Ngjarje e vërtetë: Isha pjesëtare e një kulti sekret (6)

  • 21 February 2019 - 15:13
Ngjarje e vërtetë: Isha pjesëtare e një kulti sekret (6)

Fjalët e tij ishin aq të ashpra, saqë i ndjeva thellë, sikur therje në zemër. E ai sikur kënaqej me vuajtjen time, më shikonte nga lartësia dhe më përqeshte, derisa sytë i shkëlqenin nën vetullat e bashkuara. Nuk më kërkoi falje, por ma bëri me dije se nuk vleja sa mendoja dhe se më mirë ishte që të heshtja dhe të isha e bindur, përndryshe vet do t'i bartja pasojat. E, pasojat ishin përjashtimi i përhershëm nga Shoqëria, gjë që nënkuptonte edhe humbjen e të gjithë miqve të mi, të cilët i kisha kultivuar gjatë tërë këtyre viteve, ku miqtë e tillë më ofronin përparësi të mëdha në jetë. Por, përfundimisht, hakmarrja nënkuptonte edhe publikimin e fotove dhe filmave tonë "të nxehtë", të cilat i kishim bërë në orgji. Po, disi shumë shpejt i harroja këto episode jo të këndshme. Nuk ishin shumë, edhe pse dinin që të ishin tepër të tmerrshme, disi e ngushëlloja veten me idenë se kishte më shumë ide për, sesa kundër qëndrimit në Shoqëri dhe me Mirzën. As që e kisha idenë se ai na mbante të gjithëve nën kontroll, me anë të ndihmës së tij më të fortë - frikës. Frikës nga dëbimi, frikës nga humbja e dashurisë, frikës nga hakmarrja dhe, në fund, frikës nga vetmia dhe refuzimi. Kam jetuar me vite të tëra ashtu, duke menduar se isha e veçantë, se isha pjesë e elitës shoqërore. Edhe pasi që e mora diplomën dhe gjeta një punë me rrogë të mirë, ku një të gjashtën e rrogës e jepja për Shoqërinë, ende e konsideroja veten me fat që isha pjesë e asaj shoqërie. Është e tepërt që të them edhe se kënaqesha në atë që ajo ofronte - një kënaqësi të pakufizuar në seks, me shumë partnerë të të dy gjinive, me shumë njerëz të rinj që vinin në ligjëratat tona dhe ishin "ushqim" për ne, meqë mahniteshin nga ne dhe na adhuronin, duke na ushqyer kështu. Por, me gjasë kështu duhej të ishte, në mënyrë që, një ditë, ajo flluskë e sapunit të shpërthente.

Por, kjo nuk ndodhi aq shpejt dhe në mënyrë aq bombastike, sa mund të duket tani, të paktën jo deri në momentin e fundit, kur edhe shpërtheu me të vërtetë. E tëra filloi në një ligjëratë. Tanimë e kisha përgatitur sallën dhe e kisha stolisur atë për vizitorët e rinj dhe të vjetër. Kisha mbaruar së ndezuri qirinjtë aromatikë, kur në derë u pa një zonjë në të dyzetat, apo më afër të pesëdhjetave. E ftova që të hynte dhe ia ofrova një vend, duke ia dhënë edhe një fletushkë me përmbajtjen e ligjëratës. Nuk ishte mysafire jona tipike, meqë të gjitha përpjekjet tona ende ishin përqendruar te të rinjtë, sidomos te studentët. Kjo ishte një zonjë e jashtëzakonshme. Me stil të thjeshtë të flokëve, me syza të thjeshta, e veshur me pantallona dhe me një tunikë me pulla, ajo nuk ngjante me personat avangardë e alternativë, të cilët na vizitonin më së shpeshti. Më shumë dukej person kureshtar, një intelektuale kureshtare, ndoshta profesoreshë në ndonjë gjimnaz. Në asnjë moment nuk vërejta ndonjë ndjenjë të parehatisë te ajo, duke marrë parasysh se gjendej në një ambient të panjohur. E lexoi me interesim fletushkën, duke analizuar të gjithë që vinin e uleshin pranë tavolinave. Por, një mesoburrë, që vinte shpesh në ligjëratat tona, menjëherë e vërejti dhe u ul afër saj. Tentoi që ta kyçte në bisedë, por nuk ia doli. Ajo i përgjigjej shkurt, prandaj ai shumë shpejt u dorëzua. E dija se ai njeri ishte vazhdimisht në kërkim të një partnereje seksuale. Kjo ishte gjëja e vetme që i pëlqente në ligjëratat tona - shpresa se këtu do ta gjente një të tillë. Por, ishte evidente se ajo zonjë nuk kishte ardhur këtu për qëllime të njëjta. E përcolli tërë ligjëratën me kujdes, e unë u paraqita pas kësaj, kur filloi diskutimi, vetëm që t'ia tërhiqja vëmendjen. (vijon)

 

(Kosova Sot)