Lufta Italo-Greke, Mussolini: Të shkojmë në Shqipëri e të vritemi në vend

  • 10 February 2018 - 09:04
Lufta Italo-Greke, Mussolini: Të shkojmë në Shqipëri e të vritemi në vend

ÇKA ISHTE LUFTA ITALO–GREKE

NGA INDRO MONTANELLI-  MARIO CERVI

 

Ribentropi: “Fyhreri ka vendosur ta ndalojë këtë plan të çmendur”

Fushata e Greqisë kishte pak orë që kishte filluar dhe Hitleri e Mussolini takoheshin në Firence. Dy diktatorët ishin takuar më 4 të po këtij muaji, në Brennero, ku Hitleri kishte thënë se zbarkimi në Angli nuk ishte më aktual dhe se, si kompensim, tash ai kishte antibolshevizmin e tij, duke lënë të kuptohej se muaji i mjaltit me Stalinin ishte në mbarim. Fyhreri sapo ishte kthyer prej bisedimeve me Pétain-in dhe Franco-n: i dyti (kishin biseduar nëntë orë, në Hendaye, në frontin franko-spanjol) qe treguar veçanërisht mosmirënjohës.

Caudillo në mënyrë lakonike kishte kundërshtuar dhe ndonëse disi në përpëlitje, kishte refuzuar pa mëdyshje këmbënguljet gjermane për një hyrje në luftë të Spanjës përkrah Aksit. Të dhënat e para për aksionin italian në Greqi, Hitlerit i kishin mbërritur, ndërsa ishte në udhëtim dhe shpejt, nëpërmjet Ribentropit, ai kishte propozuar një “diskutim” të ri, me shpresë se do ta ndalonte hapin e gabuar të aleatit. Por ishte tepër vonë. Ndërkaq, një Mussolini euforik i ishte njoftuar se sulmi italian ishte në rrugë e sipër dhe në fytyrën e Hitlerit shihej një farë miratimi i detyruar për këtë lojë të keqe, deri aty sa Ciano regjistron “se solidariteti gjerman nuk qëndronte më poshtë”.

Në të vërtetë, gjermanët ishin të zemëruar dhe von Ribentropi ua kishte thënë në mirëbesim njerëzve intimë të tij, një natë më parë, gjatë darkës në trenin e blinduar: “Italianët nuk do të arrijnë asgjë në Greqi nën këtë shi të vjeshtës dhe të borës dimërore. Fyhreri ka vendosur ta ndalojë këtë plan të çmendur me çdo kusht.” Kështu, fushata do të ishte një shkatërrim. Mbas përparimit fillestar të ditëve të para, grekët, të komanduar prej gjeneralit Alexander Papagos, i cili nuk ishte një njeri i luftës rrufe, por një takticien i mirë, do të kundërsulmonin, duke filluar të mbroheshin pa suksese spektakolare, por me përparime kuptimplotë në Maqedoninë perëndimore.

Aksi i frontit po rrotullohej kështu në plotësinë e tij drejt veriut, në Maqedoninë perëndimore prej grekëve, dhe drejt jugut në Epir, prej italianëve. Ndërkaq, “Julia”, elementi kryesor, ishte ndarë si të thuash, prej dy krahëve ku duhej të qëndronte dhe ishte tmerrësisht i zbuluar. Repartet greke ia arrijnë ndërkaq, të përshkohen nga mbrapa. Më 6 nëntor, gjenerali Gabriele Nasci, komandant i Korparmatës XXVI, urdhëron komandantin e divizionit, gjeneralin Mario Girotti, që të rregullonte batalionet e tyre, që kishin humbur trimërisht rrugën midis armiqve, të cilët i rrethojnë – duke iu shkaktuar humbje të rënda – për të riparuar pozicionet e fillimit.

Në Urën e Peratit, dukej vetëm fantazma e divizionit të shkëlqyeshëm, që më 28 tetor kishte tronditur armikun. Nga Roma, Shtatmadhoria, të cilin kthesat e para e kishin bërë të hapte fort sytë, ishte e gatshme të lëshonte divizione të tjera dhe ndërkaq, vendos të ndryshojë (6 nëntor) grupin e ushtrive të Shqipërisë me katër Korparmata (nga dy të fillimit). Armata IX (drejt Maqedonisë perëndimore) dhe armata XI (drejt Epirit). Shkarkimi i Visconti Prasca-s qarkullonte në ajër, dhe tashmë, ish-mbrojtësi i tij Soddu, i del punës përpara (“Nëse do të kishit një urdhër, do të mund t’i përgjigjesha çdo mase që duhet marrë… ju kërkoj Duce, që të shkoj e të marr komandën e Forcave të Armatosura në Shqipëri”).

Badoglio e kupton se e keqja ende nuk kishte mbërritur dhe dëshironte ndërkaq, që të parapërgatiste mbështetjet e duhura për vetëmbrojtje. Më 10 nëntor – po atë ditë kur vdes Neville Chamberlain – me praninë e Mussolioni-t, bëhet një mbledhje e Krerëve të Shtatmadhorisë, dhe marshalli nuk pranon asnjë përgjegjësi për çka po ndodhte. “Faktet – thotë- janë ato që paraqiten, por për këto fakte nuk mund të jetë përgjegjëse as Shtatmadhoria e përgjithshme dhe as Shtatmadhoria e Ushtrisë Mbretërore”. Mussolini, për çastin, vetëm sa regjistron.

Image

 

Një çast vërtet i keq, edhe sepse, ndërsa ravijëzohej katastrofa e Shqipërisë, vjen dhe katastrofa e Tarantos, një aksion aerosilurësh anglez kundër trupave në bazën detare.

MUSSOLINI: “JU THEM QË DO T’IA COPËTOJMË VESHKAT GREQISË”

I poshtëruar prej dështimit të luftës-rrufe të tij në Greqi dhe nga katastrofa e Tarantos, më 18 nëntor, në Sala Regia të Palazzo Venezia, Mussolini mban para jerarkëve rajonalë të Partisë fashiste, një fjalim, duke u përpjekur të fshihte mëdyshjen dhe hidhërimin e tij nën arrogancën e sloganeve të tij. Me vulgaritet ai lëshon fraza të shfrenuara, që, me të keq, do t’i ktheheshin kundër në muajt e mëpasmë: “Ka ndonjë prej jush, o shokë, që e kujton fjalimin e pabotuar të Eboli-it, i mbajtur në korrikun e 1935-s, para luftës etiopike? Ju thosha se do t’ia copëtojmë veshkat Negusit.

Tash, po me atë saktësi absolute, përsëris, e ju them që do t’ia copëtojmë veshkat Greqisë. Në një apo dymbëdhjetë muaj, kjo nuk ka rëndësi. Lufta sapo ka filluar… Po e nisa një herë, unë nuk heq dorë derisa t’i shkoj në fund. Këtë e kam treguar dhe, çfarëdo që të ndodhë, unë do ta tregoj atë. Të 372 të rënëve, 1081 të plagosurve, 650 të humburve në dhjetë ditët e para të luftimeve në Epir, do t’iu merret haku.” Mirëpo, ushtria italiane e Greqisë ishte në krizë të plotë.

Një goditje e artilerisë ishte e mjaftueshme që të bënte lëmsh një organizim aq pak të përkujdesur dhe të bazuar gjithmonë vetëm në sigurinë e një mundësie për të sulmuar. Por energjitë lindnin thjesht vetëm prej afshit të betejës. Dhe mbas kësaj humbjeje qe dhënë starti i tërheqjeve. Në mëngjesin e 22 nëntorit, bersalierët e fundit të regjimentit 4, do të linin Korçën dhe Komanda e lartë komunikonte një buletin të luftës (i 168- ti), që binte erë vdekjeje: “Trupat tanë të mbulimit, të formuara prej dy divizionesh, të cilat në fillim të kundërshtimit armik qëndronin në mbrojtje të kufirit greko-shqiptar të Korçës, mbas 11 ditë luftimesh, janë tërhequr në një vijë në perëndim të qytetit, që është evakuuar. Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar luftime të ashpra. Humbjet tona janë të ndjeshme. Po, ndërkaq, edhe më të rënda janë ato të armikut. Trupat tona do të këmbëngulin në vijën e re të sulmit.”

Kriza në frontin maqedonas do të ishte vërtet fatale mbi atë të Epirit. Trupat që kishin lënë iluzionin e parë të përparimit, sa vinin e sprapseshin rrugëve dhe monopateve, dhe “Centauro”-s do t’i duhej t’i braktiste shumë prej tankeve të tij të vegjël, të cilët mandej grekët do t’ia arrinin t’i venin më mirë në kushte veprimi. Vija e re e rezistencës do të çahej edhe ajo, kur më 28 nëntor, grekët do të merrnin Pogradecin, i cili ishte parashikuar se do të ishte një prej shtyllave të frontit të ringritur. Visconti Prasca e kishte paguar tashmë mendjelehtësinë e tij e Badoglio po paguante dyfytyrësinë e tij.

Image

 

Për këtë Marshalli qe sulmuar – koha nuk priste, e kjo dukej krejt qartë – prej Roberto Farinaçi-t. Në të përditshmen e tij, “Regime Fascista”, dinjitari i lartë i Cremona-s – me siguri i nxitur nga Roma – shkruante se humbja e Greqisë mund të bëhet një realitet “edhe për shkak të mosparashikimeve dhe vonesave të komandës të Shtatmadhorisë së përgjithshme, që nuk ia arriti ta luante mendsh Churchilli-n, siç kishte premtuar”. Badoglio i kërkon ndërkaq, një takim Mussolini-t dhe mëton një përgënjeshtrim, duke i paraqitur edhe tekstin, çka Farinaçi nuk e pranon kurrsesi. Në vend që ta botonte, ai “do ta parapëlqente të vinte dinamitin nën rotativat e gazetës”.

Si përherë, Mussolini gjen forca për ta gëlltitur, duke ia lëshuar çdo përgjegjësi gjaknxehtësisë së Farinaçi-t. Për këtë shkak, marshalli paraqet një letër për dorëheqje, duke marrë katër ditë leje dhe shkon në Monferrato për të pushuar dhe për të dalë në gjueti. Më 29 nëntor, Mussolini informon zyrtarisht Mbretin – tashmë i informuar edhe ai vetë prej burimeve të tij speciale – për dorëheqjen e Badoglios, dhe nuk gjen te Vittorio Emmanuele III një aleat, madje, të kundërtën.

Mbasi vëren se Badoglio nuk ishte i pazëvendësueshëm, dhe se madje, “jo e gjithë e keqja bën dëm”, Mbreti e pret marshallin kur kthehet në Romë dhe pa mëshirë, e mënjanon me këtë gjykim: “Më ka bërë një përshtypje rrënuese. Fizikisht është i mbaruar, nga ana intelektuale është i mpirë. Nesër, ka thënë, se do të kërkojë prej Duce-s që ta tërheqë dorëheqjen.” Një njeri i shkatërruar, një i mbaruar, që nuk gjen forca për t’u ngritur nga poltrona. Më 4 dhjetor, midis Mussolini-t dhe Badogloi-s bëhet takimi pajtues.

Duce i thotë Marshallit se Cavallero ka shkuar në Shqipëri për të parë nëse Soddu, të cilit i është dhënë komanda e dëshpëruar e trupave në Greqi, i kishte ende nervat në vend. Nëse Soddu mund të qëndronte, Cavallero do të mund të zëvendësonte Badoglio-n; nëse do t’ia arrinte kësaj, Cavallero do të qëndronte në Shqipëri dhe marshalli mbetej kreu i Shtatmadhorisë së përgjithshme. “Nuk mund të pres vendimet e zotni Cavallero-s”, rithekson Badoglio. “Mirë atëherë, qysh nga ky çast jeni i lirë”, i përgjigjet Mussolini.

MUSSOLINI: “TË SHKOJMË TË GJITHË NË SHQIPËRI DHE TË VRITEMI NË VEND.”

“Gjenerali afarist”, siç është përcaktuar Ugo Cavallero, kishte të dhëna të sigurta talenti. I diplomuar në matematikë të pastër, përkthyes nga anglishtja dhe gjermanishtja para shkollës së luftës, ushtarak i shkëlqyeshëm i Komandës së lartë në vitet ‘15-’18, i bërë 38 vjeç gjeneral, ai e kishte kaluar gjithë karrierën në Shtatmadhori. Ishte i vjehrri i Jacomoni-t dhe dinte të shkrihej mjaft mirë në mjediset joushtarake. E kishte të vetin optimizmin dhe Mussolini nuk kishte ku të gjente më të mirë, ashtu siç ishte i rrethuar prej ministrave të pakëndshëm dhe qesharakë.

Badoglio dhe Cavallero urreheshin prej vitesh. Mbas caktimit në krye të Shtamadhorisë së përgjithshme, gjenerali Cavallero i thotë të birit Carlo në mirëbesim: “Jemi përsëri në Caporetto dhe si atëherë, duhet të rregullojmë gabimet e Badoglio-s.” Nuk ishte Caporetto, por ishte Soddu, ai që sillej sikur kështu të ishte. Mû në ditën në të cilën Badoglio qe shkarkuar, komandanti i trupave të Shqipërisë, i telefonon Roatta-s se as mund të parashikohej më “jo vetëm një epërsi, por as edhe një baraspeshë”, dhe ndërkaq, përmes një telefonate tjetër të Guzzoni-t, kërkohet “një zgjidhje politike e konfliktit”.

“Propozohet që të kërkohet pikërisht një armëpushim i vërtetë”, i thotë ai një Mussolini, që kishte humbur te Pricolo, kreu i Shtatmadhorisë së Aeronautikës. Por: “Në vend që t’i kërkojmë armë- pushim Greqisë, është më mirë që të shkojmë të gjithë në Shqipëri dhe të vritemi në vend”. Megjithatë, Cavallero ia arrin të reagojë në kësisoj çastesh psikologjike. Mbasditen e 4 dhjetorit, ai zbret në Elbasan dhe menjëherë bashkohet me Soddun dhe Vercellino-n, për të marrë masat e duhura. Gjenerali i intendencës në Shqipëri, Scuero, i dorëzon ndërkaq, një promemorie të gjendjes së magazinave, që përmblidhej fjalë për fjalë kështu:

“Ushqime rezervë: asgjë. Pajisje: krejt pak. Municione të artilerisë: të papeshë. Armë dhe artileri: shteruar të gjitha mundësitë. Materiale xheniere: praktikisht asgjë. Material shëndetësor: pamjaftueshëm.” Në Krishtlindje – mbasi grekët kishin arritur një tjetër sukses me pushtimin e Himarës në frontin e armatës XI – fronti dukej tejet i qartë. Cavallero dhe Sodu ende bashkëpunonin, i ftohti i maleve ishte i madh, spitalet fushore italiane – ashtu si dhe ata që kishin mbetur prej grekëve – ishin të mbushura me ushtarë të ngrirë. Binte borë edhe në Romë, dhe Mussolini deklaronte i kënaqur: “Kjo borë dhe ky i ftohtë duhen – thoshte nën të nxehtin rrëzëllues të Palazzo Venezia -. Kështu le të ikin këta njerëz pa vlerë dhe të përmirësohet kjo racë mediokre italiane.”

Në muajt e parë të 1941-shit, mbasi grekët kishin arritur një tjetër sukses të dukshëm, më 10 janar me pushtimin e Këlcyrës, fronti shqiptar u bllokua ose pothuajse. Vdekja e Mataxâs, më 29 janar, nuk i kishte çoroditur fort grekët, të cilët më shumë e kishin pasur frikë se sa e kishin dashtë këtë diktator të ashpër dhe të bezdisshëm. Tashmë, kundër 54 regjimenteve – përveçse një njëzetëshe batalionesh joregjimentesh – të cilat kishte në zotërim Cavallero, Papagos me 42 regjimentet e tij duhej të ishte i kënaqur, edhe pse me ndonjë thyerje herë këtu e herë aty.

Por mbas euforisë së sukseseve, edhe te grekët nisin e shqetësojnë shenjat e lodhjes dhe të vështirësive. Dy ushtritë kishin përfunduar në një luftë pozicionesh, që të kujtonte atë të vendeve të përgjakshme të viteve ‘14-’15. Por Mussolini mëtonte fitoren, të pakën të pjesshme, dhe madje e mëtonte ta kishte sa më parë. Gjermanët ishin të gatshëm për të bërë larje hesapesh në mënyrën e tyre, edhe në Ballkan, dhe ishte domosdoshme kjo për ta, mbasi kishin bërë të fortin nga Bullgaria deri në Maqedoni, me një bilanc jo më pak shtypës..

Montanelli: Disfata e Duçes në luftimet në Greqi

NGA INDRO MONTANELLI

“… Sapo isha kthyer në Itali (nga fronti francez), u thirra në Pallatin Chigi nga Filippo Anfuso, shef i Kabinetit të Ciano-s dhe mik i vjetër i tij. “Të këshilloj të nisesh qysh me avionin e parë për në Tiranë”, më thotë, duke më detyruar ta mbaj sekret, “sepse ai do ta sulmojë Greqinë”. Do të nisesha mëngjesin tjetër. Në aeroport do të takoja Augusto Fantechi-in, një nga më të mëdhenjtë e Institutit Luce. Asnjeri prej nesh nuk kishte guximin t’i thoshte tjetrit shkakun e vërtetë të këtij udhëtimi. Mandej, gjatë fluturimit, miqësia e vjetër triumfoi mbi sekretin.

Mbërrijmë në Tiranë në kohën e duhur për të dëgjuar raportin e komandantit të trupave tona, Visconti Prasca. Thelbi i fjalës së tij ishte ky: “Më vjen keq për ushtarët italianë, që mezi po presin të ndeshen me armikun grek sepse kam frikë se as që do t’iu jepet mundë- sia për të luftuar me të.” Duke e dëgjuar kësisoj atë, krijoje përshtypjen se trupat tona do të mbërrinin në Athinë pa iu hyrë ferrë në këmbë. Fantechi dhe unë vendosëm më së fundi të hidhemi në një kamion dhe të kalojmë kufirin grek drejt Janinës, me shpresë se do të mund të përshkruanim hyrjen triumfale të ushtarëve tonë. Por, pak përtej kufirit, u pritëm prej një breshërie mortajash, sa që për një çast kujtuam se ky ishte zjarri i topave tonë.

Vetëm kur një veturë përballë nesh u godit prej një granate, e kuptuam se e kishte marrë fjalën artileria greke. Për fat, ia arritëm që mrekullisht të zëmë vend në vijën tonë. Gjenerali Zannini, i cili komandonte divizionin “Ferrara”, na qorton ashpër: “Mos jeni të çmendur që hidheni kështu në zjarrin e armikut”. Iu përgjigjëm duke i thënë se raporti i Visconte Prasca-s na kishte bindur që grekët nuk do të bënin asnjë rezistencë. Ndërsa ai na përgjigjet: “Visconte Prasca duhet pushkatuar. A nuk e dini se nuk kemi më tepër se pesë divizione gjithsej, e për më tepër, njeri këtu e tjetri atje? Nëse grekët do të na sulmojnë, do të na hedhin në det.”

Kam qëndruar në këtë front disa muaj, pa shkruar thuajse asgjë, pak për shkak të tifos që mora, por më tepër, ngaqë isha i detyruar të mos guxoja të përshkruaja lavdinë e rréme të një fushate ushtarake, e gjitha e tronditur prej dështimit që përjetonim atje. Grekët i komandonte gjenerali Papagos, të cilin do ta njihja shumë vjet më vonë në Athinë, duke përvijuar në te ndonjë analogji me Mannerheim-in: edhe ai vinte nga kavaleria, që dihet se formon tipa të njëjtë në të gjithë ushtritë. “Nuk kam parë trupa më keq të drejtuar, të papajisur dhe të paarmatosur sesa të tuajt”, më thoshte. Për të treguar se fajet e atij bllokimi ishin të gjitha të gjeneralëve, Duce erdhi në marsin e ’41 për ta drejtuar personalisht sulmin.

Mbasi shtiu vetë i pari, shpërtheu artileria kundër një mali, që u bombardua pa asnjë nevojë për një orë e gjysmë rresht. Mandej, ai çoi drejt humbjes së thellë divizionin “Bari”, i cili ra në kurth, i zbuluar prej zjarrit të trupave tona dhe atyre greke, që përgjigjeshin nga lartësitë. Në këtë çast, Mussolini, i fyer, kthehet nga ne gazetarët dhe deklaron: “Borgjezia më ka tradhtuar.” Për fatin tonë, gështenjat nga zjarri do të na i hiqnin gjermanët. Se me çfarë fytyre iu kërkuam ndihmë, nuk e di. Fakti është se trupave të dislokuar në Bullgari, Hungari dhe Rumani, të gatshme për t’u nisur në frontin rus, iu dha urdhri të ndërronin drejtim për në Thesali, kundër ushtrisë greke.

Dhe është kjo arsyeja, që Wehrmachti u vonua edhe dy muaj për të sulmuar Rusinë. Kjo vonesë do t’i jetë kujtuar Guderianit kur në tetor, i impenjuar në sulmin rrufe, me të cilin Hitleri mendonte se do të gjunjëzonte BRSS-në, do të gjendej i bllokuar në moçale balte me tanket e tij, vetëm 40 kilometra larg Moskës, thjesht prej një sulmi të vonuar. Ishin këto lloj dhuratash, që iu bëmë ne gjermanëve kur ishim aleatët e tyre, me të cilët justifikonim pretekstin e Italisë për t’u konsideruar, në fund të luftës, fuqi fituese: natyrisht, jo si një kontribut ushtarak, i cili mbas 8 shtatorit, ndaj aleatëve praktikisht përmblidhej në asgjë.

Është mû ashtu siç përcaktoi një gjeneral i madh gjerman (nuk e kujtoj nëse ishte von Seeckt-i apo von Fritch-i), i cili kur u pyet në ’38, në Londër, prej një shoqate të ushtarëve të shpëtuar nga konflikti i parë botëror, se kush kishte mundësi për ta fituar luftën, ai u përgjigj: “Kush do ta fitojë, nuk e di. Por e di se kush do ta humbasë: ai që do të ketë për aleat Italinë.”

Nga Ditari i Giuseppe Bottai-t/ “Epërsia greke dhe rreziku për të hyrë deri në Elbasan”

24 tetor 1940. Shkoj të takoj Galeazzo-n (Conte Ciano) në Palazzo Chigi. Është duke parë dhe firmosur letrat. Më tregon njoftimin për ministrin Gazzi në Athinë. I thotë që më 28, në orën 3 të mëngjesit, të kërkojë të pritet nga kreu i qeverisë greke, Metaxas, për t’i njoftuar se trupat tona do ta kalojnë kufirin shqiptar në orën 6 të kësaj dite, duke i sqaruar se nuk dëshirojmë të ketë rezistencë. Galeazzo, i cili të dielën do të shkojë për të marrë komandën e skuadriljes së tij, gatit tri mundësi: ose jorezistencë, ose thjesht një rezistencë fillestare, ose një rezistencë të vërtetë apo një rezistencë të vetëm, nja tri ose katër javësh, Enigmë! Turqia, besohet se nëntëdhjetë për qind nuk do të ndërhyjë….

Komandanti i forcave tona është Visconti Prasca. Do të jetë vallë në lartësinë e detyrës? Me besueshmërinë e plotë në trupat, Galeazzo përsërit një frazë të Mussolini-t, thënë pardje në Këshillin e Ministrave: “Nëse nuk do të jemi në gjendje t’i mposhtim lehtësisht grekët, do të jap dorëheqjen e të qenurit italian.” 15 nëntor 1940. Në mëngjesin për Antonescu-n, në rrethin e Forcave të Armatosura… Por vëmendja ime është tjetërkund, atje, te malet e panjohura të Epirit, ku pardje ka vdekur Barbiellini…. Mbas mëngjesit iu afrova Mussolini-t. Për të hyrë në bisedë, fillimisht i fola për grumbullimin e studentëve të Universitetit të Romës.

Mandej, si befasisht, iu drejtova duke i thënë: “Duce, është e nevojshme t’i hedhim sytë kah situata. A nuk ka pakënaqësi përreth?” Më vështron pa reaguar. Mbas pak thotë: “E di. Askush më shumë se unë nuk e ndjek këtë… Për sa i përket Shqipërisë, gjenerali i Korparmatës, Visconti Prasca, në një mbledhje të 15 tetorit, na ka siguruar verbalisht se çdo gjë është përgatitur deri në hollësi, që nga plani i operacioneve dhe deri te sulmi për Çamërinë.”

E pyes nëse brenda dyzet ditëve mund ta rimarrim situatën në dorë. I shmanget disi pyetjes dhe thotë: “Na duhet që ndërkaq, ta ndalojmë trysninë greke. Ndërkohë që po flasim, është në rrugë e sipër një betejë, në qendër të vendosjes sonë. Ky Metaxas nuk është një i marrë, ka mësuar në shkollën e gjermanëve. Po përpiqet që ta ndajë dysh rreshtimin tonë. I kam telefonuar Starace-s sot në mëngjes dhe më ka thënë se sulmi po zotërohet dhe situata mund të stabilizohet.”

.. Nuk e di se çka mund të bëhej për të përmbysur këtë situatë, për t’u ngjitur e dalë në krye, për të zotëruar përgjegjësinë e luftimit. As Taranto, as Shqipëria nuk më befasojnë, si gabime të paparashikuara dhe befasuese, siç mund të përcaktohen, janë pasojë logjike e sistemit të qeverisjes dhe të komandimit, që shkaktojnë deri dhe zhdukjen e çdo përgjegjësie dhe kompetence… 16 nëntor 1940. Në Foro Mussolini. Një ditë gri. Beteja në Shqipëri është në zhvillim të plotë. Trysnia greke është gjithnjë e më e fortë…

Në pallatin Chigi, ku sapo ka përfunduar vizita e rumunëve, (Antonescu), Galeazzo më tregon një shirit fonogrami të Jacomoni-t, që merr periudhën korrik – tetor: gjithçka paraqitet si një aksion i lehtë, një lloj spedicioni ndëshkues plot gjallëri, për të cilin forcat e gatshme konsiderohen të mjaftueshme. Ndërsa unë mendoj udhëtimin triumfal në Shqipëri gjatë majit që shkoi, me euforinë llafazane të Galezzo-s, i cili e mendonte Greqinë si një aksion të thjeshtë bandash… 22 nëntor 1940.

Rreth çështjes greke, Galeazzo më referon për një fjalë të pamençur të Pavolinit nga Badoglio, i cili kishte thënë se është e kotë që ta gjejmë përgjegjësinë diku tjetër, përveçse te Mussolini, përgjegjës për aksionin grek, duke kritikuar ashpërsisht mënyrën e tij vetjake të përqendrimit dhe praktikës së komandës. Nuk mendon se duhet sakrifikuar Jacomoni… Ndërkaq, unë mendoj: nuk ka përgjegjësi të pjesshme në një regjim total ose totalitar… 28 nëntor 1940. Në mbrëmje, në pallatin Chigi. E gjej Galeazzon në një bisedë me Muti-n. Kur mbetemi vetëm, më shfaq menjëherë frikën e tij: “Situata në Shqipëri po përkeqësohet.

Starace më njofton në telefon se: “Situata është e përkeqësuar, ka një trysni të re në veri, në Korçë, ndërkohë që trysnia po shtohet në jug, në Gjirokastër. Këmbëngul që duhet t’ia themi popullit, në mënyrë që të kuptojë se përgjegjësit duhet të ndëshkohen. E ka fjalën për Jacomoni-n. Por më shton se Duce nuk ka mendimin që duhet ndëshkuar ai, mbasi përgjegjësia e ushtarakëve është edhe më e dukshme. Ndërkaq, Visconti Prasca është pushuar. Badoglio, i kritikuar prej Duce-s për deklaratat e tij, ka dhënë dorëheqjen. Kush do ta zëvendësojë?… 30 nëntor 1940.

Këshilli i Ministrave. Mussolini hyn me një “mirëdita” ndryshe, i ndikuar, i shqetësuar, me një pamje, që kërkon të tregojë vendosmërinë e tij… Lexon shënimin e korrespondencës së Jacomoni-t dhe çfarë është thënë verbalisht në mbledhjen e më- parshme. Visconti Prasca kishte parashikuar pushtimin e Çamërisë brenda pesëmbëdhjetë ditëve. Ndërsa ai (Mussolini) e përcakton situatën të paqëndrueshme. Taktika e rrufeshme e grekëve, të cilët përparojnë frontalisht, duke infiltruar nga mbrapa krahut tonë, iu siguron që t’ia arrijnë të dalin të gjithë në vijën e parë.

“Situata, – përsërit – është e paqëndrueshme. Ende nuk ka mbërritur disfata, por ajo mund të vijë. Nëse nuk rezistohet në lartësitë përreth fushës së Korçës, grekët mund t’i sulen Elbasanit, dhe dorëzimi i Gjirokastrës, ndoshta mund të jetë çështje orësh. Si t’i ndalim? Pikërisht kjo më bën të mendoj atë, pra, që gjeneralët nuk japin një plan. Ata janë gjithnjë nën trysninë e armikut, i cili është mjaft mirë i armatosur”.. 3 dhjetor 1940. Këshilli i Ministrave.

Forcat tona në Shqipëri mesa duket po “mbahen”. Në këtë jetë një ditë edhe një lajm sado pak më i mirë apo më i keq qoftë, të ndihmon të jetosh. Duce është më i qetë dhe i çlodhur. Humori i tij na frymëzon të gjithëve. Ndërkaq, simbas njoftimeve të buletinit të grekëve, ne kemi humbur Pogradecin, por në të vërtetë ai ende është “italian”…

 

(Kosova Sot)