Ngjarje e vërtetë:Si mbeta pa kulm mbi kokë (1)

  • 18 December 2018 - 16:15
Ngjarje e vërtetë:Si mbeta pa kulm mbi kokë (1)

Si mbeta pa kulm mbi kokë, si u bëra njeri pa adresë, pa familje dhe pa një skutë të qetë, ku do të mund ta prisja fundin tim? Njeri pa dinjitet njerëzor, i lënë në mëshirë të njerëzve zemërmirë, apo në urrejtje të atyre për shkak të të cilëve edhe kisha dalë në rrugë, pa kulm mbi kokë. Këtë pyetje ia bëja vetes shpesh derisa sorollatesha rrugëve. Duke qëndruar në radhë para një gjellëtoreje humanitare, në mesin e shumë të të pafatëve, sikur puna ime, më bie ndërmend mallkimi më i madh çifut

: "T'i dhashtë Zoti të gjitha, e më pas t'i marrtë që të gjitha, po ashtu". Mua më nxori në rrugë mendjelehtësia ime dhe marrëzia, po ashtu; gruaja për të cilën mendoja se më donte aq sa e doja edhe unë atë, të cilës ia plotësoja çdo dëshirë, duke përfshirë edhe dëshirën e cila më çoi deri në shkatërrim. Duke menduar për të kaluarën time, kërkoj momentet kyçe të gabimeve të mia, kur ato i kisha bërë me vetëdije, vetëm që t'ua bëja qejfin njerëzve që i doja. Kështu, kujtimet e mia ikin në ditët e rinisë së pabrenga, në periudhën më të lumtur, atë të shkollës. Edhe sot e kësaj dite më kujtohet kur mbarova shkollën fillore, kur besoja se jeta ime do të rridhte sikur ndonjë lumë i qetë nëse i dëgjoja prindërit, në vend se vetë ta zgjidhja rrugën time.

- Biri im, nuk duhet ta mundosh mendjen tënde rreth asaj se cilën shkollë duhet ta vazhdosh, meqë do ta vazhdosh profesionin familjar. Do ta mbarosh zanatin e orëndreqësit, do të martohesh dhe do ta bësh një jetë të qetë, sikur që jetojmë unë dhe nëna jote - më thoshte im atë, pasi që ia kisha treguar dëftesën e shkollës fillore. - Por, baba, unë dua që të punoj më larg shtëpisë. Nuk mund ta imagjinoj veten si orëndreqës, i cili me orë të tëra rri ulur, duke studiuar mekanizmat e orëve. Unë dua që të bëhem agronom, të rri në natyrë, të kultivoj pemë dhe perime, të mbjell dhe të korr grurë...

- E, kush do të më zëvendësojë mua atëherë në zanatin të cilin e trashëgova nga gjyshi? Tradita familjare duhet të respektohet, e ty askush nuk ta ndalon që të ëndërrosh rreth agronomisë dhe arave me grurë. Përpos kësaj, pas katër vitesh do të bëhesh dora ime e djathtë në punë, meqë shikimi është duke mu dobësuar tej mase - ngulte këmbë babai im, e unë nuk kundërshtova, meqë për nga natyra isha i prirë që të bëja lëshime. Orëtaria e babait tim gjendej në bodrumin e shtëpisë tonë në një qytet jo fort të madh, ku njerëzit ende ia dinin vlerën pronës së tyre dhe që rregullonin orët që i kishin trashëguar brez pas brezi.

Por, edhe këtu kohët e reja kishin sjellë ndryshime, meqë kishin filluar njerëzit që të përdornin orë të lira, me bateri. Me kalimin e kohës filloi që të binte puna gjithnjë e më shumë, prandaj për t'u përshtatur me realitetin e ri, im atë filloi edhe me rregullimin, në fillim të radio aparateve, e më pas edhe të TV-ve, meqë në qytetin tonë nuk kishte mjeshtër të tillë. Ai e punësoi një elektroteknik me shkollë, Jetmirin, i cili merrte vesh nga kompjuterët. Duke punuar me të edhe unë e mësova atë zanat dhe fillova ta doja zanatin. Shumë shpejt filluam që të merreshim edhe me shitjen e orëve dhe të stolive.

Punësuam edhe një shitëse, një vajzë simpatike dhe elokuente, e cila i motivonte blerësit dhe ishte si e bërë për të qenë shitëse. Venera syzezë shumë shpejt më bëri për vete. I dashuruar marrëzisht, nuk kisha vërejtur se ajo ia kishte vënë syrin Jetmirit. Kur i propozova martesë, ajo pranoi, por pa atë entuziazmin i cili më kishte kapluar mua, për shkak se martohesha me vajzën që e doja. Me kalimin e kohës puna filloi që të binte sërish, prandaj edhe fitimet ishin gjithnjë e më të vogla. Për këtë shkak, ndihmësi i tim atë, Jetmiri, vendosi që ta kërkonte fatin jashtë shtetit. U ndamë si njerëz, meqë të dy palëve na konvenonte një zgjidhje e tillë, për shkak të krizës e cila e kishte kapluar vendin gjatë viteve 1980. (vijon)

(Kosova Sot)