fabrikës së tubave në Ferizaj, që ka qenë një vjedhje drastike, një vjedhje që është parë haptas. Aty kanë qenë që të gjithë të inkriminuar, duke e marrë Qeverinë, AKP-në. Madje AKPnë e asaj kohe lirisht që unë mund ta quaj që ka qenë vetëm si një kështjellë e hajnisë, sepse hajnitë janë bërë nëpërmes këtij institucioni. Për ta bërë zyrtare një hajni është dashur ta kesh një dokument zyrtar dhe atëherë kjo ka qenë AKM-ja që ta ka siguruar atë, sikur që është edhe tani AKP-ja që po vepron nëpërmes moszbatimit të vendimeve të gjykatës. Tani e kemi edhe një rast shumë konkret, kur kryeministri e ka bërë një kërkesë për Gjykatën Kushtetuese rreth rastit tonë, e Gjykata Kushtetuese e ka konfirmuar një vendim, por ne tani nuk po kemi qasje, kurse ligji dhe Kushtetuta e përcaktojnë qartë që edhe ne të kemi qasje në dokumentet zyrtare, pasi që edhe ne jemi palë aty", tha Imri Sadiku për "Kosova Sot". Sipas tij, për momentin gjithçka është mbrapsht duke shkuar, por ai shpreson se do të bëhet mirë.

(Kosova Sot)