Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (24)

  • 11 February 2019 - 15:41
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (24)

"Më duhet që të kthehem…", deklaroi ai, me një zë sikur i vinte keq që i duhej të ikte, por unë e dija se ai ishte momenti i përkryer që ai të zhdukej. "Do të të shoh brenda?", më pyeti ai. Ai ende donte që të më shihte brenda, pas tërë kësaj që ndodhi?! Një e tundur koke ishte e tëra që mund t'i jepja dhe një e tundur koke ishte e tëra ajo që i nevojitej atij. Pa hezitim, ai u kthye në kthesë dhe y zhduk brenda në kafene, pa u kthyer asnjëherë për të shikuar prapa. E përcolla me shikim, duke e falënderuar në heshtje për atë që kishte bërë. Pas pak minutash derisa e mora veten, hyra përsëri në ndërtesë, duke shkuar te bari dhe duke porositur ujë me limon. Muzika 'live' tanimë kishte filluar dhe, duke u bazuar në tingujt që arrinin deri te veshët e mi, zotëriu Sybukuri kishte pasur të drejtë. Do të më pëlqente qëndrimi këtu. Duke shikuar poshtë, pashë CD-në e tyre në një raft. E mora atë dhe e pyeta banakierin. "Sa kushton kjo CD?" "Dhjetë dollarë". Ia dhashë paratë për pijen dhe për CD-në dhe disi ndihesha çuditshëm nga të qenit në kafene, meqë ende nuk i kisha mbushur të 21-tat. Kisha njëfarë ndjenje rebele brenda vetes. U nisa në drejtim të skenës, për ta parë bendin duke performuar, tanimë e dashuruar me muzikën e tij. Secili nga pjesëtarët e bendit dukej kompetent në atë që bënte. Shikimi më ngeli te këngëtari i bendit.

Aty, sikur një zog i liruar, ai qëndronte në një stol dhe këndonte. Ai këndonte sikur nuk do të këndonte kurrë më, me emocione për çdo notë, me ndjenja në çdo pauzë. Dritat e barit binin mbi të dhe ai mbylli sytë, duke mbajtur mikrofonin afër buzëve të tij. Sytë e tij u hapën përsëri dhe ata kishin dashurinë dhe mirëqenien e yjeve ndriçuese. Ai dukej bukur atje. Jo në aspektin se ishte tepër i pashëm, por në formën e heshtur, të qetë. Ai ishte i thjeshtë me bluzën e vet, e cila ishte gjysmë e njomur me djersën e tij dhe të cilës i mungonte njëra mëngë. Ai kishte veshur xhinsi të errët dhe një zinxhir, i cili varej nga skaji i xhepit të tij e që ishte i ngjitur me kuletën e vet, të cilën e kishte në xhepin e pasmë. Ai nuk kishte tatuazhe në duar, por mënyra sesi e mbante mikrofonin, vinte në pah fizikun e vet. Dhe, ato buzë. Oh, ato buzë. Faqet e mia u skuqën kur fillova që t'ia shikoja gojën. Muzika sikur u shua menjëherë, por më pas shpërtheu sikur një burim. Sa më e zëshme që bëhej ajo, aq më i fuqishëm bëhej zëri i tij. Ai jetonte fjalët që i këndonte, adoptonte ritmet sikur të ishin fëmijët e vet dhe ai më frymëzonte. Zëri i tij ishte i lehtë sikur shiu, edhe pse e dija se ai mund të shndërrohej në një stuhi të ashpër nëse do të donte ai. Ai e mori mikrofonin në duart e tij të mëdha, duke e ledhatuar sikur ta kishte të dashur dhe, më pas, sytë e tij u drejtuan kah audienca, ku hasi edhe në shikimin tim. Unë nuk e largova shikimin, meqë nuk munda. Ai më kishte hipnotizuar, duke më lënë të mahnitur. Nuk kisha asgjë kundër që të zhytesha në ata sy. "Do të jem miku yt më i mirë, e dashur, nëse ma tregon emrin. Do të jem rrezja jote e diellit, pasi të mërzitesh nga shiu". Këndet e gojës së tij lëviznin lart derisa ai vazhdoi që të këndonte, kurse buzëqeshja e tij më bënte të rrëqethesha. Kur kisha buzëqeshur për herë të fundit? Ai njëherë ma bëri me kokë dhe, derisa i përfundonte fjalët e fundit të këngës, më dukej se ai ishte duke mbajtur një koncert privat për mua. "Ti mund të largohesh dhe jam i sigurt se do të jem në rregull. Por, vetëm sa ta dish, ti do të jesh në ëndrrat e mia sonte..." (vijon)

 

(Kosova Sot)