Ngjarje e vërtetë: Dashuria me ciganin e bukur (3)

  • 11 January 2019 - 15:54
Ngjarje e vërtetë: Dashuria me ciganin e bukur (3)

- Aspak nuk më vjen mirë që rrinë këtu, qoftë edhe përkohësisht - tha nëna ime, duke e shprehur shqetësimin e saj. - Pse? - nuk e kisha të qartë. - Kurrë nuk kemi pasur probleme me ta. Sillen sikur të ishin të padukshëm. Qëndrojnë ca kohë, e më pas ikin sikur të mos kishin qenë kurrë. - Një palë shkojnë, e një palë tjetër vijnë - tha nëna, e cila filloi që të zemërohej edhe më shumë. - Veç kur të na plaçkitin një ditë, apo të na bëjnë ndonjë gjë tjetër. - Mos e tepro, nënë - u nervozova edhe unë. - Këta nuk janë hajna - fillova t'i mbroja pa e ditur as vetë se pse. Disi më vinte keq për ata njerëz, por edhe ua kisha lakminë për solidaritetin që kishin me njëri-tjetrin. Kur njëri kishte, kishin të gjithë. Gjithçka ndanin midis tyre. Bile edhe kur iu mungonin gjërat, ata kishin mjaft dashuri, e kjo kishte më së shumti rëndësi. E di se shumica prej jush thoni se dashuria nuk hahet, por për mua dashuria ka më së shumti rëndësi në jetë.

- Nuk iu besoj fare - nëna vazhdoi që të ngulte këmbë. - Nuk ju beson sepse nuk i njeh, nuk ua njeh kulturën, e as adetet. - Kulturën?! Çfarë kulture? - pyeti nëna me përqeshje. - Me të vërtetë je kokëfortë - murmurita. Nuk kisha as dëshirë, e as vullnet që të debatoja rreth kësaj. Kokëfortësia e saj më nervozonte, si dhe botëkuptimet e saj të vjetra. - A nuk më ke thënë gjithmonë se të gjithë njerëzit janë njësoj? - e pyeta duke buzëqeshur. - Po, por kjo nuk është e vërtetë. Të gjithë jemi të ndryshëm - tha ajo, duke u munduar që ta arsyetonte qëndrimin e saj aktual. - Herë jemi të njëjtë, e herë të ndryshëm? - e shikova me përqeshje. - Paj… - as ajo nuk dinte çka të thoshte. Ra në kurthin e fjalëve të veta. - Tani jam rritur, nënë - ia tërhoqa vërejtjen.

- Jam e aftë që të mendoj, por jam e aftë edhe të vërej dallimin midis gjërave të njëjta dhe atyre të ndryshme. - Ndoshta ke të drejtë - më tha nëna, duke i rrudhur supet dhe duke më shikuar me dyshim. - Shpresoj që të mos e miratosh mënyrën e tyre të jetës? - pyetja e saj disi më habiti. Për këtë nuk kisha menduar. Ata jetonin ashtu si dinin, e një mënyrë e tillë e jetës ishte trashëgimi e tyre. gjaku i nxehtë kërkonte lëvizje. Era nuk mund të qetësohet, aq sa nuk mund të qetësoheshin as ata. Ai luan me erën sikur që ata luajnë me jetën e tyre. Për dallim prej tyre, ne donim ta kishim një vend për të lëshuar rrënjë. Siguria për ne kishte rëndësi të madhe. Asaj i jepnim rëndësi të madhe, ndoshta më të madh sesa që e meriton.

Se njeriut nuk i duhet shumë, ciganët ishin dëshmia më e mirë. njeriu mund të jetë i lumtur edhe me pak, por ne këtë ka kohë që e kemi harruar. - Do të zgjohem herët në mëngjes - e ndërrova temën. Mua më konvenonte ashtu, e si duket edhe nënës time. Kam duke mbetur prapa me punë, prandaj më duhet ta kompensojë - as vetë nuk e dija pse arsyetohesha. - Puna ka rëndësi të madhe - më tha nëna, duke më kapur dorën. - Më vjen mirë që je kaq e përgjegjshme - edhe pse i zgjeroi buzët, kjo nuk ishte buzëqeshje e vërtetë, meqë lëvizja nuk arriti deri te sytë e saj. - Më duhet që të jem atje - thashë me shkujdesje.

- Po shkoj të pushoj - doja që të isha vetëm, e pushimi gjithmonë ishte arsyetim i mirë për të ikur nga vendi ku nuk na rrihej. - Shko - tha nëna me indiferencë. Pasi që hyra në dhomën time, u ktheva për të shikuar rreth e rrotull. Gjithçka ishte rregulluar sipas shijes sime. Çdo imtësinë vetë e kisha zgjedhur. Doja që ta kisha një vend ku do të ndihesha rehat, e dhoma ime ishte në të njëjtën kohë edhe oaza ime. Natyrisht, aty gjendej një TV, sikur edhe një kompjuter. (vijon)

(Kosova Sot)