Mediat serbe kundër pjesëmarrjes së Era Istrefit në kampionatin botëror

  • 23 May 2018 - 14:29
Mediat serbe kundër pjesëmarrjes së Era Istrefit në kampionatin botëror

Edhe dy ditë na ndajnë nga koha kur do të publikohet kënga zyrtare e kampionatit botëror të futbollit, e cila do të këndohet nga Era Istrefi në bashkëpunim me Will Smith dhe Nicky Jam.

Ky lajm duket se nuk është pritur mirë nga mediat serbe të cilat kanë kujtuar klipin e këngës “E dehun” të cilin Era e ka xhiruar në Kishën Ortodokse të Serbisë. Gazeta “Blic” e ka quajtur provokim këtë veprim të këngëtares, e cila sipas saj shfaqet gjysmë e zhveshur në atë klip.

“Ajo synon me anë të paraqitjeve provokative të tërheqë vëmendjen ndërkohë që para 4 vitesh është akuzuar për shkak të klipit kontrovers të këngës “E dehun” në të cilin gjysmë e zhveshur vallëzon në tempullin e kishës ‘Krishti Shpëtimtar’”- shkruhet në gazetën serbe.

Himni i kampionatit botëror do të prezantohet në datën 25 maj, dhe do të titullohet ”One life to live”.

(Kosova Sot)