Ngjarje e vërtetë: Isha pjesëtare e një kulti sekret (2)

  • 17 February 2019 - 16:00
Ngjarje e vërtetë: Isha pjesëtare e një kulti sekret (2)

 E, unë me të vërtetë besoja se diçka nuk ishte në rregull me mua. Sepse, si mund të qëndronte problemi te prindërit e mi? Që të dy ishin njerëz me arsimim të lartë, njerëz të kulturuar dhe bashkëkohorë, shkencëtarë të dëshmuar, të matur në çdo aspekt. Babai punonte në një institut të famshëm, e nëna në një ministri, me poste të larta secili në profesionin e vet. Dhe, me të vërtetë, edhe si prindër ishin shembullorë, por duket se problemi qëndronte te ajo përsosmëri e tyre. Dukej se edhe nga ne, fëmijët, pritej që të përshtateshim në atë pamje të përkryer. Motrës sime Saharës duket se kjo i kishte shkuar për dore pa probleme, por unë, prej se di për veten time, kundërshtoja tentimet e tyre që të më "edukonin shtruar". Bile, si motra e madhe që isha, isha edhe xheloze ndaj motrës sime, gjë që mund të merret edhe si e rëndomtë, duke bërë krejt çka mundja që t'ua nxija jetën edhe asaj, e edhe prindërve të mi, prej momentit kur ajo erdhi në shtëpinë tonë. Për fat, Sahara mbijetoi të gjitha sulmet e mia dhe, përpos kësaj, në fund të pubertetit më donte më shumë sesa që e doja unë atë. Dhe po, prindërit e mi të përkryer përpos që ishin shkencëtarë të përkryer që silleshin për shembull në familje dhe jashtë saj, ishin paksa edhe avangardë dhe ekstravagantë, gjë që e kishin dëshmuar edhe duke na vënë neve fëmijëve emra jo aq të shpeshtë. Motra ime nuk kishte kaluar edhe aq keq, meqë emri Saharë nuk ishte edhe aq i çuditshëm, por mua ma kishin vënë emrin Zula, sipas një fshati të vogël në Eritre, emër të cilin kushedi ku e kishte gjetur nëna ime, e me të cilin, ashtu pa qejf, ishte pajtuar edhe im at. Më së shumti më pengonte kur më thërrisnin Zyla, e kur duhej t'ua shpjegoja se unë quhesha Zula, e jo Zyla.

Pra, mendoj se e kuptuat edhe ju, nëna ishte dominuese në familje. Për këtë shkak, në shtëpinë tonë hahej vetëm ushqim vegjetarian, e vetë ajo refuzonte që të hante bile edhe peshqit, gjë që na kishte lejuar babait dhe neve. Të gjitha pushimet verore i kalonim në disa kampe alternative nëpër botë, ku duhej të meditonim dhe të hanim ushqime me shije katastrofë. Për nënën ky ishte një pastrim shpirtëror, e për ne ishte thjesht një kohë kur duhej të mos flisnim, me qëllim që të ishim "të mirë". Në tërë këtë mesele, unë ndjeja një dashuri platonike, jo seksuale, ndaj tim at, meqë ai më dukej i shtypur, sikur që ndihesha edhe vetë e shtypur, prandaj gjithmonë ia mbaja anën. E, me rezistencën time, ia bëja me dije tim et se si duhej të sillej ai ndaj presionit të cilin ia servonte nëna. Ai më kuptonte, apo vetëm shtirej sikur më kuptonte, prandaj kur ishim vetëm ne të dy, më thoshte se kisha të drejtë kur kundërshtoja sjelljen e nënës sime. Unë shpresoja se edhe ai do të ndryshonte diçka në raportin e tij ndaj saj, se do t'i kundërvihej, se do të thoshte diçka që, në mënyrë magjike, do ta ndryshonte përditshmërinë tonë, por gjithmonë zhgënjehesha nga ai, meqë gjithmonë, ai në fund të ditës, ishte në anën e nënës. Dhe kështu, këto zhgënjime të përditshme ma kishin humbur shpresën për ndonjë ndryshim. Njëri ndër kundërshtimet e mia më të mëdha ishte kur fillova të haja mish, kështu që hamburgerët dhe qebapët vazhdimisht i sillja në shtëpi dhe i haja para të gjithë të tjerëve. E ngujuar në botën time, bëja një kundërshtim gjithnjë e më të madh, duke mos ditur se isha duke kërkuar rrugëdalje nga ai kurth ku kisha mbetur. Kështu, gjatë pubertetit, unë thuajse u 'harxhova' e tëra. (vijon)

 

(Kosova Sot)