Stilisti mashtron Encën me veshjet e divës serbe?

  • 13 October 2015 - 17:42
Stilisti mashtron Encën me veshjet e divës serbe?

Klipi më i ri i këngëtares Enca Haxhia, me titull ‘’Call me goddess’’, vetëm brenda pesë ditëve ka kapur shifrën e 1 milion klikimeve, kështu që e bën atë femrën më të kërkuar dhe më të përfolur të skenës shqiptare.
Ndërsa këtë vend vitin e kaluar dhe vite më herët e mbanin këngëtare me nam në Kosovë e në Shqipëri, sot Enca po ua kalon të gjithave. Ndoshta ky ka qenë dhe qëllimi i saj, që dikur injorohej nga koleget, të cilat sot duan të jenë gjithnjë pranë saj për të shijuar pak nga fama e këngëtares Haxhia.

Ajo që bëri zhurmë nga projekti i fundit ishin veshjet dhe aksesorët që kishte përdorur këngëtarja në klipin e ri. Po e a e dinte se këto veshje ishin kopjuar nga këngëtarja serbe, Jelena Karleusha? Sigurisht që jo. Për faktin se Enca kishte vendosur të bashkëpunojë me stilistin kosovar Rexhep Zylfiu e duke mos ndjekur ndoshta këngëtaret e rajonit, por duke u fokusuar në trendin botëror, si te Rihanna, Beyonce e Lady Gaga, Enca kishte haruar se stilisti që kishte zgjedhur për të punuar me të, ishte fans i flaktë i pop divës serbe. Ja si shprehej dikur ai:

“Ka kohë që e përcjell Jelena Karleushën, është këngëtare shumë e mirë, një fashioniste dhe një njeri shumë perfekt që ka një rëndësi shumë të madhe për mua, e kam inspirim, intervistat e saj i ndjek, ajo është tolerante, mendjehapur dhe shumë pozitive. Këto kanë bërë që unë ta dua edhe më shumë. Sigurisht që ajo e di se unë jam fans i saj dhe kemi folur e biseduar. Mendoj se marrdhënia serb-shqiptar është diçka politike e nuk ka të bëjë me jetën reale të njerëzve. Veç asaj, Karleusha është një yll Ballkani për të gjithë, i do fansat e saj pa dallim nacionaliteti, race, feje apo orientimi seksual, unë e dashuroj pa fund se është një artiste e përkryer”. Kështu ka deklaruar stilisti Zylfiu në një intervistë dhënë për mediat në Kosovë në lidhje me preferencat e tij në muzikë. Madje, ai e ka takuar nga afër Jelenën dhe është fotografuar shpesh me të. Duke mos dashur të komentojë kritikat në lidhje me projektin e fundit, Enca në një intervistë dhënë po ashtu në Kosovë ka folur mbi fillimet e saj, si dhe planet që ka për karrierën internacionale në Lindjen e Mesme.

“Të them të drejtën nuk më mungon diçka, e kam shijuar shumë fëmijërinë, kam nisur me muzikën e festivalet e para… Sot rrethi im shoqëror është i ngushtë, se nuk mbaj shumë afër vetes sa për numër’’, është shprehur këngëtarja. Enca, e pyetur për pasurinë e saj, tregon: ‘’Unë jam në fazën duke punuar e duke fituar për të investuar më shumë në karrierë. Fiks në këtë periudhë vjet kam nisur me koncerte, më herët nuk kam dashur se nuk kam pasur bagazh, kam nisur me diasporën, ajo është e lodhshme, por të jep mundësi të njohësh shumë njerëz dhe kolegë”. Meqënse ka fansa nga shumë vende të botës, këngëtarja është pyetur nëse do të bënte ndonjë këngë në gjuhën arabe. ‘’Është në planet e mia të afërme që të organizoj disa koncerte në Lindjen e Mesme”, ka rrëfyer ajo, transmeton Panorama.