“Kënga Magjike”, Ardit Gjebreja njofton se kush janë dy prezantueset (Foto/Video)

  • 22 October 2017 - 14:33
“Kënga Magjike”, Ardit Gjebreja njofton se kush janë dy prezantueset (Foto/Video)

Ardit Gjerbrea, në fillim të rubrikës “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare” njofton se partneret e tij dhe të aktorëve të humorit, Besart Kallaku dhe Erion Isaj, në edicionin e e 19-të të Këngës Magjike do të jenë Nevina Shtylla dhe Arjola Shehu.

Por moderatoret e sezonit të ri të Televizionit Klan ende nuk e dinë, ndaj Gjebrea ka ftuar nënat e tyre për t’ua dhënë lajmin nëpërmjet një suprize të këndshme.

Nënat e Nevina Shtyllës dhe Arjola Shehut janë ftuar në rubrikën “Ka një mesazh për ty” për t’ju dhënë nga një mesazh të bijave, por asgjë nuk është siç duket. Mira, nëna e Arjolës dhe Sofi, nëna e Nevinës rrëfejnë se do të zhvillojnë një lojë për të bijat.

Mira do t’i ofrojë Arjolës një bursë jashtë shtetit për të zhvilluar masterin, për të cilin do t’i duhet të heqi dorë nga emisioni i saj “Kush vjen për drekë” në Televizionin Klan. Ndërsa Sofi do t’i thotë të bijës se ka vendosur që të pranojë kërkesën e kunatës së saj për ta marrë  Nevinën në Austri që të zhvillojë studimet e masterit, ndaj edhe asaj do t’i duhet të lejë emisionin e saj “Jo vetëm modë”.

Por edhe për nënat e moderatoreve ka një mesazh. Aleksandër Frangaj, drejtori i përgjithshëm dhe Armand Shkullaku, drejtori i programeve të Televizionit Klan njoftojnë se në Dhjetor do të nisë një emision i ri, por nuk po vendosin se kush do ta prezantojë.

“Kemi një problem që nuk po e zgjidhim dot … Lajmi është që në Dhjetor Tv Klan nis një program shumë të rëndësishëm, ‘prime time’, program që ne besojmë se do të ketë goxha shikueshmëri dhe do të jetë një surprizë e bukur. Por problemi është që kush nga dy gazetaret tona do ta prezantojë, Arjola apo Nevina? Jemi me drejtorin e përgjithshëm, kemi disa kohë që jemi në këtë dilemë të madhe. Kështu që mendoj që këtë dilemë t’ua përcjellim ju dhe të jenë mamatë ato që do të vendosin se kujt nga vajzave do t’i japim me konsensus të drejtën për ta drejtuar këtë program”.

Sofi propozon që në këtë emision të moderojnë “një ditë njëra një ditë tjetra”, që të mos i ngelë hatri asnjërës. Së bashku thonë se nuk mund të vendosin ato për fatin e të bijave, pasi janë shoqe dhe të afta, ndaj do t’ju duhet drejtuesve të vendosin.

Arjola Shehu pranon ftesën për të qenë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” dhe vjen në studion “E Diela Shqiptare”. Ajo përmend personat që mund ta kenë ftuar, duke përmendur edhe të ëmën. Kur e sheh në ekranin e murit ndarës emocionohet dhe përlotet.

Mira – Jola, unë e di që ti nuk i ke qejf suprizat, por unë e bëra këtë. Erdha sot këtu për ty, kemi menduar bashkë me babin për të të ofruar ty, se e di që e kam merak që s’të kam çuar jashtë shtetit me studime. Atëherë të shkosh ta bësh masterin jashtë.

Arjola – Faleminderit. Mami e di që shkolla për mua ka qenë gjithmonë shumë e rëndësishme. DO ta shfrytëzojmë, por pas disa vitesh.

Gjebrea i tregon Arjolës se të njëjtin mesazh ia kanë çuar dhe Nevinës, e cila gjithashtu pranon të jetë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty”. Ajo shikon në krah të Mirës nënën e saj, Sofin.

Nevina – Paskemi mbledhje me prindër sot më duket.

Arjola – Edhe me prindër të bukur.

Sofi – Me mamin e Arjolës na ka lidhur i njëjti hall, po e quajmë hall. Ti e di shumë mirë që mami ka dashur gjithmonë t’ju ketë afër. Nuk e kam dashur kurrë largimin tuaj, por që nga momenti që Albi u largua, unë po mundohem të përshtatem. Ti gjithmonë ke pasut një propozim nga halla për të shkuar për të vazhduar studimet në Vjenë. Unë kam qenë gjithmonë pengesë për ty në këtë drejtim sepse kam dashur që ti të jesh gjithmonë afër meje. Halla e bëri prapë këtë propozim dhe unë mendova të ta transmetoj. Mendoj që ti të shkosh të vazhdosh studimet te halla.

Nevina – Për mua asnjëherë as ti, as babi, as vëllai, asnjë gjë në familje nuk ka qenë problem për mua. Kanë qenë të gjitha zgjedhjet e mia që besoj se kam patur gjithmonë mbështetjen tuaj dhe nuk ka qenë asnjë lloj gjëje e ndikuar keq nga ju, përkundrazi kam patur gjithmonë atë krah që shumë vajza të tjera do e dëshironin nga prindërit e tyre. Me punën në televizion shumë prindër bëhen paragjykues, ndoshta i pengojnë fëmijët e tyre dhe nuk i lejnë që të arrijnë ato dëshira dhe ato ëndrra që kanë. Prindërit e mirë janë të hapur ndaj të gjithë ndryshimeve që janë aktuale ditët e sotme. Çdo gjë që kam bërë ka qenë zgjedhja ime dhe nuk do doja të largohesha fare nga këtu!.

Ajo tregon sa e fortë është marrëdhënia e saj me familjen dhe gjithashtu refuzon të shkojë për studime në Vjenë, duke e bërë kështu edhe më të vështirë zgjedhjen për moderatoren e emisionit të ri në Televizionin Klan.

Nevina dhe Arjola kanë një mesazh tjetër, por këtë herë nga Frangaj dhe Shkullaku.

“Kemi një lajm për të dyja ju. Lajmi është shumë i mirë. Tv Klan në Dhjetor do të nisë një emision shumë të rëndësishëm, “prime time”. Vlerësimin tonë për ju e dini, e keni marrë. Jemi të kënaqur me të dy emisionet që ju drejtoni. Problemi është që unë dhe Sandri kemi një dilemë shumë të madhe. Emisioni për fat të keq do të drejtohet vetëm nga një prezantues. Kush do të jetë? Do të jesh ti Arjola apo do të jesh ti Nevina?  Kjo dilemë po na mban gjatë. Kështu që këtë dilemë kemi vendosur ta zgjidhim te Arditi, prandaj ky është mesazhi për ju. Njëra prej jush duhet të vendosë tani, në këtë moment se kush do të jetë prezantuesja. Pra jua lejmë ju zgjedhjen për njëra – tjetrën”.

Nevina shprehet se nuk u takon atyre të vendosin se kush do të jetë prezantuesja dhe se sigurisht që nuk duan ta bëjnë. Të pyetura nga Gjebrea se kush do ta ishte më e denjë për ta prezantuar këtë spektakël , ato vazhdojnë të këmbëngulin se janë të dyja shumë të mira në atë që bëjnë dhe se nuk e marrin përsipër këtë gjykim. Arjola shprehet: “Doni të na fusni në sherr ju tani”?

Ndaj Arditi vendos që përzgjedhja e moderatores do të bëhet nga një monedhë dhe përgjigjia është se … Të dyja do të moderojnë edicionin e 19 – të të Këngës Magjike përkrah Ardit Gjerbreas, Besart Kallakut dhe Erion Isajt. 

(Kosova Sot)