Intervista e plotë/ Rrëfehet Inva Mula: Në skenë jam divë, por jo në jetë…

  • 23 September 2017 - 13:09
Intervista e plotë/ Rrëfehet Inva Mula: Në skenë jam divë, por jo në jetë…

Karriera, shfaqjet, jeta familjare, bashkëshorti, fëmijët, divorci…Inva Mula ka folur për gjithçka sot në emisionin “Studio e Hapur” në News24 me gazetaren Eni Vasili. “BalkanWeb” sjell intervistën e plotë të sopranos shqiptare me famë botërore.

Meqenëse jemi pak përpara shfaqjes së parë, jeni e emocionuar?

Në fakt dhe tani në këto momente. Sigurisht, emocioni është diçka që është brenda nesh dhe është pjesë e punës nga fillimi deri në fund por momenti i daljes në skenë është përgjegjësi e madhe. Emocioni i përzierë me një përgjegjësi shumë të madhe.

I shtohet kjo fakt që jeni regjisore jo vetëm protagoniste pasi ju do të këndoni ditën e diel. Është një emocion më shumë po ta dish që gjithë shfaqja është në duart e tua?

Absolutisht. Nëse unë kam përgjegjësinë kur jam interpretuese për rolin që kam, sigurisht kënaqësi e madhe është kur gjithë stafi është në formë dhe shfaqja është e bukur, por në këtë rast përgjegjësia bie mbi mua në çdo gjë, të mirë apo të keqe dhe janë edhe këto disa elementë që unë nuk i kam provuar. Janë disa gjëra që po ndodhin në jetën time dhe një përgjegjësi artistike shumë e madhe jo vetëm për veten, por për gjithçka, edhe për një lule që është diku e varur.

Si e morët këtë vendim? Ka qenë në qëllimet tuaja të jeni edhe regjisore e shfaqjeve?

Jo, jo absolutisht jo. Unë kam pasur bashkëpunimin e parë me TOB për të vënë në skenë operën “Pagliacci”, por në atë moment më erdhi si ide dhe ishte pothuajse një pasazh në karrierën time që ta këndoja veprën dhe ta vija në skenë dhe mendoja që do ndalesha aty.

Ajo ishte një sukses?

Ishte një sukses. Ishte një vepër shumë e bukur. Madje unë nuk e trajtova edhe veprën si një shfaqje që e kisha parë diku por e trajtova në një temë të Tiranës dhe mendoja që do ndalesha atje. E kisha krijuar atë domosdoshmërinë që të dilja të interpretoja dhe ta vija në skenë dhe do ndalesha. Me kalimin e kohës mendova që më thirri një zë i brendshëm që më tha ‘dale ndoshta duhet ta vazhdosh një gjë të tillë’. Gjithmonë kam menduar, në çdo teatër që kam qenë, kur shikoja një spektakël, mendoja unë si do ta kisha bërë, jo që do ta kisha bërë më mirë por do ta kisha bërë me shijen dhe me guston time. Kam pasur fatin që të punoj me regjisorë shumë të mëdhenj në teatrot më të mëdhenj të botës, me kolegë të shkëlqyer, me skenografë të shkëlqyer, me kostumierë të shkëlqyer dhe gjithnjë kam qenë e interesuar si punohet me ndriçimin, e kam parë spektaklin përtej interpretimit tim në skenë. Ndoshta ky kuriozitet dhe ky pasion për të parë spektaklin në të gjitha etapat e krijimit më bëri që kjo domosdoshmëri të vijë brenda meje dhe të ketë kërkesën për ta vënë në skenë dhe ju doni pse i kam bërë këto prova dhe po i bëj në teatrin tonë? Po ka më mirë se ti bëj këto hapa të miat si regjisore në një teatër ku dhe unë kam hedhur hapat e parë, ku kam bërë interpretimet e mia të para dhe ky teatër më vlerëson dhe më mbështet se më do, këta njerëz më duan, më respketojnë, më japin besimin. Nuk pretendoj që po bëhem regjisore por pretendimi im i vetëm është që me dëshirën që kemi, me pasionin, devotshmërinë, disiplinën, dashurinë që kemi për artin të arrijmë të bëjmë që spektatori të shikojë, të ndiejë, të dëgjojë muzikën e bizesë ashtu siç e dëshiron.

Sigurisht që publiku ju do, kushdo ju mbështet, por ndoshta është logjistika në Shqipëri nuk funksionon, siç është dhe rasti që TKOB është në rikonstruksion dhe kjo është një sallë jo e bërë për opera, etj, etj. Çfarë vështirësish keni pasur nga kjo pikëpamje, qoftë edhe njerëz skeptikë apo situata skeptike keni pasur?

Do dëshiroja që ne të luanim në një teatër të vërtetë, teatër i cili në radhë të parë na mundëson akustikisht dëgjimin e zërit ashtu siç e kërkojnë në çdo teatër të botës. Të gjithë artistët kur hyjnë në një teatër, gjëja e parë bëjnë një provë akustike, ose lëshojnë një zë, një tingull për të parë si funksionon akustika e teatrit. Se ka teatër me akustikë të ndryshme, të mirë, të keqe, të mesme por është vërtetë interesant të shikosh se megjithëse njerëzit përpiqen të krijojnë një teatër me akustikë, nuk është se e qëllojnë, në të gjithë botën, me një financim shumë të rëndësishëm në drejtimin e akustikës. Ndërsa ne pikërisht e dinim që nuk do ta kishim një gjë të tillë sepse Pallati i Kongreseve nuk na i mundëson një gjë të tillë, nuk mund ta pretendojmë, atëherë me anë të teknikës, por vërtetë në mënyrë shumë natyrale do përpiqemi që kjo akustikë të jetë sa më afër zërit të vërtetë, pa kamuflim dhe pa teknologjitë që e mundësojnë një zë operistik të tingëllojë në një sallë që nuk është e bërë për këtë gjë.

Keni ndonjë pakënaqësi ndaj bashkëpunimit ose dikujt? Lexova në media që Inva ishte vendosur në fund të tavolinës në konferencën e shtypit etj, etj. Çfarë janë këto për ju, abuzime gazetarësh, spekulime apo edhe ndonjë pakënaqësi të vogël?

Jo pakënaqësi absolutisht që nuk kam. Kam patur vetëm sadisfaksion nga të gjithë artistët, nga teknika, nga të gjithë. Spektakli ka shumë elementë për t’u bërë dhe unë mendoj që ne asnjëherë për artistët që janë në skenë ata kanë shumë mundësi që të japin, që gjatë gjithë spektaklit të kenë mundësi të depërtojnë tek publiku në mënyrën e tyre. Por, ne harrojmë që mbrapa skenës janë pikërisht njerëzit që punojnë që ne të arrijmë ta realizojmë këtë skenë. Unë jam shumë e lumtur se në të gjithë këto etapa të punës sime kam pasur një dialog kaq të bukur, kaq miqësor dhe profesional me çdokënd.

Po thoni që e zgjodhët vetë të uleshit në fund të tavolinës?

Absolutisht që ishte zgjedhja ime dhe nuk më pëlqejnë këto kryetavolinat, nuk më pëlqejnë. Unë u ula me artistët. Pse ata janë më pak të rëndësishëm tek cepi, nuk e di pse mesi duhet të jetë më i rëndësishëm.

Flasim edhe pak për “Peshkatarin e perlave”…Ju riktheheni, e riinterpretoni pasi e keni bërë ju në ’90, mamaja juaj në ’64. Tashmë jeni ju dhe Nina në skenë, duket sikur është një traditë familjare kjo vepër, është e vërtetë?

Jo, s’ma merr mendja. Sikur çdo vepër të merrja Traviatën, Rigoleton etj, do kishte gjithmonë pika takimi me familjen time, me prindërit e mi. Sigurisht që është shumë bukur që në të njëjtin rol të jetë edhe fotografia ime edhe fotografia e nënës sime. Besoj se kam shumë fat që e kam një gjë të tillë, se nuk besoj se i bie çdo artisti ta ketë edhe nënën që të ketë interpretuar të njëjtat role.

“Peshkatarët e Perlave” erdhi si një domosdoshmëri, se mendoja që të arrish të realizosh një vepër që lë mundësi imagjinimi të jashtëzakonshëm me koloritin, me ngjyrat, me muzikën e jashtëzakonshme të Bizesë por edhe me një vizion, i cili nuk mund ta japë një vepër tjetër që flet për një jetë tjetër. Këtu kemi mundësi që fantazia jonë të shkojë shumë larg edhe të sjellim me një poezi të ditëve tona por gjithmonë që nuk është ngjarje që nuk ndodh në ditët tona. Kjo i jep një shkëputje kohore që e bën spektaklin më të rëndësishëm.

Duke interpretuar një rol që e ka interpretuar edhe nëna juaj, ju bën të jeni në një lloj kontakti shpirtëror me të më shumë, keni kënduar ariet e saj, keni bërë edhe koncerte këtu dedikuar asaj. Duket sikur keni pasur një lidhje speciale me të, a është e vërtetë?

Po, nëna ime ka qenë edhe pedagogia ime e kantos dhe është vërtetë shumë bukur. Mendoj që është pranë meje dhe do doja të më shikonte edhe në këtë kasketë të re që unë mbaj, por e di që është pranë meje, e di që më mbron, e di që energjia e saj më ndjek kudo.

Është një mënyrë komunikimi…

Po, sigurisht, mënyra më e mirë e komunikimit është kjo mënyrë shpirtërore. Zëri vjen nga brenda, zëri depërton por zëri është energji dhe mendoj se energjitë tona takohen.

Pasioni, patosi, energjia që keni në vite, duket sikur tregon që karriera është gjithçka për ju, është gjëja më e rëndësishme për ju, është e vërtetë kjo?

Absolutisht jo. Ka diçka. Për të bërë këtë profesion, për të arritur këto nivele, duhet përkushtim dhe është një përkushtim i cili nuk ka kohë dhe nuk mjaftojnë orët e punës. Është një përkushtim që vjen edhe diçka shumë e thjeshtë. Unë nuk mund ta çoj vajzën në shkollë për arsye se duhet të bëj regjimin tim. Është një sakrificë e gjithë familjes. Është një organizim kur unë kam aktivitet dhe gjithë familja ime duhet të shkojë me tempon tim. Pra, është një përkushtim që kërkon një organizim që nuk mund t’i ta bësh nëse e ndan kohën, kjo kohë është për karrierën, kjo kohë është për familjen. Por, unë këtë e kam, se kjo është disiplinë artistike. Pa këtë ne nuk mund të bëjmë asgjë. Por, nga ana tjetër unë i jap shumë rëndësi pjesës familjarëve, fëmijëve të mi dhe kjo është diçka që më mban si njeri, që më jep sadisfaksionin si nënë, më jep sadisfaksionin si grua, si familjare, më var mbi supe përgjegjësitë që ka një bashkëshorte. Kështu që mendoj që jam munduar duke disiplinuar jetën time artistike dhe familjare të arrij t’i shkrij të dyja. Por nuk do të sakrifikoja asnjëherë, për një karrierë të sakrifikoja familjen time kurrë në botë. Vetëm mundohem t’i ekuilibroj.

Atëherë të mbështesin besoj në zgjedhjen e karrierës?

Absolutisht që po.

Në një intervistë që kemi patur në Paris, ju rrëfyet të vërtetën tuaj për divorcin në atë kohë. E quaj emancipuese sepse personazhe të kalibrit tuaj për publikun shqiptar nuk ishim mësuar të ishin aq të hapur, aq të sinqertë, aq transparentë etj. Por, në vite kam parë që media herë pas here tenton të hyjë në jetën tuaj private. Si ju duket kjo gjë?

Në fakt e mbaj mend këtë intervistë, ka qenë shumë emocionuese për mua edhe vazhdoj të falënderoj për guximin që morët si gazetare për të zbërthyer një gjë të tillë që nuk ishte kollaj në atë kohë, flasim për 8 vite më parë. Por mendoj që do t’ia fal të gjithëve edhe ata që s’flasin gjëra të vërteta për arsye se një personazh, një artiste bën lajm. Nuk do doja të analizoja tani një gjë të tillë por nuk më vjen keq, çfarëdo që të thonë nuk më vjen keq, vetëm të mos futen në ato gjëra intime, ku është ajo bërthama e vogël fare familjare. Atje është delikate nëse thonë gjëra të pavërteta.

Për shembull gjatë gjithë verës është thënë “a qëndron ende në këmbë lidhja me zotin Ramadani”, “a janë ende bashkë”, dikush thotë janë ndarë, dikush thoshte janë parë së bashku, të vëmë ca pika mbi i…Si qëndron e vërteta për lidhjen tuaj?

Në fakt Eni më duket se ne banojmë diku afër…Tani për t’i thënë gazetarëve që doni ta ndiqni jetën time, e keni kështu…nuk bëj asnjë deklaratë. Unë e di që jam shumë e lumtur me bashkëshortin tim, me fëmijët e mi, me familjen time, ne vazhdojmë të jetojmë normalisht. Tani nëse keni nevojë për lajm, atëherë nuk është momenti.

Megjithatë ju shohim më prezentë në Tiranë? Këtë mund ta pohojmë, keni një restorant, e keni hapur me mikeshat tuaja, duket sikur ka një prezencë më të madhe të Invës në Tiranë. Keni vendosur të jetoni përfundimisht në Tiranë, apo një kohë më të madhe në Tiranë? Ia bëra këtë pyetje Kadaresë javën e kaluar dhe ai tha unë do të jem midis Parisit dhe Tiranës dhe nuk e ndryshoj këtë gjë. Për ju si është ky raport?

Është një raport që vërtetë ka ndryshuar vitin e fundit pasi ne jemi vendosur në Tiranë por nuk ka qenë një vendosje që ‘tani nga kjo kohë do jetojmë këtu’. Duke qenë se vajza duhet të kishte patjetër një shkollë, kopsht ajo është 5-vjeçare ishte e pamundur ta përballonte. Udhëtimet tona ishin shumë të gjata, udhëtimet e mia ishin shumë të lodhshme dhe duke qenë se nga Parisi ne kemi jetuar në Dubai për mua ishte e pamundur që të shkoja në të gjitha kontratat për arsye se rruga ishte shumë e gjatë dhe nuk arrija dot që të rrija me vajzën, atëherë mendova që duke qenë se vajzës i pëlqeu…aty filloi gjithçka.

Ajo shkoi në një kopsht ku ndihej jashtëzakonisht mirë. Vazhdoi të njëjtin program të anglishtes siç e kishte në Dubai dhe na u duk që ishte shumë e lumtur. Ajo ishte shkëndija që na bëri po se, derisa vajza ndihet mirë dhe unë gjithë udhëtimet e mia i bëj në mënyrën më komode nga Tirana. Kështu që për momentin jemi këtu.

Jeni vendosur në Tiranë?

Po. Se çfarë do bëhet vitin e ardhshëm…

Çfarë konsideroni ju arritjen më të madhe të karrierës suaj?

E vështirë kjo pyetje sepse të them se kam arritur akoma do gënjej. Nëse një artiste lirike arrin të këndoja në Scala të Milanos me artistët më të mëdhenj, apo në Arenën e Veronës  apo në Metropolitan apo në Operën e Vjenës apo në Operën e Parisit, mendoj që s’mund të pretendoj që nuk i kam bërë këto gjëra. Si arritje, nëse tani duhet të them një përgjigje të shpejtë do ishte që nga interpretimi në 90-ën me “Peshkatarët e Perlave” unë nuk kisha akoma pasaportë si çdo shqiptar dhe tani kthehemi pas 27 viteve, janë shumë, megjithatë janë pak për një hap kaq të madh dhe për të parë gjithë artistët e rinj që kanë mundësi jo vetëm për pasaportë por të kenë informacionin e duhur se çfarë bëhet në atë botë që për mua ishte shumë e vështirë 26 vite më parë. Kur kam shkuar për herë të parë në Paris, ka qenë ditë dimri dhe jam gjendur shumë keq, isha shumë e vetmuar. Nuk kisha ku të jetoja, nuk njihja gjuhën, nuk njihja mentalitetin, nuk njihja çfarë bëhej dhe sigurisht nuk kisha fare të ardhura. Familja nuk kishte asgjë në atë kohë çfarë mund të më jepte, kështu që ishte moment shumë i vështirë dhe mendoj një artiste që del në këto kushte dhe sot arrin që po ta kthejë kokën mbrapa të gjitha teatrot e botës janë përshkruar, kjo është arritja e një artisti i cili besoj nuk vinte nga një familje që i kishte të gjitha kushte, pavarësisht se familja mi kishte krijuar kushtet, nuk përputheshin me ato që unë gjeta në Paris.

Ju përmendni emrat e teatrove të ndryshme në botë, cilat kanë qenë duartrokitjet më të veçanta që keni marrë ose që kujtoni?

Duartrokitjet më të veçanta, që më kanë emocionuar në fakt janë në Arenën e Veronës. Unë kam interpretuar shumë role por ishte hera e parë që u konfrontova me një publik që ishin 16 mijë veta, një traditë e jashtëzakonshme në artin lirik. Unë pata fatin që të këndoj Xhildën në operën “Rigoleto” me baritonin e madh Leo Nucci dhe në mbarimin e aktit të dytë pasi kishte duartrokitje kaq të fuqishme nga të gjitha anët, u ripërsërit pjesa e fundit, gjë që është shumë e rrallë, sidomos në Arenën e Veronës dhe mendoj që ato kanë qenë duartrokitjet që akoma kur i mendoj sot ose kur i shikoj, mendoj që ajo vajza atje nuk jam unë, se s’ka mundësi.

Sa emocionon realisht një premierë, si mund ta tregoni sot pasi keni kaq vite karrierë në shpatulla? Emocionoheni gjithmonë njësoj, është diçka që përmirësohet me kalimin e kohës?

Jo, më duket se nuk përmirësohet. Mendoj që me eksperiencë mund të përmirësohet por kam përshtypjen që ato minutat e para, para shfaqjes, të paktën për mua personalisht është një blackout, ti thua si ka mundësi të përballem përpara publikut, të jem e vetme në skenë dhe ta përballoj një gjë të tillë. Dhe atje është një kimi në trupin tënd, diçka ndodh në tru, është diçka që ti nuk e kupton, veç gjendesh në skenë dhe të dalin krahë që ta përballosh një gjë të tillë. Është një moment i vështirë që ndan gjithçka.

Jeni supersticioze? Keni një ritual?
Kam një ritual që futem me këmbë të djathtë gjithmonë në skenë. Ose vesh kostumin, vesh këpucën e kostumit gjithmonë me këmbën e djathtë.

Nëse dikush nuk do ta kishte dëgjuar kurrë zërin tuaj, me çfarë pjesë do t’i prezantoheshit?
Ka disa role që unë kam për zemër, por roli i Violetës ngelet një nga rolet më të rëndësishme, që shënoi rrugëtimin në këto teatro të rëndësime. Do thoja ‘Sempre Libra’ është aria famoze e Violete në aktin e parë.

Ka një pjesë, një autor që nuk keni arritur ende ta performoni dhe keni qëllim?
Si vepra skenike mendoj se pjesën më të rëndësishme të repertorit tim unë i kam luajtur. Ato që dua, gjithmonë e mendoj, nuk bëjnë pjesë në repertorin tim, pasi janë në mëzo-sporano. Të isha njëherë tenor, janë dëshira që nuk realizohen asnjëherë. Si ato vajzat që janë të gjata dhe duan që të jenë të shkurtra.

Çfarë e frymëzon një soprano, çfarë muze ka?
Muza më e bukur është ajo çka kemi trashëguar nga repertori klasik. Ajo që është interesante është se i bëjmë repertorit disa herë. Në momente të ndryshme të jetës, me orkestra të ndryshme, me akustike tjetër. Është kaq e thellë kjo krijimtari nga mjeshtra dhe thua se: si ka mundësi që t’i rikthehesh të njëjtin rol, dhe në momentin që je në skenë, ndjesia është ndryshe. Është diçka që ndodh brenda vetes. Një alkimi e bukur, e cila ka një paletë ngjyrash. Kush ka fatin që të ketë një zë, instrument dhe të di të performojë besoj që është shumë.

Po një personazh që ju frymëzon keni? Qoftë edhe jo nga bota e spektaklit..
Besoj se nuk kam tani modele, për arsye se modelet janë kur je i ri dhe ke nevojë që të krijosh. Tani unë është një model që i ngjaj Invës. I mirë apo i keq, dua të ngelem tek modeli im.

A ndiheni një divë? Të gjithë të perceptojnë kështu, edhe unë kështu të shoh, me këtë veshje…
Jo nuk ndihem divë. Në këtë teatër nuk kemi perde, s’ka. Deri në momentin që futem në skenë jam Inva. Momentin që hapet skena jam diva. Në skenë, por jo në jetë.

Nuk ndiheni në jetë…Ju mund të dilni të blini speca…
Madje kam shumë dëshirë që mos të më njohë njeri. Kam dëshirë qa ta jetojë jetën si çdo njeri. Është shumë bukur kur ti nuk ke asnjë paragjykim dhe jeton jetën me gjithë vështirësitë e saj. Me festat, vështirësitë. Nuk ke paragjykim, je vetvetja.

PSH, njerëzit kanë edhe kuriozitet të thjeshta. I mora këto spunto nga rrjeti kur pyeta mbi idenë e intervistat, ata pyetën: A gatuani vet?
Sigurisht.

Çfarë pjate ke të preferuar?
Pjata ime e preferuar është sajimi i momentit. Në momentin kur shoh se çfarë kam, krijoi.

Ju jeni bashkëshortja e një njeriu të pasur. Një pyetje që vjen nga publiku është: Si është të jesh gruaja e një njeriu të pasur?
Sigurisht është një komoditet. Por Inva është shumë indipendente, edhe financiarisht. Pasi kam arritur që të mbajë familjen dhe kam arritur që të krijoj një standard për të rritur fëmijët e mi dhe për të jetuar normalisht. Pjesa tjetër që bën pjesë në ekzagjerimet apo udhëtimet pa sens, apo veshjet, për mua nuk kanë asnjë vlerë. Se kam parë asnjëherë të qënurit bashkëshorte e një njeriu të pasur. Por ama, pas një njeriu të pasur financiarisht fshihet një njeri i pasur intelektualisht. Për mua kjo ka rëndësi. Për arsye se ajo pjesa e luksit mbaron shumë shpejt. Është një fishekzjarrë që ka ndriçim të bukur, por nuk ka vlerë për të ushqyer inspirimin tim si artiste. Kur ti ndan jetën me një njeri që është i ditur, një njeri që lexon 12 orë në ditë, me një njeri që krijon një debat që mbështet mbi argumentet e dy njerëzve që kanë këndvështrimet e tyre, që bien dakord, ose jo, kjo është pasuria më e madhe që unë kam.

Cili ka qenë momenti më i vështirë i karrierës suaj?
Në fakt nuk e kam asnjëherë, por përnjëherë më shkoi mendja në një moment të vështirë. Interpretoja ‘Traviatën’ në ‘La Scala’, ishte një nga shfaqet e radhës. Dhe akoma nuk e kam shpjeguar se unë pata një mos fuqi muskulore. Zëri u dobësua dhe unë nuk kisha energji. Unë kam qenë në skenë, kam kënduar, por kam vuajtur deri në minutën e fundit. Kisha një lodhje të tmerrshme. Se di pse as sot. Kam qenë shumë dobët. Publiku e kaloi. Aty e pash se sa vulnerabël është ky profesion. Publiku vjen për të shijuar, për të parë diçka të bukur. Por ne jemi njerëz. Dhe nuk e kuptojmë se jemi njerëz, dhe se kuptojmë se në një moment të caktuar energjia ime se di ku shkoj dhe nuk isha e denjë. Netë të tëra pa gjumësie pas shfaqjes. Më vinte zor nga vetja ime të kisha një performancë të tillë. Ishte akoma më e vështirë shfaqja e radhës nga stresi që mund të më rindodhte. E pash që energjia më kishte ardhur, por më ka ngelur në mendje se pse më ndodhi.

Më kujtohesh gjatë intervistës në Paris kur kemi folur së bashku për stresin apo trishtimin për divorcin me zotin Piro Çako, keni thënë se e ‘humba zërin’ nga ai moment i vështirë’. Cilat janë marrëdhëniet tuaja tani?
Me zërin?(qesh)

Me zërin dhe zotin Çako (qesh)
Zëri është diçka që është brenda nesh, jeton me ne. Ashtu siç jemi në gjendje shpirtërore, zëri e reflekton. Zëri i folur nuk të tradhton. Ti merr një njeri në telefon dhe i thua ‘alo’ e sheh se ka diçka që nuk shkon. Një këngëtar profesionist vë në lëvizje teknikën për të treguar se ‘nuk jam shumë i mërzitur’. Por zëri tregon gjithçka. Ndërsa me Pirron kam një marrëdhënie shumë normale, që ndoshta për dikë nuk është normale. Është gjithmonë prezent për arsye se është babai i djalit dhe unë kam ndarë me Pirron një pjesë të madhe të jetës. Nuk mund të them se e kam shok, pasi s’jemi më shok. Nëse rastësisht takohemi në rrugë, dhe jemi takuar, i japim dorën njëri-tjetrit dhe e pyesim se si jemi. Ngelet diçka që i përket të kaluarës time, me respektin më të madh, pasi është babai i djalit tim.

Djali juaj, Antonio, është parë këtë verë në Shqipëri. Do rri edhe ai me ju?
Jo jo, ai erdhi për pushime. Unë isha shumë e gëzuar sepse kaluam 3 javë bashkë. I kisha të gjithë bashkë. Unë jam gaforre, dhe dua që ta kem familjen rreth vetes.

Pash djalin në foto dhe ai ishte rritur shumë. Si është ai tani?
Ai është në kërkim të vetvetes (Qesh). Një djalë 22-vjeçar, parisien, me shumë ëndrra për të realizuar diçka të bukur, por me një peshë shumë më të madhe. Më thotë shpesh herë: ‘Çfarë duhet të bëjë unë që mos të quhem djali juaj? Po të bëjë diçka që ju të jeni krenar për mua nga ana profesionale’. Mendoj se ka një përgjegjësi shumë të madhe, por unë s’ja kam ushqyer kurrë se duhet të bëhet më i mirë se ne. Ai duhet të jetë vetvetja, por e shoh se e vuan shumë. Ndoshta kjo do ta shtyjë që të jetë i aftë profesionalisht.

Çfarë profesioni ka?
Muzikant. Si për çudi muzikant.

Nuk i shpëtonte dot…
Unë mendova se do shpëtonte, pasi filloi studimet për diçka që nuk kishte lidhje me muzikën. Por një ditë të bukur iu rikthye muzikës. Unë i pyetjen se: Pse e bërë ketë dhe kush është dëshira jote në jetë? Ai më tha: Kur t’i mbyll sytë dhe kur t’i hap dua të jem para publikut dhe dua të performoj. Atëherë e kuptova se ku fëmijë e kishte marrë shumë herët këtë vaksinën e artit.

Anon më shumë nga lirikja apo….
Jo anon më shumë nga muzika elektronike. Mendoj se e zgjodhi për momentin për efekt të moshës. Iu fut shumë thellë, madje bëri dy shkolla të rëndësishme, shkolla në Londër dhe Amsterdam. Përveç pjesës teknike, ai ka melosin brenda dhe arrin që të kompozojë gjëra të bukura. Muzika elektronike ka limitet e veta. Ndoshta më vonë do arrijë të bëjë kompozime.

I ati asiston në këto zgjedhje?
Mendoj se janë gjithmonë në kontakt me njëri-tjetrin dhe Antoni i dërgon krijimet. I dëgjon, janë dakord apo dhe jo.

Po Nina paralajmëron një soprano apo akoma?
Për momentin jo. (Qesh) Nuk paralajmëron për arsye se është e vogël akoma. Por duke qenë se më sheh si model, ka një kompeticion në familjen tonë. Madje herën e fundit që kam qenë në një intervistë, e shoh që shihte tv dhe merr një karrige dhe del para televizorit dhe flet si mua. Donte që të ishte ajo. Ky protagonzëm ka nisur herët dhe kjo konkurrencë nuk e dimë se si do ta menaxhojmë më vonë.

Dëgjon muzikë shqiptare?
Rastësisht po.

Bashkëkohore apo lirike?
Lirike kam parë disa vepra. Ndërsa bashkëkohore, nuk është se jam fanse, por dëgjoj.

Çfarë mendimi keni për muzikën bashkëkohore?
Në përgjithësi ne flasim dhe gjuajmë çdo gjë që këtu formohet. Se krijohet psh tallava. Në fakt nuk është e vërtet. Këtu ka muzikë të bukur, prodhojmë zëra të bukur. Ka vajza dhe djem të rinj të talentuar. Në fushën e këngës mendoj se ka edhe krijimtari të bukur që nuk është komerciale. Duke qenë se ne jemi një popull shumë rural, nuk do ta përqafojmë shumë shpejt këtë lloj muzike, por ka edhe krijimtari të bukur. Unë inkurajojë krijuesit që përpiqen të sjellin një rrymë të re në muzikën shqiptare.

Inva vjen dhe punon në teatrin e Tiranës. Sipas jush, sa e lehtë është që të bësh art sot në Shqipëri?
Artistët në Shqipëri janë të varfër. Kjo është një nga arsyet që ti të jetosh me pasionin tënd 100%. Unë e kam parë tek shumë artist të Operas të cilët janë të detyruar të bëjnë aktivitete të tjera, duke bërë edhe dasma që të mbijetojnë. Jo nuk ndodh në asnjë vend të botës. Për këtë më vjen keq. Do thoja që të jesh sot një artist në Shqipëri është nder, pasi populli jonë është artdashës. Do doja që artisti i operas të kishte status tjetër.

Çfarë mund të thoni ju për atmosferën operistike në Shqipëri? Kur është Inva salla është plotë psh..A ka një kulturë operistike në Shqipëri?
Kultura operistike duhet mbajtur. Nuk njoh kultura që ekzistojnë. Çdo gjë është mirëmbajtur. Ndaj nuk është e vërtet që publiku shqiptar vjen kur është Inva, por vjen kur ka investim. Ne nuk kemi një teatër, jemi fatmirësisht në rikonstruktim të një teatri. Do dëshiroja që bashkë me teatrin të ndërtohej një strukturë, që mund të jetë edhe mikpritës i produksioneve të mëdha. Të ketë edhe një teatër që funksionon në parametra të dukshme që të bëjnë një spektakël të jetë i bukur. Ndaj do dëshiroja që këto 3 vite mos të merremi vetëm me godinën dhe akustikën por se si do funksiojnë një teatër i ri në Tiranë. Shumë e rëndësishme është se eksporti më i madh në botë janë artistët. Ne krenohemi kur shohim që artist shqiptarë kanë kapur majat botërore. Unë jam krenare për kolegët e mi. Por çfarë bëjmë ne për artistët, talentet? Shkolla jonë si funksionon për të arritur ata njerëz që kanë arritur jashtë, të cilët kanë pasur një mbështetje. Ne fatmirësisht ne prodhojmë zëra, talente. Duhet të jetë një program i përgjithshëm që shoqërohet në thelb.

Kush duhet ta bëjë këtë, shikoni ndonjë përpjekje, apo është vetëm një dëshirë e juaja?

Jo. Nuk mund ta konsideroj dhe nuk e pretendoj dhe nuk e vizionoj që të jetë ëndërr. Shpesh kemi dëgjuar që prit se njerëzit nuk kanë bukë të hanë ne bëjmë art. Nuk ka lidhje fare, sepse arti është elitar, por del edhe nga njerëz të cilët janë dhe vijnë nga njerëz që vijnë nga konkurse. Unë kam parë talente dhe çuditem si ka mundësi që vijnë dy pianiste të vegjël nga një familje shumë  e mirë. Vjen një vajzë e vogël si mjelmë nga një konkurs nga Kosova, nga një fshat i Kosovës. Pra talentet ekzistojnë, por është sistemi që duhet të shoqërojë talentin. Ne kemi vetëm liceun artistik, por dikur kemi pasur pallatin e pioniereve. E dini sa artistë të sotëm vijnë nga ajo bërthamë e Robert Radosë. Ne nuk e kuptojmë se gjithçka vjen nga sistemi. Ne duhet të jemi në kërkim të talentit, pasi kemi kuptuar që Shqipëri ka talente, por nuk mjafton.

Talentet që përmendni ju janë një lloj fondi të cilin shpesh e përdorim edhe për imazhin. Ju përshembull ju quajnë një ambasadore qe shpesh përdoreni për kurimin e imazhit të Shqipërisë jashtë. A përdoret ky fond sot aq sa duhet nga qeveria dhe institucionet për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë dhe a duhet në fund fare të përdoret?

Që duhet të përdoret, mendoj se po, sepse këto janë asete të kombit, por unë mendoj se nuk mjafton. Nëse unë kam shkuar në të gjitha vendet e botës dhe mund tju jap dhe shembull të tillë.  Në një opera në Spanjë unë kam pasur shfaqje dhe kam ftuar ambasadën dhe ambasadoren që ka qenë në atë moment dhe më ka thënë nuk kam kohë. Ndërkohë që ishte mbretëresha e shtetit që ishte prezente. Por ka pasur edhe raste kur ambasadori shqiptar është bërë miku im më i mirë dhe ka ardhur. Por është individuale dhe nuk ka qenë në program. Unë mendoj se ambasadat duhet ta kenë në program të veçantë, pasi është në ndihmë të imazhit.

Ju vini nga një qytet si Parisi që konsiderohet si metropoli i kulturës, modës, bukurisë dhe tani jetoni ne një qytet të vogël që ofron pak nga ana kulturore. E ndjeni këtë lloj raporti? Ku e kaloni kohën e lirë?

Unë nuk kam ardhur në Shqipëri ta krahasoj me Parisin. Nëse nuk kam teatër në Shqipëri kam diellin. Në Shqipëri kam miq dhe shokë. Pra kam diçka tjetër që më përmbush dhe Parisi nuk ma jep kurrë këtë. Tirana është kthyer në një metropol ku bashkëjetojnë paradokse të mëdha…

Përshmebull ju vjen në mendje ndonjë gjë?

Inva Mula: Në Shqipëri mund të shkosh mbrapa një pallati dhe të shikosh që vërtet si jetojmë në këtë vend, por mund të dalësh nga ana tjetër dhe të shohësh një grua të veshur me Chanel. Por jo se nuk bëhen aktivitete. Përshembull kam qenë në një koncert të 3 instrumetistëve qe jetojnë në Francë dhe salla ishte bosh. Pra ky është një paradoks.

Ju thatë se Shqipëria ka një lloj zhvillimi jo linear. Ju si e shihni Shqipërinë sa herë që vini?

Tirana nuk i ngjan Tiranës që kam lënë unë dhe është në përmirësim.

Kontrasti me Tiranës dhe qyteteve të tjera?

Mendoj se nga ana kulturore nëse qytet e tjera nuk kanë një ndihmë që të mbajë trupën e teatrit, janë qytete të vakta nga ana kulturore. Kam qenë kudo këtë vit. Ishte një festival shumë i bukur në Berat dhe gratis, por njerëzit kthenin kokën dhe nuk kishin interes. Ishte një festival shumë i bukur dhe mbase publikut i vinte edhe turp të dëgjonte. Kulturën e qytetit e mbajnë institucionet që kanë një program dhe një aktivitet. Ju do thoni se kemi gjëra të tjera më të rëndësishme. Atëherë arti nuk do bëhej kurrë. Arti nuk bëhet me shumë para.

Nuk mendoni se niveli ekonomik dhe varfëria mund të ndikojë. Përshembull ndonjë nga ata banorët që kthente kokën deh vazhdonte mund të ishte duke kërkuar ushqimin e ditës…

Jo, hanin akullore. Mendoj se publiku iu largua të vërtetës.. Ju kujtohen festivalet e dikurshme… Përshembull festivali Gjirokastrës apo Shkodrës. Publiku ishte atje. U prish tradita dhe copëzua dhe publiku duhet drejtuar.

Prej vitesh është në diskurs që kthehet në politikën shqiptare, siç është integrimi evropian që është bërë si ideologji.

Mendoni se i mungon diçka shqiptarit të sotëm për të qenë i përfaqësues dinjitoz i BE. Mendoni se jemi gati dhe çfarë na mungon?

Nuk dua të jem subjektive, pasi e dua këtë vend dhe dua të jetë pjesë e BE. Unë mendoj se nëse Shqipërisë do i jepeshin më shumë krahë do arrihej.

Ju ka penguar identiteti kombëtar?

Jo, jo nuk më ka penguar. Por Shqipëria mendoj se e meriton dhe është një stimul, por çdo njeri duhet të japë kontribut dhe nuk duhet të zvarritemi me atë idenë, po ja ne nuk po i përmbushim kushtet. Duhet të kontribuojë çdo njeri.

Dua të marr një mendim për gruan shqiptare, ku shpesh gruaja shqiptare është viktimë. I keni ndjekur këto dhe çfarë mëndmi keni?

Jo vetëm i kam ndjekur, por shfaqjen e parë si regjisore kam trajtuar temën e gruas shqiptare, pasi edhe këtu ka një paradoks. Kemi një model të një femre që i ngjan një femre si gjithë vendet e tjera dhe nga ana tjetër është ajo gruaja e sfilitur që jeton në kushte të tjera të rënda dhe trajtohet keq. Dhe kronika e përditshme që nuk mbrohen gratë dhe nuk ka një reagim të vërtetë. Reagimi i vetëm është që mbushen gazetat të nesërmen. Kush do ta marrë këtë përgjegjësi? Ndoshta faji mbetet anonim dhe asnjëherë nuk  ka një përpjekje për ta parë këtë problem si një nga problemet kryesore të shoqërisë. Gruaja është mamaja e gjithë brezave që vijnë.

Gati për shfaqjen?

Gati, por tani duhet të mendoj që kam një përgjegjësi shumë të madhe. Falënderoj çdokënd që ka bërë të mundur shfaqjen dhe uroj që dhe publiku të jetë i dashuruar me ‘Peshkatarët e Perlave’ sic u dashuruam ne më ketë histori të bukur.

Një apel për publikun dhe ata që nuk janë në këtë sallë. Për ata që nuk janë sot, pse duhet të vijë të shohë publiku ‘Peshkatarët e Perlave’?

Publiku duhet të vijë, pasi ofrojmë një spektakël të bukur dhe mbi të gjitha për pasionin dhe devotshmërinë e çdo artisti dhe punëtori që ky spektakël të lindë në sallën e Pallatit të Kongreseve. Për herë të parë ne guxojmë të japim një shfaqje të tillë këtu.

Suksese dhe faleminderit që më dhuruat një intervistë të bukur sot. Dhe mos harroni me këmbën e djathtë sot…

 Është e automatizuar këmba e djathtë…

Suksese.