Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (57)

  • 20 March 2019 - 15:44
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (57)

"Numër një. Afërsia, gjë që d.m.th. të jesh mjaft afër sa për ta parë njëri-tjetrin, apo për të bërë gjëra së bashku". I puqa buzët dhe e krova faqen. "Epa, duke parë sesi rri ulur në rendin e dytë gjatë orës së tretë, kjo i bie se jemi afër, apo jo?" Ai i picërroi sytë dhe kaloi te hapi i dytë "Takimi i vazhdueshëm me një person jo formalisht dhe pa planifikuar që të takoheni me të". "E pabesueshme. Kjo është si... nuk e di, takimi me ty prapa kafenesë. Apo takimi me ty në shkollë. Apo... takimi me ty në varreza. Kjo nuk ishte aspak e planifikuar". Mënyra sesi u përhap buzëqeshja e tij, më bëri ta konsideroja karizmatik, edhe pse në fakt ndihesha e marrë. "Numër tre, mundësitë për të ndarë idetë dhe ndjenjat personale me njëri-tjetrin". "Hmmm. Epa, dorën në zemër, mendoj se ende jemi duke punuar në këtë drejtim. Cili është hapi i fundit?" "Ashlyn", bërtiti ai, duke e lexuar hapin e fundit. "Wikipedia e thotë këtë?" Ai ngriti vetullën dhe unë pohova. "Më premton?" Buzëqesha lehtazi dhe kafshova buzën. "Të premtoj, por nuk ka premtime të dyfishta. Hajde, lexoje më"! Duke e pastruar fytin, ai u ndreq mirë. "Në fund, por jo për nga rëndësia, numër katër. Duhet të quheni Daniel Daniels dhe Ashlyn Jennings". Ai e palosi letrën dhe e ktheu brenda librit tim. "Çka?! A kështu thotë, a?! Mirë, atëherë. Këta janë tre nga katër hapa, të cilët ne i kemi. Mendoj se kjo është shumë mirë". "Por, nuk është e përkryer", tha ai. I përshkoi flokët me gishtat e tij, duke i çrregulluar paksa. Më nuk dukej si z. Daniels. Thjesht, si Daniel. Vetëm si Danieli i bukur dhe i talentuar. "Njerëzit nuk janë bërë që të jenë të përkryer, Daniel. Ne jemi bërë që t'i djallosim gjërat dhe që të mësojmë gjëra të reja. Ne jemi të përsosur në papërsosshmërinë tonë".

Ai i picërroi sytë dhe mu afrua më shumë. Me dorë m'i qiti flokët prapa veshit. Mjaftoi kjo prekje e vogël që të ma elektrizonte tërë trupin. "Pse, bre dreq, qëllove nxënëse imja?" Në fytyrën time u paraqit një buzëqeshje e lehtë. "Meqë kështu ka qenë e shkruar". Sytë e mi shkuan te lulet, të cilat Daniel me gjasë i kishte blerë për të ëmën. Ishin lulet e mia të preferuara. "Edhe mua më pëlqejnë këto lule", i thashë, duke bërë me dorë kah lulet. "Nënës do t'i pëlqeje shumë. E di këtë! Kurse babai do të mendonte se je tepër e mençur për mua". Unë u zgërdhiva. "E paske pasur babanë njeri të mençur". Era e ftohtë më bëri që të dridhesha, gjë që nuk i shpëtoi atij pa e vërejtur. "Po mërdhin"? "Mirë jam". Ai m'i mori shuplakat e duarve dhe filloi të m'i fërkonte. A ishte ai i vetëdijshëm se çfarë domethënie kishte prekja e tij për mua? Sa shumë më mungonte ajo prekje? "A mund të ta them një sekret, pa bërë gjërat të çuditshme?", pëshpërita derisa shikoja gjoksin e tij duke u ngritur dhe duke u lëshuar, me çdo frymëmarrje që bënte. "Po", pëshpëriti ai. Fytyra e tij u zbut dhe, kur u kthye për të më shikuar mua, ndjeva se si zemra mu ndez zjarr. Ato ndjenja të fuqishme të dëshirës, ato nevoja që i kisha... E tëra që doja ta bëja, ishte ta puthja atë. Doja ta puthja aq shumë, saqë edhe nëse kjo nuk do të çonte te asgjë tjetër më shumë ndonjëherë, unë do të isha i lumtur. Vetëm buzët e tij e kishin fuqinë që të më bënin të jetoja përjetë. Si mund të jem diçka më shumë sesa vetëm shoqja jote? "Më pëlqen të ta kap dorën", i thashë. "Me të vërtetë më pëlqen të ta mbaj dorën. Kjo më bën të ndihem... e rëndësishme". "Ti je e rëndësishme". Fjalët e tij ishin aq të drejtpërdrejta, saqë gati më bënë të shpërtheja e të bëhesha copë e grimë. (vijon)

(Kosova Sot)