Ngjarje e vërtetë:MË BRAKTISI PËR SHKAK TË OPERACIONEVE ESTETIKE (1) - Dashuri - Kosova Sot
Ngjarje e vërtetë:MË BRAKTISI PËR SHKAK TË OPERACIONEVE ESTETIKE (1)

Ngjarje e vërtetë:MË BRAKTISI PËR SHKAK TË OPERACIONEVE ESTETIKE (1)

- Konsideroje këtë si një dhuratë të parakohshme për ditëlindje - më tha duke buzëqeshur Yllka, shoqja ime më e mirë, duke ma dhënë një kupon për kontroll falas te një kirurg plastik.

- E, pse të shkoj unë atje? Nuk e dija a të ndihesha e ofenduar, apo falënderuese. Ishte duke u afruar ditëlindja ime e tridhjetepesë, por isha e bindur se dukesha shumë më e re sesa mosha ime. I kushtoja vëmendje të ushqyerit, ushtroja rregullisht dhe përdorja një linjë kozmetike e cila ngadalë- sonte plakjen e lëkurës.

- Paj, do të mundje t'i rrafshoje këto rrudhat e imëta, të cilat të duken kur buzëqeshesh. Apo, ndoshta, këto dy rrudha midis syve, të cilat të thellohen kur kridhesh në mendime.

- Pajtohem se i kam disa rrudha të vogla, por asgjë më shumë...

- Sido që të jetë, nuk do të të bënin dëm disa injeksione të kolagjenit - insistonte Yllka. - Nuk do të ndjesh dhembje të madhe: një therje dhe nuk ka më rrudha! Dhe, kolagjeni nuk është i dëmshëm sikur silikoni. - Nuk e di...

- Pse nuk shkon që të bisedosh me kirurgun, për të vendosur më lehtë. Unë shpesh e vizitoj klinikën e tij. Pasi që Yllka mi tregoi të gjitha intervenimet e vogla të cilat i kishte bërë, mbeta pa fjalë. Ajo pa dyshim ishte femra më e bukur që njihja dhe, sa herë që dilnim në qytet, meshkujt e kthenin kokën për ta shikuar edhe një herë. Kurrë nuk do të më shkonte ndërmend se buzët e saj të bukura janë të mbushura me kolagjen. Dhe, kështu të nesërmen shkova në atë klinikë.

- Jam i sigurt se mund t'ju ndihmoj që të bëheni edhe më e bukur - më tha doktor Dini, derisa e studionte fytyrën time.

- Lëkurën e keni në një gjendje të mrekullueshme, edhe pse një piling kimik do t'u bënte që të dukeshit të paktën dhjetë vjet më e re. Edhe ky lythi në hundë mund të hiqet, por nëse juve nuk ju pengon... Sa iu përket rrudhave, ato mund t'i heqim qafe menjëherë.

- A do të më dhemb? - e pyeta e shqetësuar.

- Sikur një pickim i insekteve - mu përgjigj mjeku. Njëzet minuta më vonë ndihesha sikur fytyrën të ma kishin pickuar me qindra insekte, por rezultati më pëlqente: rrudhat e imëta ishin zhdukur si me magji. Menjëherë fillova planifikimin e ngritjes së kapakëve të syve. Doktor Dini më shpjegoi se bëhet fjalë për një intervenim krejt të thjeshtë. - Sonte je tepër e bukur! - më tha me entuziazëm burri im Berati, derisa përgatitesha për të dalë. - Disi më dukesh ndryshe. A ke veshur fustan të ri, apo ke ndryshuar stilin e flokëve?

- Eh, kjo le të mbetet sekreti im i vockël - iu përgjigja me një dozë misteri. Berati më nuk më bëri pyetje dhe unë ndihesha për mrekulli për faktin se i kisha pëlqyer më shumë se rëndom. Disa ditë më vonë e informova se doja t'i ngritja më lart kapakët e syve. Ai u befasua.

- Me të vërtetë dëshiron ta bësh një gjë të tillë?

- Po, Berat, kjo me të vërtetë ka rëndësi të madhe për mua. Dhe, kështu, tri javë më vonë iu nënshtrova intervenimit të parë. Ndjeva dhembje të madhe, por doktor Dini dhe personeli tjetër u sollën aq mirë me mua, sa që dhimbjen e harrova shumë shpejt. Qëndrova disa ditë në shtëpi. Një javë më vonë sytë ende i kisha të ënjtur, por qysh tani kishin filluar që të dukeshin rezultatet e "liftingut" dhe isha tejet e kënaqur. Fillova të kurseja dhe t'i ruaja paratë në llogarinë time bankare. Planifikoja që në sytë dhe buzët e mia të vendosja grim të përhershëm, meqë në një revistë lexova se kështu bënin aktoret e famshme. Dhe kështu, dy muaj më vonë, përsëri shkova në klinikë. Intervenimi ishte pak i dhembshëm, por pasi që u shikova në pasqyrë, buzëqesha e kënaqur. Sytë tani më ishin të grimosur edhe derisa flija.

- Por, ti dukesh mirë! Pse dëshiron të bësh liposukcion? - më pyeti i habitur Berati, pasi që ia tregova qëllimin tim më të ri.

- Kam ushtruar si e marrë në palestër, por asgjë nuk më ka ndihmuar kjo në heqjen e këtyre shtresave të dhjamit në kofshë. Doktor Dini më tha se liposukcioni e zgjidhë këtë problem njëherë e mirë.

- E, sa do të më kushtojë kjo? (vijon)

(Kosova Sot)

7 orë e 58 minuta më parë
15/12/18