Skandali i pagave shkakton KRISJE NË QEVERINË 'HARADINAJ' (Foto/Video)

  • 23 June 2018 - 08:05
Skandali i pagave shkakton KRISJE NË QEVERINË 'HARADINAJ' (Foto/Video)

PAS KRITIKAVE NGA BE-JA, PASON VEPRIMI I SHEFIT TË FINANCAVE TË SHTETIT

Ministri i PDK-së refuzon rritjen e imponuar nga kryeministri dhe lideri i AAK-së

"Nëse dëshiron ministri i Financave, Bedri Hamza, të jetë burri më i mirë i Qeverisë dhe Kosovës, le të ndihmojë të përshpejtohet Ligji për nivelimin e pagave, por qasja e tij nganjëherë është e pakuptimtë... Është një vendim që do të jetë përkohësisht, pasi pastaj do të pasojë Ligji për nivelimin e pagave, i cili do t'i inkorporojë të gjithë ata që paguhen nga buxheti i shtetit", tha Haradinaj

Analistë të politikës dhe qytetarët tanë janë të mendimit se Qeveria e Kosovës do të detyrohet më në fund që, në mënyrë të turpshme, të tërhiqet nga vendimi për rritjen e pagave. Ndërkaq ata thonë se kjo tërheqje e qeverisë do të ndodhë për shkak të ndërhyrjes dhe kundërshtimit edhe nga përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, zonjës Apostolova, pavarësisht interpretimit pozitiv, por që vlerësohet të jetë një vendim korruptiv dhe i manipuluar nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar u sfidua edhe nga ministri i Financave, Bedri Hamza. Kryeministri Ramush Haradinaj e cilësoi të pakuptimtë qëndrimin e ministrit Hamza, i cili refuzon ta pranojë pagën me rritje. "Nëse dëshiron ministri i Financave, Bedri Hamza, të jetë burri më i mirë i Qeverisë dhe Kosovës, le të ndihmojë të përshpejtohet Ligji për nivelimin e pagave, por qasja e tij nganjëherë është e pakuptimtë", tha Haradinaj. Ai theksoi se vendimi për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar do të jetë i përkohshëm, deri në miratimin e Ligjit për nivelimin e pagave. Kjo deklaratë e kryeministrit Haradinaj vjen një ditë pasi shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova, ka kërkuar që vendimi për rritjen e pagave të tërhiqet dhe të pritet miratimi i ligjit të ri për pagat."Vlerësimi i BE-së për rritjen e pagave është një vlerësim me rëndësi. Ne kemi dialog të hapur me BE-në, megjithatë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ky vendim tani është i pashmangshëm. Është një vendim që do të jetë përkohësisht, pasi pastaj do të pasojë Ligji për nivelimin e pagave, i cili do t'i inkorporojë të gjithë ata që paguhen nga buxheti i shtetit", tha Haradinaj gjatë një konference me gazetarë pas mbledhjes së Qeverisë.

Presioni evropian do të japë rezultate

Analisti politik Arsim Haziri tha për "Kosova Sot" se vendimi për tërheqje ndaj ligjit për rritje pagash do të ndodhë, pasi intensiteti i ndërhyrjes evropiane është i madh. "Kjo qeveri njëmend ka treguar një degjenerim të madh dhe kjo çfarë ka ndërmarr ia ka treguar fytyrën e vërtetë, fytyrën e një pushteti ku më shumë merr angazhim institucional për vetë kabinetin e saj sesa për trupin publik. Politika jonë aq e padrejtë dhe asociale, gjithnjë ka treguar tërheqje kur aty është kyçur ndikimi evropian dhe ky presion konsideroj se është i drejtë mbase ekonomia jonë si shtet nuk është në gjendje të përballojë një rritje të tillë", u shpreh ai."Kosova aktualisht gjendet para disa proceseve të rëndësishme (procesi i mbështetjes së konsolidimit të brendshëm si dhe ai i liberalizimit) dhe presionit evropian assesi nuk guxojnë t'i bëjnë rezistencë", ka thënë Haziri. Ndërsa juristi Blerim Burjani për "Kosova Sot" tha se është skandaloze veprimi i kësaj qeverie. "Ja çka ka votuar qytetari i vendit, pra ka votuar njerëz zhvatës, përfitues, përderisa të gjitha problemet mbeten kurse pagat kërkon që t'i rritë me çdo kusht, ky është absurdi më i madh i mundshëm i këtij njeriu me një kallaballëk analfabetësh në shërbim, kjo është pa pjekuria dhe në fund mungesa edhe morali përveç shumë gjerash tjera", vlerësoi ai. "As BE-ja, nuk mundi që t'i ndalë zhvatësit, ngase këta zhvatës kanë vetëm një ide dhe ajo është që të përfitojnë dhe këtu është fundi", potencoi Burjani. Analisti i fushës së integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për gazetën "Kosova Sot" tha se nuk ka asnjë dyshim se Ligji për pagat po zvarritet qëllimisht, sepse pas miratimit të këtij ligji më nuk do të mund të abuzonte askush me pagat dhe do të vihej rregull në këtë aspekt. "Jam i bindur se për shkak të ndërhyrjes dhe kundërshtimit të ashpër edhe nga përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, që e bëri ditë më parë zonja Apostolova, pavarësisht interpretimit pozitiv, por që vlerësohet se është një vendim korruptiv dhe i manipuluar nga ana e Gjykatës Kushtetuese, jam i mendimit se Qeveria 'Haradinaj' do të detyrohet që më në fund në mënyrë të turpshme të tërhiqet nga vendimi i saj për rritjen e pagave", vlerësoi ai. "Kam frikën se vendimi i njëanshëm nga qeveria për rritje rrogash për vete do të ndikojë tepër negativisht në vendimin e Evropës për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. Prandaj kjo çështje edhe e shtron pyetjen se përse është problem për një qeveri për ta bërë një ligj për pagat dhe pushtetarët bëhen turpi i botës me rritjen e pagave që janë më të lartat në rajon , ndërkaq që Kosova është më e varfra në rajon?", ka thënë më tej Kelmendi.

Qytetarët shumë të irrituar, por nuk protestojnë

Qytetarët janë shumë të pakënaqur me vendimin për rritjen e pagave të pushtetarëve. Naim Bajrami, ish-kryetari i Sindikatës së Arsimit fillor e të mesëm në komunën e Podujevës për gazetën "Kosova Sot" tha se ky ka qenë vendimi më i turpshëm që e ka dëgjuar që e ka marrë ndonjë udhëheqës i pasluftës në Kosovë. "Ajo që mua po më habitë është fakti se përse nuk po ka presion nga ana e qytetarëve, sepse në vendet e zhvilluara për një ngritje tillë të pagave njerëzit do të dilnin në rrugë kurse tek ne për çudi nuk ka protesta dhe manifestime të tilla kundër një vendimi të tillë aq më tepër kur ne e dimë se çfarë gjendje e mjerueshme mbretëron në Kosovë ku ka familje 6 anëtarësh që jetojnë me vetëm dy euro në ditë", u shpreh ai. "Ky ishte një vendim skandaloz që gjithsesi duhet që të tërhiqet nga Qeveria 'Haradinaj'. Por, edhe nëse vazhdohet me këtë presion që ka filluar në opinion vendimi do të tërhiqet, por në mënyrë të turpshme ose duhet paditur edhe në Gjykatën Kushtetuese, sepse kjo është skandaloze, sepse gjykata nuk ka nxjerrë vendim, por vetëm ka dhënë një sugjerim", vijoi më tej Bajrami. Ndërsa Migjen Shala, këshilltar i Kuvendit Komunal të Prishtinës nga PDK-ja, për gazetën "Kosova Sot" tha se sa i përket rritjes së pagave, qeveria duhet të miratojnë draftligjin për rritje pagash. "Unë jam kundër kësaj forme të rritjes së pagave në këtë mënyrë dhe në këto kushte është e papranueshme dhe e turpshme", ka vlerësuar ai për "Kosova Sot".



(Kosova Sot)