Dialogu të kushtëzohet, Kuvendi TË NDALË AVENTURËN E THAÇIT (Video) - TV - Kosova Sot
Dialogu të kushtëzohet, Kuvendi TË NDALË AVENTURËN E THAÇIT (Video)

Dialogu të kushtëzohet, Kuvendi TË NDALË AVENTURËN E THAÇIT (Video)

ALARMOJNË ANALISTËT DHE QYTETARËT: BISEDIMET KOSOVË-SERBI, NË DUART E NJË LIDERI QË NUK I BESON ASKUSH

Shkodra: Hashim Thaçi nuk bën që të vijojë me këto biseda më, si pazare private!

"Mendoj që e gjitha kjo është një sjellje e aspektit djallëzues nga ana e tij, në bashkëpunim edhe me piunët e tij, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli, dhe e gjithë kjo bëhet në marrëveshje mes tyre, për ta dhënë interesin e Kosovës në hipotekë dhe për të shpëtuar kokën e Hashim Thaçit dhe të dy apo tre vetave që mund të jenë ndër të akuzuarit nga Gjykata Speciale. Të gjitha deklaratat e tij të deritashme për kompromis janë të turpshme, antishqiptare, sepse nuk ka dhe nuk mund të ketë marrëveshje historike me Serbinë derisa Serbia nuk i paguan dëmet e luftës që i ka bërë ndaj Kosovës, derisa nuk e zbardh fatin dhe nuk i kthen të gjitha viktimat e luftës, të pagjeturit deri në një, dhe derisa nuk kërkon falje për krimet e luftës që janë bërë kundër Kosovës. Pra, janë këta tre hapa që duhet të bëhen nga ana e Serbisë para se të futemi në negociata për t'u marrë vesh", thotë analisti Jeton Kelmendi për "Kosova Sot" 

Analistët politikë dhe qytetarët po vazhdojnë të kontestojnë legjitimitetin e Hashim Thaçit, në cilësinë e presidentit të paautorizuar nga Kuvendi, për të negociuar me Serbinë rreth të ashtuquajturës marrëveshje historike për pajtim mes dy shteteve, por që gjithmonë në retorikën e tij, duke ripërsëritur e kompromisin e dhimbshëm që duhet të bëhet nga të dyja palët, e që të vërtetën e këtij kompromisi nuk po e di askush, e që mbase mund ta dijë madje vetëm ai, por e mban sekret për vete. Në opinionin publik gjithandej edhe te politika, edhe të analistët dhe qytetarët shtrohet si një pyetje gjenerale, kë po e përfaqëson Hashim Thaçi kur vazhdimisht po deklaron se Kosova është gati për kompromise me Serbinë?! Në fakt, sipas analistëve, si dhe pse po tallet Hashim Thaçi me popullin, por edhe me të gjitha partitë politike, të cilat as idenë nuk e kanë se si ta ndalojnë Hashim Thaçin që të mos udhëheq bisedimet fatale e finale me Serbinë, kur ai publikisht dhe paraprakisht deklaron se Kosova është e gatshme për kompromise?! Një gjë që nuk duhet të ndodhë, sipas analistëve, por edhe sipas qëndrimeve dhe kërkesave të qytetarëve, është që meshtetin serb as nuk duhet të provohet të bëhet marrëveshje historike dhe me kompromise pa u detyruar Serbia që të paguajë dëmet e luftës, por edhe që të dorëzojë të gjithë të pagjeturit, të cilët e di vetëm shteti serb se ku i ka dërguar, ku i ka fshehur mijëra viktima të qytetarëve të pafajshëm, të vrarë e të masakruar gjatë luftës. Një kompromis të tillë,sipas analistëve, nuk duhet ta lejojnë pikë së pari as deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët duhet sa më parë të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar lidhur me fazën e re të dialogut me Serbinë dhe platformën shtetërore të Kosovës për këtë proces dhe jo të lejojnë që Thaçi të bëjë pazare e kompromise të rënda për Kosovën dhe qytetarët,vetëm e vetëm për të përfituar vetë nga Serbia, respektivisht për ta shpëtuar veten nga Gjykata Speciale, duke mos e detyruar Serbinë të paguajë dëmet e luftës dhe të dorëzojë të pagjeturit kosovarë. 

Kuvendi, në duart e bandave

Analisti Reshat Badallajt thotë se një përgjegjësi të madhe e ka edhe Kuvendi, që përveç zërave kritikë të disa deputetëve dhe grupeve parlamentare, si shprehje e opinioneve politike, nuk ka veprime praktike për ta ndaluar presidentin në rrugën e gabuar. "Hashimi i Brojës tani është në siklet të madh dhe do t´ia lërë kopilin në derë të gjitha bandave tjera, por serish do të dëshirojë të jetë bajraktar. Ky njeri dredharak me besoni se është i sëmurë për të qenë i pari. Në Rambuje me dredhi u bë bajraktar. Ç´është e vërteta, patjetër është dashur që vetëm nga UÇK-ja të jetë bajraktar, por jo këta të "ROGNERIT", pra jo hajnat dhe assesi Hashimi i Brojës. Pastaj në Vjenë serish ky bajraktar, si edhe në shpalljen e Pavarësisë si ia trusi me dredhi Fatmir Sejdiut dhe tani ky njeri i sëmurë për të qenë i pari sërish do të jetë i pari me Aleksandar Vuçiqin, që tinëzisht ka ngrënë dreka e darka. Por ama kopilin do t´ua lërë në derë të tjerëve dhe në fund të thotë ne pranuam të gjithë bashkë. Ky është një matrapaz shumë i rrezikshëm. Po të donte populli do t'ia zinte derën, e kam fjalën me protesta të fuqishme, ama gjithëpopullore dhe do t´i thoshte se nuk bën kështu, mirëpo populli po hesht, ka rënë në gjumin letargjik, se i shkreti nuk ka faj duke e parë politikën e mbrapshtë të këtyre hajnave", u shpreh ai për "Kosova Sot". Sipas tij, e keqja më e madhe është se Kosova nuk ka as Kuvend, në fakt ky Kuvend është i mbushur plot e përplot me rrugaçë, banditë, hajna dhe matrapazë. Ndërsa profesor Muhamet Kelmendi vlerëson se deri më tani Kosova ka bërë shumë kompromise, madje jashtë normave kushtetuese, duke pranuar dhe ratifikuar Kuvendi një numër të marrëveshjeve të nënshkruara nga Thaçi, e të cilat janë tipike antikushtetuese dhe nuk duhet lejuar për të vazhduar tutje."Kjo nga fakti se ato marrëveshje rregullojnë sistemin politiko-shoqëror të brendshëm të Kosovës, gjë që janë antikushtetuese dhe tërësisht të ndaluara. Në fakt, për ato marrëveshje, si Marrëveshja me gjykatat, për rrymën, për prokurorinë, për amnistimin e kriminelëve dhe marrëveshja për Asociacion. Të gjitha këto janë antikushtetuese, sepse ato janë çështje të brendshme të Republikës, e ku nuk diskutohen me shtetet e tjera. Por, në Kosovë kemi të bëjmë me pushtet shumë të varur, tipikisht jofunksionale dhe ku po shërbehen për interesa personale të grupeve të veçanta, përkatësisht të klanit PRONTO", theksoi ai."Këtu me të drejtë shtrohet pyetja kë e përfaqëson z. Thaçi? Shikuar në bazë të Kushtetutës, nenit 84, paragrafi 7, z. Thaçi nuk ka të drejtë të kontaktojë fare me shtetin serb për çështje të sistemit të brendshëm të Kosovës. Ai këtë po e bën në kundërshtim me ligjin dhe natyrisht se nuk e përfaqëson Republikën, por personalisht vetveten… Hashim Thaçin. Kjo është reale në raport me Serbinë. Me shtetin serb duhet të diskutohen vetëm raportet ndërshtetërore", vijoi më tej Kelmendi."Parimet e së drejtës ndërkombëtare dihen. Ato janë: 1. Mospërzierja në punët e brendshme, 2. Respektimi i pavarësisë dhe i sovranitetit e të integritetit territorial, 3. Respektimi i parimeve ndërkombëtare dhe 4. Reciprociteti. Këto janë parimet mbi të cilat është ndërtuar neni 84, paragrafi 7, i Kushtetutës, kur ka sanksionuar si detyrë të presidentit marrëveshjet ndërkombëtare. Me këtë nuk kuptohen çështjet e brendshme të sistemit. Ato janë të ndaluara për presidentin", tha prof. Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

"Kuvendi nuk duhet të lejojnë që Thaçi të bëjë pazare e kompromise të rënda për Kosovën dhe qytetarët, vetëm e vetëm për të përfituar vetë nga Serbia, respektivisht për ta shpëtuar veten nga Gjykata Speciale, duke mos e detyruar Serbinë të paguajë demet e luftës dhe të dorëzojë të pagjeturit kosovarë", tha Ragip Guraziu për "Kosova Sot"

QARRI: SERBIA DUHET DETYRUAR QË TË PAGUAJË DËMET E LUFTËS

Analisti Gani Qarri tha për "Kosova Sot" se presidenti është shumë kontrovers dhe nuk mund t'i besohet për asgjë në këtë proces."Vetëm para dy-tre vjetësh, Hashim Thaçi deklaronte me pompozitet se kinse do ta padiste Serbinë për krime lufte në Kosovë, ndërsa dy-tre vite më vonë i njëjti politikan kontrovers, në vend se të ngrejë padi kundër këtij ish-shtet pushtues për dhunë, terror dhe gjenocid mbi popullsinë autoktone shqiptare, ai tanimë ka zgjedhur jo vetëm gjuhën e mirëkuptimit, por edhe deklarohet hapur e pa droje se kinse Kosova na qenka e gatshme edhe për kompromis, pas gjithë atyre vuajtjeve, vdekjeve dhe mbi 1600 trupave ende të pakthyer edhe 19 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë. Megjithëse përderisa flet kështu, ende nuk dihet saktësisht së kë në fakt e përfaqëson Hashim Thaçi, kur kihet parasysh se nga 17-19 mijë veteranë, sa duhej të ishin, me sugjerimet e klanit 'Pronto' dhe ndihmën e partisë, të cilën edhe në prapavijë, ende ai e udhëheq, ka shtuar numrin e tyre gati në 50 mijë sosh, për kompromiset e ideuara, sado të dhembshme qofshin për Kosovën,Thaçi jo vetëm se llogarit në përkrahjen e tyre, por ka gjasa që ato edhe mbështeten nga veteranët e lekëve dhe familjet e tyre të blera me paga mujore", u shpreh ai."Ndaj, kjo që kohët e fundit Hashim Thaçi vazhdimisht deklaron se Kosova është gati për kompromise me Serbinë, ka një bazë dhe nuk është krejtësisht shprehje e thatë, apo vetëm tallje me popullin dhe partitë politike, por një pjesë e realitetit të hidhur, e cila njëjtë si Demarkacioni aq shumë i kundërshtuar nga shumica e shqiptarëve, me Malin e Zi, mund të shitet si nevojë, tanimë jo për heqjen e vizave, të cilat megjithatë mbeten siç ishin, por për interesat e "mbijetesës" së shtetit të Kosovës dhe pranimit të saj në OKB. Kjo kuptohet lehtë edhe nga reagimet e afshëta dhe spontane, pa kundërshtime të forta dhe të paorganizuara kombëtarisht, fakt që lë të dyshohet se me gjithë ndonjë kundërshtim gojor, edhe partitë tjera pajtohen në heshtje apo kanë humbur rrugën në oborr dhe nuk e kanë më idenë se si ta ndalojnë Hashim Thaçin që të mos i udhëheq edhe më tej bisedimet, as të lejohet në lëshimet fatale, të propaganduara nga Thaçi si kompromise të nevojshme, për marrëveshje finale edhe pse ai publikisht dhe paraprakisht deklaron 'kokë më vete' se Kosova është e gatshme për kompromise me Serbinë", shtoi më tej Qarri."Ndaj çudit fakti se jo vetëm partitë, por edhe deputetët e katapultuar nga to në Parlament nuk tranden fare, nuk mërziten as trazohen për rreziqet që i kanosen vendit, ngase shihet katërçipërisht se ata janë deputetë të parasë dhe nuk organizojnë qoftë edhe një seancë të vetme të Kuvendit për të thirrur Thaçin në interpelancë parlamentare, që t`ua shpjegojë atyre dhe popullit të Kosovës se si dhe në ç`mënyrë mund të bëhet marrëveshje historike me kompromise pa u detyruar Serbia që të paguajë dëmet e luftës, as dorëzuar të gjithë të pagjeturit shqiptarë", ka thënë Qarri për "Kosova Sot".

KELMENDI: HASHIM THAÇI, NJERIU QË DERI MË TANI MË SË SHUMTI E KA DËMTUAR KOSOVËN NË KËTO 20 VITET E FUNDIT!

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Jeton Kelmendi, thotë që Hashim Thaçi nuk e ka legjitimitetin e përfaqësimit të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës në këto bisedime. Ai duhet të parandalohet t'i vazhdojë ato dhe të mos lejohet që për interesin e tij personal, frikën nga Gjykata Speciale të bëjë pazare të dëmshme që nuk i riparon më historia, në dëm të shtetit akoma të pafinalizuar në ndërtim të Kosovës."Mendoj që Hashim Thaçi, president i Kosovës, është një njeri kontrovers dhe absolutisht nuk e dimë se kë përfaqëson në këto negociata, të cilat ai po i quan negociata historike për marrëveshje historike me Serbinë dhe unë mendoj që ky është njeriu që deri më tani më së shumti e ka dëmtuar Kosovën në këto 20 vitet e fundit, Hashim Thaçi e ka dëmtuar shumë interesin nacional të shqiptarëve në Kosovë, madje e ka dëmtuar edhe të ardhmen që kemi përpara të këtij vendi. Mendoj që ai nuk e ka as legjitimitetin minimal që ta bëjë këtë, sepse tanimë janë diku rreth 65 deputetë edhe zyrtarisht të deklaruar se nuk e mbështetin që ta përfaqësojë Kosovën në bisedimet me Serbinë", u shpreh ai."Hashim Thaçi është pa mandat nga Kuvendi që ta përfaqësojë Kosovën në këto bisedime me Serbinë, pasi që Kosova është republikë parlamentare, kështu që ato deklaratat që i lëshon ai herë pas here, apo ato flluskat e tij se do të ketë marrëveshje historike dhe kompromise, janë vetëm ato taktikat e tij për të blerë kohë dhe për ta rritur në një formë rolin e tij edhe në raport me ndërkombëtarët, për ta rritur edhe pazarin e tij në raport me Gjykatën Speciale", vijoi më tej Kelmendi."Mendoj që e gjitha kjo është një sjellje e aspektit djallëzues nga ana e tij, në bashkëpunim edhe me piunët e tij, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli, dhe e gjithë kjo bëhet në marrëveshje mes tyre për ta dhënë interesin e Kosovës në hipotekë dhe për të shpëtuar kokën e Hashim Thaçit dhe të dy a tre vetave që mund të jenë ndër të akuzuarit nga Gjykata Speciale. Të gjitha deklaratat e tij të deritashme për kompromis janë të turpshme, antishqiptare, sepse nuk ka dhe nuk mund të ketë marrëveshje historike me Serbinë derisa Serbia nuk i paguan dëmet e luftës që i ka bërë ndaj Kosovës, derisa nuk e zbardh fatin dhe nuk i kthen të gjitha viktimat e luftës, të pagjeturit deri në një dhe derisa nuk kërkon falje për krimet e luftës që janë bërë kundër Kosovës. Pra, janë këta tre hapa që duhet të bëhen nga ana e Serbisë para se të futemi në negociata për t'u marrë vesh", tha Jeton Kelmendi për "Kosova Sot". Ai shtoi se me Serbinë është e pamundur të arrihet marrëveshje politike dhe ajo është krejt e panevojshme, por duhet të arrihen vetëm marrëveshje teknike për respektim të ndërsjellë të realitetit të krijuar mes dy vendeve, e që finale e këtyre bisedimeve teknike duhet të jetë demarkacioni i kufirit si ndarje dhe qartësim përfundimtar i territorit mes dy shteteve. 

Lojë e rrezikshme e lidershipit

Sipas analistit Ali Hertica, disa liderë të Kosovës po luajnë rrezikshëm me ndjenjat e qytetarit, duke e harruar të kaluarën gjenocidiale nga Serbia që bëri mbi popullin liridashës shqiptar. "Tek ne ka filluar një lojë e rrezikshme nga lidershipi i vendit, të cilët po luajnë me ndjenjat e qytetarit, duke i harruar të gjitha ato që një shtet gjenocidale, siç është Serbia, i ka përdorur të gjitha krimet më makabre në Kosovë dhe mos të ketë vija të kuqe është vandalizëm total mendor dhe politik mbi qytetarin. Kështu i pari i shtetit, Hashim Thaçi, ka pranuar se Kosova dhe institucionet e saja relevante nuk do të kushtëzojnë dialogun me Serbinë, me asnjë temë. Kjo i bie edhe me ato siç janë të pagjeturit dhe dëmet e luftës, pa dhënë përgjegjësi për pjesën e pasurisë së Kosovës dhe ato çështjet e tjera që është si shtet, i cili ka shkaktuar gjenocid mbi shqiptarët", vlerësoi ai."Kosova duhet gjithsesi që në fazën finale të dialogut të vazhdojë me vija të kuqe. Serbia nuk mund të bëjë një gjë të tillë, sepse është shtet i cili ka krijuar gjenocid në ish-shtetet jugosllave, por presidenti i Kosovës është një lider i paautorizuar nga askush për të udhëhequr dialogun me Serbinë dhe ai sot mund të rrezikojë interesin e shtetit, duke negociuar pa legjitimitetin e dhënë institucional nga Kuvendi, sepse ende pa nisur mirë ky dialog ai hoqi të gjitha vijat e kuqe", ka thënë Hertica për "Kosova Sot". Ndërsa analisti Shefik Shkodra konsideron se opinioni publik dhe opozita që sa kohë janë për të mos biseduar vetëm Hashim Thaçi me Serbinë për fazën finale, por ai sikur e ka uzurpuar këtë rol që po e luan."Vetë ka pohuar se do të jetë e dhimbshme, ngase duhet të bëjmë kompromise me atë që na ka shkelur deri dje. Kuvendi do të duhej të thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme. Në këto diskutime duhet të merret qëndrim, vërtet historik. Të emërohet një grup i ekspertëve prej të gjitha partive, të merret qëndrim, çfarë mund të bisedohet, çfarë kompromisi mund të bëhet. A është i mundshëm kompromisi pa u dëmtuar Kosova; t'i bëhen kërkesat palës serbe, sepse ne jemi të dëmtuar: njohja e pavarësisë, kthimi i të pagjeturve. Në asnjë mënyrë të bëhet ndarja e Kosovës. Nuk ka mundësi që t'i lejohet AKS me të drejtë vetëqeverisje, sepse kjo është ndarje territoriale e Kosovës në baza etnike. Kjo punë do të jetë një "autogol", që do kushtojë më shtrenjtë se kurdoherë në marrëdhënie me Serbinë. Pra, ky nuk është pajtim, po nxitje për një luftë të sërishme", ka shpjeguar ai."Kryetari i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nuk bën që të vijojë me këto biseda më, si pazare private. Integrimi evropian nuk mund të kushtëzohet për shqiptarët në këtë mënyrë, e nëse kjo është kështu, atëherë ne nuk duhet ta pranojmë. Me siguri do të gjendet rrugëdalje tjetër", tha Shkodra për "Kosova Sot'. Kurse analisti Ragip Guraziu kërkon që deputetët urgjentisht ta ndalojnë presidentin nga planet për kompromise në dëm të vendit. "Deputetët e Kuvendit duhet thirrur një seancë plenare me këtë rast, deri sa s'është bërë vonë. Ata duhet t'i thonë STOP presidentit Thaçi, të mos i udhëheq bisedimet fatale e finale me Serbinë, edhe ashtu ai nuk i përfaqëson qytetarët e Kosovës dhe nuk e ka të drejtën e kompromiseve territoriale të Kosovës, se nuk ia ka lënë atij askush këtë pasuri dhe kjo pasuri është e tëra e Kosovës dhe PIKË", u shpreh ai."Si mund të bëhet marrëveshje historike dhe me kompromise pa u detyruar Serbia që të paguajë dëmet e luftës, por edhe që të dorëzojë të gjithë të pagjeturit edhe këtë përgjigje duhet ta japin dhe këtë temë ta trajtojnë vetë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët duhet sa më parë të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar lidhur me fazën e re të dialogut me Serbinë dhe platformën shtetërore të Kosovës për këtë proces", theksoi Guraziu për "Kosova Sot".

Qytetarët kërkojmë që dialogu të kushtëzohet me kthimin e të pagjeturve dhe me dëmet e luftës

Gazeta ka intervistuar edhe qytetarë rasti rreth kësaj teme dhe ata ndajnë mendimin se në asnjë mënyrë nuk mund të ketë marrëveshje historike, as pajtim me Serbinë, pa i vënë fillimisht në prioritet fatin e të pagjeturve dhe kompensimin e dëmeve të luftës. Sipas qytetarit Rrahman Rrahmani, çdo tentativë për tejkalim të tyre do të jetë tradhti kombëtare. "Jo, unë mendoj dhe besoj shumë që pas të gjitha atyre vuajtjeve, të gjitha atyre viktimave, atyre dhunimeve dhe masakrimeve, ndjekjeve e përndjekjeve, burgosjeve e rrahjeve, edhe përzënies nga shtypit dhe trojet shekullore përmes djegieve e shkatërrimeve në mënyrën masive, që ka karakter gjenocidi masiv, sot nuk mund të ketë pajtim e bisedime për falje, madje sipas mendimit tim ai dokument për bisedime as që është dashur të jetë fare në tavolinën e bisedimeve. Unë si qytetar u isha lutur liderëve tanë politikë që pyetjeve të shpejta dhe kërkesave, ngado që vijnë ato, t'u përgjigjen ngadalë, sepse kështu njëherë hyn në semafor të kuq dhe shkojnë 100 vjet apo 200 vjet dhe ai rast më mbrapa nuk mund të kthehet. Të gjithë e dimë që Beogradi ende po merret me njollat e nacionalizmit serb, që nuk i harron kurrë, dhe ne fare mirë e dimë nga të parët se deri ku i kemi pasur kufijtë dhe deri ku kemi ardhur. E tash shtrohet pyetja se sa duam të jemi ne që u bëmë shtet i pavarur, duke i ndihmuar vetvetes, me të rejat dhe të rinjtë dhe besa edhe me ndihmën e faktorit ndërkombëtar shumë për interesat e veta, por edhe për ne që na ndihmuan të çlirohemi, e sot nuk guxojmë të lejojmë që në tavolinë të kemi temën për falje dhe pajtim ndaj armikut të përbetuar", tha Rrahman Rrahmani për "Kosova Sot". Kundër kompromiseve të dëmshme me Serbinë dhe kundër anashkalimit të temës së dëmeve të luftës dhe fatit të të pagjeturve në këto bisedime është edhe qytetari Ramadan Matoshi."Nuk mund të ketë kurrë pajtim historik pa e prekur dhe zgjidhur fillimisht çështjen e dëmeve të luftës dhe pa e zbardhur fatin e të pagjeturve kurrsesi. Unë si mesazh do t'u kisha dërguar këtyre njerëzve të politikës dhe institucioneve tona që urgjentisht të formohet një komision prej të gjitha partive politike, pa dallim, prej shoqërisë civile, e pse jo edhe prej gazetarëve, sepse nuk do të thotë që vetëm partitë politike duhet të marrin pjesë në këtë proces, por edhe qytetarët e thjeshtë. Sa ka gjasa për t'u bërë kjo nuk mund të them, sepse tani po shihet që gjasat janë shumë të vogla, se këtu qëllimi kryesor i tyre është vetëm sa për ta ruajtur karrigen për pushtet dhe nuk janë të interesuar për të gjetur zgjidhje. Kjo gjë ka mundur të zgjidhet që18 vjet, që të bisedohet për këto tema dhe jo të lihet për momentet e fundit, sepse Serbja është e gatshme të pajtohet. Ata e kanë të formuar komisionin e vet shumë më herët, ata këqyrin të nxjerrin diçka, si thotë një fjalë popullore, çfarëdo që u del 'dhjamë nga pleshti'. Çfarëdo që përfitojnë ata është e mirëseardhur për ta. Mirëpo, ne duhet të jemi shumë të lidhur, bashkëpunues mes vete, bile për mendimin tim kryetari i shtetit nuk është dashur fare të shkojë në këto bisedime. Të shkojë dikush tjetër, sepse nuk ka pasur ai kurrfarë suksesi gati tash e 18 vjet. Nëse nuk ke pasur asnjë sukses deri më tani, ti vetë duhet të tërhiqesh dhe këtë duhet ta bëjë presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Në një familje kur e mban kuletën dhe nëse nuk ke sukses detyrohesh t'ia lësh dikujt tjetër", tha Ramadan Matoshi.

(Kosova Sot)

 

10 orë e 25 minuta më parë
18/07/18