Qeveria bën shkelje flagrante, kushtëzon qytetarët (Video)

  • 21 June 2018 - 10:24
Qeveria bën shkelje flagrante, kushtëzon qytetarët (Video)

Pushteti po zhvat dhe po i qet haraç popullit

Safet Hoxha për "Kosova Sot" tha se kushtëzimi i regjistrimit të makinave me forma të tjera të pagesave, si për bartje pronësie apo ndonjë lloj tjetër takse, është antiligjor dhe një cenim i të drejtave dhe lirive të njeriut

Analistë politikë, ekspertë juridikë dhe qytetarët e vendit po ankohen se Qeveria 'Haradinaj' po synon që me ligjet që e rëndojnë jetën e qytetarëve ta mbushë buxhetin e Kosovës, e të cilin buxhet përmes rritjes enorme të pagave për veten e tyre po e bën rrush e kumbulla. Me kushtëzimet e ndryshme ligjore, qeveria po ua përkeqëson jetën njerëzve. Kështu qytetarët në regjistrimin e automjeteve apo bartjen e pronësisë, po kushtëzohen me lloj-lloj dokumentesh e ngarkesash, duke e bllokuar qendrën e regjistrimit të automjeteve. Nga njohësit e kësaj fushe alarmohet se si po zhvillohet korrupsioni shtetëror buxhetor përmes korrupsionit ligjor. Nga analistët thuhet me të drejtë se kushtëzimi i një individi që nuk ka kurrfarë detyrimesh ndaj shtetit, me kryerjen e detyrimeve të shtetasve të tjerë, kjo është një shkelje drastike e të drejtave të njeriut. Qytetarët janë shumë të irrituar me këto kushtëzime të padrejta. Safet Hoxha, për "Kosova Sot", tha se kushtëzimi i regjistrimit të makinave me forma të tjera të pagesave, si për bartje pronësie apo ndonjë lloj tjetër takse, është antiligjor dhe një cenim i të drejtave dhe lirive të njeriut. "Ngase obligimet që dalin apo burojnë nga marrëdhëniet kontraktuale janë konteste civile dhe assesi ato nuk mund të interferojnë në liritë e njeriut që të shfrytëzojnë të drejta publike që burojnë nga ligjet e veçanta", shpjegoi ai.

Arbitrariteti shtetëror

Sipas Hoxhës, kjo formë e mbushjes së buxhetit është në një formë e pastër e shfrytëzimit të arbitraritetit shtetëror dhe është formë e një dhune që është e sistemuar mbi bazën e një performace dhe fuqisë politike që kanë. "Sepse tagri i pushtetit ka krijuar mundësinë që të krijohet relacione të tilla. Por, obligimet kontraktuale duhet të ushtrohen përmes kontesteve civile dhe në asnjë mënyrë përmes ushtrimit të presioneve dhe kushtëzimeve çfarë janë duke ndodhur tani në Kosovë", vijoi më tej ai."Nga ajo që kam parë, Avokati i Popullit ka bërë një reagim publik kundër një sjellje të tillë të institucioneve publike dhe nuk dyshoj që nuk do të veprojë edhe më tej me instrumentet e tija ligjore ndaj ne, si qytetarë, mbetet për të parë se cilat kanë me qenë efektet e veprimit të tij. Thënë troç, kjo formë e regjistrimit të automjeteve përmes kushtëzimeve duhet abstrahohen, ngase shtesat si janë tatimi në pronë dhe bartje e pronësisë janë ngarkesa barrë dhe antikushtetuese, sepse një varg të drejtash civile janë të garantuara edhe për të burgosurit dhe për personat me një gjendje jo të mirë materiale", vlerësoi Hoxha. Ndërsa, qytetari Albert Sutaj tha për "Kosova Sot" se forma e tashme e regjistrimit të automjeteve me bartje pronësie është qëllim i mbushjes së buxhetit nga ana e qeverisë. "Por, forma se si po aplikohet kjo është një precedent ligjor që duhet të analizohet nga ekspertët", u shpreh ai "Kjo nuk është formë e drejtë, sepse ky është një maltretim i qytetarëve dhe rendet e gjata para sporteleve për regjistrim automjetesh na tregojnë se këtu nuk ka një funksionim të mirë të Administratës së shtetit. Ngase kushtëzimet nga ana e qeverisë e bëjnë që qytetarët tanë të enden nga një zyrë në tjetrën për një dokument, në mënyrë që të grumbullon ato dokumente nga kushtëzimet që u janë bërë", vijoi më tej Sutaj.

Qytetarët të reagojnë ndaj zhvatjeve

Eksperti i integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën "Kosova Sot" tha se vërtet është për keqardhje se si kjo qeveri po synon që ta mbushë buxhetin e vet duke e rënduar edhe më shumë jetën e qytetarëve të saj."Dyshoj se me liberalizimin e vizave Kosova do të zbrazet në mënyrë masive, sepse këtu është bërë jeta e padurueshme, kurse këtë e kanë bërë këta zyrtarë të lartë, sidomos kjo qeverisje, që është qeverisja më e dobëta në kontinent", u shpreh ai."Në këtë mënyrë do të fillojë të rëndohet korrupsioni i llojit të hapur si ai i penalltisë së" BectelEnka", prej 53 milionë euro, si edhe shumë miliona që po shpërndahen nëpër tenderë. Prandaj qeveria po krijon këso lloje të shkeljeve të ligjit, duke i shkelur të drejtat e njeriut. Andaj, mendoj se qytetarët derisa nuk reagojnë në mënyrë më të egër do të përballen me këto lloje të zhvatjeve", vlerësoi ai."Në kushte normale janë qytetarët ata që duhet ta rrëzojnë qeverinë dhe presidentin që është një figurë tragjike për kombin. Prandaj, Kosovës i duhet një demonstratë gjithëpopullore që të rrëzohet kjo qeveri dhe presidenti", potencoi Kelmendi. Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare juristi Blerim Burjani, për gazetën "Kosova Sot", tha se shteti duhet që t'ua lehtësojë jetën qytetarëve, duke i përkrahur ata për realizimin edhe të të drejtave dhe obligimeve që kanë, sepse është e papranueshme kushtëzimi i një të drejte për realizimin e një të drejte tjetër, prandaj realisht kjo dukuri po bëhet duke shfrytëzuar mekanizma imponues."Problemi kryesor i mbetet kësaj qeverie të dobët dhe analfabetike, të paaftë politikisht dhe e varur nga votat e PDK-së dhe Listës Serbe", theksoi Burjani.

(Kosova Sot)