Ngjarje e vërtetë:Më gënjenin se më kishte vdekur vajza (5)

  • 15 December 2018 - 15:54
Ngjarje e vërtetë:Më gënjenin se më kishte vdekur vajza (5)

Çdo ditë të lume më shitnin mend, e me kalimin e kohës, unë thjesht u çmenda nga këshillat e tyre. Kur gjyshi vdiq nga infarkti i zemrës, situata në shtëpi u bë edhe më e keqe. Tre muaj më vonë, nga e njëjta sëmundje vdiq edhe gjyshja. Që të dy i varrosëm në Gjermani. I doja, por disi edhe më vinte mirë që kishin vdekur, meqë më nuk do t'i dëgjoja kopallat e tyre të përditshme, se kishte ardhur koha për martesë. Por, misionin e tyre në këtë drejtim e vazhdoi nëna. Çdo ditë më fliste sesi e kaloja kohën kot dhe sesi do të më shkonte tërë jeta kot së koti, sikur të mos martohesha dhe të krijoja familje. Në një moment lëshova pe dhe u thashë që ta thërrisnin mysafir vajzën e një mikeshe të tyre, për të cilën thoshin se ishte rast i mirë për mua. Kur ajo erdhi me prindërit e saj te ne dhe pasi ata na lanë vetëm, Sabine filloi që të qante me dënesje. Më tha se i vinte keq që më kishte vdekur e dashura, por nuk dëshiron që ajo të jetë vetëm një ngushëllim për mua. Për më tepër, më tha se ka një të dashur, dhe se e do atë me tërë zemrën. - Atëherë pse erdhe këtu sonte? E ke ditur se çka planifikonin prindërit tanë, apo jo? - e pyeta i habitur. - Natyrisht, nënat tona me vite bisedojnë se sa mirë do të ishte sikur ne të martoheshim. Nuk më lënë që të martohem me djalin që e dua. Ralfi është kuzhinier, vjen nga një familje e varfër, e prindërit për mua duan një burrë të pasur dhe me nam. Mendojnë se ti je një rast i përkryer - më tha ajo. - Po, de! Me vite të tëra i papunë, me të vërtetë jam rast që nuk duhet lënë të të ikë - i thash me ironi. - Herolind, unë e di se ti nuk je djalë i keq. Sipas fjalëve të nënës tënde, unë e di se ti ende e do të dashurën tënde të ndjerë - tha ajo. - E dua dhe do ta dua përjetë. Asnjë femër nuk do ta zërë vendin që Valbona e ka në zemrën time - i thashë sinqerisht. - Prano që të martohesh me mua. Të martohemi dhe secili prej nesh le ta jetojë jetën e vet. Të mitë kurrë nuk do ta pranojnë Ralfin, që të dy jemi të vetëdijshëm për këtë. Nëse martohem me ty, prindërit përfundimisht do të më lënë rehat. Babai ka një firmë ndërtimtarie dhe do të na e dhurojë një shtëpi, nëse martohemi. Do të kemi hapësirë të mjaftueshme që secili prej nesh ta jetojë jetën e vet. Çka thua për këtë? - propozimi i saj më habiti tej mase. - A do të pranojë Ralfi yt në një raport të këtillë, a? Unë kurrë nuk do të lejoja që, vajza që e dua, të martohej me dikë tjetër. - Nuk na ka mbetur asgjë tjetër. I kam provuar të gjitha që të jemi bashkë, por babai gjithnjë më gjen dhe më kthen në shtëpi. Më ka thënë se, nëse edhe një herë iki nga shtëpia, do ta përdorë ndikimin e tij që e ka, që Ralfi kurrë të mos mund të gjej punë në tërë Gjermani. Ralf i ka prindërit pleq dhe të sëmurë. Sikur të mos ishin ata, ne kaherë do të iknim nga Gjermania. Por, kështu, ti je shpëtimi im i vetëm - ma shpjegoi Sabine situatën e saj të vështirë, me lot në sy. Për shkak të kujtimit për Valbonën dhe për shkak të premtimit që nuk e kisha mbajtur, vendosa që t'i ndihmoja një çifti të dashuruar. Atë mbrëmje dhe gjatë mbrëmjeve të tjera, Sabine dhe unë bëmë plane, të cilat do t'i realizonim më pas. Një muaj para datës së caktuar të martesës u punësova si përkthyes në një agjenci të marketingut. Mu sikur që kishte supozuar Sabine, na dhuruan një shtëpi. prindërit e mi dhe të saj na e financuan ndërtimin e saj, e ne të dy morëm gjithçka që një çifti mund t'i duhet për një jetë të lumtur. Edhe pse prindërit tanë donin një dasmë të madhe, ne e refuzuam me vendosmëri një gjë të tillë. (vijon)

 

(Kosova Sot)