INTERVISTË ME KËNGËTARIN EDI KRASNIQI: 'Jemi dy zemra, e një shpirt'

  • 21 May 2018 - 09:18
INTERVISTË ME KËNGËTARIN EDI KRASNIQI: 'Jemi dy zemra, e një shpirt'

Edi Krasniqi është ndër këngëtarët më të njohur të muzikës popullore. Prej fillimit të karrierës e deri më tani, Edi ka marrë pjesë në disa festivale,si:"Polifest 2005", me këngën "Kisha besë në dashuri", ka realizuar një sërë bashkëpunimesh të suksesshme me këngëtaren Rifadije Grajçevci, njëherësh dhe bashkëshortja e tij, përmendim këtu hitet: "Falma", "Pak a shumë", "Më mungon", "E pranoj", "Bëhet mirë", e shumë të tjera, gjersa si solo artist, kënga e tij më e preferuar nga publiku mbetet "Veç me zjarr më dashuro", e cila vazhdon të dëgjohet edhe sot.

Në një intervistë për gazetën "Kosova Sot", Edi përgjigjet në shumë pyetje, të cilat mund t'i lexoni në vijim.

Image

"Kosova Sot":Keni vite në skenë, çka është për ty muzika? 

Edi Krasniqi: Muzika për mua është ndjenja e shpirtit, është frymëzimi i jetës.

"Kosova Sot"Cilat janë tri këngët e tua, që kanë lënë gjurmë në muzikën shqipe?

Edi Krasniqi: Kemi mjaft këngë që janë dëgjuar, anembanë, por me dëshirë do ta veçoja këngën "Ah, moj dashni", e kompozuar nga Naim Krasniqi, si dhe duetin "Falma", me tekst të mikut tim Fatmir Mujës.

"Kosova Sot":A jeni të pasionuar pas veturave, dhe çfarë modeli vozisni aktualisht?

Edi Krasniqi:Po natyrisht, jam fans i flakët i 'BMW'-s , kështu që për momentin vozis 'BMW X6'.

"Kosova Sot":Qyteti, apo vendi ku ju relakson dhe do ktheheshit me dëshirë?

Edi Krasniqi: Në Munih të Gjermanisë, dhe në Prishtinë ndihem më së miri.

"Kosova Sot":Keni realizuar disa bashkëpunime të suksesshme me këngëtaren Rifadije Grajçevci, bashkëshortja juaj, sa ju ka ndihmuar ky relacion në profesion dhe a keni në plan ndonjë bashkëpunim të ri?

Edi Krasniqi:Bashkëpunimi me Rifadije Grajçevcin si dhe përkrahja e kompozitorit të mirënjohur Naim Krasniqi, ishte një shtytje e madhe në karrierën time. Sa i përket bashkëpunimit me Rifadijen, natyrisht se nuk do t'i ndalemi punës asnjëherë, sa të kemi shëndetin , një ndër këngët tona titullohet "Jemi dy zemra dhe një shpirt", kështu që kjo vazhdon të jetë motoja për ne si në punë, po ashtu dhe në jetën private.

"Kosova Sot":Sapo keni publikuar këngën "Zemra ende e don", të realizuar dhe me videoklip, kush janë autorët, dhe si u mirëprite nga publiku solo, se jemi mësuar të shohim 'gjithmonë' në duet?

Edi Krasniqi: Këngën "Zemra ende e don", e ka punuar Ardian Kastrati,tekstin e kam shkruar vetë, videoklipin e kemi realizuar me Produksionin e mirënjohur 'Mproduction'. Skenat e klipit i kemi xhiruam në Mal të Zi, falë fleksibilitetit të ekipit gjatë xhirimit çdo gjë ka shkuar, ashtu siç ishte menduar. Kjo këngë më pëlqeu që nga momenti kur e mora nga Ardiani dhe shpresoj që edhe adhuruesve të mi, dhe gjithë dëgjuesve t'u pëlqejë, ashtu si mua.

"Kosova Sot":Nga cili këngëtar inspiroheni, dhe vazhdoni ta shikoni si model të suksesshëm?

Edi Krasniqi: Inspirimin e marrë nga shumë këngëtarë botërorë, por si model do ta veçoja këngëtarin tonë të mirënjohur Ramadan Krasniqi - Dani.

"Kosova Sot":Cili është opinion juaj, për tregun aktual dhe piraterinë e muzikës në trojet shqipfolëse?

Edi Krasniqi:Nuk merrem me piraterinë, janë organet kompetente për raste të tilla, me rëndësi, është t'i sjellim dëgjuesve muzikë sa më të mirë.

"Kosova Sot":Cilat janë projektet muzikore që ke në plan t'i lansosh gjatë muajve në vijim?

Edi Krasniqi:Patjetër se do të ketë risi, por tani nuk do t'i zbuloj.

"Kosova Sot":Mesazhi juaj për fansat dhe lexuesit e gazetës "Kosova Sot"?

Edi Krasniqi:Mesazhi im për fansat dhe lexuesit e "Kosova Sot", është: Ta duamë, ta ruajmë dhe ta respektojmë njëri-tjetrin.

Intervistoi:Armend Preteni

(Kosova Sot)