Ngjarje e vërtetë:Më gënjenin se më kishte vdekur vajza (7)

  • 17 December 2018 - 16:13
Ngjarje e vërtetë:Më gënjenin se më kishte vdekur vajza (7)

- Mendoja se kishe vdekur. Ti nuk paske vdekur. Zoti i plotësoi të gjitha lutjet e mia dhe të ktheu tek unë. Përfundimisht edhe unë do të jam i lumtur. Të dua shumë, të adhuroj - i thashë pa menduar fare. - Herolind, mos më bëj skena këtu. Jam në punë. Çka po llomotitë? Pse do të isha e vdekur? Me vite të tëra jetoj në Gjermani. Erdha të të takoja dy muaj pas verës së fundit që e kaluam së bashku. Ishte nëna jote ajo që e hapi derën, por nuk më la të hyja. Më tha se ti ke një të dashur me të cilën je fejuar dhe, për këtë shkak nuk doje të ma jepje mua unazën. Ma tregoi fotografinë, ku ti shiheshe duke e përqafuar të dashurën tënde në Paris. Ma bëri me dije se ti do të martoheshe shpejt dhe se unë të kisha shërbyer vetëm për t'u shfryrë gjatë pushimeve. Nuk i interesonte fakti që unë në bark kisha fëmijën tënd dhe e ajo do të bëhej gjyshe. E dëshpëruar dhe e thyer, u largova nga shtëpia juaj. Me anë të autostopit arrita këtu. Ishte fat i mirë që u takova menjëherë me Friedën. Ajo dikur kishte qenë e martuar me shqiptar, kështu që nuk e kishim problem të merreshim vesh. Pasi dëgjoi rrëfimin e trishtë të jetës sime, ma ofroi një dhomë në shtëpinë e saj, si dhe punën në këtë sallon. Nuk mund të besoja atë që dëgjoja, e ajo vazhdoi: - Tek ajo e mësova zanatin, me ndihmën e saj i bëra letrat për të punuar - më tha, e sytë iu mbushën me lot. Në atë moment Frieda na tha që mund të shkonim diku tjetër, për të biseduar. E dita, ajo menjëherë kuptoi se kush isha unë. Valbona hoqi rrobat e floktares dhe shkuam te kafeneja më e afërt. Ia tregova të gjitha rrenat që mi kishin thënë prindërit e mi, por edhe gjyshja e gjyshi. I thashë se vajza në fotografi, ishte e dashura e shokut tim më të mirë. Mora vesh se kisha një djalë dhe pashë fotografinë e tij. Kurrë nuk kisha qenë aq i lumtur. Valbona më çoi në banesën ku jetonte me djalin tonë. Që të tre qamë derisa na u shterën sytë. Atë natë bujta te Valbona, e të nesërmen i tregova Sabines se, krejt rastësisht, kisha gjetur dashurinë e vjetër. Unë dhe ajo, gjatë dy vjetëve martesë, ishim bërë njerëz të përgjegjshëm. U morëm vesh rreth ndarjes së pasurisë, kërkuam dhe morëm shkurorëzimin. Prindërit tanë për një kohë të gjatë kishin udhëhequr jetët tona, por ne përfundimisht e kishim marrë timonin në dorë. Me prindërit u grinda si mos më keq, meqë nuk mund t'ua falja mashtrimin që ma kishin bërë. Me Valbonën vendosëm që të ktheheshim në atdhe. U kthyem, blemë shtëpi dhe ajo filloi që të punonte si floktare. Kur më njoftuan se më kishin vdekur prindërit një aksident trafiku në Germersheim, nuk isha i sigurt se doja të merrja pjesë në varrimin e tyre. Por, Valbona më tha se, derisa ata nuk ishin prindër normalë, unë duhej të isha një djalë i mirë, normal dhe të merrja pjesë në varrim. Shita gjithçka të tyren në Gjermani dhe u ktheva në atdhe. E kemi djalin para martese, por, Zot më fal, ende nuk jam i gatshëm që t'ua falë prindërve atë që ma kanë bërë. FUND

 

 

(Kosova Sot)