Hakeri shmang gjobën me anë të një videoje në YouTube (Video)

  • 01 December 2015 - 13:23
Hakeri shmang gjobën me anë të një videoje në YouTube (Video)

Nëse kopjoni materiale pa marrë autorizimin, ose shkarkoni filma në internet në mënyrë të jashtëligjshme, atëherë mund të gjobiteni me një shumë jo pak të vogël.

Një gjë e tillë i ka ndodhur edhe shtetasit çek Jakub F., i cili është gjykuar fajtor për shpërndarjen e kopjeve të paligjshme të softuerit dhe programeve të tjera që janë me të drejtë autori. 30-vjeçari u gjobit me 148 mijë paundë për krimin kibernetikë. Në pamundësi për të paguar gjobën, Jakob arriti një marrëveshje me Aleancën e Biznesit të Softuerit në Republikën Çeke për të denoncuar piraterinë në internet me anë të një videoje në YouTube.

Videoja duhet të marrë të paktën 200 mijë shikime në YouTube që Jakub t’i shpëtojë gjobës. Kjo video ka gati një javë që është publikuar, dhe po arrin gati 1 milion shikime.

TorrentFreak raporton se Jakub arriti një marrëveshje me kompanitë të cilat kishte piratuar, si Microsoft, HBO, Sony Music dhe Twentieth Century Fox, për të denoncuar piraterinë në internet.

“Mendoja se nuk po bëja ndonjë gjë gabim. Mendoja se nuk do të dëmtoja kompanitë e mëdha. Nuk e bëra këtë për para, por vetëm për argëtim,” thotë 30-vjeçari në video, transmeton Krokodili.al.