Surpriza që na la pa fjalë: E kishte menduar Flori i vitit ‘98 se do bëhej kaq i madh në ditëlindjen e 35-të?

  • 23 August 2017 - 14:55
Surpriza që na la pa fjalë: E kishte menduar Flori i vitit ‘98 se do bëhej kaq i madh në ditëlindjen e 35-të?

A e kishte menduar ndonjëherë Flor Mumajesi në 1998 kur krijoi grupin “The dreams” vetëm i drejtuar nga pasioni, dashuria për muzikë, shpirti dhe shumë ëndrra rinore, se emri i tij do të kthehej sot në një patentë të shtrenjtë e me shumë vlerë në muzikën shqiptare?! Me siguri po. Sepse ndonëse ai është një artist me fjalë të vogla, ka rezultuar të flasë me gjithë vepra të mëdha gjithë këto vite karrierë.

Ishte ende i vogël kur në 2002 mori pjesë për herë të parë në Kënga Magjike, por u bë menjëherë i madh në këtë kompeticion kur publiku pa se Flori Mumajesit i peshonte zëri, pena dhe intuita për muzikë të mirë. Pikërisht në këtë çast ai krijoi nyjën e dashurisë me të gjithë ata që e duan muzikën, që e panë si nismëtarin e një epokë të re shqiptare, epokën ku muzikanti arrin të parashikojë të ardhmen duke e sjellë atë më shpejt se të tjerët. Dhe kështu ndodhi vërtetë, pasi Flori Mumajesi ka qenë artisti i parë shqiptarë, emri i të cilit u thirr nga turma spektatorësh të huaj. Duke modernizuar muzikën tallava, dhe duke i vënë theksin vlerave që ka muzika folk, të cilën Flori e ndjeu nevojën si nevojën që ia donte shpirti për ta bërë trendin e muzikës shqiptare, ai arriti suksesin jashtë kufijëve, në ‘The Balkan Music Award’ në 2009-ën ku për muaj me radhë qytetarët e Ballkanit këndonin njëzëri ‘Playback’-un e Florit, e në shqiptarët më në fund kishim diçka që mund të krenoheshim.

Gjithë këto vite art, Flori i ka dhuruar publikut shqiptar kolonat zanore që ata kanë dashur që të shoqërojnë çdo çast. Ai ka qenë një muzikë e lehtë kur një çift ka dhuruar një puthje. Ka qenë muzikë ngushëllimi kur është përjetuar një ndarje, ka qenë muzikë ritmike kur janë kthyer gota me fund. Ka qenë muzikë vetmie në ditë reflektimi, muzikë lozonjare në një ditë të nxehtë vere.

Por edhe muzika që ka shoqëruar emocionet tona të përbashkëta kur Kombëtarja bënte gol, e Flori kishte krijuar atmosferën ideale kuq e zi me notat e tij. Ka pasur vend për të gjithë dhe për çdo ndjesi që njeri provon në këtë jetë në notat e Flor Mumajesit, ndaj edhe siç ai e përmend, publiku është familja e tij e madhe, familja që u bë shtysë edhe për krijimin e label-it ‘Threedots’.

‘Threedots’ është një shtëpi ku shpirti i të gjithëve mblidhet për t’i dhënë frymë krijesave muzikore që rriten bashkë me triumfin e këtyre artistëve. Përveçse këngëtar, Flori Mumajesi ka qenë dora magjike për shumë miq të tij muzikantë, të cilëve u ka dhuruar një pjesë të shpirtit të tij, duke i krijuar këngë, të cilat sapo kanë mbajtur vulën e kantautorit, kanë shënuar aty edhe suksesin e tyre të padiskutueshëm.

Kantautori ka qenë edhe një vlerë e shtuar në repertorin e madh të këngëtarëve të mëdhenj të skenës, si Aurela Gaçe, Ardit Gjebrea, Mihallaq Andrea, Artiola Toska, Manjola Nallbani, Endea Tarifa, Sabri Fejzullahu, Eranda Libohova, Leonara Jakupi, Genta ismaili, por edhe mjeshtri që ka qëndruar pas zbulimeve të këngëtarëve të rinj, si Era Istrefi dhe Nora Istrefi, Tuna Sejdiu, Çiljeta Xhilaga, Ronela Hajati, Xhensila Myrtezaji, Linda Halimi, Soni Malaj, Zajmina Vasjari, Elvana Gjata, Stresi, Orinda Huta.

Nga një trofe të garantuar në çdo kompeticion që merr pjesë, buzëqeshja që nuk i largohet asnjëherë kur flet atë dhe bën atë çka do më shumë në këtë jetë; muzikë. I tillë do të mbetet Flori Mumajesi, ndërkohë që ky i fundit po zgjeron familjen e fansave kudo në botë. Kënga e lançuar disa javë më parë ‘Karma’ është jo vetëm një risi në muzikën shqiptare por edhe një biletë suksesi të Florit, e grupit ‘Threedots’, kudo në botë, shkruan Balkan Web.

E kishte menduar Flori i vogël i vitit 1998 se do të bëhej kaq i madh kur të festonte ditëlindjen e 35? Me siguri po. Ndaj me sy mbyllur ne mezi po presim se çfarë shpirti Flori Mumajesit dhe tingujt e tij magjik kanë rezervuar për të ardhmen e muzikës tonë. Gëzuar ditëlindjen artist.

 (Kosova Sot)