Visar Zhiti: Çfarë zbulova në dosjen e ish-Sigurimit të Shtetit, kush ishte poeti e mësuesi i matematikës që spiunuan

  • 12 November 2017 - 11:16
Visar Zhiti: Çfarë zbulova në dosjen e ish-Sigurimit të Shtetit, kush ishte poeti e mësuesi i matematikës që spiunuan

“Kush të jetë vallë “Flaka”? Po “Peneli”, po “Penda e artë”, po “Mali”…?! E vështirë të vendosësh përkrah këtyre pseudonimeve, emra, fytyra, njerëz, që i ke konsideruar miq, që ke ndarë orë, sekrete të vogla, ëndrra rinie… Ndërsa shfletonte dosjen e tij, nxjerrë nga Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, poeti Visar Zhiti do të kthehej pas në kohë dhe vetmevete sillte në mendje situata.. dhe nuk donte të besonte. Shokë shkolle, pedagogë, bashkëvuajtës në burgun e Spaçit e kishin denoncuar, e kishin spiunuar.

Në librin e tij më të fundit, botim i shtëpisë botuese “OMSCA 1”, “Si na erdhi ai, i ndaluari”, ndër të tjera rrëfen edhe këtë moment, përballjen me denoncuesit e tij, me denoncime dhe procesverbale, që në shumicën e herëve kishin në qendër faktin që ai, Visar Zhiti, lexonte ose përkthente poezi të poetit reaksionar, Jevtushenko. Është pikërisht ky i fundit, fija lidhëse e të gjithë librit.

Si ra në kontakt me poezitë e Jevtushenkos, si u dënua prej tyre, si e takoi vite më vonë bashkë me të birin, Atjonin, me të cilin bashkëbisedon në faqet e këtij libri. Libri është një udhëtim nga Tirana në Moskë e Shën Peterburg, nga poezitë e Jevtushenkos, tek ato të tijat… Nga libri i Visar Zhitit kemi shkëputur pikërisht momentin e përballjes me denoncuesit e fshehtë dhe procesverbalin, marrë dy herë nga poeti, me të cilin kishte ndarë vitet e burgut.

NGA LIBRI DENONCIME TË FSHEHTA…

“…Bashkëpunëtori ‘Flaka’, në datën 25.2.1974, informon se Visar Zhiti, student i vitit të tretë Gjuhë-Letërsi, merret me përkthime të poezive të poetëve hermetikë nga rusishtja si, të Jevtushenkos, të poezive me theksa pesimiste të shkrimtarit francez Pol Eluar, të poetit spanjoll Federiko Garcia Lorka, të poetit turk Nazim Hikmet”…

U trondita kur e lexova, megjithëse kishin kaluar vite, ishte ndërruar shekulli dhe kishte ardhur një mijëvjeçar tjetër e perandoria komuniste kishte kohë që kishte rënë. Po shfletoja tani vonë dokumente, të nxjerra nga Autoriteti i Dosjeve, institucion i krijuar rishtazi, që, sipas kërkesës, të jep materiale nga arkivat sekrete të shtetit, të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Burgjeve, të dënimeve etj.

Pra, isha denoncuar qysh student, nga ndonjë shok mes nesh. Nuk doja ta besoja, edhe pse tani isha plot me përvojë të hidhur dhe dija mjaft fakte e ndodhi të tilla, pabesi e prapashpinëri, zili të egra e dashuri të rreme etj., etj. “Flaka”? I kujt mund të ishte denoncimi? Pseudonimi i gjithkujt? Jo, jo, më vinte keq dhe turp ta pranoja. Ishte i askujt. Doja ta ruaja imazhin e shokëve, të atij sinqeriteti e gëzimesh të varfra të asaj moshe… sa të tim biri tani, sa shokë të mirë e të sinqertë që janë ata… nuk doja ta pranoja spiunin në dhomën time, le të mbetej jashtë, as në auditor, as në bisedat në ndonjë bar në muzg, teksa me naivitet do të kem treguar: shiko ç‘kam përkthyer… si shkruhet andej dhe si shkruajmë ne…

Image

E ai, çfarë më tha? Ku shkoi më pas? Natën. Dërgoi letër apo takoi operativin? Ku? Pas mureve të Institutit apo në rrethinë? Takimi pranë wc-ve të… Të ketë raportuar me dashje apo e shtrënguan? Iu djersit balli? Iu turbullua vështrimi? E zuri gjumi më pas? Si do të ketë dalë në provime? Po me mua, a do të jetë takuar përsëri? E lexova sërish shkresën e zbehtë, të daktilografuar me makinë të vjetër shkrimi. Në krye, majtas shkruhej me shkronja kapitale: REPUBLIKA POPULLORE. SOC. E SHQIPËRISË.

Një rresht më poshtë: MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME dhe prapë më poshtë: DEGA E PUNËVE TË BRENDSHME. Poshtë e më poshtë, e futur në thonjëza: “Ana e Sigurimit”, Nr. 504/4 Prot. Numri ishte shkruar me dorë, me bojë të zezë. Kurse në të djathtë të shkresës, po sipër: S E K R E T.

Më poshtë: Ekzemplar nr. 2. Prapë më poshtë: “E përkohshme 5 vjet”. Po pse e kanë ruajtur kaq gjatë? Kanë kaluar disa dhjetëvjetësha. Apo ka mbetur nga zhdukjet e djegiet postdiktatoriale? Dhe më poshtë: Shkodër, më 12.9.1979. Kjo shkresë sekrete i dërgohej:

DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME, “ANËS SË SIGURIMIT”, KUKËS.

Ku unë isha mësues e pothuaj dy muaj më pas do të arrestohesha. Pra, po mblidhej material komprometues për mua. Si fillim i shkresës nxinte një tjetër denoncim, po kundër meje, “i depozituar” nga “Pena e artë”. E i kujt do të qe ky pseudonim vezullues, i ndonjë shkrimtari? Po tani ku është, deputet apo ka ikur fare? Pikë e zezë!… Po unë kam marrë dhe një çmim tani me këtë emër… A ta kthej si dekoratën e Presidentit?… Pastaj, më poshtë vinte “Flaka” për Jevtushenkon…

Dhe poshtë e më poshtë, sikur zbritej shkallëve të ferrit, një denoncim i tretë: Bashkëpunëtori “Rozafati” me datën 25.2.1974, informon: … “është fjala për disa shfaqje hermetizmi në shkrimet e disa studentëve, që u lënë shkas interpretimeve jo me partishmëri. Kështu ka ndodhur me studentin Visar Zhiti, i cili shkroi një poezi me këtë frymë dhe kjo u afishua te stenda e rrethit letrar të institutit, më vonë u hoq, por çfarë u bë me të, u diskutua apo jo nuk e dimë.”

Mbaronte faqja e parë. Ky duhej të ishte denoncim pedagogu, me pseudonim legjendar. O Zot, cilët na paskan mësuar ne, ata që na kanë vrarë…! Kalova në faqen më pas, lexova: Po agjenti “Flaka”… prapë flakë, në djall shkoftë, dhe poshtë denoncimit të tij, një tjetër denoncim dhe një tjetër pseudonim “Shkëndia”, ai merrej me një letër timen, ku i kisha shkruar: …më kanë lidhur me prangat e maleve… Po, e kujtoj… Po në krye a të kisha shkruar i dashur shok… e atëherë si guxove ta denoncosh?!

Kaq shumë pseudonime. Sa pak emra të vërtetë. E shumë e më shumë denoncime, përditë. Në fund të letrës, ca shkronja pa kuptim për mua, ndonjë kod, siç duket, dhe ja, emri i zv/nënkryetarit… shumë i përgjithshëm dhe në fund si një qen cerber: “Punë- tori operativ Bujar Hoxha” dhe firma. Ai që do mbushte dosjet e mia e do të më arrestonte, po ai, gjithë qejf. E njihja.

Na vinte në dhomën e shkollës, ku banonim ne, mësuesit e largët, unë me nja dy kavajas etj., në fshatin e thellë me borë aq të pastër si për të më ngushëlluar në heshtje me atë lëbyrje drite të rënë. Operativi s’kishte turp, na rrinte dhe për darkë ndonjëherë, si bashkëqytetar i atyre dy kavajasve. Si e kishte pseudonimin njëri nga ata, “Peneli”? Po “Mali”? A po ai është vendas. Mësues matematike, i zoti.

S’e dija aq të rrezikshëm. Po gjatë bisedave, kur përmendet fjala “mal”, si nuk i bie të fikët, a nuk i ndien shkëmbinjtë e mëkatit mbi shpinë? Apo shkëmben i qetë valutën para selisë së PS, se ka zbritur nga malet në kryeqytet? Kur na vinte operativi, më dukej sikur kishim futur brenda në dhomë një “karabinë vetëmbushëse Simonov” nga ato të zborit. Hante sikur t’ia kishim për borxh ta ushqenim… lëpinte kockat e mia… “Harram” të qofshin, se ke dhe mbiemër Hoxha apo e ke nga ana e Enverit? Ku je tani apo ndonjë drejtor drejtorie?

NJË TJETËR DËSHMI E MARRË DY HERË PARA DHE PAS ARRESTIMIT

Prapë një denoncim tjetër. E mbaj ndër duar, pas shumë e shumë vjetësh… Dy muaj pa katër ditë para se të më arrestonin, në 12 shtator 1979, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Kukësit, Agron Kokona, shkon në burgun e Spaçit dhe merr një dëshmi me shkrim nga një i burgosur atje, poet i njohur, mik imi, kur isha student, megjithëse ai ishte shumë më i madh se unë në moshë. E doja e më donte, kështu më dukej, rrinim bashkë, mitomaninë e tij e shihja si vlerë për krijimtarinë e tij, ia njihja dhe paqëndrueshmërinë dhe frikën, por nuk ia vija fajin atij për këto.

I dobët, melankolik, fantast, me humor, i ndjeshëm, vishej çrregullt, edhe me kopsa të këputura, me kravatë, buzëqeshte çiltërsisht, zemërmirë, tymoste dhe me llullë ndonjëherë, i shante të gjithë me hope e po të gjithë i lavdëronte me hope. Shkruante shkëlqyer. Dhe erdhi dita të shkruante mjaft keq për mua, sa më vjen tepër keq për të. Dukej sikur ma kishte hapur vetë portën e hekurt të burgut me një si dëshpërim vëllazëror, të papërmbajtshëm. Nuk besoj se ka dashur të më denonconte me dëshirë, por dhe nuk e përballonte dot kërcënimin përbindshëror të shtetit. Trembej shpejt si fëmijë dhe i çoroditej kujtesa edhe më.

Isha i denoncuar dhe për Jevtushenkon. Prej tij, sidomos, nuk do ta doja kurrë. Prapë më dhimbset, e dua dhe e kam falur… E rilexova shkresën. S’kishte dhembje gjëkundi dhe asnjë mundësi mbrojtjeje ndaj meje… Nuk besoj se do t’ia kenë marrë me tortura atë dëshmi, as me mashtrime ose duke i kallur datën. Se e dija, ato i ishin futur brenda vetes me kohë. Ai dukej i tromaksur vazhdimisht. Normal ishte vetëm kur shkruante poezi, kështu thoshim për të, ngaqë bënte një poezi anormale, gjithë shkreptima metaforash të befta, si një hënë që binte natën mbi liqenin e Shkodrës. Poezia atë e bënte trishtueshmërisht të mrekullueshëm.

Shfletoja dosjen, tani në kompjuter, të dixhitalizuar. Në datën 10. 12.1979, pra një muaj e dy ditë pasi unë isha arrestuar, shkon përsëri në burgun e Spaçit shefi i hetuesisë, Nexhat Selimi, hetuesi im inatçor, me vështrimin gozhdë. Dhe takon poetin e njohur. Pothuajse po ajo dëshmi, tani e shkruar me stilograf me bojë të blertë, po ajo ngjyrë që do të firmosnim dhe proces verbalet në hetuesi me mua, ndërkaq ku e ku ishin shtuar dozat e së keqes. Mes të tjerash, pasi shpallesha armik, përsëri shahej Jevtushenkoja dhe unë që paskësha dashur atë poet armik.

Poeti i njohur ishte në prag të lirimit nga burgu dhe s’kishte nga t’ia mbante, ndërkaq vendi i tij nuk duhej të mbetej bosh atje, në Had. Dy dëshmitë e tij, pothuajse të njëllojta, dukeshin si të kopjuara nga njëra-tjetra me dorë, nja katër faqe të gjata secila. Në krye kishin të shtypura disa të dhëna standard që plotësoheshin nga marrësi i denoncimit.

PROCES VERBAL

Mbi kallëzimin e krimit të kryer Datat përkatëse. Pastaj vazhdonte, në njërën: unë Agr… Kok… e në tjetrën: unë Nexh… Sel… mora dëshminë nga F… Emri i poetit të njohur, lindur më… në… i divorcuar, arsim i mesëm… banues: në burg, detyra: i dënuar… me 4 vjet për agjitacion e propagandë… 4 vjet atëherë ngjanin sikur të mos ishe dënuar fare… Marrëdhëniet me të pandehurin, shoqëri, e kishte plotësuar ai, miku im… (Në një tjetër denoncim, një tjetër, që kishim qenë bashkë studentë, në marrëdhëniet me të pandehurin kishte plotësuar: indiferente…?! Atëherë pse nuk ka ndenjur mënjanës?)

…Dhe, pasi e lajmërova për përgjegjësinë penale që ka për kallëzim të rremë në bazë të nenit 219 të K. P., më deklaroi sa vijon: (Kopjova ç’kishte thënë në lidhje me Jevtushenkon). …Më kujtohet edhe një herë tjetër, kur Visari më ka ardhur në shtëpinë time në Shkodër, mund të ketë qenë viti 1973, ndër të tjera më kishte përmendur se kishte përkthyer disa vjersha të poetit revizionist sovjetik Jevtushenko, nga i cili, më tha, se kishte dhe një vëllim me vjersha, botim rusisht, që, me sa më kujtohet, titullohej “Molla”, që më tha se më ka pëlqyer shumë.

Unë i thashë që ty nuk duhet të të pëlqejë, se në radhë të parë ai është antishqiptar, sepse ka shkruar e folur kundër vendit tonë, ndër të parët që ka goditur teorikisht realizmin socialist, është i përkëdheluri i Hrushovit dhe se ka shkuar në Spanjë, Portugali etj., dhe, veç kësaj, Jevtushenkoja është poet revizionist dhe se është kritikuar në shtypin tonë, gjë të cilën Visari e dinte, por megjithatë Visari thoshte se atë e dua dhe e pëlqej shumë, shiko se ti mund ta kesh gabim, më tha Visari… Dëshmi të tjera para dhe pas kësaj, keq e mos më keq.

Pastaj ishin emrat dhe firmat, kallëzuesi, marrësi i denoncimit: dy xhelatë, kryetari i degës dhe kryehetuesi, kurse në kallëzimin e parë ishte dhe një emër tjetër, asistoi… Vërtet, kush ishte i pranishëm? Djalli, i thirrur nga regjimi i tyre, nga shefi i partisë së tyre… Bota m’u bë e huaj e gjitha. Më vinte të qaja… Nuk urreja dot, edhe pse po na ndërsenin kaq keq kundër njëri-tjetrit, ndieja mëshirë për mikun tim, po si do ta takoja në burg? E pse të mos e përqafoja?

Si e paskëshin katandisur të gjorin Narcis, e kishin shëmtuar edhe më shumë. Se mos vetëm atë. Të gjithëve po na rrënonin. T’ia tregoja këto tim biri? Se mos do t’i duhej të urrente? Jo, jo, më mirë më vonë ose kurrë.

ME PRANGA

– Pse e ke lexuar librin “Molla” të Jevtushenkos, pse? – më ulëriu hetuesi një natë, gjithë natën.

– Kemi prova që edhe e ke përkthyer!

– Jo, nuk e kam lexuar… Në një revistë gjeta ca poezi. Qëlluan të tij.

– Mos i zije me dorë!

– Luftohet më mirë kundërshtari, kur e njeh.

– Kundërshtari je ti! Armik! Dekadent! E lexove për aleancë. Ç’revistë ishte? – …letrare…

– Në ç’gjuhë?

– Rusisht.

– Të revizionistëve, tradhtarëve të marksizëm-leninizmit.

– Në gjuhën e Leninit…

– Maskara! Pusht! Kush ta dha revistën?

– Askush!

– Si?! Askush je ti, ashtu do të të bëjmë! Ik, shporru! Hiqmani! Mos ia hiqni prangat! I shtrirë mbi dysheme, i trallisur, po mendoja se nga i dinin këto. Ditari? Çne, unë e di ç’kam shkruar… Po me këto do të merreshim, me letërsi, prandaj më kanë arrestuar? Kështu duket, por rreziku është tjetër, s’dihej si e qysh… Por unë prapë nuk do t’i tregoja se ku i gjeta poezitë e Jevtushenkos, kush na i jepte…

Femër? Degjenerim, do të ulërinte hetuesi… …Dhe s’i ndjeva llozet e rënda dhe derën që u përplas, jo se nuk i ndjeva, por s’i perceptova si të miat, por si të mëparshme a që do të ndodhnin më vonë. Mbi kokë po më endej njëri nga minjtë, duhej të ishte ai që e njihja, jo i ziu fare, dhe nuk duhej ta trembte tërsëllëma e derës, prandaj e spostova me mendje në një birucë më tej, para ose pas simes.

Minjtë bunin edhe ditën, dilnin nga vrima e dyshemesë, vëzhgonin, kërkonin ndonjë gjë që hahej, copë këmishe, lëkurën time, ndonjë fletë të padukshme të Zhak Preverit, Jevtushenkos, le të ishte revizionist… Po rilexoja pjesë nga burgologjia ime, “Rrugët e Ferrit”, ndërkohë më gjëmonin veshët nga ulërima e hetuesit: pseeeeeee, pse e lexove atë?! Pse… revizionist, armik ai dhe ti bashkë me të.

Ku i gjete? Ë? Fol… se do të kesh lehtësira… S’do të tregosh, do fillojmë torturat… në burg do të shtysh vagonë nën tokë, gjithë jetën… Pse e ke lexuar, kë, kë?… Jeeeeevtueeesheeenkoooooo…n, rifillonte hetuesia, natën gjithmonë, pas mesnate, më zgjonin të shtrirë mbi dysheme… më vijnë ende të bërtiturat e hetuesit, i ke përkthyer poeZiiiiiii, ti… dhe kujt, atij që ka shkruar kundër Enver Hoxhës, të ikën koka, a e di? Ku e gjete librin “Molla”, ë? – që në fakt nuk e kisha parë kurrë, kjo më ndihmonte të kundërshtoja gjithë frikë: joooo…

Ç’ishte kjo Mollë e tmerrshme për të cilën, pse desha ta kafshoja paksa, më flakën në ferr? E Jevtushenkoja çfarë bënte, ku ishte?… Se ai, miku im, poeti i njohur, po ngatërrohej, gabonte me dëshminë e tij, më mirë do të ishte të mos dëshmonte… kujtesë e çoroditur… e tij, imja?… E ç’rëndësi kishte… më kishte rënduar mjaft me të tjerat e ç’duhej Jevtushenkoja?…

Ndoshta unë s’kisha më shpëtim dhe ai e dinte këtë nga përvoja e tij e, çfarëdo që të thoshte, për mirë a për keq, të më mbronte ose të fliste kundër, njëlloj do të ishte, asgjë s’ndryshonte asgjë. Kisha panik, që mundohesha ta zotëroja, prisja ndihmë, s’di nga ku, qiell s’kishte mbi mua… Ai, poeti i njohur, tashmë gjendej përtej, i hedhur tek të burgosurit dhe nuk i ndryshohej dot fati për sa kohë do të mbahej në burg. Si armik. Pra, ju i besonit armikut? E ç’do të thoshte ai, sipas jush, vetëm armiqësira. Po edhe ti je armik, si ai Jevtushenkoja…

Poeti i njohur ishte në prag të lirimit, nuk e dija. Dhe mbase atij i duhej të dëshmonte ashtu, përndryshe mund të mos lirohej. Unë isha në prag të dënimit, s’e dija sa do të dënohesha dhe jo e gjitha varej nga akuza. Ata po na përçanin, na kishin përçarë, po na çmiqësonin, e kishin bërë dhe me të tjerë, kur e kishin dënuar poetin e njohur. Nuk doja ta rëndoja, gjithsesi, por mllefe të çastit kisha, pse më vërsulej tani? Të ketë denoncuar që atëherë, kur i kisha treguar dhe Jevtushenkon? Nuk doja të hakmerresha, por, duke rënë aty në kompleksin e fajit, s’kishte si të mos kundërshtoja kundër tij. A e kishit shpallur armik?

Pra, ç’prisni?… Më dhimbsej vërtet, ai kishte shëndet të dobët e karakter jo të fortë për ta duruar burgun, vetëm mitomani e fantazi të çoroditur, që s’e di a i shërbenin të kaptonte përtej telave me gjemba. Zhgënjimet, thyerjet, kundërsulmet e verbra ishin të pashmangshme në ato kushte çnjerëzore, deheroike. Baraba dhe martir i gjorë, me një kryq grotesk, faji është përtej nesh…

Shikoja fantazmën e Jevtushenkos dhe nuk kuptoja pse vinte, për të më dhënë kurajë apo për të më dënuar më shumë? Përmes dhëmbëve hetuesorë dhe pështymës së tyre më fanitej në miniaturë diga e një liqeni që kishte mbytur një qytet të hershëm, tashmë të zhbërë, që unë e quaja Kukësburg, se duhej ngritur një hidrocentral, vepër e partisë, ku, sipër tij. Ku, ku, Kukës! E si mund ta përdorësh dritën për të humbur, për të shkuar në errësirën vrastare?

Këta ia kishin kaluar edhe djallit. Thirrjet më vazhdojnë edhe tani… Që të shpëtoja mendërisht, shpirtërisht, aq sa mundej në qeli, t’i shmangesha urisë, frikës, kisha filluar të bëja poezi me mend. Ato ishin dhe lutje, i kisha bërë dhe më gjunjë, ishin dëshmi dhe amanete që ia lija… Kujt? A…jrit… Poezi tjetër për Mollën e dënuar… futet dhe Jevtu-shenkoja… Jo vetëm që s’po pendohesha, por po bëhesha më i keq, po rrëshqisja plotësisht në frontin e armikut…

Rashë mbi dysheme. Më zuri gjumi. Ndjeva miun e zi mbi krye. Jo, ishte maja e këpucës së policit… po më zgjonin… duhej të bëhesha gati për në gjyq, ku do të më dënonin me 10 vjet burg, më shumë se dyfishi i poetit të njohur, edhe ca dënime të tjera nga pas. Po dënim ishte që ne të gjithë kishim humbur njëri-tjetrin, një pjesë dhe veten. Nga pas më vinte hija e Jevtushenkos, tashmë atë s’e hiqte dot askush prej meje. Dhe po të mos ishte e njëmendët, unë krijoja mes delirit të torturave…

(Kosova Sot)