Gjyqësori, i ndikuar nga politika e inkriminuar dhe nëntoka kriminale (Video)

  • 25 June 2018 - 07:40
Gjyqësori, i ndikuar nga politika e inkriminuar dhe nëntoka kriminale (Video)

VËREJTJET E AMBASADORIT AMERIKAN PËR POLITIZIMIN E DREJTËSISË

Javën që mbeti pas, ambasadori amerikan, Delawie, sërish ka alarmuar për politizimin, ndikimin e interferimin dhe për korrupsionin e thellë në sistemin e drejtësisë kosovare, duke theksuar se është tepër i shqetësuar me ndikimin politik në sistemin e drejtësisë, duke thënë se Kosova ka të ardhme evropiane vetëm nëse gjykatat janë të pavarura te pandikuara dhe të pakorruptuara. Një shqetësim të tillë e konsiderojnë tepër të drejtë, madje edhe si kërkesë për depolitizimin e këtij sistemi, edhe analistët politikë vendorë dhe qytetarët, sipas të cilëve janë pikërisht politizimi e ndikimi i skajshëm dhe inkriminimi i politikës dhe sistemit te drejtësisë, që po e mbajnë peng luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë dhe i lë të lirë të ashtuquajturit 'peshq të mëdhenj'. Për këtë pasojë, sipas analistëve, Kosova po kalon periudhën më të vështirë që nga paslufta, pasi të gjithë kameleonët e politikës kosovare janë bërë bashkë, për të shuar përkohësisht shpresat e shoqërisë, për një pastrim të institucioneve nga elementët kriminalë. Sipas tyre, përderisa gjyqësori është i ndikuar nga politika e inkriminuar dhe nëntoka kriminale, elementet kriminale që po forcohen çdo ditë do të vazhdojnë të jenë "mbi ligjin" prej nivelit lokal e deri tek ai qendror, në kompani publike e agjenci të pavarura, në shërbimin diplomatik e në jetën politike, në Kuvend apo ekzekutiv, nuk mund të flitet për drejtësi dhe shtet të së drejtës. Për shkak të ndikimit të thellë të politikës në drejtësi, sipas analistëve ka dështuar tërësisht sistemi i drejtësisë për të zbatuar ligjin dhe për të treguar se para ligjit secili do të japë llogari një ditë, pa marrë parasysh se kryetar të cilës parti apo ministra të kujt janë personat që kanë shkelur rëndë ligjin. Analistët deklarojnë se për të gjitha këto 20 vite në Kosovë, me këtë drejtësi të padrejtë, e kanë pësuar vetëm qytetarët e zakonshëm, ata që nuk kanë krah politik, që nuk janë pjesë e klaneve apo klientelave të mafio-oligarkëve të inkriminuar, prandaj është pikërisht kjo arsyeja se pse besimi në sistemin e drejtësisë është zero.

Shteti në duart e bandave

Analisti politik Reshat Badallaj tha për "Kosova Sot" se ambasadori amerikan ka pasur mjaft fakte për të kritikuar. "Ka shumë të drejtë ambasadori amerikan Delawie që alarmon për korrupsionin e thellë në sistemin e drejtësisë. Unë personalisht gjithmonë e kam quajtur këtë sistemi i kalbur i drejtësisë... Por, mbi të gjitha faji qëndron në kryebanditët, banditët e majave të shtetit, bandave politike dhe atë qoftë të pozitës, qoftë të opozitës, se kjo bandë vagabondësh e kanë shkatërruar edhe drejtësinë në Kosovë", theksoi më tej ai. 

Politikanët e blenë gjyqësinë

Edhe analisti Shefik Shkodra pohon se tanimë e kemi shumë të qartë që ambasadori amerikan e di krejt gjendjen në Kosovë. "Ambasadori Delawie dhe të gjithë ambasadorët e dinë më mirë se ne si janë lidhur të gjithë për krimin, korrupsionin dhe nepotizmin. Ata e dinë se si ky popull është i izoluar dhe i pashpresë për një të ardhme. Pikërisht fajtorët kryesorë janë ata që po bëjnë politikë jashtë kornizës shtetërore, ata që kanë vu dorë në drejtësi. Ata gjyqësinë e kanë blerë dhe e kanë paralizuar për të mos ndjekur personat e korruptuar, përgjegjës kryesorë janë vetë ata në institucione përgjegjëse. Në një mënyrë haptazi e tregojnë veten mbi ligjin", u shpreh ai."Korrupsioni nuk luftohet me personat që e kanë dëmtuar me nga 100, 200 euro. Ata që duhet të ndiçen janë me miliona. Po besimi në ligjin dhe shtetin ka humbur, kuptohet me këta që janë të korruptuar kaherë. Këtyre tipave që po përpiqen të jenë të përjetshëm në politikë (demek 'specialista'), u vardisur shumë kameleonë , shumë të rrezikshëm, për interesa të tyre i ndihmojnë, u ndihmojnë shefat e tyre për vijuar veprën më tej", vlerësoi Shkodra për "Kosova Sot". 

Nëntoka përmbi ligjin

Po aq të drejtë i jep ambasadorit amerikan edhe analisti Bislim Aliu. Ai thotë se këtë shqetësim Delawie e ngre vetëm nga fakti se ai është përkrahës i madh i politikës realiste kosovare. "Ai sërish ka paralajmëruar për politizimin, ndikimin dhe për korrupsionin e lartë në sistemin e drejtësisë kosovare. Dhe, për këtë ka theksuar se është tepër i shqetësuar, me ndikimin politik në sistemin e drejtësisë kosovare, duke potencuar se Kosova ka të ardhme evropiane vetëm nëse 'gjykatat janë të pavarura, të pandikuara dhe të pakorruptuara", u shpreh ai. "Ndaj, pikërisht politizimi dhe ndikimi i skajshëm i politikës në sistemin e drejtësisë po e mbajnë peng luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë, duke i lënë të lirë të ashtuquajturit 'peshqit e mëdhenj'. Kosova për këtë po kalon periudhën më të vështirë që nga paslufta, pasi të gjithë kameleonët e politikës kosovare janë bërë bashkë, për të shuar shpresat e shoqërisë dhe kërkohet pastrimi i institucioneve nga elementet kriminale", vijoi më tej Aliu për "Kosova Sot". Sipas tij, përderisa gjyqësori është i ndikuar nga politika e inkriminuar, nëntoka kriminale do të vazhdojë të jetë 'mbi ligjin', prej nivelit lokal e deri tek ai qendror, në kompani publike, agjenci të pavarura, në shërbimet diplomatike, në Kuvend apo në ekzekutiv.

KELMENDI: ME URAN ISMAILIN MINISTËR VETËM KEMI KRIJUAR NJË ÇRREGULLIM TOTAL NË SHËNDETËSI

Ndërsa prof. Muhamet Kelmendi konstaton se jo vetëm drejtësia është e kapur nga politika kriminale, por është i gjithë shteti. Sipas tij, kreatori i një politike të tillë të rrezikshme është vetë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me grupin e tij të mbështetësve që punojnë në dëm të Kosovës."Rreziku për Republikën sa vjen e po thellohet. Kjo po krijohet edhe në raport me shtetin serb dhe atë malazez, sikundër edhe nga punët e pakryera brenda vendit, ku kemi krimin e korrupsion në përmasa alarmante. Në raport me shtetin serb janë shumë marrëveshje të bëra dhe të cilat pothuajse e kanë paralizuar sovranitetin e Republikës, sikundër edhe ka ndikuar në rritjen krimit nëpërmjet veriut të Kosovës dhe kriminelëve të shumtë të amnistuar. Po kështu, kjo do të thellohet edhe me asociacion, i cili do të ketë kompetenca të autonomisë territoriale etj. Në kuadër të funksionimit të brendshëm të shtetit, kemi në vazhdimësi ngecje të zhvillimit, ngecje të fuqizimit të shtetit të së drejtës dhe kemi rritje të papunësisë, të rrezikimit të skajshëm të gjendjes shëndetësore dhe sociale të masave qytetare", u shpreh ai. "Me Uran Ismailin ministër vetëm kemi krijuar një çrregullim total në shëndetësi. Shëndetësia ka ecur si gaforrja dhe ku fakt aty as gjërat më elementare nuk ekzistojnë. Gjendja është e rëndë edhe në fushën sociale. Ndihmat janë të njëjta si para 10 vjetësh. Pensioni i pleqërisë është vetëm 75 euro. Në të gjitha institucionet e vendit edhe më tutje vazhdojnë korrupsioni dhe krimi i organizuar. Organet e ndjekjes dhe të luftimit të veprave penale janë të paafta dhe nuk kanë guxim të luftojnë këto veprimtari. Vazhdon të udhëhiqet policia nga njerëzit me të kaluar të dyshimtë. E njëjta gjendje është edhe në prokurori dhe nëpër gjykata. Këtyre iu kanë rritur të ardhurat, por puna dhe rezultatet e punës kanë mbetur të njëjta. Ata janë të kapur thjesht që të gjithë nga pushteti i kriminalizuar. Republika është e rrezikuar nga jashtë dhe nga brenda, por kryesisht nga njerëzit e pushtetit, të udhëhequr nga z. Thaçi. Ky rrezik do të vazhdojë dhe ka gjasa që në kuptimin e një republike unike dhe të pandarë, me bisedimet e Thaçit me Vuçiqin në Bruksel do të marrë fund. Me Asociacion kulturor dhe autonom uniteti i Republikës shkatërrohet dhe natyrisht se Republika ndryshon në tërësi", ka vijuar Kelmendi për "Kosova Sot".

GURAZIU: DERISA GJYQËSORI TË MBETET I KAPUR NGA KTHETRAT E POLITIKËS, NUK MUND TË SHPRESOJMË PËR NJË DREJTËSI PROFESIONALE

Sipas analistit politik Ragip Guraziu, luftimi i korrupsionit, gjykatat e pavarura të pandikuara e të pakorruptuara dhe lufta kundër krimit po e pengojnë Kosovën nga e ardhmja evropiane."Me të drejtë edhe ambasadori amerikan, Delawie, sërish ka alarmuar për politizimin, ndikimin e interferimin dhe për korrupsionin e thellë në sistemin e drejtësisë kosovare. Ai theksoi se është tepër i shqetësuar me ndikimin politik në sistemin e drejtësisë, duke thënë se Kosova ka të ardhme evropiane vetëm nëse gjykatat janë të pavarura, të pandikuara dhe të pakorruptuara. Është pikërisht politizimi e ndikimi i skajshëm dhe inkriminimi i politikës dhe sistemit të drejtësisë që po e mban peng luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë dhe i lë të lirë të ashtuquajturit 'peshq të mëdhenj', që po kalon sot Kosova periudhën me të vështirë që nga paslufta, pasi të gjithë kameleonët e politikës kosovare janë bërë bashkë, për të shuar përkohësisht shpresat e shoqërisë, për një pastrim të institucioneve nga elementët kriminalë", tha Guraziu për "Kosova Sot". Sipas tij, derisa gjyqësori të mbetet i kapur nga kthetrat e politikës, nuk mund të flasim e aq më pak të shpresojmë për një drejtësi efektive, të drejtë dhe profesionale. "Përderisa gjyqësori është i ndikuar nga politika e inkriminuar dhe nëntoka kriminale, elementet kriminale që po forcohen çdo ditë do të vazhdojnë të janë "mbi ligjin" prej nivelit lokal e deri tek ai qendror, në kompani publike e agjenci të pavarura, në shërbimin diplomatik e në jetën politike, në Kuvend apo ekzekutiv. Tani kemi dështuar tërësisht në sistemin e drejtësisë për të zbatuar ligjin dhe për të treguar se para ligjit secili do të japë llogari një ditë, pa marrë parasysh se kryetarë të cilës parti apo ministra të kujt janë personat që kanë shkelur rëndë ligjin, e që kanë pësuar për këto gati 2 dekada vetëm qytetarët e zakonshëm, ata që nuk kanë krah politik, që nuk janë pjesë e klaneve apo klientelave të mafiooligarkëve të inkriminuar", tha Guraziu.

Qytetarët kërkojnë depolitizim të sistemit

Qytetarët e anketuar nga gazeta mendojnë se janë pikërisht politizimi e ndikimi i skajshëm dhe inkriminimi i politikës dhe sistemit të drejtësisë, që po e mban peng luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë dhe i lë të lirë të ashtuquajturit 'peshq të mëdhenj', prandaj është më se e domosdoshme dhe emergjente që politika të heqë dorën e ndikimit nga drejtësia. Qytetari Abdyl Pllana thotë se depolitizimi i sistemit të drejtësisë është çështje emergjente, sepse Kosova ka humbur jashtëzakonisht shumë në perspektivën evropiane nga kapja e këtij sistemi nga politika. "Këdo që sot do ta pyesësh, çdo gjeneratë që e pyet, ka për të dërguar që vendi në këtë drejtim po çalon më së shumti në shtetin tonë, prandaj po them që kjo është një çështje tepër emergjente që të pavarësohet drejtësia krejtësisht nga politika. Të gjithë jemi dëshmitarë se sa po zvarriten këto probleme vazhdimisht, pasi që drejtësia nuk po i kryen punët e fetë sikur që është e paraparë me ligj e Kushtetutë. Për këtë fakt po e them që është çështje tepër emergjente që të fillon së funksionuari shteti në mënyrë të drejtë, me ligj, e drejtësia të pavarur dhe e pandikuar nga politika", theksoi Pllana për "Kosova Sot". Një kërkesë të tillë e ka edhe qytetari Avni Zhegrova."Unë mendoj që drejtësia duhet të funksionon krejtësisht e pavarur, e pandikuar nga politika dhe kushdo qoftë tjetër që mund të ketë reflektim negativ në drejtësi, duhet që të ndiqen dhe të ndëshkohen të gjithë ata që kanë bërë veprime të paligjshme, që kanë bërë punë të këqija dhe me të cilët nuk është i kënaqur populli i Kosovës. Ata duhet të dalin para drejtësisë për shkeljet e tyre ligjore dhe duhet me i heq, duhet me i kap të gjithë ata që kanë përgjegjësi, që janë fajtorë për këtë gjendje në të cilën jemi, e që kemi mundur të jemi edhe më mirë, edhe si situatë, por edhe populli ka mundur të jetë në gjendje më të mirë, ekonomike, sociale etj., të gjithë kanë mundur të jenë më të kënaqur sesa që janë sot", u shpreh ai. "Ata që kanë ndikuar në këtë ngecje me shkeljet e tyre ligjore, ata duhet të ndiqen, duhet të kapen sa më shpejt ata që kanë bërë vepra penale e kriminale, që nuk kanë punuar për interesin e këtij populli dhe të këtij vendi. Drejtësia duhet t'i zërë dhe t'i burgosë, ta marrin ndëshkimin që e meritojnë. Duhet të vijnë në vendin e tyre njerëz të tjerë, që nuk punojnë keq, por që angazhohet seriozisht për të mirën e popullit dhe të shtetit, për të gjithë qytetarët pa dallim", tha Avni Zhegrova për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)