Ngjarje e vërtetë: Në shtrat të vdekjes më tregoi se kishim një vajzë (8)

  • 20 March 2019 - 15:47
Ngjarje e vërtetë: Në shtrat të vdekjes më tregoi se kishim një vajzë (8)

Por, Ganja nuk lajmërohej. Mendoja të shkoja e ta kërkoja në adresën që ma kishte dhënë, por më pas më thirri vëllai i saj, Agimi. Ishim takuar moti, por sot, po ta shihja, nuk do ta njihja. - Ganja gjendet në spital. E ka gjendjen e vështirë, por më tha të të thërras - më tha dhe u morëm vesh që të takoheshim nesër. - Si është ajo? - e pyeta, sapo u ulëm për ta pirë nga një pije. - Keq. Mjekët thonë se është punë orësh. Sapo erdha nga spitali. - Më vjen keq - murmurita. - Dëgjo, Artan, dua të kaloj në temë. Për motrën time më nuk ka shpresë. Jam pajtuar me këtë. Kështu e ka jeta. Nuk e dija që vogëlushja ishte bija jote, prandaj i kisha premtuar motrës se do të përkujdesesha për të. Dreni nuk do të dëgjojë për të, e vogëlushen, megjithatë e kam vajzë të motrës. Por, tani gjërat me të vërtetë ndryshojnë - nga zëri i tij gjykova se ky ndryshim nuk kishte qenë i vështirë për të. - Natyrisht. Unë jam i ati i saj dhe dua që të përkujdesem për të - i thashë me vendosmëri.

- A je i sigurt? Se je i ati i saj? - pasi që pa fytyrën time të tronditur, ai buzëqeshi. - Mos u shqetëso. E jotja është. Tani kur e di këtë, mund t'i vërej edhe ngjashmëritë. Pasi që të përfundojë e tërë kjo, do t'ju njoftoj. Tani nuk është koha. Ganja vdiq të nesërmen në mbrëmje. Agimi më tha që të mos shkoja në varrim, që të mos e tronditja edhe më shumë Drenushën. Me vajzën time u njoftova disa ditë pas varrimit. Drenusha ishte një adoleshente e bukur, por menjëherë pash pse Ganja më kishte thënë se "nuk është lehtë me të". Në buzë kishte vënë vathin, derisa në dorë kishte një tatuazh. - Për mua është njësoj. Vetëm që të mos largohem nga ky qytet, meqë këtu e kam tërë shoqërinë - u përgjigj, pasi që daja i saj e pyeti se ku do të dëshironte të jetonte. Ndaj meje nuk manifestoi asnjë emocion. Vërejta se më shumë i kishte bërë përshtypje vetura ime, sesa unë. As kur u takuam për herë të dytë, ku kësaj here ishte e pranishme edhe Marina, ajo nuk manifestoi ndonjë emocion. Sikur fakti që unë isha i ati saj, për të nuk kishte kurrfarë rëndësie. Kuptova se, gjatë rritjes, asaj i kishte munguar dashuria dhe se tani merrej vetëm me veten e saj. - Do të kemi punë me të. E shoh këtë! Por, sytë i ka si të tutë - fjalët e Marinës më dhanë kurajë. Vitet që pasuan nuk qenë të lehta, por mundi im dhe i Marinës rreth Drenushës, në fund u shpagua. Pas shumë grindjesh dhe ofendimesh, përfundimisht Drenusha na pranoi si familje të vet. - Marina, a mund të vish me mua për ta blerë fustanin për mbrëmje të maturës? - pyeti sapo erdhi nga shkolla. - Ti më the se doje të dilje në shoping me shoqet - tha Marina e habitur. Edhe unë u habita. - Më me dëshirë do të dilja me ty. - E... pse? - Paj... u grinda me Monikën. - Mirë, mirë... Do të dalim bashkë. Do të ta blejmë fustanin më të bukur - i tha Marina, kurse përgjigjja e Drenushës m'i mbushi sytë me lot. - E dija se mund të llogarisja në ty. Nga ai moment e dija se në familjen tonë çdo gjë do të ishte në rregull. FUND

(Kosova Sot)