Roman dashurie: Në shikim të dytë (29)

  • E. /
  • 18 June 2022 - 15:33
Roman dashurie: Në shikim të dytë (29)

Që më parë gëzohem për vizitën e të gjitha atyre vendeve, të cilat planifikoj të t'i tregoj. Do ta kem nderin që të ta bëj qejfin, në çdo aspekt. Fjalinë e fundit Harad e përcolli me një përkulje, e cila nuk i pëlqeu aq shumë Jaydas. Ajo e dinte se shfaqja e respektit nga ana e Haradit ishte e sinqertë, por kjo për të, thjesht, nuk kishte rëndësi të madhe. - Do të doja të mbaje mend fjalët që i the, Harad... - filloi ajo me seriozitet, e vetëdijshme se midis tyre gjërat duhet të jenë të qarta. - Se do të shoqërohemi... Do të bisedojmë, vetëm si miq... Nuk do të doja që ta harrosh këtë, në ndonjë moment, duke na sjell të dyve në një situatë të palakmueshme. - E di çka je duke thënë - tha Harad duke bërë me kokë.

 Ke plotësisht të drejtë që insiston në raporte të qarta. Fundja, nuk do të ishte korrekte që të bëje diçka prapa shpinës së dashnorit tënd. Në vazhdim të mbrëmjes, për shkak të insistimit të Jaydas, Haradi foli për veten e tij, për familjen, si dhe për përvojat e fituara gjatë qëndrimit në SHBA. Ai ia përshkroi zakonet e popullit të tij në një mënyrë aq udhëpërshkruese, saqë ajo e dëgjoi me një interesim të madh. Kënaqej duke biseduar me të. Ai ishte mashkulli i vetëm me të cilin krijoi një raport të bazuar në bazë personale, prej se kishte filluar lidhjen me Marcusin. Pa shumë mund, Marcusi i kishte përzënë të gjithë meshkujt nga jeta e saj.

Atë moment kur ai e bëri atë dashnore të vet, të gjitha koleget e saj filluan që t'ia kishin frikën. Sikur të gjithë, me ndonjë magji, mund ta dinin çka kishte ndodhur. Mënyra sesi sillej Haradi ndaj saj, ia ngrinte vetëbesimin e lënduar. Vetëm në fund të mbrëmjes kuptoi se kishte kohë që nuk ishte ndier aq mirë, aq e sigurt në veten e saj. Po ashtu kuptoi se, krejt gabimisht, vetëbesimin e vet e kishte lidhur me ekzistimin e dashurisë së Marcusit. Për Jaydan ishte faktor lehtësues ajo që shihte se ishte në gjendje që të ndihej mirë edhe pa Marcusin. Edhe atë, vetëm disa orë pasi që ai e kishte lënë, për të vrapuar te gruaja e vet.

U nda nga Haradi pasi që u pajtua me propozimin e tij që të takoheshin në hollin e hotelit që të nesërmen, në mënyrë që të shkonin diku për kafjall. Në fytyrë e kishte një buzëqeshje derisa ishte nisur në drejtim të liftit. Ishte e kredhur në mendime, kështu që nuk e kishte dëgjuar recepsionistin, i cili e kishte thirrur me zë të ulët. E dëgjoi vetëm herën e dytë, kur ai e thirri me një zë paksa më të lartë. - Zonjusha Molen! - Po? - u ndal menjëherë. - Keni disa porosi - i tha recepsionisti, duke ia bërë me disa letra, të cilat i kishte marrë nga kutia e saj. - O, faleminderit... - tha e hutuar, duke u habitur nga sasia e porosive të marra. Mezi arrinte t'iu besonte syve të vet, kur kuptoi se të gjitha ato porosi ishin nga Marcusi.

Meqë në letër shkruante edhe koha e arritjes, vlerësoi se ai e kishte thirrur nga avioni. - Më falni... - iu drejtua recepsionistit, i cili nuk mund ta fshehte faktin që një situatë e tillë e argëtonte. - Çka tha z. Conti? Pse më paska thirrur... dhjetë herë? - Donte vetëm t'i përgjigjeshit në thirrje, kjo është e tëra. - Pse nuk më keni kërkuar në restorant? Më keni parë që kisha dalë në darkë me shei... Duke parë kotësinë e pyetjes së vet, ajo vetëm ofshau dhe u nis kah lifti. Jayda kuptoi se asnjë punëtor i hotelit nuk do ta merrte guximin që të ndërhynte në darkën e sheikut me një femër, edhe nëse këtë të fundit e thërriste dikush në telefon.

(Kosova Sot Online)